Blerjet e energjisë, KESH 5 milionë euro importe, për javën e parë të tetorit

30
Sigal

Blerjet e energjisë në tregun e lirë kanë hyrë tani në një fazë të rregullt për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare e cila për të tretën javë ka bazuar furnizimin nga importi. Të dhënat e fundit të publikuara nga vete KESH tregojnë se kompania siguroi energjinë për javën e parë të tetorit për një vlerë rreth 5 milionë euro duke e çuar totalin nga fillimi i vitit deri më tani në rreth 40 milionë euro.

Kjo sasi ishte e ndarë në tre lote ku në lotin e parë ishin 33 600 MWh energji për një çmim mesatar të ponderuar prej 102.52, në lotin 2 sasia ishte 6300 MWh dhe çmimi mestar i ponderuar 98.13 dhe në lotin 3 sasia ishte 10500 MWh ndërsa çmimi mestar i ponderuar 85.30. Kryesisht gjatë këtij viti KESH ka siguruar energjinë nga prodhim në kaskadën e Drinit ku niveli i saj ka qenë dukshëm më i përmirësuar sesa në vitin 2021 dhe 2022 duke qëndruar mbi mesataren historike të paktën në 6 muajt e parë të vitit.

Kjo situatë ndihmoi KESH që edhe shpenzimet për importe gjatë këtij viti të jenë dukshëm më të ulëta sesa një vit më parë kur çmimet e energjisë në bursa shënuan nivel rekord. Importet në vlerë të paktën deri më tani janë mbi 10 herë më të ulëta ndërkohë që KESH gjatë këtij viti për shkak të gjendjes më të mirë hidrike të kaskadës ka pasur mundësinë edhe të eksportojë. Këto shitje në tregun e lirë të energjisë kishin një vlerë 36 milionë euro. Aktualisht vendi ynë është ende në gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji e shtyrë deri në fund të këtij viti teksa për shkak të kësaj, Korporatës i është ngarkuar detyra e sigurimit të furnizimit me energji duke marrë edhe një pjesë të detyrimit që më herët e kishte OSHEE.

Kriza e energjisë cilësohet aktualisht e zbehtë por risqet e saj ende nuk konsiderohen të kaluara për shkak të situatës jo të qetë gjeopolitike, konfliktit Rusi-Ukrainë si dhe dimrit që mbetet para. Rritja e kërkesës në muajt e ftohtë parashikohet të japë ndikim edhe tek çmimet që gjithsesi nuk pritet të arrijnë nivelet e pikut të krizës në vitin 2022 ku një MW energji u shit për 1047 euro./Monitor