Viron Noti: “Pengu i vetëm është që nuk dola njëherë në ekran”

983
Sigal

Puna ime me Vera Zhejin, Agim Bejlerin, Elsa Xhajin, Kiço Fotjadhin, Liljana Meçanin…

Ka disa vjet që ka dalë në pension, por çdo mëngjes këmbët e çojnë tek Radio- Tirana. I heshtur dhe punëshumë, korrekt dhe fjalë mjaltë, i saktë dhe kërkues ndaj vetes. Viron Noti, padyshim është një nga ikonat e radiofonisë shqiptare. Me një stazh prej 35 vjetësh pranë mikrofonit të Radio-Tiranës, ai ka qenë prezent në çdo familje shqiptare në një seri të pafundme emisionesh, por zëri i tij potent njihet kryesisht si folës në emisionin qendror të lajmeve të orës 20:00. “Ju Flet Tirana”, ka qenë dhe mbetet për çdo shqiptar brenda dhe jashtë atdheut, tri fjalëshi më i bukur, më emocionues, më drithërues që i mbërthente dhe i mbërthen shqiptarët pranë aparateve fonikë për të dëgjuar zërin e atdheut. Impresionet, kujtimet, mbresat, e Vironit në ambientet e RTSH-së janë një libër me vete, që do t’i kishte zili çdo gazetar i ri, për të nisur rrugëtimin e profesionit të vështirë me një eksperiencë tepër të vlefshme. I qetë, i saktë, familjar, gjithmonë i qeshur, në bisedë Vironi rikujton mbresat kur hyri në këto ambiente pa vënë brisk në faqe dhe deri sa doli në pension. Një jetë të tërë në një Institucion kaq të rëndësishëm. Në Faltoren e lajmit të paqtë. Ndoshta është një ndër  rastet më unike (në të gjithë rastet e veçanta), ku një gazetar profesionist i nivelit të Vironit del në pension në një vend pune.  Dhe pikërisht aty, ku çdo gazetar e ka si ëndërr të fshehtë të ulet qoftë edhe për një moment pranë mikrofonit magjik, për të thënë me zërin e zemrës përshëndetjen mbresëlënëse  “Ju flet Tirana”.

 Ëndrra për radion

Si çdo njeri kishte shumë ëndrra, por ëndrra e tij ishte disi ndryshe. Në atë kohë ku radiot ishin me “racion”, dëshira e tij që të dëgjonte radion ishte e madhe. I dëgjonte vazhdimisht transmetimet, lexonte  gjithmonë gazetat “Zëri i Popullit” dhe“Bashkimi” dhe ku i pëlqente sidomos faqja e katërt, ku shkruhej për ngjarjet që ndodhnin në botë. Ishte i abonuar dhe i vinin në shtëpi gazetat. Admironte shumë folësit e famshëm që ishin në Radio-Tirana si: Agim Bejleri dhe Vera Zhejin. Këta i ka pasur idhuj dhe më vonë i ka pasur kolegë. Dhe pse babai e la në moshën 2-vjeçare, gjithmonë mendonte se a do të kishte edhe ai një mundësi siç ishin përgatitur  këta të ishte dhe ai në gjendje që një ditë t’i jepej mundësia të fliste në radio. Kjo ishte një dëshirë e brendshme. Fati e solli që në vitin 1973, Drejtoria e Përgjithshme e Radio-Televizionit bëri një konkurs për folës në radio dhe në televizion. Konkurroi. I dhanë materiale nga më të ndryshmet, ku komisioni ishte shumë profesionist. (komisioni kishte folës me përvojë siç ishte Vera Zheji që më vonë ishte edhe pedagoge në Institutin e Arteve). Në konkurs u panë aftësitë komunikuese, zëri, logjika dhe teknika e të folurit, por jo e perfeksionuar. Vera Zheji dalloi cilësitë e mira folëse, zërin e pjekur, kulturën, ngrohtësinë në të folur, nga materialet e ndryshme që ju dhanë dhe ajo i çmoi këto. E ndjeva veten shumë të kënaqur që u vlerësova  dhe  me kalimin e kohës arrita që me eksperiencë të ecja përpara, duke menduar  gjithmonë që kjo punë do pasion dhe punë. Ai ka  pasur  gjithmonë një moto “më pak talent dhe më shumë punë”, më mirë se sa shumë talent dhe pak punë, sepse atë talent ti do ta fitosh në sajë të punës. Çdo folës ashtu si edhe aktori që nuk punon dhe motoja e punës së tij ka qenë që duhet punë e vazhdueshme. Duhet të punosh me materialin. Është si puna e aktorit. Aktorët bëjnë vokalizma sepse krijohen intonacione, shikohet logjika e autorit se çfarë ka dashur në këtë dramë ose në këtë material letrar që ka shkruar dhe t’i mbasi njihesh me  këtë, krijon intonacionin dhe i afrohesh  natyralizmit. Është njëlloj si folësi dhe aktori, se të dy duhet të punojnë shumë. Kur materiali është sado i lehtë apo i vështirë, duhet të punosh me tekstin. Ai ka punuar me çdo fjalë dhe kjo i ka dhënë suksesin.

Fitoi në televizion. Për fat të keq nuk punoi në televizion, por në radio dhe jo si folës, por punoi si gazetar. Mbasi punoi një vit si redaktor në radio, arriti  që të kryejë emisione në redaksinë e fëmijëve, (ku Reshat Arbana  ka qenë shef  redaksie në atë kohë), pastaj kaloi në redaksinë e programacionit në radio si folës profesionist. Por puna e tij nuk  ishte vetëm dhënie lajmesh, anketa muzikore dhe emisione të ndryshme, komente, poezi nga më të ndryshmet. Në këtë periudhë punoi me kolegë shumë të afirmuar, shumë të respektuar, si: Vera Zheji, Agim Bejleri, Elsa Xhaji, Kiço Fotjadhi, Liljana Meçani dhe të tjerë  që ishin të  jashtëm.

 Mikrofoni, si magji

-Ai moment ishte në vitin 1973, kur ai u fut direkt  në emision dhe emisioni që ka bërë ka qenë për shqiptarët jashtë atdheut. Ishte një moment magjik. Mikrofoni është i pushtetshëm. Të mbërthen. Ai t’i jep të gjitha, mjafton që ti, t’i lexosh ato. Këtu fillon lidhja. Në atë kohë vlerësohej shumë ana profesionale. Në aktivizimin e njerëzve të mikrofonit, në atë kohë duhej të kaloje nëpër konkurse. Duhej të ishe shumë profesional që të merrje mikrofonin e Radio-Tiranës që ishte i vetmi institucion i medias në Shqipëri, dhe çdo gjë bazohej mbi profesionalizmin. Llogaria ka qenë shumë e madhe, bëhej analizë për çdo gjë. Çdo ditë kishte mbledhje. Shikohej ndonjë e metë, sugjerime, se çfarë opinioni kishin redaktorët, kishte edhe gazetarë shumë të mirë në atë kohë që punonin si Nasi Lera, Reshat Arbana  e shumë të tjerë. Në atë mikrofon ai ka transmetuar si vdekjet e udhëheqësve komunistë, kongreset e PPSH-së, po ashtu dhe qindra delegacione të partive komuniste që vinin në këto kongrese.

 Dita më e vështirë

-Dita më e vështirë ka qenë kur u largua nga ky institucion që punoi një jetë të tërë me një nostalgji të madhe me një dashuri të madhe. U largua me një keqardhje pasi mendoi se aty ku punoi kaq vjet, tani nuk do të ishte më. Aty që kaloi kaq emocione, kaq  net dhe ditë…Kujton ngjarjet e vitit 1997, ku ka qenë një periudhë shumë e vështirë. Gjatë viteve ka pasur ngjarje nga më të ndryshmet, por detyra ishte që ne të punonin edhe me orë të zgjatura natën edhe deri në mëngjes ka pasur raste. Dhe kur largohet, njeriu i kujton të gjitha këto ngjarje me nostalgji (loton).

 Folësit sot dhe boshllëqet

Ai thotë se këtu nuk ka një shkollë të posaçme për të përgatitur njerëz për folës. Mund të përgatisin folës vetëm ata që kanë një eksperiencë të madhe në këtë fushë, por shkollë nuk ka. Defekti është se këtu nuk punohet për të nxjerrë njerëz që të flasin. Mund të punosh për shembull me një regjisor, por regjisori është regjisor. Shumë folës, që kanë dalë, kanë dalë ose nëpërmjet kolegëve të tyre ose nëpërmjet redaktorëve, por i duhet njeriu profesionist që t’i trajnojë. Ai ka pasur fatin e mirë që në vitin 1978, bëri një kurs, që ishte kursi më i plotë që u bë për të përgatitur folësa për në radio Televizion, ku morën pjesë 25 folës. Ishte një kurs me tema teorike dhe praktike, ku u ftuan shumë regjisorë si: Albert Minga, Mevlan Shanaj, Vera Zheji, kishte pedagogë nga Instituti i Arteve, pedagogë nga Instituti i Folklorit, nga Histori- Filologjia. Ky ishte kursi më i fortë që u bë për perfeksionimin e atyre që kishin hapat e para në radio dhe në televizion. Tani për fat të keq nuk shikon ndonjë kusht, që të jetë për këta njerëz që përgatiten për folës. Ka shprehur dëshirën që ta merrte përsipër një gjë të tillë pa shpërblim.

 Emisioni më i realizuar

Veçon emisionin “Takim me Shekspirin”. Një emision me 12 seri, ku përfshihen të gjitha veprat e Shekspirit. Ky emision u realizua nga Televizioni Shqiptar. Këto vepra janë vënë në gojën e një pedagogu të aktrimit në Angli, të cilat  përçojnë një filozofi të tërë jetësore. Mënyra e realizimit të këtij emisioni nga pedagogu anglez të mbërthen, të magjeps, të shtang. Këtu flitet për veprat më të mëdha botërore, tragjeditë e famshme dhe të papërsëritura të Shekspirit, si: Otello, Hamleti. Pra ai interpretoi pedagogun, sipas mënyrës së tij për t’ju përshtatur në mënyrë sa më origjinale. Zë i qetë i shtruar ai e studion fjalën, e përcjellë, me timbrin, elokuencën, vështrimin. Është një kombinim i veçantë elementesh që vetëm personalitete të rralla të aktrimit  mund ta realizojnë në perfeksion. Si e shpjegon ai këtë vepër ashtu duhej të fliste dhe Vironi që ta përcille. Nuk isha vetëm në rolin e folësit. Absolutisht jo. Zëri ishte një nga element, por aty duhej studjuar çdo fjalë. Sepse humbja e theksit dhe në një fjalë të vetme humbte logjikën e veprës. Ky material ishte një interpretim i mirëfilltë, i cili e tërhoqi shumë. Aktor, folës. Kur i besuan këtë serial ka lexuar me ditë të tëra disa herë tekstin. Thuajse e mësoi përmendësh tekstin. Donte të dinte çdo fjali, çdo lidhje. Folësi këtu dilte në plan të dytë. Ishte njohja e materialit me detaj, duhej një lloj komunikimi i veçantë, aktrues.