VIZITA SEKRETE E ÇE GUEVARËS NË SHQIPËRI

1762
Sigal

Jovan JANO

Ditari sekret i Enverit: Çe Guevara, një  borgjez latino-amerikan

EKSKLUZIVE/ Zbardhet për herë të parë vizita tepër sekrete e liderit komunist argjentinas në Shqipëri

Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri – Kubë gjatë viteve ’60-të bënë që midis dy vendeve të kishte kontakte për probleme të ndryshme politike, ekonomike, kulturore etj. Në këtë kuadër shumë personalitete të jetës politike dhe kulturore të vendit tonë kanë pasur rastin të takohen dhe të këmbejnë opinione me Çe Gevarën. Të tilla personalitete kanë qenë: Mehmet Shehu, Josif dhe Evelina Pogaçe, Bilbil Klosi, Kiço Ngjela, Mihallaq Gjinakasi, Qemal Myrseli, Labo Abazi, Tiri Çollaku etj.. Madje, më vonë Pertef Hasanmataj ka takuar edhe të atin e Çe Guevarës, Guevara Lynch. Ndërsa takimet dhe bisedat e tij sekrete ende nuk dihen.

Pak ditë pas vrasjes tragjike të Çe Guevarës më 9 tetor 1967, në fshatin La Higuerra, nga repartet e juntës ushtarake qeveritare të Bolivisë, që ishin në shërbim të oligarkisë financiare të fashizmit në Amerikën Latine, asgjë s’u mbajt sekret. Lajmi u përhap si në eter. Fillimisht u deklarua se ky guerilas u vra në përpjekje me forcat qeveritare. Pastaj u përgënjeshtrua duke thënë se ai pas plagosjes në këmbë, u kap rob dhe pasi u torturua, duke i prerë duart, u pushkatua nga një urdhër i çmendur.

Ditari sekret i Enver Hoxhës

Vetëm pas 103 ditësh të vrasjes së tij dhe pikërisht në një të premte të zezë, më 19 janar 1968 udhëheqësi komunist i Shqipërisë së atyre viteve, Enver Hoxha, shkruan për vrasjen dhe personalitetin e Çe Guevarës. Megjithatë heshtje e madhe! Vetëm në vitin 1982, kur u botuan “Ditarët për Çështjet Ndërkombëtare”, të Enver Hoxha, u mor vesh kush kishte qenë Çe Gevara dhe në ç’rrethana, u vra. Por edhe këta ditarë ishin për përdorim të brendshëm. Kur e gjithë bota e majtë e asaj kohe e paraqitnin Çe Guevarën si revolucionar të udhëhequr nga parimet marksist-leniniste, Enver Hoxha shkruan se “ai ishte një i revoltuar”

Mendimi i Hoxhës për Guevarën

Enver Hoxha e pranon Guevarën si njeri të guximshëm… por shprehet se në një farë shkalle ai mund të quhet një njeri i radhës së “kondotjerëve” jug-amerikanë, që patën luftuar kundër sundimit kolonialist spanjoll e portugez. Majtizmin e tij e klasifikon si një “majtizëm” dhe mikroborgjez, që i përshtatet kohës, rrethanave dhe konjukturave aktuale. Pra, majtizmi i tij ishte një amalgamë e ideve demokratiko-përparimtare, të gërshetuara dhe të impenjuar thellë me ide liberale, anarkiste… Çe Guevara sikundër dhe Enver Hoxha ishin shumë të kulturuar. Ata duke e njohur gjuhën frënge mirë, është e pamundur të gjykosh për ta se nuk e njihnin historinë e revolucionit francez, historinë e jetës së Ogus Blankit apo historinë e Komunës së Parisit. “Sigurisht, nuk mund të thuhet se ai nuk kishte lexuar disa çështje të marksizëm-leninizmit, por ato nuk ishin bërë botëkuptimi i tij i vërtetë filozofik dhe për veprim. Jo! Çe Guevara nuk mund të ishte dhe të vepronte ashtu siç ishte dhe siç veproi, pa u trumbetuar si “marksist-leninist”. Ndryshe do të demaskohej me kohë. Jomarksistëve ua do puna edhe jashtë dëshirës së tyre, të vetëquhen “marksist leninistë” shkruan në ditarin e vet Enver Hoxha.

Konkluzionet e fundit

Në Ditar, Enver Hoxha e vlerëson vrasjen e Guevarës dhe vetë Guevarën e quan si “një viktimë të ideve të tij jo revolucionare, si “pseudorevolucionar”, si “borgjez” etj. Ne gjykojmë se Çe Guevara mund të mos ketë qenë marksist – leninist, por marksist ka qenë. Ku e mbështeti këtë? E para ai përkrahte idetë e Marksit për një revolucion të pandërprerë në botë. E dyta, Guevara dha shembullin i pari për sakrifica në emër të një shoqërie pa diferencime shoqërore dhe e konkretizoi atë duke braktisur rehatinë personale. Nga analiza prej pesë faqesh që Enver Hoxha i bën Çe Guevarës, unë si njohës i jetës dhe i veprës së tij në shërbim të njerëzve të thjeshtë të botës, njëkohësisht duke njohur mjaft mirë dhe veprimtarinë politike të Enver Hoxhës, si lider politik i Shqipërisë, për 45 vite rresht, gjykoj se ata kanë punuar dhe luftuar në kushte të ndryshme dhe hapësira të ndryshme. Ata kanë menduar se për të arritur një qëllim ka disa rrugë dhe jo një. Pra, ata e kanë zbatuar marksizëm leninizmin në rrethana të ndryshme.

Ernesto Çe Guevara

(Poezi e shkruar nga Moikom Zeqo më 23 maj 1996, para se të zbuloheshin eshtrat e Heroit në Bolivi, më 1997-ën)

Në të gjitha libraritë, kudo Çe Guevara

Je idoli i rinisë, në video, pankarta, ditare,

Eja! Dy kolonat e Mark Aurelit dhe të Trajanit

Për ty

I kam ruajtur

Si puro vigane!

Eja! Braktisi fotografitë dhe banderolat më të mëdha,

Admiruesit e remë, budallenjtë entuziastë të modës!

Ç’kancer i shekullit na copëtoi mushkëritë vëlla,

Të vetmuar e të huaj,

Jemi në mesnatën e Romës!

Në “Campo dei fiori”

Ku Xhordano Bruno u dogj

Na jep zjarr nga trupi i tij purot për t’i ndezur.

Është një mik i vjetër!

Nga porta me një afresk – medalion

Dhe Gjergj Kastrioti

Do të na ndjekë patjetër!

 

Gjithë “Pranverat” e Botiçelit

Bien në dashuri me ty,

Kujdes nga semaforët!

Janë koka budistësh të rruar!

Qoset eunuke

Mjekrën tënde sokratike e kanë zili.

Politikanët e majmë vuajnë

Nga impotenca e trashëguar!

O, mit i vetëvrasjes

Është një smog i mërzitshëm,

Që të qeshim me tmerr

Nën shiun absurd

(duart e palara të Pont Pilatit dot s’e shpikin

Ujin në shkretëtirat e Krimit ndaj njeriut, që s’humbi!)

Eja Guevara!

Një guerilje jashtëtokësorësh

Të fshehtë

kam ftuar për ty,

për të gjithë

nga zodiaku i largët,

një muze të mallkuar pastash le të hedhim në errë,

me metafora magjike t’i bëjmë fitore disfatat!

 

Eja Gevara!

Sa heronj pa emra!

Po na vijnë si shpurë,

Po askush, askush s’ka qejf të quhet profet!

Unë kam një program kod sekret në kompjuter –

Telekomandimin e Ejfelit,

Ndaj idiotëve

Në pushtet!

Eja Guevara!

Nga tejqyra, që zbret nga një yll

T’i shkojmë

Përbindëshat e qytetërimit mbi planet…

Te vitrinat e shiut të Romës kurrë mos i mbyll

Plagët e tua – thesare

Të një Atlantide,

Që ende s’u gjet…

Sentenca

“Ne revolucionarët, – shkruante Guevara, – duhet të japim në çdo çast të jetës sonë gjithçka, që është e mundur për dobinë e punës, për dobinë e revolucionit që vazhdon, për dobinë e popullit, që kurdoherë është në krahun tonë, që lufton me ne drejtë së ardhmes”

Viti 1955

Si u martua komandati Çe

Çe Guevara punon në spitalin e qytetit të Meksikos. Këtu martohet me Hilda Gadea, një mësuese marksizmi, që e kish njohur në Guatemala. Prej kësaj martese lindi Hildita. Po kështu, këtu ai njohu disa revolucionarë kubanë, midis të cilëve Raul Kastron dhe në tetor të këtij viti takon Fidel Kastron. Duke anuluar një udhëtim të planifikuar, Guevara përfshihet në një luftë guerile të drejtuar nga një kolonel i Republikës Spanjolle në mërgim, Alberto Baio.

Shqiptarët dhe Çe Guevara

Mihallaq Gjinikasi

Gjatë bisedës me Guevaran na tha se ndihem i gëzuar që ju takoj, sepse jeni përfaqësues i një vendi të vogël, por me histori të madhe. Di që dhe ju keni luftuar kundër shtypjes dhe mjerimit, sikundër dhe ne kubanët. Jo është një arsye më shumë që unë bëj vizita rregullisht në ambasadën tuaj… Pastaj shtoi se kush kish vizituar Bashkimin Sovjetik kishte mbetur disi i zhgënjyer. Pati takuar udhëheqës që flisnin në emër të popullit, por hallet e popullit nuk i njihnin fare, pale t’i zgjidhnin! “…Me ç’pashë socializmi mund të rrezikohet… – tregonte Guevara.  Fliste me zjarr për planet e ndërtimit të Kubës, por nuk harronte të theksonte dhe një gjë tjetër: “Luftarak është ai që lufton, jo vetëm për të mirën e vendit të vet, por dhe për popujt e vendeve të tjera të shtypura… A duhet të ndihemi të qetë, kur shikojmë që shumë popuj të Amerikës Latine dhe të Afrikës vuajnë nga shtypja dhe mjerimi?! Komunist i vërtetë është ai që vuan në vendet e mjeruara”. Çe Guevara, nga sa kuptova gjatë bisedës me të, ishte një idealist i madh. Ndoshta – ndoshta, tek ai manifestohej ajo çka i pat vënë në dukje, ca më vonë Fidel Kastro: “Ecte “sipër” ëndrrave, përbuzte çdo rrezik”!

Qemal Myrseli

“…Nuk ishte si çdo udhëheqës tjetër. Veshur thjeshtë. Shumë thjeshtë. Bereta me yllin e kuq, vendosur pak si mënjanë në kokë, ishte tejet e përdorur, për të mos thënë e vjetër. Këmisha e tij ishte nga ato që ai e përdorte çdo ditë. Kështu dhe pantallonat e këpucët. Dikush mund të mendohej se Çe ishte i pakujdesshëm ose moskokëçarës qoftë dhe për paraqitjen e jashtme. Jo! Nuk ishte kështu. Nga ç’dëgjuam e mësuam nga vizitat e shumta që bëmë në Kubë, dolëm në përfundimin se Çe Guevara nuk dëshironte të krijonte diferencim deri për veshjen. Ai synonte që të ndikonte në masën e gjerë të njerëzve me të gjitha mundësitë që i jepeshin, pra dhe nëpërmjet veshjes… Në ato pesë javë që ndenja si mik në Kubë, ai që m’u fut më shumë në zemër ishte Çea. Ky njeri i madh, i gjithë kontinentit latin – amerikan kishte “shkuar” dhe kishte gjetur thjeshtësinë. Më mirë do të mendoja tjetrën: Thjeshtësia kishte “lëvizur” në shumë njerëz të shquar dhe… kishte qëndruar pikërisht te Çea. Po, po, pikërisht tek Çe Guevara”.