Hyn në fuqi strategjia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit. Ky vendim është botuar në Fletoren Zyrtare, çka i hap rrugë zbatimit të tij. Strategjia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura parashikon që brenda tre viteve të ardhshme, qeveria të paguajë mbi 72 miliardë lekë borxhe ndaj sektorit privat. Pothuajse gjysma e kësaj shume do të paguhet brenda këtij viti. Strategjia përcakton procedurat mbi kontrollin, verifikimin dhe rakordimin e të gjitha pagesave të prapambetura, si dhe hartimin e masave për të shmangur krijimin e detyrimeve të reja në të ardhmen. Fillimisht do të shlyhen detyrimet më të vjetra, për të kaluar tek ato të krijuara më pas, sipas datave të dorëzimit, vlerësimit dhe aprovimit nga institucionet të dokumentacionit përkatës.
Historiku
Në shtator 2013, qeveria filloi vlerësimin e detyrimeve financiare të pashlyera me qëllim shlyerjen e tyre në një kohë sa më të shpejtë. Fillimisht në muajin tetor 2013 u kontraktua një shoqëri e pavarur për të ndërmarrë një proces kontrolli dhe për të nxjerrë gjendjen përfundimtare në lidhje me kontratat qeveritare të pashlyera deri në fund të gushtit 2013.
Detyrimet e prapambetura kontraktuale për investime, të identifikuara për institucionet e qeverisë qendrore, duke shtuar edhe pretendime të sipërmarrjeve, të cilat kërkojnë kontrolle të mëtejshme, vlerësohen të arrijnë 24.6 miliardë lekë. Këto vlerësohen të jenë vetëm një kategori e detyrimeve financiare të prapambetura. Detyrime të prapambetura janë identifikuar dhe në ndërmarrjet shtetërore të shërbimeve publike, ndaj subjekteve tatimpaguesve në procesin e rimbursimit të TVSH-së dhe tatim-fitimit, detyrime të krijuara si pasojë e vendimeve gjyqësore. Nga vlerësimet paraprake, detyrimet e përgjithshme financiare të prapambetura të qeverisjes qendrore deri në dhjetor 2013 parashikohen të jenë afërsisht 72.6 miliardë lekë ose 5.3 për qind e PBB-së (shih tabelën 1 më poshtë). Kjo shifër do të jetë subjekt i verifikimeve të mëtejshme gjatë procesit të shlyerjes së detyrimeve. Përveç këtyre detyrimeve të prapambetura, mund të ketë edhe detyrime të tjera të konsiderueshme të prapambetura në sektorin më të gjerë publik, duke përfshirë ndërmarrjet shtetërore në sektorin e energjisë.
Vlerësimi paraprak i detyrimeve financiare të prapambetura | |
miliardë lekë | |
Detyrime për projekte investimesh | 24.6 |
Detyrime për mallra dhe shërbime | 5 |
Rimbursim i TVSH-së | 12.84 |
Rimbursim i tepricës kreditore të tatimit mbi fitimin | 10 |
Detyrime për vendime gjyqësore ndërkombëtare | 1 |
Të tjera (vendime gjyqësore, shpronësime publike, përfitimet për persona me aftësi të kufizuar etj.) | 19.13 |
TOTALI | 72.57 |
Shpërndarja e buxhetit
2014 35 miliardë lekë
2015 20 miliardë lekë
2016 17.57 miliardë lekë
TOTALI 72.57 miliardë lekë