Zbulohen 16,9 milion euro shkelje në Autoritetin Portual Durrës

467
Sigal

KLSH kallëzon në Prokurori ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës së bashku me 4 ish-drejtorë të drejtorive përkatëse në këtë autoritet

KLSH kallëzon në Prokurori ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës së bashku me 4 ish-drejtorë të drejtorive përkatëse në këtë autoritet, si dhe 4 nëpunës të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës. Ky rezultat doli nga një auditim i iniciuar në Autoritetin Portual Durrës dhe Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës me objekt “Për zbatimin e ligjshmërisë, rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare dhe vlerësues”. Ky auditim ka përfshirë periudhën e veprimtarisë ekonomike-financiare të Autoritetit Portual Durrës, nga data 01.09.2010 deri më datën 31.10.2013. Referuar shkeljeve të konstatuara nga ky auditim dhe të trajtuara më hollësisht në raportin përfundimtar të auditimit, vlera e fondeve të menaxhuara në kundërshtim me dispozitat ligjore arrin në vlerën 2.35 miliard lekë ose 16,9 milion Euro. Shkeljet kryesore të trajtuara në këtë raport auditimi kanë të bëjnë me shkeljen e ligjit në:

-zhvillimin e procedurave për dhënien me koncesion të një pjese të aktivitetit të APD-së,

-zbatimin e kontratave me subjektet private që operojnë në Autoritetin Portual Durrës,

-procedurat e prokurimeve për investime (blerje mallrash dhe shërbimesh) si dhe zbatimin e kontratave respektive,

-administrimin e vlerave materiale financiare të APD-së,

-përfitimin e padrejtë nga ana e punonjësve të MPPT-së, si pasojë e pagesave të kryera ndaj tyre nga shoqërive të ndryshme koncesionare për hartimin e dokumentacionit të procedurave koncesionare, etj. Më konkretisht, nga auditimi i procedurave për dhënien me koncesion të një pjese të aktivitetit të APD-së, u konstatua që procedura e përgatitjes së dokumentacionit të tenderimit, zhvillimi i procedurave të tenderimit, kualifikimi dhe shpallja fitues, lidhja e kontratave me shoqëritë koncesionare, si dhe zbatimi i tyre, nuk kanë qenë konform dispozitave përkatëse ligjore. Si pasojë e këtyre veprimeve, në lidhjen e kontratave koncesionare nuk janë mbrojtur interesat e shtetit përsa i përket shfrytëzimit të territorit të APD-së nga ana e shoqërive koncesionare si dhe përqindjes së ndarjes së të ardhurave nga tarifat operacionale portuale.

Gjithashtu, nga auditimi i procedurave koncesionare rezultoi që në kontratat e lidhura me shoqëritë koncesionare nuk janë mbajtur parasysh kostoja totale e investimeve të kryera paraprakisht nga shteti dhe për të cilat APD-ja vazhdon të paguajë këstet dhe interesat e kredive të marra para dhënies me koncension, siç është dhe rasti i investimit të kryer në terminalin e trageteve me vlerë 22,9 milion Euro. Përsa i përket marrëveshjeve koncensionare, nga auditimi rezultoi se në disa prej tyre, nuk ishin zbatuar detyrimet përkatëse për kryerjen e investimeve dhe këto shoqëri koncensionare, në veprimtarinë e tyre, kanë dalë jashtë aktivitetit të përcaktuar në marrëveshjen koncesionare.

Nga auditimi i disa prej procedurave të prokurimeve për investime si dhe zbatimin e kontratave respektive të tyre, rezultoi që hartimi i dokumentacionit të tenderimit, zhvillimi i procedurave të tenderimit, kualifikimi dhe shpallja fitues, lidhja e kontratave me operatorët fitues, si dhe zbatimi i tyre, janë kryer në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, nga auditimi rezultoi që nga ish-drejtuesit e APD-së janë lidhur kontrata në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit (terma referencës). Në lidhjen e kontratave përkatëse me operatorët fitues, këtyre subjekteve u janë krijuar favore të ndryshme si paradhënie në vlera të konsiderueshme, shtyrje të afatit të fillimit të zbatimit të kontratave, etj.

Në lidhje me kallëzimet penale të hartuara nga KLSH-ja ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të sipërpërmendur, në to trajtohen shkeljet e konstatuara në drejtim të procedurave koncesionare me objekt “Menaxhimi, operimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik të terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit” me një efekt financiar 2,2 miliard Lekë, si dhe në kryerjen e procedurave të prokurimit “Kryerje e remontit të përgjithshëm të dy elektrovincave 16 ton dhe 27.5 ton” dhe “Mirëmbajtja teknike e mjeteve, mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së” me vlerë 22,8 milion Lekë.

Në kallëzimin e bërë nga KLSH-ja në lidhje me procedurat koncesionare me objekt “Menaxhimi, operimi, mirëmbajtja dhe përmirësimi teknik i terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit”, trajtohen shkeljet e konstatuara në lidhje me:

-Mosvlerësimin me korrektësi të të gjitha detajeve të projektit të paraqitur, pasi vlera e investimeve prej 32,500,000 USD të propozuara për përmirësimet teknike të terminalit nga koncesionari, është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet MPPT-së dhe shoqërisë koncesionare.

-Mungesën e transparencës me operatorët ekonomikë të interesuar për pjesëmarrje në koncesion si dhe zhvillimin e procedurave të tenderimit vetëm me njё operator ekonomik.

Në kallëzimin e bërë nga KLSH-ja, në lidhje me kryerjen e procedurave të prokurimit “Kryerje e remontit të përgjithshëm të dy elektrovincave 16 ton dhe 27.5 ton” dhe “Mirëmbajtja teknike e mjeteve, mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së”, trajtohen shkeljet e konstatuara në lidhje me:

-Kryerjen e amendimeve të kontratës nr. 1771, datë 14.07.2011 duke shkelur barazinë në tender,

-Organizimin përveç tenderit “Kryerje e remontit të përgjithshëm të dy elekrovinçave 16 ton dhe 27.5 ton” edhe të dy tenderave të tjerë për pjesë këmbimi elektrike, elektronike për vinça portal dhe shërbimin për transportin e pjesëve të elektrovinçave, nëpërmjet të cilave, në të vërtetë, synohej të realizoheshin detyrimet kontraktuale të operatorit ekonomik fitues të tenderit të parë,

-Kryerjen e transferimit të 2 elektrovinçave (16ton dhe 27 ton) për llogari të shoqërisë koncesionare, duke mospërfshirë në të vlerën prej 22,800 mijë Lekë të kryer nga APD-ja për remontin e këtyre elektrovinçave,

-Lidhjen e kontratës nr. 483 prot, datë 17.02.2009, me numër reference 65 PH 2008, ndërmjet APD-së dhe operatorit ekonomik, me objekt “Mirëmbajtja teknike e mjeteve mekanizmave dhe pajisjeve industriale në zotërim të APD-së”, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit (terma referencës), dokument mbi bazën e të cilës është zhvilluar procedura e prokurimit. Si rrjedhojë, operatori ekonomik, fitues i këtij tenderi, është favorizuar nëpërmjet dhënies paradhënie në vlerë të konsiderueshme si dhe shtyrje të afatit të fillimit të zbatimit të kontratës.

Për të gjitha shkeljet e mësipërme të kryera nga ish drejtuesit e APD-së dhe nëpunësit e MTI-së (ish MPPT), KLSH-ja ka depozituar pranë organit përkatës të prokurorisë kallëzimet përkatëse penale për konsumimin e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 248 dhe nga neni 258 i Kodit Penal.

Nga auditimi i investimeve të kryera nga APD-ja, rezultoi që investimi për sistemin e integruar të peshimit elektronik, me vlerë 47 milion Lekë, i cili do të përshpejtonte procedurat e brendshme të operimit në APD, rritjen e sigurisë së veprimeve, miradministrimin e të ardhurave të APD-së, si dhe rritjen e cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimit përkundrejt operatorëve, aktualisht vazhdon të mos përdoret nga ana e APD-së pa asnjë arsye të justifikueshme.

Gjithashtu, bazuar në gjetjet e këtij auditimi, KLSH i ka kërkuar APD-së, që të kërkojë në rrugë administrative dhe gjyqësore arkëtimin e vlerës totale prej rreth 62 milion lekë nga operatori ekonomik “L 1”, të cilat përbëjnë përqindjen e të ardhurave që i kalon APD-së nga aktiviteti i operatorit dhe shumën e sigurimit të kontratës për moslikuidimin në afat të detyrimeve.

-Rekomandimet e KLSH-së

Për të gjitha shkeljet e konstatuara më sipër dhe të trajtuara më hollësisht në raportin përfundimtar të auditimit, KLSH-ja ka rekomanduar në total, 42 masa organizative, 18 masa zhdëmtimi, 26 masa administrative, 12 masa disiplinore si dhe ka depozituar pranë organit përkatës të prokurorisë 2 kallëzime penale për ish-drejtorin e përgjithshëm të APD-së së bashku me 4 ish-drejtorë të drejtorive përkatëse në këtë autoritet, si dhe 4 nëpunës të MTI-së (ish MPPT).