Qytetarëve të Tiranës do t’u zhvaten nga xhepat 2,4 milionë lekë në orë

536
Sigal

Koncesioni i parkimeve të Tiranës: Ja si u anashkalua Ligji 8652 në tentativën e parë

Në një akt të paprecedent, tre muaj përpara se të dorëzojë pushtetin, administrata “Basha” në Bashkinë e Tiranës po ia dorëzon gjithë parkimet publike të kryeqytetit një firme private. Mega-koncesioni është paraprirë nga një javë terrori në Tiranë (vini re: vetëm ne Tiranë), ku objektiv i tritolit kanë qenë deri dhe vetë prindërit e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ende pa u fashitur pluhuri i bombave që plasën njëra pas tjetrës, Këshilli Bashkiak i Tiranës, futi në rendin e ditës për votim mega-marrëveshjen, nga e cila, sipas përllogaritjeve të përafërta të disa këshilltarëve bashkiakë, qytetarëve të Tiranës u zhvaten nga xhepat 2.4 milionë lekë në orë. Shumëzojeni këtë me 24 orë, dhe pastaj me 365 ditë dhe pastaj edhe me 35 vjet dhe mund të krijoni një ide se çfarë po ju kërkohet të paguajnë qytetarëve të Tiranës. Ka shumë të ngjarë që nëse ky koncesion miratohet, qytetaret e Tiranës të vijojnë të paguajnë haraç për hapësirën publike, edhe pasi ata që po e vënë në skenë këtë plan sot, të kenë ikur nga kjo jetë, pas 35 vjetësh.

 * * *

Skandali i vjedhjes së floririt në Bankën e Shqipërisë gjatë kohës së Canit dhe ai i vjedhjes së kartëmonedhave gjatë kohës së Fullanit, janë qindarka krahasuar me shifrat marramendëse që zhvat ky koncesion. Këtë herë, nuk është kasaforta e një banke që grabitet, por direkt xhepat e qytetarëve, të cilët janë shqetësuar masivisht nga ajo që mund t’u ndodhë nëse Këshilli Bashkiak aprovon idenë e çmendur të një kryebashkiaku dështak. Ajo që bën më shumë përshtypje, është se vetë Bashkia, pra Publikja, merr vetëm thërrime nga ky lëshim që i bën pronës së përbashkët të qytetarëve. Interesi publik ndodhet këtë herë i kërcënuar drejtpërdrejt nga ata që janë mandatuar për ta garantuar atë.

Zërat flasin edhe se një media e respektuar qëndron prapa kësaj mega-afere, duke e bërë të padurueshme ndjenjën e tradhtisë ndaj publikut, pikërisht nga ata që deri dje kanë mbrojtur me kurajo interesin e tij prej abuzivizmit të pushtetit. Qytetarët s’e kanë parë, kurrrë më parë, veten e tyre kaq të braktisur! Të gjendur në mes të një xhungle urbane, askush nuk di më nëse duhet të mbrohet nga tritoli, nga gjobat e policisë, nga zhvatja e pronës, nga tretja e hapësirës publike, nga ushqimet e skaduara… e nga një listë e gjatë abuzimesh të çdo forme.

Mes aktit të dorëzimit të qytetit një firme private dhe mbrojtjes së interesit qytetar, qëndruan të enjten e shkuar vetëm dy këshilltarë bashkiakë, Florjan Pullazi dhe Eridian Salianji, që të dy përfaqësues të Partisë Socialiste. Mënyra se si këshilltarët e tjerë (të majtë e të djathtë) u sollën në këtë mbledhje, ka lënë një shije tmerrësisht të keqe zhgënjimi dhe pasigurie. Sikur të mos ishte për një televizion kurajoz, që e dha live mbledhjen e së enjtes, Tirana do të ishte gdhirë të nesërmen nën thundrën e policëve privatë të cilët, me të drejtën që do i buronte tashmë nga licenca publike, do të kërrusnin deri në zvetënim qytetarët e Tiranës, të cilët fati apo nevoja e deshi që të kenë një makinë.

E sigurt që, për shkak të shifrave marramendëse, koncesioni i parkimeve është parashikuar të prodhojë, asgjë s’do mund të ndalojë më pas koncesionarët të ndërtojnë administratën e tyre private, policinë e tyre private e madje ushtrinë e tyre private, të cilën as bashkia e as qeveria nuk do kenë më takat ta përballin. Shteti, në formën siç e kemi njohur deri më sot, do to zhduket me shpejtësi.

Shkelja e Ligjit 8652

Në fakt, objekt i kësaj analize nuk është se çfarë do të ndodhë, as nëse duhet Bashkia apo Qeveria të prodhojnë me fuqinë që i ve në dorë publiku monopole kaq të frikshme, që zotërohen nga privati për të gjunjëzuar qytetarin. Objekt i këtij shkrimi është në fakt se çfarë nuk ndodhi të enjten e javës që po lemë pas dhe pse ligji qysh tani është i shkelur barbarisht nga ata, që duhet të ishin të parët, që garantojnë zbatimin e tij.

Ligji 8652 e detyron Këshillin Bashkiak të ndërmarrë konsultime publike me aktorët e interesit në katër raste: Buxheti, Paketa Fiskale, Tjetërsimi ose Dhënia e Pronës në përdorim të Tretëve, Miratimi i Rregulloreve dhe Standardeve. Në thelb, koncesioni i parkimeve, është pastërtisht një “dhënie në përdorim të pronës”. Një në 10 familje sot në Tiranë ka në pronësi një automjet dhe, më e pakta, ky target grup duhet të ishte thirrur në seanca konsultimi nga Këshilli Bashkiak. Neni 35 “Seancat e këshillimeve me bashkësinë dhe e drejta e publikut për t’u informuar”, thotë sa më poshtë: “Këshilli komunal ose bashkiak, përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, zhvillon seanca këshillimi me bashkësinë. Seancat e këshillimit janë të detyrueshme për rastet e parashikuara në nenin 32 shkronjat “dh”, “e”, “f” dhe “k” të këtij ligji” …në rastin konkret, gërma “e” e nenit 32 është: “e) Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve”. Padyshim, që Këshilli Bashkiak ka shkelur haptazi ligjin organik për Pushtetin Vendor, të paktën deri në këtë pikë që po flasim.

Futja në seancë e këtij projekt-vendimi për të enjten e javës që vjen, i jep një shans Këshillit Bashkiak të thërrasë Konsultimet. Mos-respektimi i ligjit për të dytën herë është abuzim me detyrën dhe ngarkon me përgjegjësi direkte Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe, më konkretisht, sekretarin e këshillit bashkiak, padyshim edhe vetë kryetarin e këshillit.

Votimet për tjetërsimin ose dhënin në përdorim të pronës publike janë një nga procedurat me konservatore të parapara në Ligjin 8651 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”, të ndryshuar. Këto lloj vendimmarrjesh, përveçse duhen konsultuar paraprakisht, duhet të votohen me 3/5 e votave. Është vetëm ky lloj vendimi që në mënyrë taksative duhet të votohet domosdoshmërisht me shumicë të cilësuar nga këshilltarët vendorë; buxheti dhe paketa fiskale mund të votohen edhe me shumicë të thjeshtë dhe kjo shpjegon qartë se Prona qëndron në majën e hierarkisë së vendimmarrjes vendore.

Për ta përforcuar epërsinë e kësaj vendimmarrjeje, ligjvënësi ka parashikuar edhe një filtër të tretë, atë të votimit me mënyrë të fshehtë, për ta garantuar këshilltarin nga çdo persekucion që mund të vijë për shkak të bindjeve të veta. Dikush mund të thotë se Ligji 8652 nuk parashikon në mënyrë eksplicite mënyrën e votimit në rastet e tjetërsimit të pronës. Po, por ky është vetëm një vlerësim sipërfaqësor. Vendimet për dhënien në përdorim të pronës janë vendime me natyrë individuale, sa kohë që ato adresojnë një subjekt konkret të së drejtës. Neni 33 “votimi” përcakton shprehimisht në paragrafin 1 të tij se “Votimi në Këshill bëhet i hapur ose i fshehtë. Këshilli vendos për rastet kur votimi bëhet i fshehtë. Aktet me karakter individual miratohen kurdoherë me votim të fshehtë”.

Nga sa më sipër, është e qartë se ligjvënësi është kujdesur të fiksojë një garanci trefishe për rastet kur Këshilli Bashkiak duhet të marrë vendime për dhënien në përdorim të pronës. Nga seanca e kësaj të enjte, u pa qartë që asnjë nga këto garanci nuk u aktivizuan në atë tentativë votimi për Koncesionin e Parkimeve të Tiranës. Arsyet mund të jenë nga padija ose nga qëllimshmëria. Në rastin e dytë, qëllimshmëria ka vetëm një emër “zhvatje e qytetarëve me licencë bashkiake”.