Gërmadha që po krijon kurbeti, Shqipëria bëhet sa një “grusht”

36
Sigal

Shqipëria nuk është vend në luftë, por emigracioni i ri ua kalon edhe vendve të luftës, ku 1 në 3 shqiptarë duan të ikin. Strategjia e politikës është e qëllimshme, pasi me boshatisjen e vendit dhe kapjen e drejtësisë kërkojnë tu fshihen përgjegjësisë për varfërinë dhe grabitjen e pasurisë kombëtare. Përgjatë çdo viti të 10 vitëve të fundit, 1 qytete me 40 mijë banorë fshihet nga harta e Shqipërisë. Bashkë me “trurin” dhe të rinjtë po zhduken edhe lopët e shpendët dhe në vend kanë mbetur vetëm qeveritarët, pënsionistët dhe uqërit që po zbresin nga mallet

Ja si përgjatë çdo viti të dekadës së fundit, një qytet me 40,000-42,000 banorë, u fshi nga harta e Shqipërisë, ku një në tre shqiptarë largohen.  

Përkeqësimi i kushteve të demokracisë, zgjerimi i zotërimeve të krimit, korrupsioni i lartë, rritja e ngadaltë ekonomike dhe kushteve të këqija social-ekonomike të ndërthurura me perspektivat në rënie, po nxisin një valë shkatërrimtare të emigracionit që po shuan Shqipërinë me emigrimin e trurit.

 Shqipëria nuk është një vend në luftë, por ngjan si e tillë. Të rinjtë shqiptarë, shpesh minorenë, gra me foshnja, madje edhe të moshuar, vazhdojnë të largohen nga vendi në një mënyrë, që rrezikojnë seriozisht jetën, së fundmi nëpërmjet një udhëtimi rraskapitës, që zgjat 7-9 orë me mjete primitive lundrimi nga Franca drejt Britanisë së Madhe, njësoj si në vitet para pas rrëzimit të komunizmit. Për shkak të moralit të trazuar, të paaftësisë, ose thjesht për shkak të indiferencës, udhëheqësit politikë të Shqipërisë nuk kanë nisur ende të shpjegojnë pyetjen se përse largohen njerëzit, dhe jo më të zgjidhin problemin. Përkeqësimi i kushteve të demokracisë, zgjerimi i zotërimeve të krimit, korrupsioni i lartë, rritja e ngadaltë ekonomike dhe kushteve e këqija social-ekonomike të ndërthurura me perspektivat në rënie, po  nxisin një valë shkatërrimtare të emigracionit që po shuan vendin.

Shifrat e udhëtimeve zbulojnë emigracionin galopant pas 2014-s

Me gjithë të dhënat indirekte mbi emigracionin, që vijnë kryesisht nga vendet e Bashkimit Europian, ku ikin më së shumti shqiptarët, reflektojnë tronditëse. Të dhënat nga INSTAT mbi hyrje-daljet e shqiptarëve jashtë vendit, tregojnë se gjatë viteve 2014-2016, tendencë që ka vijuar edhe për 2017, numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit nga pikat e kalimit kufitar është shumë më i lartë se kthimet e tyre në këto pika. Diferenca ndërmjet hyrje-daljeve tregon se një numër i madh shtetasish shqiptarë janë larguar nga vendi dhe nuk janë kthyer më. Gjatë vitit 2014, udhëtuan jashtë vendit më shumë se 4 milionë shqiptarë, teksa për të njëjtin vit janë kthyer në vendin tonë 3 milionë e 872 mijë shtetas shqiptarë. Diferenca e shqiptarëve të pakthyer është 273 mijë persona dhe ka vijuar të thellohet gjatë vitit 2015, kur vendi u përball me një fluks jo të zakontë ikjesh të shqiptarëve jashtë vendit kryesisht për azil ekonomik. Diferenca mes hyrjeve dhe daljeve u thellua në vitin 2015, me mbi 405 mijë persona. Flukset e emigracionit u zbutën disi më 2016, teksa diferenca mes hyrje-daljeve ishte 259 mijë persona, por në 2017-n u rrit sërish në 373 mijë persona.Tendencën e shqiptarëve për të udhëtuar jashtë vendit me qëllim për të mos u kthyer më e pohojnë edhe agjencitë e udhëtimit dhe konsulencës për viza. Nga viti në vit, pati një rritje të madhe të interesit për t’u larguar nga vendi sidomos për moshat 16-45 vjeç, kryesisht për punë dhe studime.

Rikthehet ikja e “trurit”, shërbimi shëndetësor në alarm

Të dhënat konfidenciale nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se tre vitet e fundit 2015-2016-2017 kanë ikur nga vendi më shumë se 600 mjekë. Deri në fund të vitit 2016, Urdhri i Mjekut referoi se ishin tërhequr rreth 400 referenca nga mjekët për të ikur jashtë vendit, ndërsa në vitin 2017 janë tërhequr rreth 170 referenca të tjera. Sipas të dhënave kanë ikur më shumë se dy breza të mjekësisë, pasi në një vit diplomohen mesatarisht rreth 250 studentë.

Emigracioni dhe lindjet zhbalancojnë forcën e punës, deri më 2030 do shterojnë investimet e huaja

Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet emigrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi), pohon INSTAT në një studim të posaçëm për projeksionet e popullsisë deri më 2030. Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Gjatë dekadës së ardhshme, edhe kjo mundësi duket se do të shterojë. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017, popullsia në grupmoshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më energjike e tregut të punës, ra me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001, ose me 11.6%. Rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 15-19 vjeç, me më shumë se 24%. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 35-45 vjeç, kur në vitin 2017 numërohen 330 mijë persona më pak se në vitin 2001. Më pas, struktura e popullsisë në moshë pune shënon rritje të fortë për moshën 45-64 vjeç, duke u shtuar me 208 mijë persona ose 38% në krahasim me vitin 2001.

Shifrat e largimit sipas INSTAT; 2021-2023

Shpopullimi i Shqipërisë është një nga sfidat më të mëdha të shekullit në të cilin jetojmë.Sipas INSTAT, në 1 janar të vitit 2023, popullsia e vendit ishte 2,761.785 banorë dhe u zvogëlua në 1,1 % në krahasim më popullsinë e 1 janar, 2022. Piku më i lartë shfaqet në vitin 2022, ku u larguan nga vendi 46,460 rezidentë, ose 10 % më shumë se në vitin 2021.

Po sipas INSTAT, çdo vit largohen nga vendi rreth 42,000 rezidentë shqiptarë, pra nga viti 2012 deri në vitin 2022, janë larguar nga Shqipëria plot 420,000 rezidentë.

Me fjalë të tjera, përgjatë çdo viti të dekadës së fundit, një qytet me 40,000-42,000 banorë, u fshi nga harta e Shqipërisë, duke qenë se kjo është një shifër; një popullsi demografike mesatare e qyteteve tona. Pra, bashki të tilla si: Mallakastra, Librazhdi, Mati, Cërriku, Belshi, Vau i Dejës apo Vora, të cilat kanë një popullsi rreth 40,000 banorë janë asgjësuar nga harta e Republikës së Shqipërisë, nga viti në vit.

E shprehur më thjeshtë, çdo vit ne kemi humbur nga një bashki dhe kjo është ulëritëse.

Kjo analizë induktive bëhet mbi të dhënat zyrtare të INSTAT, imagjinoni se sa e frikshme duhet të jetë situata reale në terren e shpopullimit demografik. Fatkeqësisht, do vijë një situatë e tillë kur nuk do të kemi jo vetëm banorë rezidentë, por as votues. Popullsia totale e Republikës së Shqipërisë në vitin 2022 ishte 2,793,592 ose 36,149 banorë më pak se me 1 janar 2021 me një ulje vjetore 1.3%.

Sipas INSTAT, Në 1 janar 2023 mosha medianë e popullsisë rezulton 38,8 vjeç nga 38,2 që ishte më 1 janar 2022, që nënkupton që gjysma e popullsisë së vend është nën 38.8 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë.

INFO

Një në tre shqiptarë ikin nga Shqipëria

-Eurostat ( instituti europian i statistikave): 2008-2020, 778 149 qytetarë morën leje qëndrimi në BE.

-Sipas një raporti të Organizatës të Kombeve të Bashkuara për popullsinë mbërrihet në përfundimin se që nga viti 1990 deri në 2020-n, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.2 milionë persona.

  • Bie numri i nxënësve dhe studentëve

Shumë shkolla fillore në vend u mbyllën për shkak të mungesës së nxënësve dhe lindshmërisë së ulët në këto zona. Në fillim të vitit akademik 2023-2024, rreth 53,000 nxënës më pak u regjistruan në ciklin e mesëm. Kurse numri i studentëve të ulur në auditoret shqiptare ishte 220,000 më pak se 15 vjet më parë.

  • INSTAT kyç gojën për numrin e popullsisë, Shqipëria po bëhet sa një “grusht”

Duket se shifrat e kanë trembur aq shumë qeverinë, sa po shtyn vazhdimisht publikimin e statistikës vjetore të popullsisë. Grupi i hakerave iraniane ‘Homeland Justice’ sulmoi faqen e Insitutit Shqiptar të Statistikave. Lajmi u konfirmua edhe nga INSTAT, hakerat në Telegram u shprehën se kanë arritur të marrin edhe të dhënat e Censit. Kjo ndodhi, ka shërbyer edhe si justifikim për INSTAT për të deklaruar se si pasojë do vonohet bërja publike e të dhënave.

Shpejtësia me të cilën po tkurret Shqipëria ka nevojë urgjente për rifreskim të dhënash, vonesat e njëpasnjëshme vënë në dyshim edhe procesin e censusit që kushtoi 16 milion euro, me një armatë prej 8 mijë të punësuar, ku informacioni u mblodh në mënyrë teknologjike, çka duhet ta bënte shumë më të thjeshtë arritjen e konkluzioneve. Ndërkohë flitet se po tentohet fshehja e numrit faktik të popullsisë, që është larguar nga vendi, ku mendohet se numri i banorëve është më pak se 1.8 milionë.

Në pikëpytje numri i votuesve në raport me popullsinë

Flitet se nga të dhënat e mbledhura nga Censi, rezulton se në vendin tonë numri i popullsisë është më i vogël se numri i votuesve në 14 maj. Në intervistën për “Telegraf”, Martin Henze, këshilltari për çështjet ekonomike tek CDU-ja gjermane evidentoi dhe paradokset me shifrat e votimit dhe numrit të popullsisë. Ku theksoi se: Nëse 3.6 milionë shqiptarë kishin të drejtë vote, sigurisht që duhet të jenë 4.6 – 5 milionë shqiptarë, duke përfshirë edhe ata, që nuk kanë ende të drejtë vote për shkak të moshës. Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2023, popullsia e Shqipërisë duket se është ende 1.8 milionë. Me një popullsi prej 1.8 milionë banorësh, duhet të ketë rreth 1 milionë votues. Megjithatë, sipas përfaqësuesve të OJQ-ve, 1.4 milionë votuan. Nëse tani supozojmë se pjesëmarrja e votuesve është zakonisht rreth 35% mesatarisht, vetëm 350,000 mund të kishin votuar. Votat e mbetura prej 1 milion e 50 mijë janë mesa duket një trillim.