Ermonela Felaj: “Ankimimet e punonjësve të larguar, do shqyrtohen në Gjykatën Administrative”

434
Sigal

Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj dhe njëkohësisht  anëtare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, në intervistën për “Telegraf” hedh dritë për rrugët ligjore që duhet të ndjekin të gjithë ata punonjës që janë larguar nga administrata publike, në ankimimet e tyre, deri sa të hyjë në fuqi, ligji “Për nëpunësit Civil”. Sipas zonjës Felaj, për të shqyrtuar të gjitha ankimimet e punonjësve të administratës publike, do të jetë Gjykata Administrative e shkallës së parë, , e cila do të fillojë të funksionojë më 4 nëntor 2013. Ndërsa për shkaqet e shtyrjes së votimit në Kuvend të Aktit Normativ, në seancën e së enjtes, zonja Felaj, pati qëllimin e mirë të maxhorancës për të përfshirë edhe opozitën në diskutimin e miratimin e këtij Akti Normativ. Sipas deputetes Felaj, në seancën pasardhëse, edhe sikur të mungojë opozita e Djathtë, Kuvendi do të futë në rendin e ditës votimin e Aktit Normativ.

– Zonja Felaj, miratimi i Aktit Normativ u shty nga Kuvendi të enjten. Nëse opozita do të vazhdojë ta bojkotojë Kuvendin, maxhoranca do të kërkojë miratimin e këtij Akti Normativ edhe pa opozitën?

–  Akti  normativ Nr.5 date 30.09.2013,   do të votohet  në seancën e ardhshme parlamentare. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 101 të saj parashikon që akti normativ duhet të miratohet nga Kuvendi brenda 45 ditëve, përndryshe humbet fuqinë. Kjo do të thotë se prezenca ose jo e opozitës në Kuvend, nuk do të mund të pengojë miratimin e aktit. Shtyrja e votimit të aktit normativ gjatë seancës të së enjtes,  pati si shtysë të vetme, qëllimin e mirë të maxhorancës  për ta përfshirë edhe opozitën në diskutimin dhe miratimin e këtij akti. Ligji i ri për statusin e nëpunësve civilë, është miratuar me konsensus të palëve dhe  në respekt të këtij konsensusi, Kuvendi gjykoi si të nevojshme  dhënien  e një hapësire të tillë kohore opozitës, përpara përdorimit të natyrshëm dhe të ligjshëm të forcës numerike që shqiptarët na dhanë nëpërmjet votës. Desha të nënvizoj se  ndryshimet që bëhen në ligj nëpërmjet aktit normativ  janë të karakterit teknik dhe nuk prekin thelbin e ligjit që nga  ana e tij ka natyrë të përgjithshme. Në kohën kur ky ligj u miratua (maj 2013), shumë aspekte të zbatimit të  ligjit u la të rregulloheshin me akte nënligjore Aktet nënligjore të cilat duhet të miratoheshin në rastin konkret, parashikohen në 30 nene të ligjit. Pra,  pa u miratuar këto akte, të paktën 30 dispozita të këtij ligji janë të pazbatueshme. Megjithëse ligji (neni 69) parashikonte se këto akte do të duhet të  miratoheshin brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, nuk rezulton të ketë  asnjë  draft   të ndonjë akti nënligjor. Pra, kuptohet qartë se ishin absolutisht rrethanat e nevojës dhe urgjencës ato që detyruan Qeverinë të përdorë si instrument aktin normativ.

– Akti Normativ bën shtyrjen me gjashtë muaj të aktivitetit të Komisionit të Shërbimit Civil, i cili pranon dhe shqyrton ankesat e punonjësve, akti nuk i jep zgjidhje pikës 3 të nenit 71 të ligjit, që përcakton se ky institucion mund të pranojë ankesa deri në 1 tetor 2013.

–  Ligji për Gjykatat Administrative, i miratuar më parë ligjit për të cilin po diskutojmë    ( në 3 maj të vitit 2012), parashikon që ankimimet në fjalë do të shqyrtohen nga Gjykatat Administrative. Ky ligj i cilësuar ka hyrë tanimë në fuqi, ndërkohë që puna e gjykatave administrative në të gjithë vendin sipas  vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë   do të fillojë më 4 Nëntor 2013 sikurse është bërë publike.

– KSHC-ja deri kur mund të pranojë ankimime nga punonjësit, meqë ligji u shty për 6 muaj?

 – Nga momenti i fillimit të  punës së gjykatave administrative konfliktet e punës do të jenë objekt gjykimi i këtyre gjykatave. KSHC ndërkohë do të vijojë të ushtrojë kompetencat e tjera që i njeh ligji, sepse nuk ky institucion nuk ka një kompetencë të vetme, por disa të tilla.

– Po ato ankesa që janë depozituar në KSHC, por nuk janë shqyrtuar, kush do të jetë institucioni që duhet t’i shqyrtojë tani?

Gjykatat administrative, që do të fillojnë rishtas punën.

– Së fundmi, me cilin ligj do të shqyrtohen ankesat e punonjësve që deri në 1 tetor kanë bërë ankesa, por nuk janë shqyrtuar? Po për punonjësit, që do të largohen nga administrata publike, tani, pas 1 tetorit, me cilin ligj do të bëhet shqyrtimi i ankimimit të tyre?

–  Ligji është i njëjtë,  ligji i mëparshëm për nëpunësit civile i cili do të vijojë efektet deri më 1 prill, kur të bëhet efektiv ligji i ri për nëpunësit civilë.

– Për punonjësit, që janë larguar, kanë fituar të drejtën nga gjykata, por nuk janë rikthyer deri tani në punë, çfarë do të bëhet? Me cilin ligj, ata do të mbrohen?

-Vendimet e gjykatës, që kanë marrë formë të prerë, janë të detyrueshme të zbatohen nga të gjithë, pa asnjë dyshim.. Në këtë pikë, nuk ka alternativë tjetër zgjidhje, veçse asaj të zbatimit dhe respektimit të  tilla vendimeve .

Rrugëzgjidhja ligjore për ankimimet e punonjësve të administratës publike

 – Në këto raste, cila do të jetë rruga e ankimimit nga punonjës të administratës publike?

– Rruga e ankimimit do të jetë ajo konform rregullave  që përcakton Kodi i Procedurave Administrative.

– Gjykata Administrative krijon konfuzion për rolin që duhet të luajë Komisioni i Shërbimit Civil në këtë itinerar kohor 6 -mujor, sa të hyjë në fuqi ligji “Për nëpunësin civil’?

– Nuk e shoh aspak kështu. Gjykatat administrative fillojnë punë më 4 nëntor, kështu që nuk krijohet asnjë lloj konfuzioni, apo vakumi ligjor për zgjidhjen e konflikteve që lindin nga marrëdhëniet e  punës, kur punëdhënës është një organ publik.

– Punonjësit që mund të largohen nga Administrata Publike, tani e tutje deri në 1 prill, ku duhet të bëjnë ankimimin e tyre? Në KSHC apo në Gjykatën Administrative?

– E thjeshtë, në gjykatat administrative të Shkallës së Parë, që janë parashikuar të ngrihen në të gjithë vendin.