Koço Broka: Vendimmarrja dhe vetëbesimi

1380
Gjatë fundvitit të 2015, më së fundi, nga Ministria e Financave (MF) u publikua informacioni i shumëpritur, nga media dhe opinioni publik “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar janar-nëntor 2015”. Krahas me informacionin e dhënë nga Fletorja Zyrtare e fundit e vitit 2015, nr 236, ai përbën një informacion të dobishëm e të nevojshëm, ku ekonomistët, media e mbarë opinioni mund të gjykojnë me mendjen e vet dhe jo vetëm apo kryesisht mbi opinion- formimin e deklaratave të shtypit te tipit: “Ecuria e të ardhurave dhe shpenzimeve për 11-mujorin 2015”, postuar më 29 dhjetor 2015, “Ecuria e të ardhurave dhe shpenzimeve për 10 – mujorin 2015”, postuar më 24 nëntor 2015, “MF:Ja të ardhurat dhe shpenzimet janar-shtator dhe analiza e tyre”, postuar më 21 tetor 2015, “E vërteta mbi borxhin publik”, postuar më 20 korrik 2015, etj të publikuara po nga MF. Viti që lamë pas do të mbahet mend për këtë tip deklaratash, që synon atë që njihet si efekt i informacionit të përbashkët, pra ku opinioni publik të mos formësohet mbi bazën e shqyrtimit dhe analizimit të fakteve, të dhënave reale të treguesve fiskalë, por mbi bazën e shpjegimit dhe orientimit të vëllait të madh …të deklaratave të mësipërme. Natyrisht shpjegimi narrativ i treguesve fiskalë nga organet shtetërore nuk ka asgjë të keqe në vetvete. Madje siç rezulton e do e trajtoj edhe më poshtë është jo vetëm i nevojshëm por dhe i domosdoshëm. Por deklaratat e mësipërme nuk kanë këtë synim. Le ta argumentoj këtë. 
Niveli i defiçitit buxhetor
Një nga të dhënat sinjifikative të treguesve fiskalë të periudhës janar-nëntor 2015, është pa dyshim niveli i deficitit buxhetor, i cili ishte -24 miliardë e 438 milionë lekë ose 16 miliardë e 550 milionë lekë më pak se sa plani dhe 16882 miliardë lekë më pak se sa fakti i vitit të kaluar. Këtë thotë pasqyra: Treguesit fiskalë sipas buxhetit te konsoliduar janar-nëntor 2015. Me këto të dhëna të krijohet ideja se nuk ka asnjë shqetësim, për treguesit fiskalë. Niveli i deficitit si 11 mujor është thuajse sa gjysma e nivelit të deficitit mesatar të realizuar gjatë 11 mujor në katër vjetët pasardhës. Megjithatë sipas të dhënave zyrtare po të MF për borxhin publik, rezulton se në shtator 2015, ai arriti në nivelin 1062 miliardë e 703 milionë lekë me një shtim prej 84 miliardë e 746 milionë lekë krahasuar me fundin e vitit 2014 ose në rritje prej 8.66 %. Ndërsa të ardhurat buxhetore si 11 mujor janë rritur me një ritëm rritje prej 4.3% ose 14 miliard e 306 milion lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Zor se një qytetar i zakonshëm mund të shpjegojë përse ndodh kontradiksioni i mësipërm: Ndërsa të ardhurat buxhetore nuk realizohen dhe borxhi rritet kreshendo deficiti buxhetor është minimal. Ja përse është e nevojshme që shifrat të dhënat të shoqërohen me shpjegimin narrativ të dukurive që kanë ndodhur, ja përse deklaratat e MF në vetvete nuk janë herezi. Gjithsesi në kushtet kur ritmi i rritjes se borxhit publik dhe përmasave absolute të tij janë dukshëm shumë më të larta se rritja e të ardhurave buxhetore dhe në kushtet e stanjacionit të pagave dhe pensioneve, (ose vetëm indeksimit të këtyre të fundit), nuk është vështirë të konstatohet se po ecet kreshendo ndaj skenarit grek. Ose më saktë po të mbajmë parasysh se shtesa e të ardhurave buxhetore, është më e vogël se sa rritja e tatim taksave, çmimeve të mishëruar në paketën fiskale që shoqëroi buxhetin (me poshtë do e shtjelloj më tej) kjo do të thotë se kemi hyrë në këtë skenar. Natyrshëm lind pyetja si është e mundur që duke iu referuar shifrave zyrtare të publikuara (që për mua personalisht janë të besueshme, të vërteta) ndërsa borxhi publik rritet, deficiti buxhetor pakësohet si rrallë herë?! 
Leximi i treguesve fiskalë
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, çdo qytetar me njohuri të zakonshme jo me profil ekonomik do kishte nevojë të lexonte deklaratat narrative të paanshme mbi treguesit fiskalë buxhetorë ku mund të hidhnin dhe është e nevojshme të hedhin dritë deklaratat e shtypit të MF. Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, për mendimin tim, duhen pasur parasysh elementet metodologjikë të leximit të treguesve fiskalë të buxhetit të konsoliduar. Jo të gjithë mjekët, mësuesit etj mund të dinë se pagesat e principalit të borxhit të jashtëm –të emërtuar “Ripagesat”, në pasqyrën e sipërpërmendur janë ekstra buxhetore nuk përfshihen e nuk pasqyrohen në shpenzimet e për rrjedhojë edhe në deficitin buxhetor. Ndërkohë po kështu ndodh me zërin “Mbështetjen buxhetore”, e cila mund të jetë kredi (në rastet e mbulimit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) apo Banka Botërore (BB), që rritin borxhin publik) por mund të jetë grant nga Bashkimi Europian (BE). Këto informacione nuk mund ta marrin me mend lexuesit e “Treguesve Fiskalë të Buxhetit të Konsoliduar”, qofshin ekonomistë apo financierë, përfshi dhe mjaft Dr. apo Prof. Për këtë flet dhe fakti se edhe disa nga këta të fundit në shkrimet e këtij viti kanë deklaruar steriotipe si: “Por në kushtet rënies se burimeve të financimit të ekonomisë si, remitancat, donacionet e huaja (Shqipëri nuk konsiderohet me një vend i varfër)…”. Në fakt, donacionet e huaja –“Mbështetja Buxhetore” si do e shohim edhe më poshtë gjatë 2015 ka pasur nivele nga më të lartat. Deklaratat sqaruese të MF mbi mbështetjen buxhetore-donacionet e huaja, si të tilla janë jo vetëm të nevojshme, por dhe të domosdoshme. Por po t’i lexosh deklaratat e cituara më sipër të MF ato nuk japin asnjë shpjegime sqarim të tilla, veç atyre të ‘Vëllait të Madh’. 
Paragjykimi vetëbesues
Por përveç dukurisë së efektit të informacionit të përbashkët, dhe vetëbesimit që shoqëron deklaratat, nuk mund të mos të bjerë në sy, dukuria e paragjykimit konfirmues, tendenca e njerëzve për të kërkuar dhe prezantuar atë informacion që konfirmon atë që ata duan të besojnë, por dhe paragjykimi i egocentrizmit. Ky i fundit ka të bëjë me besimin e pajustifikuar në procesin e vendimmarrjes. Një dukuri e tillë jo vetëm shqiptare, ka tingëlluar e padëmshme deri në krizën financiare të 2008 në SHBA. Deri në atë vit Amerika për shtetarët ishte e ngazëlluese, ekonomia në lulëzim, njerëzit duke blerë shtëpi ndjeheshin më të pasur… Kjo edhe pse sipas studiuesve, shenjat paralajmëruese si huamarrje e madhe, investime të pamenduara, banka lakmitare, ente rregullatorë që i kishte zënë gjumi në timon, ishin kudo. Paragjykimet egocentrike, ose besimi i pajustifikuar gjatë procesit të vendimmarrjes, shoqëruan paragjykimet konfirmuese. Ndërkohë nuk munguan analistë të veçantë që parashtronin se kjo situatë mund të kishte, një fund të keq. Falimentimi i Brothers parapriu ngërçin e gjithë sistemit financiar. Ekonomia amerikane dhe më pas ajo botërore hyri në krizë… Nuk janë të paktë studiuesit që mendojnë se në këtë krizë ka pasur efektin e vet, fakti se shtetarët mbyllën sytë para shenjave dhe sinjaleve që, ata nuk donin t’i shihnin. Shpesh njerëzit tregohen të verbër, ose bëjnë sikur…A jemi para një rasti të tillë në Shqipëri? Megjithëse, siç thotë një fjalë e urtë gjermane, çdo krahasim çalon, unë mendoj se po. Por para se të ndalem më në detaje për shenjat dhe sinjalet e vitit 2015 që nuk po shihen sidomos në deklaratat e mësipërme, le të shohim përse shtetarët shqiptarë kanë ndonjë ose disa justifikime. Unë po ndalem vetëm në njërin prej tyre. Gjatë 2014, Qeveria shqiptare me ndihmesën e drejtpërdrejtë të FMN u angazhua për konsolidimin fiskal duke marrë përsipër paraprakisht edhe disa kosto që ka në vetvete një ndërmarrje e tillë. Ngrirja e pagave, stanjacioni i pensioneve deri në indeksim por dhe rritja e ngarkesën fiskale- tatim-taksave me një efekt buxhetor mbi 20 miliardë lekë ishin disa kosto të tilla. Por nga ana tjetër buxheti i 2014, i parashikuar për 364 miliardë e705 milionë lekë u realizua 367 miliardë e 949 milionë lekë, ose me një shtesë prej 39 miliardë e 322 milionë lekë. Po të mbahet parasysh se për tre vitet paraardhëse 2010-2013, shtesa e të ardhurave buxhetore ishte vetëm 3 miliardë e 906 milionë lekë, (shumë më pak se efekti i inflacionit) nuk është vështirë të konstatohet se Qeveria ka pasur jo vetëm rezultate të dukshme në rritjen e të ardhurave buxhetore, por ndërkohë krejt të ndryshme me tre vitet paraardhëse, por dhe në qeverisje të ndryshme. Por ky dallim mjaft i qartë, për organizata të tilla si FMN, BB, për ekonomistë objektivë zor se mund të perceptohet si i tillë nga publiku i gjerë, aq më tepër kur amplifikohet herezia e stanjacionit të pagave pensioneve, rritjes së tatim-taksave, ndonëse ato mund të bëhen të pashmangshme në një moment kur situata makroekonomike mund të bëhet shpërthyese. Nga ana tjetër rezultate të tilla në rritjen kreshendo të të ardhurave buxhetore (para të arkëtuara në buxhet) zor se mund të mos ushqejnë jo thjesht rritje të vetëbesimit për ata që kanë menaxhuar e realizuar këto rritje, por pse jo… për ndokënd edhe paragjykime egocentrike… 
Paragjykimet egocentrike
Me apo pa paragjykime egocentrike, pa bërë një analizë e plotë përse u mundësuan ato rezultate në të ardhurat buxhetore në vitin 2014, u mendua se kjo do të arrihej edhe do përsëritej edhe në 2015. Të ardhurat buxhetore u parashikuan të shtoheshin gjatë këtij vitit në shumën e 46 miliardë e 520 milionë lekë, për të arritur në nivelin e 414 miliardë e 469 milionë lekëve në fund të vitit, nga 367 miliardë e 949 milionë lekë, që rezultuan një vit më parë. Ndërkohë u deklarua se “pas një trendi rënës të rritjes ekonomike, në vitin 2015 parashikohet një kthesë pozitive të PBB-së, me 3%, nga 2.1% që pritet në 2014. Ne jemi zotuar dhe kemi rënë dakord për të ulur borxhin publik, nga 71% të PBB-së që është aktualisht, në 65% në vitin 2017…”. Vetëm nga paketa fiskale u parashikua një rritje e të ardhurave buxhetore prej 16 miliardë lekësh, ndërsa pjesa tjetër do ishte rrjedhojë e rritjes së GDP dhe përmirësimit të administrimit fiskal. Pra nga njëra anë pretendohet për rritje të ngarkesës fiskale nga ana tjetër se kjo do të shoqërohej me rritje ekonomike dhe një rritje akoma shumë më të madhe të të ardhurave buxhetore?! Vështirë për t’u pranuar nga mendimi ekonomik, pa bërë fjalë për reklamues-partizanët e taksës së sheshtë. Natyrisht ushtrimi në praktikë ishte dhe mbetet kompleks po të mbahet parasysh angazhimi dhe ndihmesa xheneroze me financime lehtësuese të FMN prej 330.9 milionë euro por dhe BB. Duke trajtuar këtë problematikë, qëndrimi im ka qenë i qartë. Në një interviste të datës 2 Mars 2014 në “Shekulli”, pyetjes së gazetares:-Sa frymëmarrje do t’i japë ekonomisë Kredia e FMN-së? i jam përgjigjur: “Për ekonominë shqiptare nuk ka vend për eufori edhe pas disbursimit të kredisë. Kredia e FMN-së është në momentin e duhur, por ajo nuk është gjithçka. Në fakt nuk është Qeveria ajo që do ta shpjerë ekonominë në destinacion e rivitalizimin e ritmeve të rritjes të ekonomisë 4 % apo në uljen e nivelit të borxhit nga 70.5 % në vitin 2013, në 65.6 ne vitin 2017, në periudhë afatmesme. Ajo ka për detyrë të realizojë reformat për të cilat folëm e këshillojnë edhe ndërkombëtarët. Por gjithçka do të varet nga aftësia konkurruese e biznesit. Nëse një pjesë e tij do të vazhdojë të bëjë presion duke pretenduar se do të zhvendose kapitalin, në shtete të tjera, në vend të mendojë dhe të angazhohet realisht për rritjen e aftësive të veta konkurruese zor se mund të frenohet rënia ekonomike dhe jo më të realizohet rivitalizimi i ekonomisë. Nëse Qeveria e Koresë së Jugut shpalli strategjinë proeksport, ishte aftësia e biznesit për t’iu përgjigjur kësaj strategjie për të prodhuar ‘Samsung’ në atë cilësi dhe çmim qe te bëhej konkurrues në tregun ndërkombëtar”. Pra edhe në rastin kur qeveria, bën mirë detyrat e saj, gjithçka varet nga tregu, nga aftësia konkurruese e biznesit, në ekonominë rajonale, europiane, globale. 
Vlera e qeverisjes
Vlera e një qeverisje të mirë konsiston në krijimin e këtij mjedisi konkurrues për biznesin. Ky është mendim im si ekonomist, i cili dhe në kushtet e arritjeve të larta të të ardhurave buxhetore të vitit 2014, që nga madhësia absolute mund të krahasohen me ato të vitit 2008, nuk ka përse të ngazëllehesh e aq më pak t’i hapësh kanatat e të përqafosh paragjykimin egocentrik. Natyrisht në se rritja e tatim taksave, ishte e pashmangshme si për rrethanat makroekonomike të vendit por dhe se ai kusht i ofrimit të ndihmesës xheneroze të financimit nga FMN, shtesa prej 46 miliardë lek, nuk mund të përqafohet symbyllurazi, pa patur parasysh apriori teorinë ekonomike mbi efektin e rritjes së barrës fiskale në ritmet e rritjes ekonomike. Nga ana tjetër nëse vetëm për nëntor 2015, shlyerja principali të borxhit të marrë sidomos 5 vjet më parë, ishte në masën 44 miliard e 375 milion lekë, angazhimi serioz i qeverise por dhe mbarë shqiptarëve për ta shlyer atë pa tronditje makroekonomike, duke mobilizuar në maksimum administrimin fiskal nuk ishte herezi. Por në kushtet kur në fakt shtesa-rritja e të të ardhurave buxhetore si 11 mujor rezultoi vetëm 14 miliardë lekë e 306 milionë lekë, nga 44 miliardë e 242 milionë të parashikuar në ndarjen e parë të buxhetit të aprovuar për vitin 2015 s’ka asnjë vend për vetëkënaqësi dhe hapjen e kanatave ndaj paragjykimit egocentrik apo dhe atij konfirmues, të mishëruara në deklarata e sipërpërmendura. Nga ana tjetër në to nuk thuhet asnjë fjalë sqaruese se çfarë ka ndodhur që mbështetja buxhetore e parashikuar në buxhetin fillestar të 2015 në masën e 14 miliardë lekëve dhe në 48 miliardë lekë e 926 milionë në buxhetin e rishikuar, në fakt qenka realizuar sipas të dhënave të 11 mujorit, qenka realizuar 110 miliardë e 935 milion lekë. Të paktën të bëhet sqarimi elementar se megjithëse kemi rritjen prej 2.6 herë të mbështetjes xheneroze të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, nuk ka asnjë gabim shkrimi gjatë shtypjes ashtu siç ndodhi gjatë publikimit të Aktit Normativ lidhur me detyrimet e prapambetura. Ndërkohë nuk do ishte dhe nuk është herezi që në deklaratat e sipërpërmendura, krahas sqarimit se kush ka kontribuar në këtë mbështetje buxhetore, qoftë me kredi të buta (FMN-BB…) apo grante të BE, të shprehet falënderimi i shqiptarëve, por pse jo dhe Qeverisë shqiptare për mbështetjen që na është dhënë nëpërmjet kësaj mbështetje buxhetore, pa të cilën zor se do ishte kjo situatë makroekonomike që kemi sot. Në se kjo mbështetje buxhetore, është dhënë për këtë Qeveri dhe nga kjo na bëhet mirë dhe ne shqiptarëve, mendoj se shtetarët duhet të falënderojnë mbështësit e buxhetit, të paktën nga ana dhe në emër të shqiptarëve, duke iu përgjigjur sa më mirë dhe kushteve të vëna për realizimin e buxhetit 2016. Informacioni për statistikat fiskale të 11 mujorit të vitit 2015 dhe treguesit e buxhetit të këtij viti, 2016, hedhin dritë se gjatë këtij viti problemet e shfaqura gjatë 2015, pritet të jenë më të mëdha. Pritshmëria ime si ekonomist, është se realizimi i të ardhurave buxhetore, për vitin 2015, pritet të jetë rreth 378 miliardë lekë +-(plus-minus) 1-2 miliardë, nga 398 miliardë lekë që parashikohen të ardhurat buxhetore sipas Aktit Normativ. Por një situatë e tillë ku ndryshimi është 20-22 miliardë lekë, ka efekte të drejtpërdrejta mbi shtesën e parashikuar të ta ardhurave të buxhetit për vitin 2016. Duke u nisur nga supozimi i Qeverisë se të ardhurat buxhetore për 2015 do të realizohen 398 miliardë lekë, atëherë shtesa prej vetëm 20 miliardë lekësh, për të mundësuar një nivel të ardhurash buxhetore prej 418 miliardë e 894 milionë lekë, sa janë parashikuar për vitin 2016 e bën buxhetin jo vetëm një buxhet që synon konsolidimin fiskal, por dhe një buxhet real, objektiv të mbështetur me këmbë në tokë e për rrjedhojë të arritshëm… siç janë shprehur dhe mjaft deputetë që e votuan atë. Por natyrisht situata ndryshon në se mbahet parasysh se buxheti i vitit 2015 do të realizohet 378 miliardë lekë plus minus 1-2 miliardë lekë. Pra shtesa e të ardhurave buxhetore pritet të jetë 40-42 miliard lekë. 
Ndryshimi i strategjisë për zhvillimin ekonomik
Në këto kushte kërkohet ndryshimi i strategjisë për zhvillimin ekonomik gjatë 2016 dhe të hiqet dorë nga çdo gjykim dhe paragjykim egocentrik konformues, duke ua hedhur gjithë fajin faktorëve të jashtëm, duke mos mbyllur sytë nga sinjalet dhe shenjat që janë shfaqur dukshëm dhe paralajmërojnë për vështirësi serioze edhe gjatë 2016 si ato të 2015. Po ndryshe nga 2015, ndonëse ripagesat janë mjaft më të ulëta se viti 2015, por jo të papërfillshme duke pasur parasysh nivelin e tyre prej 26 miliardë lekësh, ekonomisë shqiptare dhe shqiptarëve iu duhen zgjidhje ekonomike e sociale, që nuk justifikohen me veprimin negativ të faktorëve të jashtëm, por duke mbajtur parasysh dhe efektin e këtyre, të realizohen zgjidhjet e dëshiruara ose minimalisht të domosdoshme për të mos u përkeqësuar niveli i tyre i jetesës. Në këtë rrafsh për qeveritarët e deputetë- politikëbërësit ia vlen të mbahet parasysh në kushtet e konsolidimit makroekonomik e fiskal, në 2014 shtesa e GDP, është ka rezultuar 43 miliardë lekë, ndërkohë që në buxhetin e shtetit janë arkëtuar 39.3 miliardë lekë ose mbi 91%. Ndërkaq nëse shtesa e të ardhurave buxhetore, pritet të jetë për të dy vitet 2014-2015- sipas vlerësimit tim 50 miliardë lekë (378-328.6=49.4), kjo do të thotë se të gjitha ato dhe disa të tjera borxh, kanë shkuar vetëm për disa, grupin e bizneseve për të cilët janë shlyer detyrimet e prapambetura (35+18.5=53.5) miliard lekë për dy vitet 2014-2015. Shqiptarët mësuan se për buxhetin e viti 2016 nuk janë parashikuar shuma të tjera për të shlyer ndaj detyrimeve që u ka shteti. Në këto rrethana ata duan të dinë përse u pezullua shlyerja e detyrimeve të prapambetura për vitin 2016, prej 18.5 miliardë lekësh të tjera, për të realizuar detyrimin e shpallur prej 72 miliardë lekë, si është e vërteta?! A ka krijuar dhe në se po sa janë detyrimet e reja të krijuara gjatë 2015, si rezultat i një diference shumë të madhe midis buxhetit të programuar në fillim të vitit dhe atij të realizuar në fakt. Politikëbërësit ia vlen të reflektojnë në atë se, shtesa e të ardhurave buxhetore për të dy vitet s’ka mjaftuar për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke marrë masa konkrete në se të ardhurat buxhetore për vitin 2015, nuk do të realizohen 398 miliardë por 378 miliardë lekë. Të paktën t’u jepet nga një medalje atyre që i krijuan këto detyrime të prapambetura por dhe atyre që i shlyen ato. Në këtë rrafsh është e nevojshme transparenca se sa biznese (numri i tyre) i kanë përfituar këtë shumë është një detyrim minimal, ndaj shqiptarëve që jo vetëm nuk kanë përfituar, nga shtesa e të ardhurave (përveç disa bamirësive të veçanta) por iu është rritur kreshendo si tatim taksat për më se 36 miliardë lekë, ndërsa borxhin publik më se 177.6 miliardë leke në shtator 2015 krahasuar me dhjetorin e 2013. 
Reflektim mbi efektivitetin e investimeve
Një reflektim ja vlen të bëhet mbi përdorimin e efektivitetin dhe eficencën e investimeve publike. Pavarësisht nga një rënie e tyre gjatë dy viteve të fundit, krahasuar me vitet e paraardhëse (2010-2013), e cila në kushtet e mbështetjes buxhetore xheneroze, ka qenë relativisht e vogël, duhet hedhur dritë mbi e efektivitetin dhe eficencën e tyre. Më e pakta të bëhet transparente lista e objekteve ku janë përdorur 105-120 miliard lekë dhe sidomos efekti i tyre në rritjen e të ardhurave buxhetore për2015. Ndërkohë shenjat e sinjalet e treguesve të mëposhtëm ekonomikë janë të qarta. Niveli i depozitave bankare në fund të tetorit 2015 ishte 5.4 miliardë lekë më pak se në fund të 2014, stoku i kredisë bankare ishte rreth 12 miliardë lekë më pak. Niveli i eksporteve për 11 mujorin janar-nëntor 2015, ishte 11 miliardë leke me pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, niveli i importeve ishte 6.9 miliardë lekë më pak . Në këto rrethana lind pyetje cilat janë rrugët që do të bëjnë të mundur shtesën e të ardhurave buxhetore të parashikuar për 2016, por jo me një nivel prej 398 miliardë lekësh të të ardhurave buxhetore, por me një nivel prej 378 miliardë lekësh, kur kufiri limit i rritjes së borxhit për 2016 është parashikuar në 38 miliardë e 31 milionë, kur për 2015 ishte 89 miliardë e 466 milionë lekë? Pra nëse vitin e kaluar kishte mbështetje buxhetore shumë më të madhe, por u realizua një shtesë vetëm prej 11 miliard lekësh (aq sa ishin te ardhurat shtesë vetëm nga shitja e licencave për telefoninë e lëvizshme, plus të ardhurat shtesë nga rritja e taksës mbi karburantet), cilat janë rrugët reale për të mundësuar këtë shtesë? Programi i rritjes të Produktit të Brendshëm Bruto ( PBB) me një ritëm rritje reale prej 3.4% dhe një shtesë nominale në masën e 88.8 miliardë lekëve kur kjo e fundit për dy vitet e fundit ishte 91 miliardë lekë ? Besoj që jo. Vazhdimi i angazhimit për formalizimin e ekonomisë është një premisë e mirë, edhe në kushtet nëse Qeveria e humbet gjyqin me Kushtetuesen. Përveç të ardhurave buxhetore ajo mundëson një konkurrencë reale. Përvoja e dy viteve të shkuara tregon se jo rishpërndarja, por konkurrenca është kryesorja. Ajo është dhe duhet të jetë e para. Por gjithsesi fjalën vendimtare e ka biznesi, fermerët, sipërmarrësit, por dhe një mendim racional ekonomik. Pretendimi se ecuria e viteve 2010-2013, do të ndryshohet dhe do të kapërcehet duke rivendosur taksën e sheshtë por jo 10 %, por tashmë 9 % është shumë më tepër se sa një fantazi. Mbështetja edhe nxitja e sipërmarrësve është shumë më tepër se politika fiskale. Mosthithja e fondeve nga fermerët pra dhe kur fondet janë falas është dëshmia më kuptimplote për këtë. Por çdo gjë mund të ndryshojë për mirë, nëse me daljen e të dhënave përfundimtare të realizimit të të ardhurave buxhetore të 2015 hiqet dorë nga paragjykimi konformist dhe egocentrist i politikëbërësve.

Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 23.01.2016
Sigal