Energjitika në krizë, drejtuesit me rroga deri në 5 mijë dollar

358
Sigal

Ndërkohë që shqiptarët po luftojnë për bukën e gojës, dhe po burgosen se nuk paguajnë dot dritat dhe ujin, në 7 kompani, 1210 drejtues të lartë dhe 43 kryetar dhe anëtar bordesh në KESH, OSHEE, OST, ERRE, HEC-e, Bankën Qëndrore, Porte, Aeroporte dhe Sh.a paguhen nga 2-5 milion lekë çdo muaj, pa llogaritur milionat për datëlindje, fejesa, dasma shefash e makina luksi. Shumica e këtyre ‘agallarëve’ janë familjarë të ministrave, deputetëve, kryebashkiakëve dhe funksionarëve të drejtësisë

7 kompani shtetërore energjitike abuzojnë me “vetë-administrimin financar” me paga mujore 2500-5000 USD

1210 drejtorë e shefa në KESH, OSHEE, OST, ERRE dhe HEC-e harxhojnë  milionat për datëlindje, fejesa e dasma shefash dhe blerje makinash luksi çdo 2-3 vite

 

Pagat janë sa 3-10 paga polici e mësuesi/ Lidhur me shpenzimet administrative, KLSH ka konstatuar se në këto kompani, miliona lekë janë harxhuar e dhuruar për datëlindje, fejesa e dasma shefash, bankete, piknik brenda e jashtë shtetit, makina luksi e deri sponsorizime këngëtarësh e mediash pushteti me reklama fiktive, OJF e shoqata “bamirëse” fantazma.

Vetëm 3 ditë pas alarmit të Ramës për rritjen drastike të çmimit të energjisë, kriza u zhduk po nga Rama si me “magji”; duke thënë se nuk do ketë rritje çmimi për popullatën dhe biznesin e vogël, mbasi qeveria ka marrë masat e përballimit të kostove. Sipas këtij fakti, Rama luajti “teatër” me krizën imagjinare, për të na treguar se është i vetmi kryeministër i zoti, që di të zgjidhë krizat social-ekonomike edhe kur ato janë ndërkombëtare. Ndryshe, Rama nuk do dilte të tmerronte qytetarët me ndihmë ekonomike, me paga e pensione lëmoshë dhe bizneset e vogla, kur i ka patur 200 milionë Euro për blerje e kompensim energjie.

Kryeministrit i kujtojmë, se kriza energjetike nuk ekziston vetëm për drejtorët, sekretaret, këshilltarët, shefat e sektorëve, anëtarët e bordeve në KESH, OSHEE, OST, ERRE, Agjencia e Efiçensës së Energjisë, Alb-Gaz dhe në HEC-e, të cilët na kanë shkaktuar krizën.

Sipas organikës, rezulton se në këto 7 kompani, janë 1210 drejtues të lartë, 43 kryetarë e anëtarë bordesh dhe administrimi; 37 ekspertë burse ndërkombëtare për energjinë, 11 konsulentë të huaj, 96 këshilltarë/e dhe 22 menazherë tregjesh rajonale.

Këta kanë paga mujore, nga 2000 USD-5000 USD dhe na shkaktojnë krizë; ndërsa punonjësit e terrenit i kanë me kategori të miratuara nga qeveria, ku paga me e lartë është 300-420 USD; që i propozojnë vetë drejtorët, dhe i miratojnë këshillat mbikëqyrës, ku drejtorët janë kryetarë, ose zv/kryetarë, tamam si në biznese private.

Paga sa 3-4 paga mujore polici, kanë dhe këshilltarët, sekretaret e drejtorëve e shefave të sektorëve; të cilët, sipas “Pamfleti”, janë familjarë ministrash, deputetësh, kryebashkiakësh, krye-prokurorësh, krye-gjyqtarësh e “konkubina” të shefave.

Referuar raporteve të KLSH për këto 7 kompani shtetërore, që abuzojnë me “vetë-administrimin financar”; rezulton se administratat e tyre, kanë afro 30% fuqi punëtore më tepër se funksionet ligjore drejtuese dhe 20% punonjës më tepër se kapacitetet e shërbimeve që kryejnë.

Ndërsa lidhur me shpenzimet administrave, KLSH ka konstatuar, se në këto kompani, miliona lekë janë harxhuar e dhuruar për datëlindje, fejesa e dasma shefash, për piknik jashtë shtetit, për bankete, për blerje makinash luksi çdo 2-3 vite, e deri sponsorizime këngëtarësh e mediash pushteti me reklama fiktive, OJF e shoqata bamirëse fantazma.

Po bëjmë 3 pyetje, për kryeministrin që krizën e serviri si krizë botërore:

– A do urdhërojë Rama, që në këtë prag krize energjetike, drejtuesve të këtye kompanive shtetërore, t’u ulen pagat në nivel pagash të administratës publike, sipas funksioneve që kanë?

– A do urdhërojë kryeministri Rama, të largohen 30% zyrtarë tepër në administrata dhe 20% shtesë punësimesh nepotike, që janë bërë në këto kompani, ku veprohet si në biznese private?

– A do t’i dorëzojë kryeministri Rama në SPAK e BKH, raportet e auditeve të brendshme të qeverisë në vitet 2018-2020, që kanë nxjerr 133 milionë Euro shpenzime të paligjshme administrative dhe humje fiktive energjie në rrjet, me akt ekspertime false?

Saktësojmë se KESH, OSHEE, OST, ERRE, Agjencia e Efiçensës së Energjisë, Alb-Gaz e HEC etj; nuk janë kompani private, por shoqëri që financohen nga buxheti i shtetit dhe me të ardhura nga tregu i energjisë e faturat që paguajnë konsumatorët, të cilat janë pasuri e shtetit.