Fillojnë hetimet ndaj firmës OSIS për kontratën e “Rapiscan”-it

883
Kompania amerikane OSIS, njoftoi se Komisioni i Shkëmbit të Aksioneve në Bursë (SEC) ka filluar hetimet ndaj saj lidhur me dyshimet për shkelje të ligjit që i ndalon ushtrimin e praktikave të biznesit, duke korruptuar zyrtarë të huaj. (SEC është një agjenci e pavarur federale, detyra e së cilës është të mbrojë investitorët dhe të sigurojë funksionimin e drejtë dhe të rregullt të tregjeve të aksioneve (bursave). SEC është krijuar nga Kongresi në vitin 1934 si agjencia e parë rregullatorë e qeverisë federale për tregjet e aksioneve. SEC nxit transparencën e firmave dhe mbron investitorët ndaj praktikave mashtruese në bursa). Kompania po ashtu bëri të ditur se Departamenti i Drejtësisë, përmes zyrës së Prokurorit Federal të Distriktit Qendror të Kalifornisë ka kërkuar informacione nëse OSIS i është përmbajtur ligjit që ndalon praktikat korruptive. Firma OSIS bëri të ditur se agjencitë federale po hetojnë bazuar mbi raportin e firmës investuese “Muddy Waters”, që e akuzon kompaninë për pagim ryshfetesh zyrtarëve shqiptarë për koncesionin që ka fituar në këtë vend. OSIS e bëri publik njoftimin për hetimet, gjatë dhënies së informacionit për gjendjen financiare të kompanisë. Çmimi i aksioneve të saj ra menjëherë ndjeshëm me rreth 20% pas mbylljes së bursës. Në Shqipëri OSIS vepron përmes firmës Rapiscan.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Karson Blok, drejtori i firmës investuese “Muddy Waters” dhe autori i raportit që ngre akuzën se OSIS e ka fituar kontratën koncesionare në Shqipëri përmes korrupsionit, i tha “Zërit të Amerikës” se në bazë të hetimeve të saj, kontrata koncesionare me Shqipërinë, që kapte një vlerë prej 150 – 250 milionë dollarë, ishte siguruar duke e shitur gjysmën e vlerës së kontratës, 49% të saj, për vetëm 4.5 dollarë, tek një kompani shqiptare, ICMS, gjoja për kontributin e saj, kryesisht në ndërtim, për aktivitetet e kompanisë. Historiku i koncesionit në Shqipëri fillon në vitin 2013. Në atë kohë qeveria e Shqipërisë miraton një kontratë koncesionare me vlerë deri në 250 milionë dollarë për skanimin e kontejnerëve. Firma fituese e kontratës është kompania amerikane “Rapiscan”, degë e firmës “OSI Systems”, ose OSIS, sipas inicialeve të tregtimit në bursë.

Në Shqipëri, “Rapiscan”-i është regjistruar me emrin “S2 Albania”. Por vetëm disa muaj pas nënshkrimit të kontratës, “Rapiscan”-i ose “S2 Albania”, i kalon 49 për qind të kuotave, një firme shqiptare të njohur me inicialet ICMS, në pronësi të Olti Peçinit, me profesion mjek. Partneriteti, në bazë të ligjeve në Shtetet e Bashkura, duhej të pasqyrohej në dokumentet financiare të firmës OSIS, si një kompani që shkëmbehet në bursë. Kontrata u kritikua në Shqipëri si nga biznesi për tarifat e larta për skanimin e ngarkesave, por edhe nga opozita e asaj kohe. Kjo tërhoqi vëmendjen e firmës investuese “Muddy Waters Research”, e cila filloi hetimet e veta dhe zbuloi se firma OSIS e kishte mbajtur të fshehtë kalimin e 49 për qindëshit tek firma ICMS dhe për më tepër, ky 49 përqindësh, me një vlerë mbi 100 milionë dollarë, ishte blerë për vetëm 4 dollarë e gjysmë. Pas hetimeve të mëtejshme, “Muddy Waters”, në një raport të botuar javën e kaluar, arrin në përfundimin se firma OSIS e ka fituar kontratën në Shqipëri përmes korrupsionit, duke u dhënë ryshfet zyrtarëve shqiptarë. Në një intervistë të gjatë për “Zërin e Amerikës”, nga San Françisko, ku janë zyrat e kompanisë, shefi i firmës “Muddy Waters”, Karson Block, shpjegoi arsyet se përse është i bindur se marrëveshja e Rapiskanit është një rast korrupsioni.
Sigal