Fatos Çoçoli: Dështimi i kasave fiskale dhe gjendja aktuale financiare në vend

713
Sigal

Intervistë/ Flet z. Fatos Çoçoli, ekspert i ekonomisë: Berisha la një tokë financiare të djegur

Dështimi i vendosjes së kasave fiskale në biznesin e vogël, solli gjithashtu edhe problemin e mosmbledhjes së TVSH-së. Kështu shprehet në një intervistë për “Telegraf” eksperti i ekonomisë, z fatos Çoçoli. “Për fat të keq, në tre vitet e fundit, kjo reformë thelbësore për sistemin tonë fiskal pushoi së kryeri, për faj të shpërfilljes totale të Qeverisë së shkuar, që e harroi atë”, shprehet Çoçoli. Ndërsa për premtimin elektoral të PS-së (qeverisë së sotme) për heqjen e taksës së biznesit të vogël, Çoçoli thotë se “zëri i të ardhurave nga taksa e biznesit të vogël zë vetëm 0.5 për qind mbi totalin e të ardhurave dhe efekti në të ardhurat nuk do të jetë i madh”, por sipas tij problemet e biznesit të vogël nuk mbarojnë me heqjen e taksës, pasi u duhet të përballohen me konkurrencën e rrjeteve të supermarkatove. Gjendja financiare e vendit është një tjetër shqetësim që ngre Çoçoli, pasi sipas tij qeveria “Berisha” la një tokë financiare të djegur dhe qeverisë së re i duhet të përballet me shumë vështirësi. Një ndër to, është vështirësia që do të ketë Qeveria në kthimin e borxhit ndaj biznesit, prej 400 milionë eurosh, për shkak të mungesave financiare, por Çoçoli sugjeron transparencë në këtë proces se përndryshe “do të gëlojnë akuzat për favorizime të bizneseve rozë, edhe pse, për hir të së vërtetës, nuk është se vitet e fundit këto biznese u përkrahën nga qeveria që iku”.

Qeveria e sotme ka deklaruar se do të hiqet taksa për biznesin e vogël…

Heqja e taksës për biznesin e vogël është një premtim i fortë zgjedhor i Partisë Socialiste dhe besoj se në projektbuxhetin për vitin 2014 kjo masë do të jetë, me gjithë situatën aspak të mirë të të ardhurave buxhetore. Në fakt, zëri i të ardhurave nga taksa e biznesit të vogël zë vetëm 0.5 për qind mbi totalin e të ardhurave dhe efekti në të ardhurat nuk do të jetë i madh. Për numrin e madh të bizneseve të vogla dhe për zanatçinjtë e shumtë, përbën më shumë një efekt psikologjik çlirimi. Por, problemet e tyre nuk mendoj se do të mbarojnë me heqjen e taksës. Tregu i tyre vjen në zvogëlim, për shkak të shtimit të rrjetit të supermerkatove në të gjitha qytetet kryesore të vendit, ku mallrat që po ata shesin, tregtohen më lirë dhe në kushte më të mira. Ata do të duhet të diversifikojnë shërbimet dhe mallrat që tregtojnë, në rast se duan të mbijetojnë në këtë treg, përherë e më konkurrues.

Kryeministri Rama ka deklaruar se Arka e Shtetit është bosh.

Pa dyshim është një deklaratë e fortë. Qeveria e mëparshme i harxhoi të gjitha hapësirat për të marrë borxh të brendshëm. Qeverisë së sotme i duhet medoemos të tejkalojë deficitin buxhetor, që të sigurojë para. Me këtë, do të rrisë borxhin publik. Nuk ka rrugë tjetër. Sipas deklaratave të vetë Ministrit të Financës, i duhet të marrë, të paktën, rreth 180 milionë euro borxh të ri, deri në fund të vitit. Të ardhurat janë në gjendje të mjerueshme, me mosrealizime groteske. Qeveria bëri mirë që dërgoi në Parlament buxhetin e këtij viti për korrigjime. Plani i të ardhurave u ul aty ku duhej të ulej. Tani kemi një planifikim realist. Por gjendja është vërtetë shumë e vështirë. Dhe për intervale disamujore, të ardhura të forta nga privatizime strategjike nuk duhen pritur.

Do kemi rritje ekonomike për këtë vit?

Po, do të kemi, por do të jetë shumë modeste. Nuk do t’i ndihmojë shumë shqiptarët dhe financat publike të vendit. Dhe nuk duhet të presim ndonjë ndihmë nga kush. Treguesit kryesore makroekonomike duhet t’i përmirësojmë vetë. E rëndësishme është të përmirësojmë, së pari, administrimin e taksave dhe tatimeve?

Dështimi i kasës fiskale solli mosmbledhjen e TVSH-së te biznesi i vogël

I pyetur, se ç’kuptim kishte vënia e kasave fiskale, z. Çoçoli përgjigjet: “Sa për kasat fiskale, ato masin xhiron e shitjeve të mallrave dhe si të tilla, shërbejnë për vjeljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Nuk kanë të bëjnë me taksën mbi biznesin e vogël, e cila vilet si përqindje fikse. Për fat të keq, në tre vitet e fundit, kjo reformë thelbësore për sistemin tonë fiskal pushoi së kryeri, për faj të shpërfilljes totale të Qeverisë së shkuar, që e harroi atë. Kasat fiskale dështuan të vendosen në të gjitha bizneset e vogla, dhe kështu që një pjesë e mirë e TVSH-së nuk mblidhet. Nuk mund të them se mblidhej më parë, por ajo që u shpresua me këtë reformë nuk u arrit, pse reforma u ndal rrugës”.

Fondi rezervë/Thënia e Luigjit “Pas meje, kiameti!”, i shkon për shtat qeverisë “Berisha”

Përsa i përket fondit rezervë, i harxhuar i gjithi nga qeveria “Berisha”, Çoçoli tha: “Po. Kishte ngelur vetëm 0.5 për qind e tij pa u harxhuar për katërmujorin e tretë dhe të fundit të vitit. Kjo tregon ethet e qeverisë së mëparshme për rezultatin zgjedhor dhe shpërfilljen  totale të saj për financat publike të paszgjedhjeve. “Pas meje, kiameti!”, kjo thënie e Luigjit të 14-të i shkon mirë qeverisë që kemi pasur. Kur sheh, se për çfarë është harxhuar ky fond rezervë (zakonisht përdoret për raste të jashtëzakonshme, përmbytje, tërmete, etj.), për procesin zgjedhor dhe shpenzimet për vilat qeveritare, kupton edhe më mirë papërgjegjshmërinë totale të qeverisë që iku. Iku, por veç la një tokë financiare të djegur nga pas”.

Qeveria, transparencë në kthimin e borxhit, ndryshe do ketë akuza për favorizim të biznesit rozë

A do ta paguajë Qeveria borxhin ndaj biznesit prej 400 milionë euro?

E rëndësishme është që e njohu. Ky është hapi i parë. Për momentin Qeveria nuk ka para. Mendoj, se do ta shlyejë gradualisht këtë borxh. Por, duhet që çdo pagesë që do të bëjë, ta bëjë publike dhe me një proces përzgjedhës shumë transparent. Ndryshe, do të gëlojnë akuzat për favorizime të bizneseve rozë, edhe pse, për hir të së vërtetës, nuk është se vitet e fundit këto biznese u përkrahen nga qeveria që iku.