Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi një rënie të lehtë të ekonomisë, sektori i ndërtimit rënie masive

383
Të dhënat paraprake të publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se në tremujorin e katërt të vitit 2019, ekonomia shqiptare shënoi një rënie të lehtë prej 0.15% në bazë vjetore, ku rënia kryesore erdhi nga sektori i ndërtimit.

Sigal

Sektori i ndërtimit pësoi një rënie masive prej 14.7% gjatë tremujorit të fundit të vitit 2019 duke sjellë edhe rënien e lehtë të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë me 0.15%, në një tremujor që do të mbahet mend për tërmetin tragjik të 26 Nëntorit që shkaktoi 51 viktima në Shqipërinë qendrore dhe dëme materjale në masën 1 miliardë euro.

Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e PBB-së të Premten ku vërehet se përveç ndërtimit, bujqësia pësoi rënie në masën 1.6%, grupi Aktivitete Shkencore dhe Profesionale ra me 6.5% dhe grupi Arte e Argëtim me 12.5%.

Industria nxjerrëse dhe përpunuese vijoi rritjen me 8.8% dhe po kështu bankat dhe kompanitë e sigurimeve njohën rritje me gati 10%.

Vlerësimi paraprak i Prodhimit të Brendshëm Bruto për të gjithë vitin 2019 është për një rritje në masën 2.2%.

Sektori i ndërtimit, i cili shkaktoi edhe pjesën më të madhe të rënies në tremujorin e katërt, pati pësuar stanjacion edhe në dy tremujorët e mëparshëm, pavarësisht numrit të stërmadh të lejeve të ndërtimit të dhëna në Tiranë gjatë viteve të fundit.