Kushtetuesja rrëzon reformën e “Rilindjes” për tarifën e licencimit të karburanteve

266

VKM Nr. 970/2015 rriste
me 50-fish tarifën për subjektet brenda Bashkisë Tiranë dhe 20-fish për
subjektet në bashkitë e tjera

 

Gjykata Kushtetuese ka
zbardhur vendimin me të cilin pak kohë më parë, rrëzoi qeverinë për tarifën e
re të licencimit të veprimtarisë në sektorin e tregtisë së karburanteve. Në
arsyetimin e saj prej 18 faqe, Kushtetuesja argumenton se rritja e tarifës së
licencimit në masën 20 dhe 50-fish është arbitrare, e pa arsyeshme, e pa
argumentuar dhe jo proporcionale. Përfaqësuesja e Avokatit të Shtetit e ka justifikuar
rritjen e taksës për licencim me synimin e vënies nën kontroll të tregut të
shitjes së karburanteve. Por, kjo logjikë nuk është pranuar nga anëtarët e
Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë të vlerësimit, se Këshilli i Ministrave nuk
ka arritur të pretendimet e tij për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në rregullimin
e tregut të hidrokarbureve. Ai pranoi se ndërhyrja në fjalë nuk është
mbështetur në ndonjë studim paraprak dhe të thelluar, duke u ballafaquar edhe
me praktikat më të mira europiane. Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese çmoi se
pretendimi se biznesi i hidrokarbureve është zhvilluar në mënyrë të
pakontrolluar dhe ka vështirësuar kontrollet e organeve kompetente, është i
pabazuar. Ndërkohë, sipas arsyetimit të këtij organi gjyqësor suprem, përdorimi
i mjeteve dhe formave të tilla të papërshtatshme për të “frenuar” konkurrimin e
tyre në treg, bie ndesh me parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike. “Qeveria
duhet të gjejë forma të tjera të përshtatshme, në përputhje me ligjet në fuqi,
duke forcuar në mënyrë cilësore punën e organeve të kontrollit, për të shmangur
deformimet në treg dhe pasojat negative që mund t’i vijnë interesave të
konsumatorëve dhe shtetit”, sugjeron Gjykata Kushtetuese për Këshillin e
Ministrave. Kujtojmë, që tarifa për licencimin e stacioneve të karburanteve,
përpara miratimit të VKM Nr. 970/2015 ka qenë 100.000 lekë. Ndërsa sipas
reformës së “Rilindjes”, pra sipas VKM së miratuar, kjo tarifë u përcaktua në
masën 5.000.000 lekë për subjektet të cilat operojnë brenda territorit të
Bashkisë së Tiranës dhe 2.000.000 lekë, për subjektet të cilat operojnë në
territorin e bashkive e tjera. “Rritja e kësaj tarife me 50-fish për subjektet
të cilat operojnë brenda territorit të Bashkisë së Tiranës dhe 20-fish për
subjektet të cilat operojnë në territorin e bashkive e tjera, përbën një
ushtrim arbitrar të veprimtarisë ligjvënëse, që bie në kundërshtim me
Kushtetutën. Ndryshimet në aktin nënligjor duhet të kishin sjellë qëndrueshmëri
të mjaftueshme që siguron vijimësinë e së drejtës së fituar, në mënyrë të
veçantë të atyre që operojnë në treg dhe ju nevojitet të rinovojnë licencën,
mos cenim të besimit dhe pritshmërive legjitime të këtyre subjekteve, të cilat
aktualisht e ushtrojnë këtë lloj aktiviteti. Këto ndryshime, të bëra në mungesë
të argumenteve dhe që janë të pajustifikuara, nuk garantojnë stabilitet dhe
qartësi të mjaftueshme për të shmangur arbitraritetin”, vlerëson trupa gjykuese
e Kushtetueses, sipas së cilës, për rrjedhojë ndërhyrja e Këshillit të
Ministrave ka cenuar parimin e sigurisë juridike dhe pretendimi i Shoqatës së
Hidrokarbureve në lidhje me këtë cenim është i bazuar. E gjendur përpara këtyre
kushteve, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pranojë kërkesën e Hidrokarbureve,
duke shfuqizuar pikën 9 të kreut II të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për
përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licensave për tregtimin
e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.