Janusz Bugajski: Sëmundja ngjitëse ukrainase

510
Sigal

Protestat e dhunshme në Ukrainë dhe Bosnje-Hercegovinë përfaqësojnë një sëmundje ngjitëse rebele që mund të pushtojë Evropën. Këto s’janë më revolta krejtësisht paqësore, ku qeveritë janë nën trysni për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Kur dekadat e frustrimit publik pleksen me stanjacionin ekonomik, nuk lipsen shumë aktivistë për të ndezur një revoltë.

Për të kuptuar më mirë revoltat ukrainase dhe boshnjake, duhen shqyrtuar motivet, metodat dhe pasojat e ardhshme të tyre. Protestat e Ukrainë janë sociale dhe kombëtare – kundër liderëve të korruptuar dhe dominimit të Moskës. Lëshimet e qeverisë thjesht sa i fuqizuan demonstruesit për të përshkallëzuar kërkesat për dorëheqjen e Presidentit Janukoviç.

Në rastin e Bosnjes, vitet e indinjatës kundër qeverisë së paaftë shpërthyen më në fund në Tuzla dhe u përhapën me shpejtësi në qytete të tjera. Zemërimi boshnjak konsiston në pakënaqësinë ndaj kushteve të rënda ekonomike, papunësisë së lartë, korrupsionit të shfrenuar të zyrtarëve dhe ndasive etno-politike që ngurtësojnë ecurinë e vendit drejt BE-së.

Shumica e protestuesve ukrainas e shmangin dhunën, por njësi të vogla luftarake të armatosura me shkopinj dhe bomba molotov kanë sfiduar policinë dhe kanë zaptuar ndërtesa qeveritare. Suksesi i përleshjeve të rrugës në Ukrainë mund të imitohet në vende të tjera për të shtrënguar qeveritë që të japin dorëheqjen. Ashtu si në Ukrainë, një përpjekje e policisë në Bosnjë për të ndërhyrë mund të ndezë një dhunë edhe më të madhe nga të rinjtë, të cilët ndiejnë se s’kanë ç’të humbasin.

Askush s’mund të flasë me siguri për pasojat e këtyre revoltave popullore. Në Ukrainë, zgjedhjet e parakohshme mund të provokojnë fragmentimin e shtetit dhe një ndërhyrje direkte ruse nëse partitë pro-perëndimore fitojnë zgjedhjet. Në Bosnje, zgjedhjet e reja pa ndryshime rrënjësore të strukturës së Dejtonit do të rezultojnë në të njëjtin ngërç politik.

Liderët evropianë po vëzhgojnë trazirat në Ukrainë dhe Bosnje me frikën se ato mund të jenë “ngjitëse”. Pjesa më e madhe e BE-së vijon të vuajë nga depresioni ekonomik, papunësia e lartë e të rinjve, tejhuajësimi i publikut nga elita politike dhe rritja e frymës kundër emigrantëve. Nëse këto ndërthuren me përleshjet në rrugë, atëherë ne mund të jemi dëshmitarë të një pranvere tejet të nxehtë evropiane.