Xheladin Çelmeta: Platforma e Konferencës së Pezës, një “direktivë e shenjtë kombëtare”

68

INTERVISTA dhënë për “Telegraf” 2017, nga shkrimtari e studiuesi Moikom Zeqo

“Më 16 shtator 2017, është 75-vjetori i Konferencës historike të Pezës. Platforma e Konferencës së Pezës, ishte në vetvete një direktivë e shenjtë, e cila i ftonte të gjithë shqiptarët për të luftuar okupatorët nazifashistë, për t’i shporrur ata nga vendi. “Luftë pa komprmis; pa dallim feje, ideje e krahine, në një front të përbashkët kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre”. Shkrimtari e studjuesi Moikom Zeqo, në intervistën e tij dhënë gazetës “Telegraf”, thekson rëndësinë e Konferencës së Pezës, në konteksin historik të Shqipërisë së kohës së LANÇ. Ai e cilëson këtë konferencë historike, si një kulm të ndërgjegjes kombëtare shqiptare, e cila fatkeqësisht nuk u përkrah nga përfaqësuesit e Ballit e Legalitetit, por vetëm nga komunistët dhe shqiptarët në përgjithësi, që kishin vetëm një ëndërr: Çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ishte kjo ndërgjegje kombëtare popullore, e cila bëri që të rritej si orteku numri i luftëtarëve antifashistë në gjithë vendin, dhe që mbi 70 mijë shqiptarë; burra e gra, të rinj e të moshuar, fëmijë e pleq, të veshur partizanë mbushën rradhët e batalioneve, brigadave e divizioneve. Ata luftuan trimërisht, pëllëmbë për pëllëmbë të tokës shqiptare, duke i sjellë Shqipërisë lirinë më 29 Nëntor 1944, dhe e rreshtuan vendin tonë në krah të Aleatëve të mëdhenj të Koalicionit Botëror në Luftën e Dytë Botërore. Madje, formacionet e UNÇSh, e ndoqën armikun këmbë-këmbës, duke ndihmuar për çlirimin e Kosovës, deri në Vishegrad, në Bosnje-Hercegovinë.
Zoti Moikom; që nga largësia e viteve, në këtë 75 vjetor, si e vlerësoni sot Platformën e Konferencës historike të Pezës, të mbajtur më 16 shtator 1942? 
Padyshim që platformën e Konferencës së Pezës do ta quaja një direktivë të shenjtë. Ajo ishte e tillë, sepse ftonte të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, ideollogjie apo bindjeje politike, pa dallim krahine apo zone, në një front të përbashkët për luftë pa komporomis kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre kolaboracionistë. Kurse Balli e Legaliteti ishin kundër kësaj ideje të shenjtë, që synonte shpëtimin e Shqipërisë, synonte çlirimin e saj nga pushtuesit fashistë, nazistë e kolaboracionistët. Siç e dini, Balli Kombëtar, kur lindi Lufta Nacional-Ҫlirimtare, e u krijua Fronti Nacional-Ҫlirimtar, pas Konferencës së Pezës, i tmerruar tentoi të zëvendësonte rolin e këtij Fronti. Që në emërtimin e Ballit, gjithçka ishte bërë me një paramendim djallëzor: Gjoja shqiptarizuan termat; fjala “front”, mund të zëvendësohej, sipas tyre, me fjalën “balli”, domethënë “në ballë” dhe fjalën “nacional” me “kombëtar”. Fjalën “ҫlirimtare” nuk e vunë. Pra, si kundërvënie ndaj Konferencës së Pezës, ata cilësonin dhe konsideronin pikërisht organizatën e tyre “Balli Kombëtar”. Por në fakt fjala “ҫlirimtare” është esenciale për karakterin e luftës sonë kundër pushtuesve. Ndaj dhe lufta jonë ishte edhe ndërkombëtare, por edhe kombëtare. Ҫlirimi i vendit në një periudhë prej 5 vjetësh, ishte një fitore jashtëzakonisht e madhe. Se vendi ynë ishte pushtuar nga dy perandori të mëdha; nga perandoria e fashistëve italianë dhe ajo e nazistëve gjermanë. Ishte një luftë e paparë në historinë e vendit tonë, për nga numri i ushtarëve armiq që kishin pushtuar vendin. Ndaj kur analizohet lufta, flitet me numra, shifra e koncepte dhe jo me fjalë e me retorikë. Shqiptarët u treguan të denjë në këtë moment kritik të historisë. Dhe duhet të dini dhe tjetrën, jo për t’u mburrur, por për të theksuar një të vërtetë; që shqiptarët janë një popull që në këtë moment e kanë treguar veten; ndaj dhe kanë të drejtë të krenohen. Më 7 prill 1939 ne kemi heroin e parë kundër fashizmit në Europë, që është Mujo Ulqinaku.
Dhe ju keni shkruar monografinë e tij; keni shkruar librin aq shumë të lexuar, për Mujo Ulqinakun. Sa vjeҫ ishit atëhere kur ju lindi ky frymëzim?
Isha 24 vjeҫ atëhere. Dhe më kujtohen si sot ato moment kur nisa të shkruaj librin. “Do shkruaj një libër për Mujo Ulqinakun”, i thashë gati instiktivisht mamasë time. Mamaja e shkretë, që ma dinte merakun tim të të shkruarit, u kthye nga unë: “Epo…ҫfarë të bëj?”, më tha. Dhe e di ҫfarë i thashë? “Më bëj patate të skuqura”! Më pa si me habi dhe menjëherë vuri tiganin në sobë. Kjo është krejt naïve ta tregosh, por kështu qe. “Po pse patate?”, më tha ajo. “Se ato më pëlqejnë”, i thashë dhe sakaq hapa dosjen e e letrave të bardha mbi tavolinë. Dhe kështu nisi monografia atë ditë, për të përfunduar pas një farë kohe deri sa libri doli nga botimi. Heroi Mujo Ulqinaku, është emblematik si figurë. Se e dimë se si u pushtua Franca. Pa ia bërë njeri “bam” atje. Kurse ne si popull reaguam me pushkë. Ja bëmë “bam”. Kjo qe një simbolikë e madhe. Vazhdojmë; ҫeta e parë antifashiste në Evropë është Ҫeta e Pezës. Ku kishim ne forcë ushtarake në 1940-’41-shin? Lufta jonë ishte popullore, se u mbështet nga prijës popullorë. Prijës popullor qe Myslim Peza, prijës popullor qe Haxhi Lleshi, prijës popullor qe Baba Faja Martaneshi. Nga të gjitha krahinat.
Ju jeni shkrimtar, poet, studjues, por dhe historian e kulturolog. Sa vend zenë në librat tuaj partizanët dhe në tërësi heroizmi i popullit tonë në luftë? 
-Natyrisht, kam bërë libra dhe në to padyshim që pasqyrohet dhe lufta bashkë me protagonistët. Unë vetë jam familje antifashiste. Babai im Zihni Zeqo, ka qenë partizan në batalionin “Perlat Rexhepi” dhe është plagosur në luftën e Reҫit, që është lufta më e madhe në Veri kundër pushtuesve italianë. Në mënyrë ilegale është ҫuar dhe është mjekuar në një familje në Shkodër. I shpëtuan jetën. Pastaj babai im është plagosur në luftën e Tiranës. Tre xhaxhallarët e mi kanë qenë partizanë. Një xhaxha, Medi Zeqo, që e ka emrin dhe tek libri i Mehmet Shehut “Lufta e Tiranës” përshkruhet si një partizan që bëri një aksion në Laprakë. Në Laprakë ishte murosur nën tokë një fortifikatë (prej tanku) e nazistëve. Ky, mori sulmin ndaj tij, duke hedhur mbi tank një granatë dore. Katër hallat e mia kanë qenë antifashiste. Kështu, që unë, kam tetë antifashistë në familjen time. Babai, për shkak të plagëve të luftës në moshën 24 vjeҫ qe invalid i luftës. Sot ndodhin edhe ҫudira, se ka nga ata që mohojnë sakrificën e baballarëve të tyre “për arësye politike”(!). Punë e tyre. Unë s’jam nga ata që mohoj sakrificën e babait tim e të tjerëve të familjes sime që u ngazhuan në Luftë. Këto ide që them unë, që shkruaj për Luftën, janë ide të mëdha, nuk janë vetëm të familjes sime. Gjatë karierës sime, unë bëra një gjë që s’e bëri askush deri sot: Për herë të parë hapa në Muzeun Historik Kombëtar pavionin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kjo mua më kushtoi shumë. Kur erdhi Berisha në pushtet, njeriun e parë që hoqi nga puna isha unë. Dhe motivacioni ka qenë, se gjoja unë “mbroja datën 29 Nëntor, si datë të çlirimit të Atdheut”.
Tani diçka për antifashizmin dhe politikën e sotshme
Politikanët e sotshëm nuk e kuptojnë se sa i rëndësishëm ishte dhe është antifashizmi. Antifashizmi është edhe një vijë ndarëse mes popullit dhe atyre që nuk janë me popullin. Partia Demokratike, kur fitoi zgjedhjet në vitin 1992, mund të kthehej në një parti të madhe popullore në vend, në qoftë se do të kishte një qëndrim korrekt ndaj luftës nacional-çlirimtare. Mirëpo ç’ngjau: Më 22 mars 1992, u fituan zgjedhjet, në maj 1992 Berisha hoqi dëshmorët nga Varrezat e Dëshmorëve. Mohoi LANÇ dhe akoma edhe sot mohon datën e Çlirimit. Duke mohuar luftën, Partia Demokratike nuk u bë asnjëherë një parti e madhe popullore. Dhe që nga ajo kohë, ajo nuk fitoi asnjëherë zgjedhjet. Flasim, si parti e vetme… Ose i ka fituar ato kur ka bërë koalicion me parti të vogla, që përbëhen nga pasardhës të kolaboracionistëve. Partia Socialiste, mendoj unë, që të ecë përpara; gjithmonë duhet të vlerësojë siç duhet Luftën Nacional-Çlirimtare. Se konstatoj që drejtuesit e saj, nuk e vlerësojnë siç duhet atë. Figurat e mëdha të Luftës duhen ngritur. Duhet të bëjnë më shumë televizionet, gazetat, etj. Se figura si Qemal Stafa, Kristaq e Margarita Tutulani, janë të denjë jo vetëm për kulturën e antifashizmit në Shqipëri, por edhe për gjithë Evropën. Gabriel Perie në Francë, nuk ka bërë më shumë se Qemal Stafa. Janë antifashistë të mëdhenj të dy. Por ne duhet të reagojmë me fakte ndaj tezave që shajnë Luftën Nacional-Çlirimtare. Teza absurde e “luftës civile” është një idiotësi e madhe. Nuk ka patur luftë civile. Lufta civile është koncept juridik. Ajo zhvillohet në një shtet kur ai është i lirë, i pavarur. Kurse në një shtet të pushtuar nuk ka luftë civile. Në një shtet të pushtuar me italianët e gjermanët, lufta me kolaboracionistët nuk është luftë civile. Është luftë kundër shërbëtorëve të pushtuesve. Si mund të quhet “luftë civile” lufta e partizanëve shqiptarë me kolaboracionistët? Marrim një shembull tjetër; marrim italianët. Italia, pra vendi i tyre është atdheu i fashizmit. Megjithatë, atje pati njerëz të mençur që u bënë partizanë antifashistë. Ata vranë edhe Duçen. Nuk thotë njeri në historinë e Italisë moderne, se ajo ishte luftë civile. Atje, siç dihet, luftuan italianë me italianë. Italianët fashistë me italianët partizanë. Asnjë njeri, as dje e as sot, nuk thotë që ajo ishte luftë civile. Kurse në Shqipëri, luftën kundër kolaboracionistëve e quajnë luftë civile (!). Madje, ka autorë që marrin edhe fonde nga ministria e Kulturës, për botimin e librave të tyre, ku hedhin teza idiote dhe antikombëtare, si ajo e “luftës civile në Shqipëri”.
Cili është raporti i rinisë shqiptare sot me leximin e letërsisë; sipas mendimit tuaj, sa e preferon ajo letërsinë e kohës së Luftës?

Sigal

Më vjen keq ta them, por në këto 27 vjet, kemi shkatërruar atë që quhet memorie kolektive. Një nga pikat që duhet t’i referohet rinia shqiptare është Lufta Nacional-Çlirimtare. Luftën Nacional-Çlirimtare nuk e respektojnë së pari drejtuesit kryesorë politikë. Kjo ndodh sepse nuk e vlerësojnë siç duhet. Unë ve re që kudo në Europë, kur festohen përvjetorët e luftës, kanale televizive të fuqishme si; CNN e BBC iu afrohen veteranëve për t’i intervistuar. Kurse tek ne veteranët nuk kanë status. Më shumë këtu respektohen ata që quhen “të persekutuar”, se sa veteranët. Kurse rinia e sotme mendoj se nuk e ka idenë fare se çfarë ka qenë Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në heshtje këtu është bërë një nënvleftësim i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare edhe nga qeveritë. Se qeveritë duhet të investojnë për simbolikat e kësaj Lufte. Të bëhen monumente të reja. Mund të pyesësh: Ç’është bërë për Borovën? Borova është një nga shembujt më tragjikë të Luftës së Dytë Botërore. Është një fshat në Çeki, që quhet Medise, që gjermanët e shkatërruan të gjithin gjatë Luftës. Sot aty është bërë një monument i madh. Kjo mund të ishte bërë edhe për Borovën. Mund të ishte bërë, madje edhe një pikë turistike me shumë vlerë. Por askush nuk merret me këto. Ne kishim monumentin e 5 Heronjve të Vigut që i hoqën nga qendra e Shkodrës dhe i kaluan në periferi. Edhe kur u rivendosën përsëri, u çuan prapë në periferi. Ai monument duhej vendosur në qendër të Shkodrës, aty ku ka qenë më parë. Unë jam shumë skeptik me qeveritë e sotme lidhur me mbrojtjen që i bëjnë vlerave të LANÇ. Kjo ndodh se ata nuk janë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm për vlerat e asaj lufte. LANÇ ka dhe një vlerë tjetër universale, ta themi. Është një shembull unikal në Botë që ne gjatë Luftës së Dytë Botërore mbrojtëm hebrenjtë. Nuk dorzuam asnjë hebre’ tek nazistët. Sa herë shkoj në Amsterdam, se atje banon vajza ime, pasi është historiane arti në Universitetin e atij qyteti, shoh që muzeu më i populluar është muzeu i Ana Frankut. Se vetë hollandezët e kanë për turp që dikur, paraardhësit e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore i dorëzuan hebrejtë tek nazistët. Kurse tek ne të gjithë hebrejtë u mbrojtën nga populli shqiptar. Dhe kjo për shkak të antifashizmit dhe ndjenjës së madhe humane që karakterizon popullin tonë. A dini ju ndonjë rast tjetër në historinë e Shqipërisë që armata shqiptare, të kapërxejë kufirin shtetëror dhe të shkojë deri në Bosnjë HerCegovinë, në Vishegrad për të çliruar popuj të tjerë nga pushtuesi nazifashist, duke sakrifikuar deri 400 partizanë? Nuk ka….
Një opinion tuajin për Organizatën Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, rolin dhe misionin që ajo ka sot; si mbrojtëse e idealeve të dëshmorëve të Atdheut dhe Kombit shqiptar? Si trajtohet ajo nga shteti?

-Më vjen keq që kjo organizatë, në vend që të ndihmohet, kalohet në heshtje. Nuk them këtu, që asaj t’i jepen benefice pa fund, por që ajo duhet të vlerësohet. Të mos pengohet në misionin e saj patriotik e atdhetar që ka. Shumë herë asaj i vihen pengesa të padenja; si mungesa financiare etj, duke mos e lënë të qetë që të kryejë misionin. Në një shtet si Shqipëria, funksionimi normal e progresiv i kësaj organizate, nuk përbën asnjë problem financiar. Po të dojë shteti, gjithshka arrihet. Natyrisht që donacioni i shtetit në këtë rast është shumë i rëndësishëm. Aq më tepër që ne sot kemi në pushtet të majtën, për shkak të elektoratit të madh të majtë. Se përkon që shumica e elektoratit të majtë janë nga familje të dëshmorëve, heronjve, të veteranëve të Luftës, dhe gjithë atyre që kontribuan për Luftën Nacional-Çlirimtare, që për këtë shkak; partia në pushtet është tamam e kësaj force politike. Indiferenca e shtetit ndaj Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve më duket një indiferencë e pajustifikuar, e pakuptimtë, dhe pikërisht nga kjo vjen edhe mbajtja e këtij qëndrimi jo të drejtë ndaj saj. Kjo organizatë duhej të kishte një status shumë të lartë dhe në çdo datë përkujtimore duhej të kishte një karakter të madh ceremonial dhe protokollar. Duhej që kjo organizatë të ishte e para në protokoll, kur përkujtohen ngjarjet e Luftës. Kaq e rëndësishme është Organizata e Dëshmorëve të Atdheut. Kjo situatë duhet të ndryshojë, pasi është e pakënaqshme kjo gjendje. OKDA duhet të jetë shumë e nderuar dhe të jetë në qendër të vëmendjes së shtetit.