Hapësira bregdetare/ Zhvillimi i infrastrukturës në bregdet, rivitalizimi i varkave dhe i çiklizmit, por harrohen pishinat e notit

794
Sigal

Në një projekt të ri të rishikuar në kuadër të rivitalizimit të zonave bregdetare dhe dhënies së mundësisë për të zhvilluar një ofertë turisitike të gjithanëshme, Plani Kombëtar 2030, i ka dhënë rëndësi tashmë zhvillimit të infrastrukturave ‘soft’. Kjo përqasje do të garantojë ndërthurjen e transportit publik dhe privat për aktivizimin e zonave me potenciale të tilla përmes infrastrukturës soft, duke përdorur rrjetet unazore dhe korridoret natyrore që mundësojnë eksplorimin e gjithë resurseve natyrore e kulturore në zona të veçanta të hapësirës bregdetare. Zhvillimi dhe përdorimi i infrastrukturës soft (së lehtë) në zonat e ndjeshme (natyrore/kulturore) dhe kombinimi i itinerareve det-tokë mund të përdoret si një instrument për aktivizimin e zonave me potencial për zhvillimin e turizmit, si zonat e mbrojtura mjedisore dhe zonat me vlera të mëdha peizazhistike. Synohet rritja e aksesit në pikat me potencial turistik përmes korridoreve natyrore, guidave për këmbësorë, biçikleta, transport publik me ndotje të ulët ambientale, të drejtuara nga tabela orientuese (të përshtatshme për mjedisin), për të aktivizuar lokalitetet në bregdet dhe në brendësi të territorit.

1- Aplikimi i rrjetit unazor në infrastrukturë
Aplikimi i rrjetit unazor të infrastrukturës soft për zonat peizazhistike dhe zonat me potencial të lartë turistik mjedisor do të mundësojë lehtësi në akses dhe promovim të vlerave të brezit bregdetar. Synohet aplikimi i këtij rrjeti të transportit ekologjik në zonat e mbrojtura mjedisore dhe në zonat me potencial të lartë turistik, duke kombinuar gjithashtu transportin publik tokësor me atë detar. Ndërthurja e aktiviteteve me llojet e ndryshme të transportit (“ferryboat”, tragete të vogla, barka me vela, eko-bus, biçikleta, tren etj.) përgjatë bregdetit do të mundësojë një aksesim dhe promovim më të mirë të vlerave bregdetare.

2- Nxitja dhe përmirësimi i infrastrukturës për biçikleta dhe këmbësorë
Infrastruktura soft e rrjetit të çiklizmit jashtë rrjetit rrugor dhe shtigjet për këmbësorë janë metodat e lëvizshmërisë, të cilat mundësojnë lehtësi në aksesin e zonave turistike me status të veçantë mbrojtje. Nxitja dhe promovimi i një rrjeti të tillë lëvizshmërie përgjatë zonës bregdetare vjen si domosdoshmëri për të aksesuar numrin e lartë të aseteve natyrore dhe zonave të mbrojtura të ndodhura në këtë brez.Shtigjet e biçikletave të alternuara me transportin këmbësor dhe me llojet e tjera të lëvizshmërisë do të rrisin aksesin e brezit bregdetar dhe lokaliteteve në brendësi të territorit, duke garantuar promovim të vlerave, dhe mbrojtje nga fluksi i pakontrolluar i automjeteve.

3- Harrohet një pishinë noti në det

Ndërtimi i pishinave ka filluar masivisht në të gjitha qytetet ,por çuditërisht ajo mungon në qytetin e Vlorës edhe pse në këtë qytet ka pasur një “zader ( pishin detare). Investimet miliona euro për Lungomaren nuk kanë as vlera dhe as bukurinë e premtuar kur minimalisht aty mungon një pishinë detare e cila do tu shërbejë masivizimit të notit dhe kampionateve të notit për shkollat e qytetit bregdetar, pse jo edhe të gjithë Jugut të Shqipërisë. Vite më parë me një investim të një banke Perëndimore në Tiranë në qytetin e Sarandës u rindërtua një zadër ujore ku mblidhen notarë të qytetit dhe nga i gjithë vendi. Ndaj edhe në Vlorë, pishina detare do të jetë shumë më me vlerë se çdo rrugë,rrugicë apo korsi biçikletash. Koha ekziston dhe shpenzimet janë shumë minimale për tu bërë realitet.