Buxheti optimist i 2021 dhe mundësia e realizueshmërisë së tij

313
Sigal

Kuvendi miratoi të hënën, 16 nëntor, buxhetin për vitin 2021, pa asnjë debat e kundërshti nga deputetët. Qeveria ka planifikuar: të mbledhë të ardhura në vlerë 479 miliardë lekë ose 3,86 miliardë euro; të bëjë shpenzime në vlerë 588 miliardë lekë ose 4,74 miliardë euro.

Defiçiti i pritshëm sipas këtyre parashikimeve është rreth 109 miliardë lekë ose 870 milionë euro. Kjo do të thotë se qeveria parashikon të kenë defiçitin buxhetor sa 23 për qind e të ardhurave të pritshme. Nëse ky parashikim realizohet, ai do të jetë deficiti i dytë buxhetor më i madh në historinë e Shqipërisë. Me shumë gjasa ai do të mbulohet duke marrë para borxh.

Sipas institucioneve, shpenzimet janë parashikuar kështu:

  • 17,1 për qind për fondet shoqërore,
  • 11,7 për qind për Ministrinë e Shëndetësisë,
  • 11,7 për qind për Ministrinë e Financave,
  • 8,4 për qind për Ministrinë i Infrastrukturës,
  • 7,2 për qind për Ministrinë e Arsimit,
  • 4,3 për qind për Ministrinë e Mbrojtjes,
  • 3,5 për qind për Ministrinë e Brendshme,
  • 2,2 për qind për Ministrinë e Bujqësisë.

Shpenzime të tjera parashikohet të zënë 24,3 për qind të totalit të shpenzimeve, ndërsa pushteti vendor do të marrë 9,6 për qind të shpenzimeve.

Ekspertët ekonomik mendojnë se buxheti i 2021 paraqitet mjaft optimist dhe për këtë arsye, vihet në dyshim mundësia e realizimit të tij. Duke qenë se gjatë dekadës së fundit buxheti ndryshohet 1, 2 madje edhe 3 herë gjatë vitit, gjithmonë për të ulur të ardhurat dhe për rrjedhojë dhe shpenzime, buxheti i paraqitur duket mjaft “i fryrë”. Dyshimet rrjedhin edhe prej faktit që qeveria ka parashikuar që në 2021 të ulë më shumë grupin nga ku mund të mbledhë taksa pasi ka premtuar të heqë taksën për biznesin e vogël dhe rrisë pragun e TVSH-së, gjatë një viti kur pandemia do të vazhdojë, si dhe do të zhvillohen dhe zgjedhjet elektorale.