Ankimimi i masës së sigurimit të detyrimit tatimor, kur kërkohet dhe procedura

543
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton subjektet për formën e anikimimit në rastet kur zbatimi i masave të sigurisë ndaj pasurisë, nuk është ekzekutuar në mënyrë të rregullt. Sipas ligjit në fuqi, tatimpaguesi ka të drejtë të paraqesë ankesë tek Drejtori i Drejtorisë Rajonale. Përjashtohet këtu rasti kur, detyrimi tatimor i pa mbledhur, konsiderohet në rrezik në kuptim të ligjit Nr.9920, datë 19.05.20008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ekzekutimi i vendimit për marrjen e masave të sigurisë konsiderohet se nuk është kryer në mënyrë të rregullt, nëse bëhet sipas rasteve të mëposhtme:

– kur tatimpaguesi nuk ka pasur njoftim me shkrim për sigurimin e detyrimit tatimor, brenda afateve kohore të parashikuara nga ligji Nr.9920, datë 19.05.20008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar:
– kur gjatë periudhës së daljes së vendimit dhe ekzekutimit të tij, detyrimi tatimor është paguar;
– nëse pasuria e vendosur si barrë siguruese apo hipotekë, është në grupin e sendeve mbi të cilat nuk mund të shtrihet ekzekutimi sipas nenit 529 të Kodit të Procedurës Civile;
– kur akti me anë të të cilit kërkohet të veprohet për ekzekutimin për mbledhjen me
forcë të detyrimeve tatimore, ka dalë jo në emër të tatimpaguesit, por kundrejt një personi tjetër.

Për këto parregullsi të konstatuara, tatimpaguesi e ushtron te drejtën e ankimit brenda 30 ditëve nga data e konstatimit te tyre. Në çdo rast në ankesën e tij tatimpaguesi është i detyruar t’i provojë administratës tatimore momentin se kur ai ka marrë dijeni për një parregullsi, gjë e cila duhet të provohet vetëm me anë të provave shkresore. Pavarësisht nga paraqitja e provave prej tatimpaguesit, kur rrethanat e çështjes tregojnë se ai kishte mundësi për të marrë dijeni për njoftimin për ekzekutimin e vendimit më parë, ankesa e tatimpaguesit nuk merret në konsideratë nga ana e administratës tatimore. Nëse një parregullsi e pretenduar nga tatimpaguesi, rezulton se është e vërtete, ankimimi për të cilën është i arsyetuar dhe i paraqitur brenda afateve, atëherë titullari i administratës tatimore ka të drejtë që në bazë të një vendimi me shkrim, të motivojë revokimin e vendimit dhe të çlirojë nga barra sendet mbi të cilat është vendosur barra siguruese apo hipoteka. DPT thekson se kur kërkesa nuk është paraqitur brenda afatit kohor prej 30 ditësh, konsiderohet e pavlefshme dhe nuk shqyrtohet./Monitor