Sigal

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare “kthehet” në agjenci udhëtimi për Kryeministrinë dhe ministritë

Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Trajtimit të Personaliteteve të Larta tani do të funksionojë edhe si agjenci udhëtimi që do të rezervojë bileta dhe hotele për institucionet e larta shtetërore, Kryeministrinë dhe Ministritë e linjës. Një ndryshim i fundit i bërë ne vendimin që përcakton funksionimin e kësaj drejtorie, saktëson se përpos nëntë detyrave që kjo drejtori kishte më herët i shtohet edhe një tjetër e re. Kështu në pikën 2 të vendimit pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë” ku thuhet se tek detyrat kryesore të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare është edhe: Ofron shërbime si agjenci udhëtimesh, për shitjen e biletave në fushën e transportit ajror dhe rezervimin e akomodimin në hoteleri jashtë vendit, për institucionet e larta shtetërore, Kryeministrinë e ministritë e linjës dhe, me kërkesë të tyre, për Presidencën dhe Kuvendin e Shqipërisë”. Në çdo rast shpenzimet për tre prej pikave që përfshijnë detyrat e kësaj drejtorie( përfshirë biletat e udhëtimit jashtë dhe rezervimin apo akomodimin në hotel) institucionet duhet t’i përballojnë me fondet e tyre.

Detyrat kryesore që ka Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare

Sipas ligjit në fuqi Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Trajtimit të Personaliteteve të Larta ka nëntë detyra kryesore.

Së pari, kryen shërbime qeveritare të pritjes së delegacioneve të huaja, të personaliteteve të larta, të miqve e dashamirësve të vendit tonë etj., të cilët vijnë të ftuar nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave.

Së dyti, trajton me kushte banimi e ushqimi delegacionet e rangjeve të larta, që vijnë në ministri e institucione qendrore.

Së treti, trajton e plotëson nevojat jetësore të personaliteteve të larta.

Së katërti, plotëson kushtet e nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë shtetërore, si të mbledhjeve, konferencave, seminareve, veprimtarive ndërkombëtare etj., që kryhen në mjediset e Drejtorisë se Shërbimeve Qeveritare.

Së pesti, në përputhje me aktet ligjore në fuqi ajo kryen aktivitet tregtar siç është: dhënia me qira e vilave, objekteve që ka në administrim, si dhe kryen veprimtari ekonomike të turizmit e të shërbimeve hoteleri për persona fizike e juridike vendas e të huaj. Për nevoja të veçanta në rrethet ku nuk disponon rezidenca apo vila, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare mund të marrë objekte me qira nga subjekte shtetërore apo private, vendas apo te huaj.

Së gjashti, në objektet e saj, ku ka organizuar restorante, trajton kundrejt pagesës edhe anëtarët e Këshillit të Ministrave, deputetet e Kuvendit dhe titullarët e institucioneve të tjera qendrore. Rregullat e caktimit të çmimeve miratohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare.

Së shtati, kryen veprimtari shitblerjeje, veprimtari prodhimi me porosi, riparim shërbime, shërbime me taksi dhe veprimtari të tjera të kësaj natyre në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Së teti ofrimin e shërbimeve të përgjithshme, në Kryeministri.

Shpenzimet për këtë shërbim përballohen nga buxheti i shtetit. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare mund t’i kërkohet, pjesërisht apo tërësisht, ofrimi/transferimi i këtyre shërbimeve të përgjithshme edhe nga institucionet më të larta të shtetit, si Presidenca apo Kuvendi i Shqipërisë. Shpenzimet për shërbimet e ofruara përballohen nga buxheti i shtetit. Së nënti kjo drejtori ka detyrë organizimin e eventeve, si dhe të aktiviteteve ceremoniale, publike dhe jopublike, sipas kërkesës, duke trajtuar me përparësi nevojat e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit. Shpenzimet për këto evente përballohen nga buxheti i vetë institucioneve. /Monitor