Cuculi premton: Fitoren, për krenarinë e tifozëve!

314
“Përtej titullit kampion dhe objektivave të tjerë sezonale, në derbi luhet krenaria e një qyteti”. Me këto fjalë mbrojtësi i Partizanit, Ardian Cuculi, ndez shkëndijat e para në prag të një dueli historik, që në këtë sezon ka folur në favor të të kuqve, me 2 fitore dhe një barazim. “Në këtë derbi luhet krenaria e qytetit ose siç thuhet në gjuhën e tifozëve për të sunduar qytetin. Gjendja e skuadrës është shumë e mirë, ndërsa fitorja e fundit me Teutën na ka dhënë shpresë dhe besim se do të mund të arrijmë objektivin për të qenë në Ligën e Evropës”, ka thënë Cuculi në konferencën e djeshme për shtyp. Sipas 27-vjeçarit, tifozët e Partizani nuk duhet të kenë iluzione për titullin kampion, edhe pse matematika i lejon që të ëndërrojnë.“Pse të mos mendojmë se Teuta, që kërkon pikë për mbijetesën, mund ta ndalë Skënderbeun. Gjithsesi nuk duhet të kemi iluzione për titullin, por duhet të fokusohemi tek shkuarja jonë në Ligën e Evropës”. Për Cuculin, duke iu referuar kalanderit, edhe barazimi nuk do të ishte rezultat i keq, por kur bëhet fjalë për derbin rezultati i vetëm i pranueshëm është fitorja. “Nëse do të thosha se jam i kënaqur me barazimin do të paragjykohesha nga tifozët, por unë mendoj se një pikë s’do të ishte keq”. Në fund, Cuculi u drejtohet me një mesazh të gjithë tifozëve të Partizanit, të cilëve u kërkon mbështetje maksimale në derbi.“I ftoj tifozët të na mbështesin maksimalisht siç kanë vepruar përgjatë gjithë sezonit. Me mbështetjen e tyre do t’ia dalim të luajmë në kupat e Evropës sezonin e ardhshëm”. Në derbin me Tiranën, që do të zhvillohet të hënën, Duro nuk do të ketë në dispozicion vetëm mesfushorin Bunjamin Shabanin, i dëmtuar në takimin me Apoloninë.
Të kuqtë nisin stërvitjen
Të kuqtë zhvilluan paraditen e djeshme përgatitjet e para në prag të supersfidës së javës së 33-të, Partizani – Tirana, e programuar ditën e hënë në ora 20:45 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Në seancën e djeshme kontigjenti i lojtarëve ishte i plotë, gjendja fizike e të cilëve paraqitet optimale. Seanca e radhës stërvitore vijnë ditën e Mërkurë në kompleksin sportiv”Tirana Internacional” në Pezë, ora 10:30.
Java e 32-të (25-26 prill)
Flamurtari – Elbasani 2-1
Teuta – Partizani 0-1
Apolonia – Vllaznia 2-0
Kukësi – Skënderbeu 0-1
Tirana – Laçi 1-0
Renditja
Skuadra N F B H G+/_ P
Skënderbeu 32 21 6 5 50-16 69
Kukësi 32 19 6 7 48-22 63
Tirana 32 20 6 6 43-21 66
Partizani 32 19 6 7 35-22 63
Laçi 32 16 9 7 37-17 57
Flamurtari 32 10 8 14 27-30 38
Vllaznia 32 11 4 17 26-36 34
Teuta 32 8 2 22 26-46 26
Apolonia 32 6 4 22 13-48 22
Elbasani 32 4 1 27 17-64 13

Kombëtarja U-19, zbor treditor
Kombëtarja e të rejave në futboll, apo e moshës deri në 19 vjeç, e cila drejtohet nga Nevil Dede që nga dita e djeshme ka nisur një grumbullim treditor, që do të përfundojë të enjten me një ndeshje kontrolli me kombëtaren A. Trajneri Dede ka thirrur këto lojtare: Djellza Musa (Kosovë), Ardiona Raxhimi (The Door), Valbona Lipe (Kukësi), Anxhela Aliu (Vllaznia), Joana Hoxha (Apolonia), Vojsava Sallahi (Kukësi), Majlinda Kadolli (Kosovë), Mirsada Skutina (The Door), Desantina Koldashi (Kukësi), Paula Jaku (Juban Danja), Elmedina Shega (The Door), Egzona Zeka (Kosovë), Ajdena Mustafaj (Juban Danja), Ambra Gjergji (Kinostudio), Uendi Muja (Vllaznia), Rovena Ndoci (Vllaznia), Iris Kola (Apolonia), Greis Domi (Fiorentina). 
Tirana çel merkaton, Plaku në stërvitje
Tirana duket se e ka hapur tregun e lëvizjeve të futbollistëve për verën që ditën e djeshme, teksa në stërvitje me bardheblutë ka qenë sulmuesi Sebino Plaku. Sipas njoftimit të klubit bardheblu, Plaku ka zgjidhur tashmë kontratën me polakët e Slask Vroclav dhe është bashkuar me bardheblutë. Duke qenë se Tirana e ka bërë këtë gjë dhe me Ditmar Bicin, i cili edhe pse firmosi me Flamurtarn nuk luajti asnjë ndeshje, atëherë dhe për Plakun dyert u hapën. Ndoshta sulmuesi do të jetë goditja e parë e merkatos. 
Partizani – Tirana, ja çmimet e biletave
Ndeshja më kryesore e javës së 33-të të Kategorisë Superiore do të jetë derbi Partizani-Tirana, që do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”të hënën në ora 20:45. Për rrjedhojë klubi Partizani ka shpallur dhe çmimet e biletave, të cilat janë: Tribuna A dhe B 1500 lekë të rinj, D1, D2 dhe D3 300 lekë të rinj dhe C e E 300 lekë të rinj. Partizani ka ndarë dhe vendosjen e tifozëve, teksa të kuqtë do të jenë në tribunën B, D2, D3 dhe E, kurse bardheblutë në tribunën A, C dhe D1. Edhe biletaritë në kryeqytet do të jenë të ndara për shkak të mos përplasjes së tifozëve. 
Tirana në stërvitje, mungon Bulku
Tirana ka nisur javën e derbit me seancën e parë stërvitore pas suksesit ndaj Laçit. Përpara fillimit të kësaj seance, skuadra është rreshtuar përpara trajnerit Gugash Magani, i cili ka bërë një analizë të shkurtër duke i kujtuar futbollistëve rëndësinë e kësaj sfide. Ajo që ka rënë në sy ishte serioziteti i futbollistëve, të cilët kanë harruar fitoren ndaj Laçit për të përgatitur një tjetër finale, atë ndaj Partizanit. Numri një i stolit të 24 herë kampionëve nuk ka pasur të plotë grupin e futbollistëve pasi të konfirmuarit Gjergji Muzaka iu bashkua edhe kapiteni Ervin Bulku, i cili nuk mori pjesë në këtë seancë stërvitore për shkak të disa shqetësimeve muskulore. Magani vendosi të lërë pushim kapitenin që pritet t’i bashkohet grupit në seancat e ardhshme stërvitore.