FMN : Hiqni përjashtimet tatimore, të rishikohen taksat e biznesit të vogël

315
Sigal

Qeveria duhet të heqë dorë nga përjashtimet tatimore dhe të thjeshtojë sistemin e taksave.Pas Bankës Botërore, është Fondi Monetar Ndërkombëtar që në raportin e fundit për Shqipërinë të fokusuar te taksa që bazohet në të dhëna të mbledhura deri në 2020 vjen me disa propozime konkrete për rishikim të disa taksave.

Sikurse Banka Botërore, edhe FMN rekomandon që të vetëpunësuarit, profesionistët e lirë të tatohen njëlloj si të punësuarit duke iu nënshtruar regjimit të Tatimit mbi të Ardhurat Personale, pasi duke u trajtuar si biznes i vogël krijon shtigje për evazion fiskal.

Norma e reduktuar e TVSH-së 6% për hotelerinë duhet te eliminohet dhe të zbatohet njëlloj për të gjithë thekson FMN, pasi jo vetëm ka shkaktuar pabarazi, por nuk ka rezultuar efektive.

Rishikime duhet të bëhen edhe për taksat e bizneseve të vogla e të mesme thuhet në raport, që qeveria vitin e kaluar i favorizoi duke zeruar tatim fitimin për subjektet me qarkullim deri në 14 milionë lekë e duke rritur pragun e TVSH-së për bizneset e vogla deri te heqja e TVSH-së për profesionet e lira.

FMN propozon taksimin bazuar mbi një normë mesatare prej 3% të xhiros vjetore, teksa shton se duhen thjeshtuar më tej pragjet e TVSH-së për këto kategori biznesi.

Ndër të tjera, institucioni financiar ndërkombëtar rekomandon ndërhyrje edhe në taksën e pronës, që aktualisht tatimi i pronës është i përjashtuar për disa kategori, si të moshuarit. Përjashtimet thotë FMN duhet të mbahen në minimum për të mos cenuar mbledhjen e kësaj takse që është një burim I rëndësishëm për bashkitë.

Teksa rekomandimet janë bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe Financat po bashkëpunojnë me FMN për hartimin e një strategjie afatmesme të të ardhurave, sistemi tatimor ka pësuar ndryshime. Një tjetër draft pritet të hidhet së shpejti për konsultim publik, ku janë bërë me dije se do të rishikohet ligji për tatimin mbi fitimin, ligji mbi të ardhurat personale si dhe do të hiqen disa nga përjashtimet tatimore që nuk kanë dhënë efektin e pritshëm në të ardhura.