336 milionë euro për udhëtime, mobilje dhe rikonstruksion godinash

356
Sigal

Sondazhi i “Deloitte” nxjerr zbuluar propagandën qeveritare për vendet e punës dhe pagat.Ndërkohë që 50% e të rinjve duan të punojnë në kompanitë e huaja dhe 86.3% e tyre me moshë nga 18-24 vjeç duan të ikin nga vendi, qeveria hap thesin për shpenzimet e luksit. Vetëm për periudhën janar-tetor 2021 shpenzimet arrijnë shifrën më të lartë ndër vite prej 336 mln euro

 

Sondazhi i “Deloitte” me të rinjtë shqiptarë nxjerr zbuluar propagandën qeveritare për vendet e punës dhe pagat. Sipas të rinjve 50% duan të punojnë në kompani të huaja dhe 86.3% duan të ikin nga vendi. Mundësia e karrierës, niveli i pagave, punësimi online, mungesa e vlerësimit, nepotizmi dhe militantizmi, shkak për largimin e të rinjve nga mosha 18-24 vjeç.

Me krizën ekonomike dhe situatën e paqartë politike, shpresat që një ditë shqiptarët të kenë të ardhura sa vendet më të zhvilluara të grupit G7 (Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëri e Bashkuar dhe SHBA) sa vijnë e po bëhen më të largëta.

Sipas grafikëve të publikuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në raportin e fundit të Tranzicionit 2019-2020, tashmë do të na duhen 80 vite që të kapim mesataren e tyre në të ashtuquajturin proces të konvergjenvcës.

Ndërkohë buxheti i shtetit ka paguar në 10 muaj, 41 miliardë lekë apo 336 milionë euro për shpenzime operative dhe mirëmbajtje. Sipas të dhënave zyrtare të financave,  vlera për këtë kategori shpenzimesh për periudhën Janar-Tetor 2021 është më e larta e 10 viteve të fundit, e krahasuar me të njëjtat periudha. Ndërsa vetëm në raport me një vit më parë, rritja është me 36 milionë euro apo 11.9 për qind.

Por çfarë përfshihen tek shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes dhe pse ky kapërcim? Shpenzimet operative lidhen me shpenzime udhëtimi, transporti, blerje për material zyre apo mobilime, pagesa të faturave të energjisë, ujit, telefonit etj. Ndërsa tek mirëmbajtja përfshihen rikonstruksione të vogla në godina, që lidhen me amortizimin e tyre.

Rritja gjatë këtij viti duket se është e lidhur drejtpërdrejt edhe me zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në muajin prill: çka kanë sjellë dhe kosto më të larta për institucionet. Scan vë në pah  ndërkohë që duket se institucionet qendrore nuk kanë pasur kujdes në shpenzime, pavarësisht situatës së vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi si pasojë e tërmetit të Nëntorit 2019 dhe pandemisë Covid19,  gjë që duhet të diktonte dhe një kujdes më të lartë në këtë drejtim.

Ndokush mund t’i duken edhe pak 336 milionë euro. Por, nëse kemi parasysh që ndihma ekonomike dhe sociale për 1 person është 2.300 lekë në muaj, do të thotë që do të mund të jetonin mijëra shqiptarë të varfër në 1 muaj.