Ja lista e plotë e koncesioneve me vlerë 5 miliardë euro

499
Sigal

Qeveria kërkon sërish 80 milionë USD tek BB-ja për të monitoruar PPP-të që vetë i ka dhënë

Nuk kaloi shumë kohë nga trokitja e fundit në “derën” e  Bankës Botërore për një kredi që do të mbështesë vendin për përballimin e pandemisë  dhe një tjetër projekt është dorëzuar për një kredi 80 milionë dollarë. Referuar dokumentit zyrtar, qeveria shqiptare po kërkon këtë kredi nën argumentin e financimit të politikave për zhvillimin e rritjes dhe qëndrueshmërisë fiskale të Shqipërisë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë që është edhe institucioni huamarrës, ka paraqitur kërkesën e saj dhe vendimi i bordit të Bankës Botërore pritet që të merret në 29 tetor 2020. Por çfarë parashikon në fakt projekti i radhës që është pjesë e mbështetjes së BB-së në kuadër të programit 5- vjeçar që ka me vendin tonë 2015-2020? Me sa duket qeveria e “Rilindjes” nuk është ngopur me 5 miliard euro koncesione që i ka ngarkuar në kurriz shqiptarve, por tashmë ka kërkuar edhe 80 milionë dollarë të tjera për të monitoruar PPP-të që vetë i ka dhënë me oferta të kërkuara dhe të pakërkuara. Pasi masakroi dhe varfëroi shqiptarët, i rropi taksapaguesit, tani ka ardhur momenti që të kontrollojë zullumet e saj, dhe të plotësojë formularët që nesër të mos kenë mundësi organet e hetimit të verifikojnë babëzinë e kësaj qeverie. Por një tjetër fakt që kërkon ëvëmëndje është ai që ka të bëjë me Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili me ardhjen e titullarit të ri të tij, që sipas disa të dhënave, rezulton se është nga Tepelena dhe pjesë e familjes nepotike të Kryeparlamentarit Gramoz Ruçi. Kështuqë edhe këto 80 milionë dollarë do të shkojnë në gojën e madhe të kuçedrës rilindëse që ka gllabëruar rreth 5 miliardë euro PPP, lista e të cilave është bashkangjitur këtij materiali.

Monitorimi i PPP-ve, shpenzimet dhe rritja e të ardhurave

Në dokument pranohet se qeveria ka rritur rreziqet jashtë buxhetore duke u orientuar tek partneritetet publike private, por që në kushtet e krizës lind nevoja që të bëhet vlerësimi i ecurisë së tyre dhe që qytetarët të marrin shërbim më të mirë për paratë që paguajnë. Pjesë e këtij projekti është edhe monitorimi i shpenzimeve si dhe ndërhyrja për të rritur kapacitetet në mbledhjen e më shumë të ardhurave. “Dizejnimi i këtij operacioni të veçantë reflekton një ushtrim sistem prioritarizimi dhe ndërtohet mbi tre shtylla. Si parakusht për një rikuperim elastik, shtylla e parë e këtij operacioni mbështet Shqipërinë në miratimin e reformave kryesore që forcojnë transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike të saj. Edhe para krizës aktuale, Shqipëria kishte një stok të lartë të borxhit publik, që llogaritej në 67.8 përqind të PBB-së në fund të vitit 2019 (krahasuar me një mesatare të vendeve të Ballkanit Perëndimor prej 50.8 përqind), veçanërisht duke pasur parasysh një bazë ende të dobët kronike të të ardhurave publike në 27.8 përqind të PBB-së (krahasuar me një mesatare të vendeve të Ballkanit Perëndimor prej 35.7 përqind). Kriza aktuale parashikohet të rrisë më tej borxhin e qeverisë mbi mbi 80 përqind të PBB-së. Në këtë kontekst, së pari, kjo shtyllë forcon aftësinë e rritjes së të ardhurave të Shqipërisë për të rritur hapësirën fiskale dhe për të ulur borxhin e qeverisë. Kjo shtyllë mbështet publikimin e parë të rishikimit të plotë të shpenzimeve në Shqipëri dhe institucionalizimin e botimeve të rregullta në vazhdimësi. Transparenca fiskale mund të luajë një rol të rëndësishëm në disiplinimin e politikave dhe garancinë që burimet buxhetore vendosen në mënyrë më efektive, gjë që është veçanërisht e vlefshme në kontekstin aktual të krizës dhe masave të jashtëzakonshme fiskale për të mbështetur ekonominë. Kriza e tanishme ka rritur presionet buxhetore edhe më tej. Ky operacion mbështet një kornizë të forcuar të përzgjedhjes dhe monitorimit për PPP-të, që synon të sigurojë që ato të ofrojnë vlerë më të mirë për paratë dhe që rreziqet për buxhetin, të jenë më të përmbajtura.

Forcimi i kuadrit për NPL-të dhe zgjidhja e çështjes jashtë gjykatës

“Shtylla e dytë e këtij operacioni ndihmon Shqipërinë në rritjen e financave për rimëkëmbje dhe rritje ekonomike. Për të financuar investimet e nevojshme për të azhurnuar modelin e rritjes së Shqipërisë, kjo shtyllë forcon mobilizimin e kapitalit privat duke kontribuar  në të njëjtën kohë në rritjen e qëndrueshme të biznesit dhe krijimin e vendeve të punës.

Së pari, kjo shtyllë qartëson kuadrin për zgjidhjen e kredive me probleme të Shqipërisë (NPL). Megjithëse NPL-të e sistemit bankar kishin rënë që nga kriza globale financiare e vitit 2008- 09, ato ishin ene më të lartat në rajon me 8.4 përqind të portofolit të kredisë në fund të vitit 2019 (krahasuar me një mesatare të WB6 prej 5.3 përqind). Kriza aktuale do të rrisë më tej shqetësimin financiar midis huamarrësve. Në këtë kontekst, kjo shtyllë mbështet miratimin e një kornize të zgjidhjes jashtë gjykatës të NPL që do të mbështesë ristrukturimin e firmës dhe zgjidhjen e NPL

Së dyti, kjo shtyllë mbështet miratimin e një pakete kritike të ligjeve të sektorit financiar që përafrojnë legjislacionin e Shqipërisë me “Acquis” i BE-së dhe standardet ndërkombëtare.


Lista e plotë e koncesioneve me vlerë 5 miliardë euro, ja si “rripen” qytetarët nga pagesa e “rilindjes” për pagesat për rrugën e Arbrit dhe Orikum-Himarë

nën titull-  -Koncesionet arrijnë në 643 mld, në 2020 qytetarët do japin 14,6 mld të tjera. –

Kontratat e dhëna me koncesion në vite në sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë arritur në 643 miliardë lekë, ose rreth 5 miliardë euro, sipas një tabele “Lista dhe vlera e koncesioneve aktive 2020” të Ministrisë së Financave, botuar në projektbuxhetin 2020 (tabela e plotë në fund). Kjo shumë është sa rreth 36% e Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB). 64% e kësaj shume, ose rreth 411 miliardë lekë (rreth 3 miliardë euro) e përbëjnë koncesionet e dhëna në sektorin e energjisë, për ndërtimin e 185 hidrocentraleve, ku më i madh është HEC i Devoll me vlerë kontrate 130 miliardë lekë. Por, këto kontrata janë investime private të koncesionarëve për ndërtimin e hidrocentraleve dhe nuk marrin pagesa nga buxheti i shtetit, por nga shitja e energjisë. Ndërsa rreth 2 miliardë euro janë kontrata koncesionare, të cilat do të paguhen gradualisht nga buxheti i shtetit për dy dekadat e ardhshme, ku peshën kryesore e zënë ato të rrugëve, shëndetësisë, inceneratorërëve, skanimit në dogana dhe infrastrukturës shkollore në kryeqytet. Për këto kontrata përvoja po tregon se rrezikun e ka marrë tërësisht përsipër shteti, ndërsa koncesionarët janë të garantuar pasi ata po marrin pagesa edhe për shërbime të pakryera, gjë që është e parashikuara në kontratë (psh. si në rastin e check- up, ku koncesionari paguhet për një numër të caktuar kontrollesh kryhen apo jo ato apo të rrugës Durrës-Kukës, ku kompensohet mungesa e trafikut deri në një numër të caktuar).

Rrugët, 1.1 miliardë euro, si po fryhen pagesat

Projektet e rrugëve të firmosura, tashmë arrijnë në 141 miliardë lekë (1.1 mld euro), ku rreth 70% të kësaj shume e zënë kontratat e reja të rrugëve në ndërtim, ose që priten të ndërtohen së shpejti, konkretisht Rruga e Arbrit, Orikum-Dukat dhe Milot-Balldren. Për rrugën e Arbrit, shifra e dhënë në tabelë është 58.1 miliardë lekë, ose rreth 460 milionë euro. Ndërkohë,  në formularin e njoftimit të ofertuesit të përzgjedhur, në datë 31.10.2017, “Gjoka Konstruksion” kishte ofruar 33.6 miliardë lekë për “Dhënie me koncesion/ PPP i ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes së rrugës së Arbrit”, që duke përfshirë dhe TVSH-në arrin në 40 miliardë lekë. Po 40 miliardë lekë është dhe shuma e parashikuar si mbështetje buxhetore në një tabelë të mëparshme të Ministrisë së Financave për listën e koncesioneve/PPP me mbështetje buxhetore:  Një tjetër kontratë me vlerë të rritur është ajo e Orikum -Dukat, që në tabelat e projektbuxhetit 2020 parashikohet të arrijë në 9.5 miliardë lekë, ndërkohë që kontrata e fituar nga kompania ishte 50 milionë euro (60 mln euro me TVSH), ose rreth 7.6 miliardë lekë. Rritja është 23%.

Për kontratën tjetër të Milot-Balldren, shuma e parashikuar është 29.3 miliardë lekë.

Shëndetësia, 185 milionë euro koncesione

Kontratat e shëndetësisë arrijnë në 23.5 miliardë lekë, për 4 projekte:

-Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale,  12.3 miliardë lekë;

-Shërbimi i Hemodializës, 1.14 miliardë lekë;

-Për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç, 8.76 miliardë lekë;

-Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës, 1,29 miliardë lekë.

 

E paqartë vlera e kontratave për inceneratorët

Tabelat e reja parashikojnë që vlera e kontratave për tre inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës,  të jetë rreth 25 miliardë lekë, ku 18.4 miliardë lekë i përkasin projektit për ndërtimin e landfillit inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike.

Ndërsa në tabelat e mëparshme të financave, pagesat deri në vitin 2046 për inceneratorin e Tiranës do të arrijnë në 39 miliardë lekë. Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur problematika të shumta në kontratën e inceneratorit të Tiranës, duke filluar nga analiza nëse dhënia e projektit me koncesion paraqet vlerë më të mirë për para në krahasim me metodën e prokurimit publik, mosrespektimi i tavaneve buxhetore deri te mosllogaritja e risqeve të kursit të këmbimit dhe inflacionit.

 120 milionë euro pagesa në 2020

Qytetarët shqiptarë do të paguajnë nëpërmjet taksave të tyre në buxhetin 2020 mbi 14.6 miliardë lekë (rreth 120 milionë euro) si pagesa për 14 kontratat koncensionare me PPP. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave kjo shumë është 15.8 për qind më e lartë se pritshmëria e këtij viti.

Pagesat më të larta do të bëhen ndaj kontratës PPP për ndërtimin e rrugës së Arbrit, ku në vitin 2020 qeveria do të paguajë 3.9 miliardë lekë ose rreth 50 për qind më të lartë se të këtij viti.

Koncesioni i dytë më pagesën më të madhe është ai i sterilizimit në sallat e operacionit, ku janë programuar të paguhen rreth 1.6 miliardë lekë, një shumë e njëjtë si këtë vit. Por sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor pagesat ndaj kësaj kontrate vitin e kaluar ishin mbi 2 miliardë lekë për shkak se janë bërë operacione më shumë se parashikimi.

Koncesioni i tretë më i madh që merr pagesat nga buxheti i shtetit, është shërbimi i skanimit në dogana me rreth 1,5 miliardë lekë, i nënshkruar nga qeveria Berisha që në vitin 2013. Pagesat për këtë koncesion janë të njëjta me ato të një viti më parë.