Xheladin ÇELMETA*/ Kush ishte trimëresha Xhaharije, motra e Myslym Pezës

1343
Për të, çuditërisht herët në vite, nuk u bë ndonjë shkrim në një gazetë. Një paradoks, i paspjegueshëm ky, ndërkohë që rrëfimet gojore për kurajon dhe guximin e kësaj luftëtareje gjatë luftës, ishin të shumta. Emri i Xhaharije Pezës humbi kështu për dekada të tëra në anonimatin e atyre njerëzve të thjeshtë, që si kudo në Shqipëri, shtatëdhjetë e ca vite më parë, bënë luftën, bënë historinë, pa i kërkuar asaj kurrë medalje apo dekorata. Më pas, do kalonin dekada të tjera të viteve të punës ndërtimtare në Shqipëri, dhe do të shihnim se si pas ndarjes nga jeta e “Heroit të Popullit” Myslym Peza në vitin 1984, në kuadër të përkujtimit të Konferencës së 16 shtatorit 1942, gazetarë të ndryshëm do të vazhdonin të hidhnin në faqet e gazetave artikuj ku i bënin jehonë me pathos të veçantë, ashtu sikurse edhe e meritonte, luftës heroike të çetës së parë antifashiste në Shqipëri dhe Europë. (Kujtojmë se Peza u shpall “Vend Martir” nga Unioni Ndërkombëtar i vendeve Martire vetëm në vitin 1999). …Kështu, duke shfletuar shtypin e kohës, befas ndeshëm në një të përditshme të viteve 80, ku pamë të botuar një reportazh, të shkruar me shumë dashuri nga gazetari e shkrimtari Thanas Tane; ku flitej enkas për Xhaharije Pezën (Çelmeta), motrën e Myslym Pezës. Aty tregohet, se si ajo dikur, bashkë me gra të tjera të zonës, e ndihmuan në vazhdimësi çetën e parë antifashiste të Pezës, në momentet më të vështira të luftës. I shërbyen asaj, njëlloj sikur të ishin luftëtare të llogores, madje nganjëherë u gjendën në pozita edhe më të vështira se vetë ata që ishin në pozicione luftimi. Aty, Xhaharija përmendet si protagoniste dhe bashkëluftëtare e të vëllait, Myslymit, kur ky drejtonte luftimet në terren, luftime nga më të guximshmet dhe më të përgjakshmet, kundër forcave fashiste italiane, të karabinierisë e kolaboracionistëve, në momente delikate të historisë; që nga pushtimi i 7 prillit 1939, e deri në çlirimin e vendit, më 29 nëndor 1944. 
“Bërthama” e Çetës së Pezës ishte vetë familja e Babë Myslymit
E vërteta është se Myslym Peza qysh në fillim, vuri në qendër të ciklonit të luftës vetë familjen e tij. Kaq duhej, që pastaj rreth tij të bashkoheshin bashkëluftëtarë nga e gjithë krahina e Pezës edhe më gjerë. Bashkëshortja e Babë Myslymit; Zenepja, Ismetja, vajza Dija, djali Skënderi, dhe të tjerë të këtij fisi, si Hasan Peza, (një nga 6 dëshmorët e parë të Pezës), ishin ata që veshën të parët rroben e luftëtarit. Ishin ata që ngjeshën të parët gjerdanët e fishekëve për t’u përballuar flakë për flakë me cilëndo forcë fashiste, naziste apo kolaboracioniste që do vërshonte drejt Pezës. Ishte Myrvete Peza, vajza e vëllait të Myslym Pezës, Shyqyriut, ajo që luftoi krah për krah të shoqit “Heroit të Popullit” Kajo Karafili, deri sa dha jetën e saj në betejën e Lis Patrosit, më 10 janar 1944… Myslym Peza, në ballë të luftës dhe e gjithë familja e tij e inkuadruar në çetën e Pezës, së bashku me luftëtarët e tjerë, nuk u smbrapsën asnjëherë, nuk u dekurajuan asnjëherë, as në momente më të vështira të betejave, gjithmonë të pabarabarta. Një pasqyrë e qartë për këtë fakt, mes shumë botimeve e kujtimeve të veteranëve të LANÇ, janë edhe dy librat: “Kur dhashë besën”, me kujtimet e vetë Heroit, si dhe “Myslym Peza, dëshmitar e protagonist 1939-1944” i historianit Azis Gjergji. Xhaharije Peza, ishte vajza e madhe e Myslym Pezës, e cila kur arriti në moshën e vet, shkoi nuse në një tjetër “derë luftëtarësh”, tek ajo e Myrteza Çelmetës, bashkëshorti i saj. Një familje kjo, e vlerësuar për shpirt të lartë patriotik. Kurse vajza më e vogël e Myslym Pezës ishte Sabrija. Xhaharija përshkruhet, si një femër tepër e thjeshtë dhe kurajoze, me plot guxim për t’u përballur me peripecitë e jetës dhe të luftës. Ajo hyri nuse në shtëpinë e bashkëshortit të saj, Myrtezait, gjithë nur e dinjitet. “Shtat-selvi”, kështu e portretizonin deri vonë atë, gratë veterane të Pezës, që e patën njohur nga afër. Ajo kshte një trup të gjatë, si i vëllai, Myslymi, plot vitalitet e karakter. Shkurt, ishte simbol i gruas së virtutshme shqiptare. Tek ajo, kishte diçka nga Shote Galica, kishte diçka nga Nora e Hotit, diçka nga Tring Smajla, e të tjera gra shqiptare me emër… As më pak e as më shumë, ajo ishte porteti i një luftëtareje. “Zëri i nënës sonë, Xhaharijes, ishte si gurgullima e një lumi”, thotë Xhevdeti, sot veteran, kryetar i shoqatës pariotiko-kulturore “Myslym Peza” për degën e Tiranës. Ai e mban mend mirë shumë imtësi: “Xhaharija “drejtonte” familjen tonë të madhe, e cila ishte e mbushur me plot fëmijë. Karakteri i saj shkëlqeu gjatë gjithë kohës, si gjatë luftës, ashtu edhe kur bashkëshorti i saj, u nda nga jeta dhe asaj iu desh që të kujdesej vetë për të gjithë pjestarët, për gjithë familjen tone të madhe”, thotë ai. E papërtuar, e mprehtë, gjithnjë sypatrembur, një punëtore e madhe. 
Një motër, një bashkëluftëtare…
Detaji më domethënës i saj është koha kur çeta e Pezës, do luftonte te Kodra e Zgurjes, në luftën e parë, më 16 mars ’41. Babë Myslymi caktoi motrën e tij, Xhaharijen, që së bëshku me vajzat e gratë e tjera, të ngrinte “shtabin e shërbimit për luftën”, diku larg Pezës, në afërsi të fshatit Lis Patrosë të Kavajës, në vendin e quajtur Përroi i Merkes. Sipas veteran Xhevdetit (nip i Myslym Pezës), për një muaj e gjysëm rresht, në kohën kur do bëhej beteja e parë kundër 700 fashistëve italianë në Kodrën e Postës (Zgurje), Babë Myslymi caktoi si vend për strehimin e luftëtarëve, shtëpinë e Myrteza dhe Xheladin Çelmetës. Më pas, tek Përroi i Merkes u ngrit baza ku Xhaharija bashkë me gra të tjera pezake gatuanin ushqime dhe ja dërgonin luftëtarëve në kodrën legjendare të Zgurjes, ku ndodhej atëhere venddislokimi i çetës së Pezës. Ato vajza, së bashku me Xhaharijen bënin rreth tri orë rrugë në këmbë, duke kaluar në vende të rrezikshme, për të shkuar deri në vendin ku ndodhej e pozicionuar çeta. Vajzat e Myrtezait; Pashja, Liria, Qefserja, atje bënin po atë mision: bashkë me Xhaharijen lanin rroba dhe gatuanin pa pushim. I shërbenin burrave, djemve e vajzave që ishin në luftë me armë në dorë… Besonin plotësisht se edhe kështu ato po i shërbenin drejtpërdrejt luftës çlirimtare… Xhaharije Peza (Çelmeta) lindi në vitin 1897; pati për fëmijë Dylejmanin luftëtar në çetën ë parë antifashiste, vajzat Pashe dhe Liri, dhe djalin më të vogël, Xhevdetin. Pas disa dekadash, ajo do të rrethohej nga plot nipër e mbesa. U nda nga jeta në shkurt të vitit 1981 në moshën 84 vjeçe. Dita e varrimit të saj ishte një procesion i thjeshtë mortor, pa ndonjë ceremoni të veçantë. Nuk u shkrepën batare, nuk pati muzikë funebër… Vetëm u fol për jetën e thjeshtë të saj. Por “madhështia qëndron pikërisht tek thjeshtësia”, thotë shkrimtari i madh francëz Viktor Hygo. Vargu i madh i njerëzve që shoqëruan atë ditë kortezhin e nënë Xhaharijes, fliste shumë më tepër se kaq. Në atë lumë të madh njerëzor, që zbriste nga Kodra e Çelmetjes, për tek varrezat e fshatit ku ndodheshin edhe varret e babait dhe nënës së Heroit të Popullit Myslym Peza; Azis dhe Mahmudije Peza, kuptohej, pra, edhe madhështia e një jete, si ajo e nënë Xhaharijes, të cilën ajo e vuri plotësisht në shërbim të luftës antifashiste nacional çlirimtare, si dhe më pas gjatë viteve të punës ndërtimtare. 
DY NGA BETEJAT E MËDHA TË ZHVILLUARA NË PEZË GJATË LANÇ
-Lufta e 16 marsit ’41: Zhvillohet beteja e parë e Çetës së Pezës e komanduar nga Myslym Peza, ku një njësit i vogël i çetës, prej 7 luftëtarësh gjithsej, luftoi kundër 700 forcave të karabinierisë fashiste. Aty bien 6 dëshmorët e parë të Pezës: Hasan Peza, Sadi Sinani, Xhaferr Durishti, Vath Korriku, Muharrem Haka e Sul Ymeri. Armiku la 84 të vrarë.
-Operacioni i 14 mijëve: Lufta e 13-18 qershorit ’43, ku 14.000 fashistë italianë të drejtuar nga dy gjeneralë dhe një kolonel, ndërmorën një mësymje kundër luftëtarëve të Pezës, të komanduar nga Myslim Peza. Nga forcat e batalionit të Pezës bien 24 luftëtarë, mes tyre edhe Loni Grazhdani, kurse armiku la 300 të vrarë, dhe pati 500 të plagosur. Mes te vrarëve, edhe komandanti i kavalerisë italiane kolonel Ludovigo De Bartolomeo. 
*Kryeredaktor i revistës “Pavdeksia” 
Sigal