Albpetrol , në krye me një dëm prej 13.5 miliardë lekësh

660
Sigal

Institucionet dhe shoqëritë që kanë shkaktuar dëmin më të lartë ekonomik ndaj Buxhetit të Shtetit për vitin 2012

Viti 2012 është karakterizuar nga dëmi më i lartë ekonomik i evidentuar ndër vite nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili është shoqëruar gjithashtu edhe me numrin më të lartë të kallëzimeve penale të bëra nga ky institucion pranë Prokurorisë. Dëmi total i evidentuar për 2012-n arriti në rreth 13.5 miliardë lekë, ndërkohë që numri i kallëzimeve penale u bë për 125 persona.

Shoqëritë aksionere

Pjesa më e madhe e dëmit ekonomik u shkaktua nga Albpetrol sh.a. për 9.19 miliardë lekë, ndërkohë që 12 persona janë çuar për ndjekje penale për shpërdorim detyre. Në vend të dytë, si shkaktari kryesor i dëmit për vitin 2012 renditet KESH sh.a. me rreth 2,5 miliardë lekë, të ardhura si pasojë e moslikujdimit të detyrimeve kontraktore ndaj saj (rreth 2.4 miliardë lekë) dhe dëm të fushën e prokurimeve për 54 milionë lekë. Të dyja këto shoqëri aksionere shpjegojnë rreth 85% të dëmit total.

Institucione qendrore dhe vendore

Ndërkohë, ndër institucionet qendrore e vendore që kanë shkaktuar dëmin më të lartë ekonomik për vitin 2012 mund të përmenden: Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, i cili është institucioni me dëmin më të lartë të evidentuar për vitin 2012 me 606.9 milionë lekë. Ky dëm është shkaktuar në sektorin e “shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë publike”, në mënyrë më specifike, në sektorin e koncesioneve, i cili është shoqëruar edhe me kallëzimin penal të 5 personave për shkelje të pabarazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Pas saj vjen Ministria e Brendshme me rreth 225.6 milionë lekë, dëm i cili është shkaktuar i gjithi në fushën e prokurimeve. Edhe ky kontroll ka përfunduar me kallëzim penal për 4 persona, me motivacionin e shpërdorimit të detyrës.

Autoriteti i Aviacionit Civil është institucioni që vijon, me 65 milionë lekë, 86.5% e së cilës i përket dëmit në shpenzime operative. Kontrollin në këtë institucion, KLSH e ka shoqëruar edhe me kallëzim penal ndaj 2 personave për shpërdorim detyre dhe për shkelje të pabarazisë së pjesëmarrësve në tendera. Ndërkohë, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Tiranë për vitin 2012 është evidentuar me një dëm prej 60 milionë lekësh, për t’u ndjekur nga ALUIZNI Qendër Tiranë me 51 milionë lekë, për të cilin është bërë edhe kallëzim penal për 4 persona. Drejtori të tjera të ALUIZNIT që kanë shënuar dëm të lartë ekonomik për vitin 2012 kanë qenë edhe Drejtoria ALUIZNI Vlorë me 35.4 milionë lekë, në të cilën është bërë kallëzim penal për 2 persona, një ndër të cilët për vetë Drejtorin e Drejtorisë Rajonale, si dhe ALUIZNI Rajonal Durrës me 31 milionë lekë, për të cilin janë kallëzuar 12 persona për shpërdorim detyre.

Lista vijon me Universitetin “Eqrem Çabej”, të cilit i është përllogaritur një dëm prej 33.4 milionë lekësh, ku pjesa më e madhe është evidentuar në sektorin e pagave (rreth 94%).

Pushteti vendor

Viti 2012 është karakterizuar nga një dëm i lartë ekonomik edhe në organet e pushtetit vendor. Kështu, renditja kryesohet nga Bashkia Sarandë me 70 milionë lekë, dëm i shkaktuar në pjesën më të madhe në fushën e urbanistikës me 55.4 milionë lekë e në fushën e prokurimeve për 12.7 milionë lekë. Gjithsej, KLSH ka bërë kallëzim penal për 10 persona për këtë institucion, ndër të cilët renditen edhe Drejtori i Urbanistikës dhe Drejtori Ekonomik.

 Pas saj vjen Bashkia Pogradec  me 46.4 milionë lekë, i vlerësuar në tre sektorë kryesorë: prokurime (20.7 milionë), urbanistikë (13.2 milionë) dhe shpenzime operative (12.1 milionë). Në fund të procesit të auditimit, KLSH ka kallëzuar 8 persona pranë Prokurorisë, ku përfshihet vetë Kryetari i Bashkisë dhe 2 Zv.Kryetarët. Së fundmi renditet edhe Bashkia Korçë me 31 milionë lekë, ku peshën më të madhe (56%) e zë dëmi në fushën e prokurimeve, ndërkohë që 3 persona janë çuar për ndjekje penale.

Ja institucionet me dëmin më të madh ekonomik

 Albpetrol sh.a. 9.19 miliardë lekë

KESH sh.a. 2,5 miliardë lekë

Ministria e Ekonomisë 606.9 milionë lekë

Ministria e Brendshme 225.6 milionë lekë

Bashkia Sarandë 70 milionë lekë

Autoriteti i Aviacionit Civil 65 milionë lekë

Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Tiranë 60 milionë lekë

ALUIZNI Qendër Tiranë 51 milionë lekë

Bashkia Pogradec 46.4 milionë lekë

ALUIZNI Vlorë 35.4 milionë

Universiteti “Eqrem Çabej” 33.4 milionë lekë

ALUIZNI Durrës 31 milionë lekë

Bashkia Korçë 31 milionë lekë