Pagat e mjekëve, ja si do të ndryshojnë

1196
Një mjek specialist që do të pranojë të shkojë të ofrojë shërbim shëndetësor në zona të largëta nga vendbanimi i tij do të marrë si pagesë 200 deri në 250 mijë lekë në muaj, në varësi të specialitetit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, u shpreh se qeveria ka rritur bonusin e mjekut për ta përafruar pagesën e tij mujore me atë të një mjeku të një tjetër vendi në Bashkimin Evropian. “Ne kemi ndërmarrë iniciativën për rritjen e masës së bonusit që do të përfitojnë ata mjekë që do të pranojnë për të shkuar në ato zona ku ka nevojë për specialitete të caktuara. Nga 1 milion që do të rritet nga 2 deri në 2.5 milion nga koeficienti i specialitetit”, nënvizoi ministrja. Ikja masive e mjekëve dhe infermierëve drejt vendeve të BE-së, kryesisht në Gjermani, si dhe ndërprerja e specializimeve 4 vjet më parë, ka krijuar mungesa në sistemin shëndetësor, sidomos në spitalet rajonale në zona të largëta ku mungojnë kardiologë, kirurgë, obstetër gjinekologë e të tjerë. Përveç kësaj nxitjeje financiare, për një vit pritet të dalin edhe specializantët e parë. “Në janar 2019 dalin 290 specializantët të rinj; 18 kardiologë, 12 kirurgë, 4 neurokirurgë, 18 gjinekologë”, tregon Ogerta Manastirliu. Ndërkohë, për cilindo mjek nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, që një ditë në muaj ofron shërbim në spitalet rajonale do të ketë një pagesë shtesë, 10 mijë lekë në muaj. Në vitin 2018, Qeveria ka parashikuar të rritë me 5% pagat e 18 mijë mjekëve dhe infermierëve.
Sigal