Piktori poet Skënder Kamberi

1592
Sigal

Në rrugën “Qemal Stafa”, përballë Profarmës, ndodhet një studio e vogël pikture, e vogël nga përmasat, e madhe nga përmbajtja e saj. Aty është tabloja e gjallë e historisë së Shqipërisë: Skënderbeu dhe Vrana Kondi, Naimi, Vaso Pasha e Dora D’Istria, Kosova dhe vajzat e bukura të Shqipërisë. Aty punon dora, mendja dhe zemra e Piktorit të Popullit, Skënder Kamberi, Njeriut ndërkombëtar të pëlqyer në fushën e artit dhe edukimit për vitet 1998-1999, Shpallur nga Qendra Biografike e Kembrixhit.

I. Pak biografi krijuese

Ka mbi 30 vjet që peneli i S. Kamberit nuk ka pushuar asnjë çast. Nëpër institucione publike e koleksione private numërohen mbi 1700 kompozime, portrete dhe peizazhe. Shumica e këtyre punimeve ndodhen në Shqipëri, kurse mbi 300 vepra-jashtë vendit, në Evropë e në Amerikë (Itali, Gjermani, Francë, Greqi, Turqi etj.)Shumë kritikë të artit figurativ, vendas, por edhe austriakë, rumunë, italianë e turq e kanë vlerësuar pikturën e tij: “…të freskët, origjinale, moderne, me elemente impresioniste dhe, sidomos, ekspresioniste, dinamike, me kolorit të veçantë”. Në veprën e tij zënë vend të dukshëm, veçanërisht, njerëzit e thjeshtë, po edhe figurat historike nga periudha e Skënderbeut dhe Rilindja Kombëtare, motivet nga Kosova, figura intelektualësh: shkrimtarë, poetë, piktorë e studiues të njohur.

II. Odeoni i Kosovës

Tani në studion e vogël brilante të Skënder Kamberit vendin kryesor e zënë punimet me temë nga Kosova. Kjo studio është një odeon i vogël, i madh i Kosovës. Përballë të shfaqet tabloja “Eksodi Biblik i Kosovës”, me zjarr dhe tym në sfond, me gjak – një flamur kuq-e-zi. Tabloja “Vazhdimësi” paraqet një nënë kosovare të vrarë dhe një fëmijë qëmendet në gji të saj, sikur mendet liria dhe ardhmëria e Kosovës. Më tutje, portreti me emrin “Trishta” tregon një kosovare të re, sa vajzë, aq shelg, aq dritë e dhimbje.

III. Poetika e pikturës Kamberi

Piktura e Skënder Kamberit është vepruese, reaguese dhe jopozante, ajo këndon dhe qan, sipas rastit, të armatos me dashuri apo urrejtje, të ngrohme ngjyrat e saj: okër, kafe, të kuqe… të freskon me të bardhën, të flladit me lirizëm, me bukurinë dhe freskinë vashërore, ajo ka temporitëm, si një valle, lëvizje dhe shpërndarje të motivuara të broshurave (bardh e zi). Piktori bën muzikë me ngjyrat, kjo pikturë ka psikologjizëm të thellë dhe konceptim të saktë anatomik. Nga tabloja në tablo, nga portreti në portret, nga peizazhi në peizazh, po edhe me vetë elementët përbërës të të njëjtit punim, piktura e tij të befason, të ve para të papriturash.

“Piktura ime, – thotë autori, – nuk kërkon të ilustrojë fakte, por jep fakte, që ndodhin apo kanë ndodhur. Më pëlqen, sidomos, nënteksti. Në një poezi të Agim Shehut më ka lënë mbresa nënteksti “nuk na shuani dot”; një shqiptar para pushkatimit u thotë armiqve: “Mos harroni se mbrëmë kemi fjetur me gratë”.

Për mua poezia, në pikëpamje të thellësisë, jo temperaturës, është ajsberg i letërsisë. Për të realizuar tablonë “Në Belvedere, në Vjenë / sikur pashë Skënderbenë”, me këto vargje të njohura të Naimit, mu desh të lexoj mbi njëzet vepra artistike dhe historike, Nairnin, Longfelloun etj., m’u desh të operoj me figurat poetike, p.sh, të vë përballë: Naim -Skënderbe, penë-shpatë, histori-poezi, dimrin e pushtimit nga njëri krah -vatër, hingëllimë kali, ngrohtësi flamuri nga ana tjetër, mu desh dhe simbolika e dritareve dhe luanëve.

Piktura është koncentrat, një lugë mjalti nga një mijë bletë që kanë thithur një mijë lule. Këtë gjej te piktorët dhe skulptorët e mi të adhuruar: Rembranti, Da Vinçi, Fidia, Ticiani, Dali, E1 Greko, Velaskez, Mikelanxhelo, te Sezani – ky filozof i pikturës moderne etj”.

____________________

SKËNDER KAMBERI

Skënder Kamberi u lind më 1939 në Vlorë. Mbaroi Liceun Artistik e më pas Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Pikturës në vitin 1965. Galeria Kombëtare e Arteve në fondin e saj mban me krenari shumë punime të Skënder Kamberit, puna dhe emri i të cilit kapërcyen dhe kufijtë shtetërorë. Ka hapur një sërë ekspozitash në Kajro, Paris, Angli, Stamboll, Itali, Athinë etj.. Skënder Kamberi dallohet për stilin e tij të veçantë në pikturë, për larminë ngjyrave dhe lojërat e dritës, të cilat i japin shpirt pikturës, e bëjnë atë një poezi të vërtetë.