Ylli Polovina: Libri i ri me shënime: “Komunizmin, siç e pashë”. Pse Enveri e pati zgjedhur komunizmin për ta mbajtur një popull sa të jetë e mundur në gjendje kopeje. Arsimi, shkrimtarët dhe sinjali i RAI-t

455
Sigal

 

  • Pushtimi italian i 7 prillit 1939 ishte për shqiptarët fatkeqësia më e madhe e atij shekulli
  • -Diktatori Hoxha nuk ishte as belbacuk, as gafaxhi, as fytyrëzymtë, as i trashë.
  • -Komunizmin Enver Hoxha e pati zgjedhur për ta mbajtur një popull sa të jetë e mundur më gjatë në gjendje kopeje
  • – Enverin mund të kenë qejf ta quajnë të paditur, por ai kishte bibliotekën më moderne dhe më pluraliste në Shqipëri
  • -Kur shkonte në Pogradec apo Vlorë Enveri shikonte RAIN, bashkë me të hapeshin antenat padashur dhe për popullin
  • – Eleganca e veshjeve të Enver Hoxhës, por jo luksi, e mbanin përherë të ri që pati shijuar jetën e Perëndimit
  • – Lexova artikullin “Qartësi dhe paqartësi” të Rexhep Qoses u binda se ishte kundër Kadaresë

Duke hyrë në “KOMUNIZMIN, SIÇ E PASHË” të shkrimtarit dhe publicistit Ylli Polovina na vjen tashmë para lexuesit me një libër interesant “Komunizmin ashtu siç e pashë”. Libri është një autobiografi në formë ditari ku autori ka hedhur në letër jetën e tij, por dhe të gjitha ngjarjet jetësore të viteve në komunizëm për periudhën që ai ka jetuar. Polovina vjen në këtë libër i sinqertë, pa ekzagjerime dhe komente abstrakte, real, me një penë elegante dhe stil lakonik ku ndihet pesha e përgjegjësisë dhe vërtetësia e penës së tij. Si në të gjitha librat e tij, Polovina dallohet për një komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin, për një sinqeritet të situatave që përcjell, për një besueshmëri serioze, për një harmonizim të letërsisë dhe publicistikës që e bëjnë krijimtarinë e tij të lexueshme, dhe mjaft të dashur. Në këtë libër autori nuk provokon, nuk jep gjykime të drejtpërdrejta, nuk imponohet dhe shkruan me një figuracion letraro-artistik të admirueshëm. Në hyrjen e librit të tij ai shkruan. “Pushtimi italian i 7 prillit 1939 ishte për shqiptarët fatkeqësia më e madhe e atij shekulli. Qe ai dhe, kryesisht ai që do të favorizonte pllakosjen e fatkeqësisë së dytë, asaj më të madhes, diktaturës staliniste. Ai robërim musolinian ndërpreu dhunshëm zhvillimin normal të Shqipërisë për të filluar më pas një cikël të tërë anormaliteti, i cili do të zgjaste pa mundur dot të ndërpritej, për plot pesëdhjetë e një vite.
Enver Hoxha ishte një fatalitet tjetër, për mos t’i hyrë Jaltës dhe përse në tryezën e bisedimeve për një marrëveshje rindarjeje të rendit botëror, të tre më të fuqishmëve të botës iu duk më mirë të shpërfillnin dhe pothuaj harronin fatin e Shqipërisë.

Duke ja lënë prehë komunistëve stalinistë dhe jugosllavëve.

Të vjen keq kur sheh se vazhdohet akoma të depërtohet drejt misterit, kllapisë dhe tiranisë Enver Hoxha me hoka dhe sharje, me nënvleftësime të tij.

Diktatori nuk ishte as belbacuk, as gafaxhi, as fytyrëzymtë, as i trashë. Komunizmin Enver Hoxha e pati zgjedhur, sepse nuk ka ideologji më të përkryer për ta mbajtur një popull sa të jetë e mundur më gjatë në gjendje kopeje. Oratoria e tij ishte një nga mjetet kryesore. Diktatori në realizimin e sistemit, i cili në parim ishte mirëfilli një gafë, nuk gaboi kurrë. E çoi atë gjer në fund me një stil metodik shembullor, si të qe një simfoni orkestrale.

Enver Hoxhës nuk i dridhej zemra kurrë nëse bashkëluftëtarët e tij përfundonin të zhdukur e pa varr, por ndodhte që përlotej nga ndonjë këngë popullore. Zëmërimi i tij ka qënë i tmerrshëm, por në të njëjtën kohë buzëqeshja dhe tundja përshëndetëse e dorës plot magji.

Mund të kenë qejf ta quajnë të paditur, por ai kishte bibliotekën jo vetëm më moderne, por edhe më pluralisten në Shqipëri, madje lexonte e shkruante pa pushim. Për të Italia ishte “aeroplanmbartësja e imperializmit amerikan”, por kur shkonte për pushim në Vlorë apo në Pogradec një ditë para mbërritjes së tij antena të posaçme në pika të larta të relievit fillonin të transmentonin televizionin italian. Kur ikte sigurisht antena mbyllej, por banorët e qytetit ndërkohë patën shijuar ca kohë nga “kapitalizmi i urryer”. Eleganca e veshjeve të Enver Hoxhës, por jo lluksi, e mbanin përherë ashtu siç kishte qenë në të ri: shqiptar që pati shijuar jetën e Perëndimit.

Sot mund të bësh sikur nuk e di që diktatori në qytetin e vet rridhte nga një familje me emër publik. Kur ishte pikërisht kështu mund të ripërsëritet se marksizmi i tij vinte nga zgëqet e Uraleve, por në të vërtetë pati ardhur nga zemra e kontinentit, nga vetë Franca. Madje pothuaj i gjithë grupi, e mbështeti, vinin nga Perëndimi, jo nga Lindja.

Enver Hoxhës mund t’i thuhet po ashtu se nuk e donte Kosovën, kur me siguri e ka dashur. Ndërkohë, sepse donte mbi të gjitha pushtetin e vet që i solli çështjes kombëtare dhe vetë Kosovës dëme mjaft të mëdha.

Hoxhës mund t’i përplaset në fytyrë edhe akuza se nuk e donte as Shqipërinë, kur në të vërtetë mendonte se e donte. Veç nuk gjendet tjetër si ai në historinë tonë që i dobësoi aq fort burimet njerëzore dhe ekonomike të saj.

 

Metoda e inateve, pra e thjeshtëzimit të Enver Hoxhës, mund të çlirojë përkohësisht nga dhimbja apo të lehtësojë dufe individësh, veç nuk zgjidh asgjë. Është i njëjti stil si ai i realkomunistëve, të cilët për të poshtëruar kundërshtarët e tyre ballistë i bënin ata sikur nga frika dridheshin si purteka.

Enver Hoxha, po ta krahasosh me liderët e tjerë komunistë të Lindjes,- përfshi edhe vetë Stalinin,- ka qënë më i bukuri i tyre, më inteligjenti, më dinaku, më radikali, më joreformatori, më dogmatiku, më servili, më mosmirënjohësi, më i eturi për pushtet personal, më i pashpirti.

Patëm regjimin më të ashpër të ish-lindjes komuniste, por ndërkohë udhëheqësin më të përsosur për këtë mashtrim.

Ja përse ishte një dramë të lindje në sistemin politik që sajoi ai dhe shumë e mundimshme t’i shpëtoje narkozës së enverizmit. Gjithçka qe ndërtuar me një talent diabolik. Të imunizuar sadopak ishin vetëm ata që nuk e donin atë rregjim, sepse thjesht qenë ideologjikisht kundërshtarë politikë të tij, pse jo edhe ithtarë të ndonjë regjimi tjetër.

Këta nuk kishin arsye dhe energji desidence.

Enver komunizmin mund ta rrëzonte vetëm rezistenca e atyre që kërkonte t’i tjetërsonte si të vetët politikisht.

E kam lexuar Marksin që kur isha në vitet e para të gjimnazit. Dhe a e dini përse? Jo vetëm se në këtë laborator të frikshëm të vendit tim po shndërrohesha pak nga pak në një qenie eksperimentale të “njeriut të ri”, por edhe sepse botimet e Marksit dhe të Engelsit qenë më të bukurat, më luksozet. Ato binin aromë dhe mua tërë jetën aromat e librave më kanë tunduar dhe marrë mend.

Njeriu në këtë botë kur lind nuk ka mundësi të zgjedhë jo vetëm prindërit e vet, por as vendin e kombin, as shekullin, vitin e ditën, as nëse do të jetë djalë apo vajzë, me trashëgimi gjenetike të shëndetshme apo të kompromentuar.

E kështu me rradhë.

Njeriu kur lind nuk mund të zgjedhë dot as nivelin e qytetërimit të shoqërisë, të cilës i përket, as sistemin politik të organizimit të saj.

Kështu një shqiptar që lindi në vitin 1945 apo më pas, deri në fund të 1990-ës, pra kohë sa për të paktën dy gjenerata të plota njerëzore, nuk mund ta dinte se e kishte nisur jetën në një regjim, i cili quhej komunizëm.

Tashmë edhe pse kanë kaluar afro tridhjetë vite nga mbyllja e historisë së këtij modeli, më i përparuari, ai i shoqërisë së hapur, i pluralizmit, ende dihat dhe mezi merr frymë. Përreth në sjelljen e politikanëve e jo pak edhe të elitave të tjera, kudo ku ato tashmë janë ngulitur, prej mënyrës se si veprojnë rishfaqet ciklikisht imazhi tronditës i para nëntëdhjetës, hija e saj e gjatë.

Kjo ndodh jo sepse na ka marrë peng Enver Hoxha, por sepse kemi marrë peng veten, duke i duruar ata tashmë me qindra e qindra që na rrinë sipër dhe kanë kryer e kryejnë në vazhdim një krim të madh: manipulimin e memories së vendit.

Kjo u duhet për të shpëtuar dhe riaktivizuar kolaboracionizmin e ri, të vetëdijshëm të tyre, me të gjitha llojet e pushteteve dhe të përfitimeve që kurrë nuk i ngopin.

Pa çliruar, plotësuar dhe demokratizuar plotësisht kujtesën kombëtare shoqëria jonë nuk mund të bëjë hapa energjikë përpara. Ajo është institucioni më i madh që ka një popull për vazhdimësi dhe garanci progresi, si edhe stimuli më i epërm për zhvillim që ai zotëron natyrshëm.

Kujtesa është edhe roja më vigjilente për t’u mbrojtur nga përsëritja e fajeve dhe e gabimeve të së shkuarës.

Kësaj kujtese kombëtare po i ofroj veten, rrëfimin në një libër si mendoja atë kohë, si rrëzohesha nën narkozën e “njeriut të ri” dhe si, për arsye të ndryshme, ajo nuk ja delte dot, si edhe shumëve, të më vinte poshtë.

Kam mbajtur ditar tërë jetën, duke filluar nga 17 vjeç, vijuar në të dy periudhat historike, para dhe pas motit nëntëdhjetë të shekullit të shkuar. Një e teta e masës së pjesës së parë të përjetimit, periudhës 1965-1992, vetëm ajo që ka rëndësi dhe dobi publike, po botohet në këto faqe.

Ky libër është i tridhjeti i përvojës time si autor me tematikë të përhershme historinë kombëtare.

Ndihem i sigurt se ky gjest vetëhapjeje, ku vihem lirisht dhe i padetyruar nga askush, në kushtet e një “kavjeje” për këdo që dëshiron ta dënojë, por edhe ta mirëkuptojë atë kohë të kaluar, ta studjojë po ashtu, po bëhet me zemër në dorë. Asnjë ndërhyrje nuk është kryer në tekstet e paraqitura. Gjithçka e shkruar në këtë libër, në rast se gjendet qoftë dhe një bashkëkombës t’ja dyshojë vërtetësinë, jam gati për provën me faksimilen e faqes përkatëse origjinale në ditar.

Kam shpresën, por ndoshta vetëm iluzionin, se me çfarë po bëj, do të jetë një shërbim për të njohur të shkuarën e ndërlikuar të realkomunizmit shqiptar. Ju siguroj se e di fare mirë që edhe aktualisht shoqëria jonë nuk ka dalë nga pisllëku e ndohtja shpirtërore, nga dhuna e gënjeshtrës personale dhe e mashtrimit kolektiv, e hajdutërisë dhe e plaçkitjes së vlerave publike, e mburravecllëkut dhe e mënjanimit të atij që është korrekt.

E di fare qartë se kjo do të thotë që duhet të zbatohet parimi i kohës më të keqe të historisë, asaj të totalitarizmit dhe të demokraturave: “Atë që e mendon, mos e fol; po e fole, mos e shkruaj; po e shkruajte, mos e firmos; po e firmose, mohoje!”

Por po e “tradhëtoj” shtatëmbëdhjetëvjeçarin e 10 janarit 1965, ku kam shkruar dhe jam betuar mbi këto fjalë:

“Unë fillova të mbaj ditar për një sërë arsyesh:

E para: se dua të kem një “ngushëllonjës”, një “njeri ditar”, ku të zbras ato që fsheh.

E dyta: të kem disa gjëra (kujtime rinie) për mos i harruar në të ardhmen, për ndonjë vepër letrare.

 

 

30 gusht

 

Tani po këndon Sherif Merdani. Është një këngë e bukur dhe e përmallshme (“O të kam dashur o gocë e vogël/për unazën e gishtit….) T’a marrë dreqi! Në Radio-Tirana fillon një bisedë serioze dhe kënga prishet.

Punonjësit e Komunales po montojnë mbi çatinë e administratës së tyre antenën e televizorit. Unë ndjej gëzim. Poshtë janë grumbulluar shumë njerëz.

Mësoj anglisht. Urdhëri i brendshëm është që deri në tetor të kem mbaruar dhe pastaj të mund të lexoj në gjermanisht dhe anglisht.

Ujë nuk ka. Fqinja jonë Salushja është ulur këmbëkryq tek çimentua e çezmës dhe ka vënë para rubinetit një shishe. Duket si prej shumë kohësh aty.

Shishja është mbushur përgjysmë.

Mbrapa shpinës time, në një nga çezmat e qytetit janë grumbulluar aq fëmijë, sa deri tani janë thyer dy kane qelqi.

Me siguri ky është vetëm fillimi.

Lexova artikullin “Qartësi dhe paqartësi” të Rexhep Qoses. Jam i bindur se është kundër Kadaresë. Ka mundësi të jenë fillimet e një lufte sistematike kundër tij.

Ora 22.40. Jam i ulur në tavolinën time të punës. Radioja gjithnjë e hapur. Një këngë e bukur jugosllave. Kam qejf ta fishkëllej, por i prish gjumin tim vëllai, Çimit.

 

31 gusht

 

Ora 13.30. Përcolla Çimin për në Tiranë. I doli e drejta e studimit për inxhinieri elektrike. Ai tani fillon jetën e madhe, jetën e tij. Rrugës duke u kthyer për në shtëpi pashë një djalë që po flinte mbi libra brenda një furgoni “Zuk”.

Një arixheshkë e vogël shkon për të gjetur para në një vrimë të kishës së braktisur së Shën Mërisë pak metra më tej nga Ura e Goricës. Arixhofka e madhe e priste nga ana tjetër e rrugës. Si duket nuk e dinë se kishat janë prishur.

Mbrëmë N. po bisedonte me një mik të tij që kishte qenë në Francë dhe po gatitej tani të shkonte në Turqi. “Aman-i thosh-më sill një fotografi të Stambollit t’ja çoj im mëje tek varri dhe ta shohësh pastaj po s’u çua”.

Nëpër shkollë ka një lëvizje të madhe. Ngarkohen libra, numërohen, transportohen, përsëri numërohen, shkarkohen, përsëri numërohen. Është një proçes i madh sa muri kinez. Kjo lëvizje e madhe ka të bëjë me proverbin: Kur të vjen veza….

Nesër do lexoni:

 

15 shtator 1971  si u nisëm në aksionin e rinisë në Lukovë buzë Jonit

-Tmerri i udhëtimit, dy ditë për të shkuar nga Berati në Lukovë

Lukova ishte vërtet një qytez-fshat i lezetshëm ku  djemtë janë dobësuar, kurse vajzat shëndoshur.

Në klubin e Fermës porositëm mëlçi dhe nga një birrë, kamarjerja na solli dy birra dhe vetëm një mëlçi