Indeksi 2019/ Shqipëria vendi me shëndetësinë më të keqe

535
Sigal

Indeksi i 2019-s: Shqipëria, ndër vendet e fundit në Evropë për cilësinë e shëndetësisë

Qeveria shqiptare nuk ndalet nga dhënia e koncesioneve në sistemin shëndetësor pavarësisht kritikave dhe paralajmërimeve të shpeshta nga organet vendase dhe ndërkombëtare në lidhje me pasojat e PPP-ve të shumta që janë miratuar gjatë viteve të qeverisjes së majtë. Koncesionet e dhëna në shëndetësi shihen me rrezik për sa i përket përcaktimeve të dyshimta të kompanive fituese, abuzimin me konkurrencën në treg etj,. Megjithatë, ajo që ka më shumë vlerë është fakti se koncesionet e dhënë nga qeveria nuk kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e cilësisë së sistemit shëndetësor në vend. Sot sistemi i kujdesit shëndetësor në Shqipëri nuk i ofron qytetarëve një shërbim më të mirë mjekësor, nuk i ofron spitale më të pastra e më higjienike, nuk i ofron barna më të lira, nuk i ofron qytetarëve ambulanca që vijnë në kohë, nuk ofron “shëndetësinë falas”. Sot shqiptarët kurohen me ilaçe të skaduara, paguajnë kosto të larta për tu kuruar në spitale, detyrohen të shkojnë në spitalet private sepse mjekët e shtetit ngrenë duart se nuk kanë aparate dhe mjetet e duhura. Të gjitha këto probleme janë pasqyruar nga raporte të ndryshme, siç ishte ai i Health Care Powerhorse, i cili e rendiste Shqipërinë në 3 vendet e fundit në Evropë me sistemin më të keq shëndetësor. Sipas atij raporti, shëndetësia shqiptare konsiderohej primitive. Së fundmi, Indeksi i Shëndetit i publikuar nga portali Numbeo e renditi Tiranën në vendin e 82 nga 84 qytete të Evropës. Për vitin 2019, Tirana ka shënuar 46.5 pikë nga 100 në indeksin e shëndetit. Tirana pozicionohet më keq se kryeqytetet e tjera të rajonit. Pas Tiranës në vendin 76 renditet Sarajeva, e cila ka shënuar 51.6 pikë, e ndjekur nga Beogradi në vendin e 69 me 54 pikë, ndërsa Shkupi renditet në vendin e 61 me 58.9 pikë nga 100. Të dhënat e mbledhura në vitin 2017 tregojnë se Shqipëria ka shënuar 52.7 pikë nga 100 që janë në total. Në krahasim me vendet e rajonit edhe në 2017-n Shqipëria është e pozicionuar më keq. Beogradi renditet në vendin 76 me me 55.8 pikë, e ndjekur Sarajeva në vendin e 62 me 63 pikë dhe nga Shkupi në vendin e 59 me 63.2 pikë. Më dobët në indeks renditen qytete të Rumanisë, Ukrainës dhe Serbisë. Në Evropë, në vendin e parë për sa i përket cilësisë në shëndet renditet Utrecht, në Holandë. Indeksi i shëndetit është një përllogaritje e cilësisë e sistemit të përkujdesjes shëndetësore, e profesionistëve të punësuar në shëndetësi, pajisjeve, stafit, doktorit dhe kostove. Pas përllogaritjeve me formulat përkatëse të këtyre treguesve, Numbeo vlerëson me pikë nga 0 deri në 100 indeksin e shëndetit. Sa më i ulët të jetë ky tregues aq më i dobët është shëndetësia në atë vend.