Ali Ypi, agronomi i agronomëve

1073
Sigal

Lushnja në vitet 1954 – 1964 ishte një qytet i vogël, me karakteristika të veçanta në vendosje, planimetri e arkitekturë ndërtimore që flisnin për të shkuarën dhe e gatshme për t’u rritur e ecur drejt përparimit dhe traditës. Edhe tek njerëzit në përgjithësi ndjehej dhe shihej dëshira për të lëvizur dhe bërë më të mirën për përmirësimin e jetës. Kjo vihej re  në çdo fushë.  Në përpjekjet që bëheshin në atë kohë, spikasin njerëz të veçantë që çuditërisht, pa urdhër dhe pa vendime, shoqëria i nxjerr në krye dhe i ndjek pas deri në adhurim, ashtu siç kanë bërë edhe me personazhin për të cilin do të flasim në këtë shkrim.

Ali Ypi, një burrë i gjatë dhe me mustaqe që e tregonin edhe më të pjekur, kishte lindur në Durrës më 1918-n dhe banonte në Tiranë, ku mori mësimet e para dhe të mesme, ndërsa studimet e larta i kishte kryer në Itali në Fakultetin e Agronomisë të Peruxhias. Që të flasësh për Ali Ypin, për mua nuk është nevoja të përmendesh shifra e rezultate si ato aq e kaq hektarë apo kuintal prodhim gruri, misri, perimesh, rrushi etj., sepse ai matej me ekonomitë më të mëdha të vendit. Le t’i materializojmë ato. Fillesa e parë e punës ishte kryeagronom i ndërmarrjes   bujqësore Kamzë –Tiranë. Kjo ekonomi me volum të madh prodhimi për rrethin kishte dhe detyra specifike dhe me vlera për furnizimin e kryeqytetit me prodhime të freskëta si perime, fruta, mish e qumësht, detyra këto sa të domosdoshme, delikate, aq dhe me përgjegjësi. Për t’u realizuar kërkonin njohje të thella organizative, teknike dhe kujdesin e përditshëm të përballimit me konsumatorin. Menjëherë demonstroi se çfarë kishte mësuar e dinte, filloi t’i konkretizonte dijet. Teknologjitë e kultivimit duheshin përmirësuar. E kush mund ta bënte më mirë se ai qe ishte formuar në një vend ku perimet vlerësoheshin dhe kishin një nivel arritje nga më të mirat në Europë? Së pari, me përpjekjet e tij të jashtëzakonshme futi mekanizimin në shërbimin e perimeve, uli kostot e prodhimeve, përmirësoi financat. Me gjithë përpjekjet, njohuritë e tij  nuk mund të shpaloseshin plotësisht, pasi nuk e linte origjina klasore. Ai shihej vëngër nga komunistët për shkak të së kaluarës.  Sidoqoftë, për çudinë e të gjithëve, tek ky person me një formim të lartë dhe me një edukate e kulturë të admirueshme, ai diti ta udhëhiqte veten në situatat e vështira, duke njohur mirë procesin e ambientimit e të përshtatjes për të mos ngelur në labirintet që mund të ngriheshin në atë shoqëri të kontrolluar në çdo hap. Me që ndërmarrja bujqësore  “Ylli i Kuq” Kamzë u mendua se mori formën dhe rrugën e duhur që mund të ecte dhe me një specialist tjetër, atëherë kontributi i tij me vlera do të ishte që të punonte në një tjetër ndërmarrje edhe më të madhe, si ajo e Sukthit në Durrës. Sa u mendua, u veprua. Kjo ndërmarrje me mundësi të mëdha prodhimi me një specialist si Ali Ypi, për një periudhë relativisht të shkurtër arriti të prodhojë dhe të furnizojë me perime, fruta, mish dhe qumësht jo vetëm Durrësin, por u bë një furnitore me rëndësi dhe për kryeqytetin, krahas drithërave të bukës. Edhe në Sukth për realizimin e detyrave në kohë dhe me kosto sa më të ulët ai aktivizoi gjithë mekanizmat bujqësore të lëna si mbas dore. Për të shfrytëzuar klimën e favorshme bregdetare mendoi që me investime të vogla, siç ishte përgatitja e fidanëve, më parë në kubikë, arriti të përshpejtojë hershmërinë e prodhimit të disa  perimeve kryesore. Deviza e Aliut ishte: mendoje mirë, pa bëje. Kjo devizë ishte në të njëjtën kohë dhe një mbrojtje nga të papriturat që në çdo kohë priteshin. Cilësitë e vlerat profesionale të Aliut duhej të shfrytëzoheshin, mundësisht në të gjitha ndërmarrjet e tjera të vendit. E çfarë motivi tjetër do të justifikonte punën e tij për tre vjet në institucionin më të lartë të bujqësisë, siç ishte vetë Ministria e Bujqësisë? Pra mendimet e propozimet e Aliut qenë një kontribut jo i vogël për zhvillimin e ndërmarrjeve bujqësore në shkallë vendi. Përvoja e punës në dy ndërmarrjet kryesore, si dhe puna në ministri, la shenjën e tij të një agronomi me personalitet dhe njohës të mirë të ligjeve të tokës, bimës dhe zbatimin e tyre me shumë sukses.

Ishte viti 1954 kur Aliut iu kërkua nga udhëheqja e Ministrisë dhe iu komunikua transferimi në ndërmarrjen më të madhe në Shqipëri. Pra në Lushnje e priste ndërmarrja “perandori” me shtrirje që nga ura e Rrogozhinës në veri e deri në kufi me rrethin e Fierit në jug. Në këtë shtrirje përfshihen sipërfaqe të tëra toka fushore torfike të përfituara nga bonifikimi i kënetës së Tërbufit, toka të zeza, të bardha-lymore, si dhe qindra mijëra hektarë toka kodrinore të thyera e vende-vende pa vënë dorë njeriu, me fillim në Rrogozhinë e mbarim në qytetin e Lushnjës. Edhe sot kur futesh në imagjinatë, është e zorshme të orientohesh nga ta zësh e ta fillosh. Në këto kushte kërkohej strategji, projekte afatshkurtra si fillim e të mesme deri në zbatim. Tërbufi, oaz i pa shfrytëzuar dhe me mundësi e rezerva të mëdha për prodhime të bollshme, por përvoja për këto lloje tokash ishe  e panjohur. Teknologji tjetër kërkohej të zbatohej në tokat e zeza. Jo e njëjtë ishte edhe për kushtet e tokave të bardhë-lymore. Mijëra hektarë të pa shfrytëzuara kodrinore kërkonin studim të plotë, mendonte Aliu. Këto domosdoshmërisht kërkonin tarracimin dhe kanale e vija antierozive. Në “qëndisjen” e kodrave me vreshta e ullinj, një punë e madhe deri në sakrifica u krye nga punonjësit e kësaj ndërmarrje të ardhur e të punësuar nga dhjetëra fshatra për rreth dhe pjesërisht edhe nga qyteti i Lushnjës.    Në atë punë të palodhur çdo njeri nga ata kishte pjesën e tij që si dhe vetë Aliu meritojnë aq shumë në kontributet që kanë dhënë edhe kompetentët e të mirënjohurit Petrit Kosova dhe Hektor Bregasi, Murat Bani, specialistët Zyber Juka, Petraq Sotiri, Javer Halili, Sokrat Mehilli dhe pasardhësi vizionar Dhimitër Papa etj.. Cezarit t’i japim atë që i takon. “Kryeplaku” i stafit të specialistëve ishte i mençuri dhe i urti Zyber Juka. Masivi i kodrave me pamjen e një pikture gjigante kishte punën e të talentuarit siç e vlerësonte në ato fillime i madhi Abedin Çiçi për agronom Petraq Sotiri.

Ali Ypi ishte agronom i agronomeve!. Për çdo gjë në bujqësi në Lushnjë demonstrimet e tij ishin një art më vete. Në to vinin agronomë nga i gjithë vendi. Një nga këto demonstrime qe aksioni që u mor për drenazhimin e Tërbufit me drenazhe 50 cm nën tokë me tuba qeramike me vrima të mbuluar me kashtë për të mos u bllokuar nga dherat, teknologji kjo që e solli nga përvoja e “vjedhur“ gjatë një vizite pune në Holandë. Rezultatet nuk vonuan dhe kjo përvojë e tij u zbatua  me sukses dhe në shkallë vendi. Metoda e punës e Aliut dhe rezultatet me Kamzën, Sukthin dhe Lushnjën u kthyen në “Meke”, në vende pelegrinazhi. Në fillimet e mia të punës kur shkoja për kontroll për gjendjen e perimeve në sektorin perimor, prezenca e Aliut më sillte vetëm kënaqësi, sepse kishe çfarë të  dëgjoje e të mësoje nga komunikimi i tij  me brigadier e punëtorë që u qeshte fytyra kur përballeshin me kryeagronomin e tyre. Bashkëpunimi im drejtpërsëdrejti me Aliun ka qene puna që ai beri me ekipin e specialistëve holandezë që drejtuan ndërtimin e bllokut modern prej 9 ha serra  me ngrohje  në vitet 1972-1973. Serrat e para në historinë e bujqësisë në Shqipëri me sisteme automatike të ngrohjes, të ujitjes, të ushqimit dhe ajrimit që në vite prunë  167 ha të tjera me ngrohje, 340 ha diellore me xhama dhe rreth 700 ha serra diellore me polietilen. Kam shumë për të thënë për atë! Po nuk është vendi për më shumë. E mbylli karrierën si drejtues i Degës së Farërave – Lushnje. Shkurt: shembull. E veçanta  gjatë kësaj periudhe ka qenë se në Lushnjë në pranverën e vitit 1976 në zonën e Tërbufit një dukuri e pa pritur natyrore, breshër i paparë dëmtoi gati totalisht bimën e grurit në fazën e rritjes se kokrrës. Situata shumë e rende tërhoqi dhe preokupoi edhe udhëheqjen e lartë që urgjentisht për përballimin e situatës organizuan takim pune me gjithë specialistët më të mirë me në krye Themie Thomain, ministren e sapo ardhur. Kryeministri që drejtonte takimin në çastin e duhur iu drejtua atij që e njihte dhe vlerësonte aftësitë, Aliut: “Cili është mendimi yt për të përmirësuar situatën e rënduar? Në fjalën e tij Aliu theksoi se puna e parë është korrja, grumbullimi i gjithë prodhimit dhe  përgatitja si ushqim për blegtorinë. Zinxhir me të në një kohë rekord toka të përgatitet dhe të mbillet me misër. Në konkluzionet e fundit veç rëndësisë “politike”,  kryeministri theksoi me forcë ato që tha Aliu.

Në pension. Në Tiranë pranë familjes dhe fëmijëve më në fund. Jo nuk ndahej dot nga puna. Me shumë zell u aktivizua dhe kontribuoi në Stacionin Bujqësor –Tiranë.  Duke patur fatin të gëzoja shoqërinë aktive me Aliun në vitet e fundit, mësova se në komunikimin njerëzor si  Aliu zor se gjen një të dytë. Çfarë mund të thuash kur mëson se, një nga “shokët” e tij më të pandarë në gjithë jetën e tij të punës që e mbështeti pa asnjë kusht ishte motoçikleta. Besoni se edhe me të, motorin, “fliste”, dhe si një doktor i mirë  ia kuptonte  dhe ia zgjidhte “hallet” kur dëgjonte ankimin. Ali Ypi për nga thellësia e mendimit, gjerësia e interesimit, përvoja dhe arritjet shkencore, mënyra e zbatimit praktik dhe rezultatet që arriti në tre ndërmarrjet kryesore e më të mëdha të vendit, ishte i pashoq ndër agronomët në Shqipëri.