FMN kryqëzon qeverinë

277
Sigal

Mungon transparenca e PPP, tejkalim kostosh dhe anashkalim i prioriteteve. Shefja e FMN: Rritja e çmimit të energjisë, e rrezikshme. Eurostat: Shqipëria me çmimin më të shtrenjtë në rajon

 

Për vitin 2020 në Republikën e Shqipërisë rezultojnë 226 kontrata koncesioni/PPP të nënshkruara sipas Regjistrit Elektronik tё publikuar nё faqen zyrtare tё ATRAKO

Misioni Fondit Monetar Ndërkombëtar lëshoi kritika ndaj qeverisë shqiptare për mënyrën se si po përdor fondet buxhetore për të financuar koncesionet me Partneritet Publik -Privat.

Në deklaratën për mediat Fondi theksoi se, rritja e shpejtë e stokut të partneriteteve publike private (PPP) —që pritet të arrijë në 50 për qind të PBB-së në 2021, nga 33 për qind në vitin 2018—kërkon dyfishimin e përpjekjeve për të forcuar menaxhimin e investimeve publike (MIP).

Investimet publike të financuara me burime të brendshme (që nuk lidhen me tërmetin) janë rritur me shpejtësi që nga viti 2020.

Fondi theksoi se sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi tejkalimin e kostove dhe afateve fillestare dhe mosrespektimin e proceseve të miratuara të përzgjedhjes dhe miratimit të projekteve, përfshirë këtu kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme. Është e rëndësishme të forcohet kapaciteti e MFE-së për të vepruar në mënyrë pro-aktive si një barrierë në përzgjedhjen e projekteve dhe të angazhohet në mënyrë aktive në proceset e vlerësimit dhe monitorimit.

FMN rekomandoi bashkërendim të proceseve për projektet e financuara nga buxheti dhe PPP-të. “Shqipëria do të përfitojë shumë nga përpjekjet e bashkërenduara për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë risqet fiskale në rritje. Mungesa e të dhënave të sakta mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore” u tha në deklaratë.

Skemat e garancive për sektorin privat aktualisht në diskutim, mbështetja e ndërmarrjeve shtetërore, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ujit, me garanci sovrane (që po rriten) si dhe mbështetja e herëpashershme buxhetore gjithashtu i shtojnë risqet fiskale.

Në këtë kontekst, Fondi vlerësoi se, është e rëndësishme të rijetësohen reformat në sektorët e energjisë elektrike dhe të ujit, që janë vonuar në vitet e fundit. Angazhimi i vazhdueshëm ndaj transparencës dhe llogaridhënies, mbështetur në sisteme të forta të Menaxhimit të Financave Publike (MFP), mbetet prioritet.

Për vitin 2020 në Republikën e Shqipërisë rezultojnë 226 kontrata koncesioni/PPP të nënshkruara sipas Regjistrit Elektronik tё publikuar nё faqen zyrtare tё ATRAKO.

Nga viti 2013, numri i projekteve të kërkuara nga sektorit privat në ofrimin e shërbimeve/punëve publike është rritur. Numri total i kontratave koncesionare/PPP të miratuara për periudhën 2004-2013 shënon vlerën 176 në total, ndërsa gjatë periudhës 2014-2020 janë miratuar 50 kontrata koncesionare/PPP , një pjesë e të cilave financohen me fonde buxhetore, kostot e të cilave janë më të lartë se praktikat e investimeve publike.

 

Efekti i çmimeve i përkohshëm, FMN kundër uljes së pragut të TVSH-së, të mbështeten shtresat e varfra

Efekti i çmimeve, tha përfaqësuesja e FMN-së, do të jetë i përkohshëm. Qeveria në politikat e saj duhet të adresojë shtresat e varfra, që kanë të ardhura të ulëta dhe janë në programe ndihme. Nuk rekomandojnë subvencionimet e gjera.

Sa i takon propozimit të PD-së për uljen e TVSH-së, ne jemi kundër ndryshimeve të sistemit të taksave, sepse komplikon të ardhurat dhe nuk transmetohet në uljen e çmimeve dhe nga kjo përfitojnë më shumë ata që nuk kanë nevojë për ndihmë.

Politika fiskale dhe borxhi

Me forcimin e rimëkëmbjes, politika fiskale duhet të kthehet drejt konsolidimit që t’i bëjë ballë goditjeve të ardhshme dhe të ulë borxhin, duke plotësuar ndërkohë nevojat për  zhvillim të Shqipërisë–të gjitha këto do të varen nga rritja e të ardhurave tatimore. Borxhi i përgjithshëm i  qeverisë parashikohet të rritet në pothuajse 80 për qind të PBB-së, në f und të vitit 2021, ndër më të lartit në rajon. Borxhi pritet të bjerë gradualisht.

Shqipëria ka çmimet më të shtrenjta të energjisë në rajon

Shifrat e Eurostat: Janë rritur me 15% nga 2015-a

Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy shtetet që e kanë energjinë elektrike për familjarët, më të shtrenjtën në rajon, sipas tabelave të publikuara në faqen e Institutit Europian të Statistikave, Eurostat. Në fund të vitit 2019, kur janë të disponueshme të dhënat për Shqipërinë, një kilovat orë energji në Mal të Zi kushtonte 0.085 euro dhe në Shqipëri, 0.078 euro (pa përfshirë taksat). Energjia për familjarët është më e lira në Kosovë, me 0.053 euro/kvh. Më pas renditet Serbia (0.055 euro), Maqedonia e Veriut (0.067 euro) dhe Bosnjë-Hercegovina (0.073 euro). Sipas të dhënave të Eurostat, në krahasim me 6-mujorin e parë 2015, çmimet e energjisë elektrike për familjarët (pa përfshirë taksat) për Shqipërinë janë rritur me rreth 15% deri në fund të 2019-s. Në 6- mujorin e parë të 2015-s, çmimi mesatar ishte 0.0676 euro për kilovat orë dhe në gjysmën e dytë të 2019-s arriti në 0.0778 euro.
Në Europë, më e lira është Ukraina (0.041 euro/kvh), Gjeorgjia (0.052) dhe e treta më e lira është Kosova.

Bashkimi Europian

Mesatarisht, konsumatorët familjarë në shtetet e Bashkimit Europian (27 shtete) e paguajnë energjinë 0.128 euro/kvh (1.6 herë më shumë se në Shqipëri dhe 2.4 herë më shumë se në Kosovë) për vitin 2019. Energjia është më e shtrenjtë në Irlandë (0.213) dhe më e lirë në Bullgari (0.8 euro/kvh) deri në fund të 2019-s.