Buxheti në kthetrat e abuzimeve/ Bankat financojnë me kredi aferën e inceneratorëve, kontratat koncesionare dhe rrugën e papërfunduar të Arbrit

129
Sigal

Open Data Albania po hulumton në lidhje me nivelin e kreditimit të Koncesioneve PPP me mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit. Ndër 13 koncesione PPP me mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit, 6 prej tyre rezultojnë të jenë financuar  me shuma të konsiderueshme nga Sektori Bankar. Për dy prej këtyre kontratave koncesionare, nuk ka informacion në lidhje me vlerën e kredisë së marrë nga Sektori Bankar. Bëhet fjalë për kontratën Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Fierit me shoqëri zbatuese Integrated Techonolgy Waste Treatment Fier sh.p.k dhe kontratën Ndërtimi, operimi dhe transferimi i inceneratorit për përpunimin e mbetjeve urbane të Bashkisë së Elbasanit me shoqëri zbatuese Albtek Energy sh.p.k. Të dy këto kompani janë tashmë nën hetim  nga prokuroria speciale SAK.

Ndërsa 4 kompanitë e tjera janë financuar me kredi nga sektori bankar me vlerë rreth 16.8 miliardë lekë apo rreth 140 milionë Euro. Më poshtë do të paraqiten detaje për çdo kontratë të financuar.

Kredia më e madhe e miratuar nga Sektori Bankar, më konkretisht nga Banka Kombëtare Tregtare  është për koncesionin PPP Kontrata e ndërtimit të Rrugës së Arbrit me shoqëri zbatimi Gjoka 87 sh.p.k., me vlerë 9.5 miliardë lekë, të cilat do të përdoren për investime për projektin sipas kontratës së koncesionit. Palët kanë lidhur Kontratën e Kredisë me Nr.Rep.986, Nr.Kol. 502,  në datë 24.07.2018.

Banka BKT po ashtu ka financuar me kredi në vlerën rreth 3.77 miliardë lekë  apo 28.5 milionë Euro shoqërinë Albanian Highway Concession sh.p.k, e cila është zbatuese e Kontratës së Koncesionit Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë. Palët kanë lidhur një kontratë kredie me Nr. Rep. 926, Nr. Kol 316, datë 03.05.2017 me qëllim financimin e projektit nga banka. Referuar Bilancit 2020  deri në fund të vitit 2020, janë disbursuar 1.39 miliardë lekë dhe janë likujduar rreth 15 milionë lekë shpenzime interesash. Afati i shlyerjes së kredisë është 7 vite nga data e disbursimit të këstit. Norma vjetore e interesit është Euribor 12 mujor +3% por jo më pak se 5%.

Ndërkohë në vitin 2021, 3 Banka tregtare (Banka e Tiranës, Intesa San Paolo Bank dhe Banka OTP Albania)  kanë financuar një kredi të përbashkët prej 3.1 miliardë lekë apo 25.6 milionë Euro për shoqërinë koncesionare Rruga Llogara Orikum sh.p.k, e cila është zbatuese e kontratës së koncesionit Projektim-Ndërtim-Financim dhe Mirëmbajtje e segmentit rrugor Porti i jahteve-Orikum-Dukat. Afati i shlyerjes së kredisë është 10 vite nga viti i disbursimit. Sipas Kontratës së Kredisë, Kredimarrësi do të paguajë Interes Kontraktor çdo 3-muaj  mbi shumën e disburuar dhe të pashlyer të kredisë sipas Skedarit të Ripagimit të kredisë nga Kredimarrësi.  Norma e interesit kontraktor është e ndryshueshme dhe do të llogaritet interes bazë Bono thesari 12 mujor (norma mesatare e ponderuar) shtuar me marzhin 3.5% në vit, por jo më pak se 6% në vit, ku norma bazë e interesit është objekt rishikimi dhe ndryshimi nga Banka çdo 12-mujor.

Një tjetër shoqëri koncesionare, e cila është financuar me kredi është Laboratory Network sh.p.k e cila është zbatuese e Kontratës Koncesionare Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare rajonale dhe atyre bashkiake. Vlera e kësaj kredie është 372.9 milionë lekë apo rreth 3 milionë Euro dhe është e financuar nga Banka OTP Albania. Palët kanë lidhur një kontratë kredie bankare afatmesme Nr. 150 Rep dhe Nr. Kol 27, datë 20.03.2020, sipas së cilës Banka i ka dhënë kredi shoqërisë në shumën 2.3 milionë Euro dhe një kontratë për dhënie lehtësie kredituese letër garanci me Nr. 680 rep dhe Nr. 160/1 kol, datë 27.08.2019 sipas së cilës Banka i ka dhënë kredi kredimarrësit në shumën 700 mijë Euro, në total një shumë prej 3 milionë Euro. Në të gjitha marrëveshjet e sigurimit të kompanive koncesionare dhe Bankave vihet re se këto kompani kanë vendosur  si garanci apo kolateral barrë siguruese mbi aksionet e tyre, si dhe mbi llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave të këtyre shoqërive. Sa kohë që shoqëritë kanë garanci kontraktore dhe të drejta të arkëtueshme në bazë të kontratave PPP nga Buxheti i Shtetit, kreditimi nga banka të nivelit të dytë paraqitet proces i garantuar