Lumë denoncimesh nga Elbasani

397
Sigal

Qytetarët deri tani  418 dërgesa MD për korrupsionin

Në faqen on-line të Ministrisë së Drejtësisë “Denonco Korrupsionin”, ditët e fundit ka pasur një numër të madh denoncimesh nga Elbasani, kryesisht nga qytetarë, apo palë të cilët prej vitesh janë në procese gjyqësore, por edhe denoncime për mjekët, prokurorë, gjyqtarë, drejtues institucionesh, apo edhe për gjoba të padrejta nga policia Tatimore dhe ajo Rrugore, madje edhe avokatë e noterë. Deri tani numërohen afro 418 denoncime të tilla, të cilat vazhdojnë të shtohen. Për avokatë dhe noterë denoncimet  kanë të bëjnë me pazare me gjyqtarët apo edhe me prokurorët e çështjeve. Denoncimet janë të natyrave dhe karaktereve të ndryshme, të cilat pritet të ndahen dhe shqyrtohen sipas rëndësisë nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë. Denoncimet kanë të bëjnë kryesisht me zvarritjet e proceseve gjyqësore, penale dhe civile pasi ka prej tyre që kanë nisur qysh në vitin 2005, dhe ende janë pa një vendim të prerë. Shtyrja e proceseve gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit vjen shpesh nga mungesa e qëllimtë e avokatëve, gjyqtarëve, apo edhe prokurorëve, por arsyeja më fortë mbeten pazaret. Denoncuesit shprehen se “avokatët mbeten shpesh shkaktarët kryesorë të pazareve të pista mes gjyqtarëve dhe palës kundërshtare, duke marrë shpesh vendime të padrejta sipas vlerave monetare që marrin nën dorë”. Vitet e fundit Gjykata e Elbasanit është vënë shpesh nën shënjestrën e mediave, por edhe KLD-së, e cila ka ndëshkuar me masa administrative dhe disiplinore hetues, prokurorë e gjyqtarë, për shkeljen e etikës profesionale, apo vendime të paligjshme. Përmendim rastet e gjyqtarëve Z.Sh. Xh.K. apo edhe së fundit të gjyqtarit B.M. propozuar nga Ministria e  Drejtësisë (firmosur nga ministri Nasip Naço) për KLD për marrjen e masës disiplinore për shkeljeve ligjore. Hapja e faqes on-line nga Ministria e Drejtësisë për të denoncuar korrupsionin mbetet natyrisht meritë e ministrit Nasip Naço, i cili ka treguar se është i vendosur t’i qëndrojë besnik zbatimit të ligjit dhe ndëshkimit të çdo zyrtari të implikuar. Largimi së fundi i sekretarëve në gjykatat edhe në Elbasan është pritur mirë vetëm nga qytetarët, por kurrsesi nga gjyqtarët. Qytetarët mbeten ata që shpesh bien viktima të premtimeve për gjoja “vendim të drejtë”, por më pas mbeten të zhgënjyer. Shpesh vendimet gjyqësore në Elbasan kanë sjellë probleme serioze mes palëve. Ka me dhjetëra e dhjetëra raste gjyqesh penale, kur autorët e akuzuar nga policia dhe prokuroria kanë fituar lirinë, apo kur pas proceset gjyqësore të pronave vendimet e pa marra akoma janë kthyer në legjenda përsa i përket kohëzgjatjes, apo në sherre e konflikte me pasoja jete kur ato kanë qenë antiligjore. Këto tematika janë trajtuar gjerësisht në denoncimet e qytetarëve të Elbasanit, qytet i cili ka mjaft probleme të tilla që presin zgjidhjen ligjore. Qytetarët ankohen se kanë 10 apo edhe 15 vjet që nuk përfundojnë proceset gjyqësore, pasi nga Gjykata e Shkallës së parë shkojnë në Apel, nga atje tek Gjykata e Lartë, dhe sërish kthehen nga e para. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh çdo ditë me pronat e banorëve autoktonë të Elbasanit, apo edhe me ata që kanë ardhur vitet e fundit në këtë qytet. Qytetarët e Elbasanit mbeten me shpresën e madhe dhe sytë nga Ministria e Drejtësisë, duke pritur të nisë ndëshkimi ndaj personave që ata kanë akuzuar për shkeljet ligjore ndaj zgjidhjes së probleme të tyre, nga institucionet dhe zyrtarët e shtetit.