FAD, bojkotim të gjyqeve deri në plotësimin e kërkesave të Dhomës së Avokatisë, Elbasan

349
Sigal

Forumi i Avokatëve për Drejtësi dhe kryetari i saj, Av. Idajet Beqiri, shpreh indinjatën e tij për ndalimin e paligjshëm të avokatit Bujar Dyrmishi, anëtar i Dhomës së Avokatisë në Elbasan për shkak të grindjes me gjyqtarin problematik të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Xheladin Karkini. Në këtë komunikatë konfirmohet se, Komuniteti i Avokatëve ka pasur dhe ka probleme serioze me këtë gjyqtar, i cili është “përfaqësuesi” tipik i gjyqtarëve të papërgjegjshëm, shkelës dhe abuzues të ligjit dhe të lirive dhe të drejtave të njeriut. KLD ka qenë e mirinformuar dhe më parë për veprimet antiligjore dhe të papërgjegjshme të këtij gjyqtari dhe të disa të tjerë të papërgjegjshëm si ai, të cilët e bëjnë të pabesueshme dhënien e drejtësisë, rolin dhe funksionin e gjykatave dhe gjyqtarëve të tyre, në raport me qytetarët dhe palët e interesuara në gjykimin e çështjeve të ndryshme. FAD apelon para organeve të akuzës, para organeve të rendit, para gjykatave, para KLD dhe Presidentit të Republikës që rastet kur palë në mosmarrëveshje të tilla janë avokatët, të mos trajtohen si deri më sot, kur masa e vetme që është zbatuar ndaj tyre, kanë qenë ndalimet dhe burgosjet.

“Ne e dimë që organet që kanë në kompetencë masat e sigurimit, për shkak të pozicionit që kanë avokatët me to, janë të prirura për t’u hakmarrë. Por një fenomen i tillë e dëmton rëndë sistemin e drejtësisë në vend, i dëmton rëndë liritë dhe të drejtat e njeriut, sepse avokatët janë pala më e rëndësishme në proceset gjyqësore, janë krahu i përkushtuar i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, dhe mbi të gjitha janë amortizatorët kryesor të dukjes së drejtësisë në vend”, thuhet në deklaratën e FAD.

FAD në shenjë solidarizimi me kolegët e tyre në Elbasan, ka vendosur që të gjithë avokatët e Tiranës dhe të rretheve të tjera të vendit që ndjekin çështje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, t’i bojkotojnë të gjitha gjyqet, deri sa të plotësohen kërkesat e avokatëve të Dhomës së Avokatisë Elbasan.