Vepror Hasani:Ne jemi motrat Qiriazi me shpirt e mbrojtëm gjuhën shqipe

534
Sigal

Shkolla shqipe e vashave në Korçë, nën mbrojtjen e flamurit amerikan

Shkolla shqipe e vashave edhe spital për të plagosurit nga barbaria greke

 

Vepror Hasani

Shkolla shqipe e djemve u çel në vitin 1887, por pas disa vitesh autoritetet turke e mbyllën, megjithatë ajo u rihap. Katër vjet më vonë u çel shkolla e vashave.Ideatori i çeljes së saj ishte Gjerasim Dhimitër Qiriazi dhe motra e tij Sevastia, të lindur në Manastir, nga një familje me origjinë nga Kolonja. Me përfundimin e Seminarit Teologjik Ungjillor në Samokov të Bullgarisë, Gjerasim Qiriazi filloi punë pranë “Shoqërisë Biblike për Britaninë dhe Vendet e Huaja”. U kthye në Shqipëri për të predikuar Ungjillin në gjuhën shqipe, vizitoi disa qytete, por Korça iu duk më interesante. Për këtë arsye bashkë me bashkëshorten e tij, Athinanë, u vendos në këtë qytet më 1890.Më 23 tetor 1891, Gjerasimi bashkë me motrën e tij, Sevastinë, e cila kishte mbaruar studimet në Shkollën Amerikane për Vajzat në Stamboll, çelën në Korçë shkollën shqipe të vashave.Shkolla u çel në shtëpinë e Grigor Eliadhe Frashërit, pranë kishës së Shën Gjergjit,të cilën Gjerasimi me të shoqen dhe Sevastinë e kishin marrë me qira.Vitin e parë e ndoqën këtë shkollë 27 vajza.Në shtator shkolla e vijoi punën në shtëpinë e Petrika Peços, e blerë nga Gjerasim Qiriazi, e cila ndodhej pranë “Çezmës së arave” (sot lulishtja Themistokli Gërmenji), pjesa e sipërme e së cilës ende nuk kishte përfunduar. Duket se te kjo ndërtesë u investua, pasi Gjerasimi, një vit më pas, flet për një sallë dëgjuesish prej 100 vetash.Tashmë shkolla kishte 53 nxënëse.Në këtë shkollë shkonin edhe gra për të mësuar gjuhën shqipe, gjë që nuk u prit mirë nga kleri grek dhe autoritetet osmane.Më 17 janar 1893 u tentua eleminimi fizik i Gjerasim Qiriazit, kurse një vit më pas, më 1894 ai u nda nga jeta në rrethana të dyshimta. Megjithatë shkolla nuk u ndal, vendin e Gjerasimit e zuri, Gjergj Qiriazi. Në vitin 1901 shkolla u pajis edhe me konvikt. Më 1904 filloi punën si mësuese edhe motra më e vogël e Gjerasimit dhe Sevastisë, Parashqevi Qiriazi, e cila kishte studiuar në Shkollën Amerikane të Vajzave në Stamboll. Gjatë vitit 1905-1906, zëvendësoi si drejtoreshë Sevastinë,  në vitin 1908 themeloi në Korçë shoqërinë e parë të grave dhe vajzave “Yll’ i Mëngjesit”. Megjithatë ende vijonin t’i druheshin klerit grek.

Misionari amerikan

 

Që shkolla e sapoçelur të kishte një mbrojtje të sigurtë,u mendua të thirrej në ndihmë një misionar amerikan.U dërgua z. Phineas B. Kennedy, sepse zonja e tij kishte njohje të shumta me familjet shqiptare në Manastir. Z. Kennedy i njihte vështirësitë me të cilat do të përballej, por prapë vendosi të vinte në Shqipëri, lartësimit dhe ndriçimit të këtij kombi  do t’i shërbente me predikimin e fjalës së Perëndisë.Tashmë Shkolla e Vashave e drejtuar nga Sevasti Qiriazi do të kishte edhe mbrojtjen e tyre. Ata po vinin, por kur Kennedët mbërritën në Selanik u ndaluan nga autoritetet turke, nuk u jepej leja për të vijuar rrugën drejt Korçës.Në pritje të lejes qëndruan katër muaj me radhë dhe vetëm pas ndërhyrjeve të ambasadorit amerikan, i lanë të lirë të vazhdonin udhëtimin, por vetëm si turistë. Në Korçë mbërritën më 26 mars 1908. Me të parin atdhetar që u takuan ishte z. Grigor M. Cilka, edhe ai kishte qenë i bugosur nga autoritetet turke. Pas disa vitesh, u riçel edhe shkolla shqipe e djemëve, kjo edhe në saj të ndihmës financiare që dha Misioni Amerikan. Trupa e mësuesve përbëhej nga Petro Nini Luarasi, drejtor; Nuçi Naçi, mësues i gjuhës shqipe; Sami bej Pojani, i turqishtes; Mr. Phineas Kennedy, i anglishtes; Grigor Cilka, inspektor dhe Sevasti Qiriazi e frëngjishtes dhe i muzikës (Sevasti Qiriazi jepte mësim edhe në Mësonjëtoren shqipe). Të gjithë mbaheshin nën survejim.Në vjeshtën e vitit 1912 plasi Lufta e Parë Ballkanike. Kolonja u gjend në mjerim të plotë, z. Kennedy shkoi atje për t’i ndihmuar me ushqime e të holla, por përkushtimi i tij u kuptua si përpjekje për përgatitjen e një kryengritjeje kundër grekëve. Për këtë arsye, Kennedëve iu dha urdhëri të linin Korçën pa u gdhirë.Grekët bënin plane për zaptimin e Shqipërisësë së Jugut.

 

(Shënim.Familja Kennedy u kthye përsëri, shërbeu në Korçë prej viteve 1908–39 e pastaj u kthyen në Amerikë. Fjalët më të bukura të Violetë Kennedyt ishin: “E dua Shqipërinë, pas Atdheut tim, më shumë nga çdo Komb tjetër, sepse populli i saj, sa më i vogël e m’i varfër, që është, aq më tepër ka nevojë për ndihmën njerëzore.”)

Nën mbrojtjen Amerikane

 

Ushtria greke me të  hyrë në qytetin e Korçës, urdhëroi: Të gjithë banorët e Korçës duhet të flasin greqisht, sepse Korça ishte e Elinëve (e grekëve). Nën kërcënimin e bajonetave mblodhën të gjitha firmat e njerëzve dhe ia dërguan Londrës që t’i tregonin që edhe Korça ishte Greqi. Me këtë mënyrë dëshironin të mashtronin Fuqitë e Mëdha, veten dhe gjithë botën.“Dëshironin të merrnin me çdo kusht edhe nënshkrimet e nxënësve të Shkollës së Vashave, – rrëfen Sevasti Qiriazi,mësonjëse e kësaj shkolle, – por nuk kishin guxim, sepse mësonjëtorja ishte nën mbrojtjen e flamurit amerikan”.(Ylli i Mëngjezit, Vol. 1 Boston, Mass., Tuesday, January 30, 1917. Nr. 2, f.40). Dërgonin vazhdimisht andartët, por edhe këta të fundit nuk kishin kurajo të shtynin portën e shkollës, megjithatë provonin herë pas herë.Sipas rrëfimeve të mësonjëses Sevasti Qiriazi, befas, një mesnatë, u dëgjuan të trokitura të forta në portë. Penxheret e shkollës shikonin nga rruga, ngrita pakës perden dhe pashë pranë portës katër andartë dhe katër ushtarë. Trokitën për dy orë me radhë.M’u duk sikur donin të hynin me patjetër.Edhe pse muret që rrethonin shkollën ishin të lartë pata frikë se mund t’i kapërcenin. Zgjova edhe mësonjëset e tjera dhe i dërgova t’u thoshin ruajtësve që rrinin te oborri i shkollës së nxënëseve të vogla, ngjitur me shkollën tone. Këtë ndërtesë e kishim marrë me qira. Grekët sapo dëgjuan hapat e rojeve tona, u zhdukën sakaq.Të nesërmen vura në dijeni majorin hollandez, Johan E. Snellen van Vollenhoven dhe kërkova dënimin e fajtorëve. Fajësia e tyre u provua dhe të katër andartët i nxorën nga shërbimi i policisë.Një prej oficerëve të komandës u habit kur mori vesh që isha shqiptarkë dhe që e kisha për nder që isha e tillë.

 

Ditën e Pashkëve të Mëdha 

 

Ditën e Pashkëve të Mëdha grekët e rrethuan shkollën përsëri, kësaj radhe me ushtri të rregullt. Ishin betuar: Shkollën e vashave do t’ua bëjmë pluhur dhe hi, asnjë gur nuk do të qëndrojë mbi të! Megjithatë vendosa të mos largohem nga shkolla, do të qëndroja bashkë me vashat rrëfen mësonjësja Sevasti Qiriazi. Çupat e vogla që ishin nga rrethinat e Korçës i dërguam në shtëpitë e tyre.“Ç’ka për të ngjarë le të ngjasë nën strehë të kësaj shkolle, e cila u ka qëndruar tërë rreziqeve si shkëmb në mes të detit e përpjekur kurdoherë nga valët e tmerruara; por e patundur. Miqtë ndofta ishin gati të më qasnin më tërë karvanë; po përse të merrja më qafë edhe të tjerë? A nuk ishim ne mjaft që të bëhemi therorë në duart e armikut? Kur isha në këtë mendim e sipër, një lajm duket se ishte dërguar nga Perëndia, më vjen e më thotë: “Mbaj guximin! Nuk do të lëmë vetëm, do të vijmë për ndihmë sapo të shohim se po afrohet rreziku!”Dhe vërtet ashtu ndodhi.Gjithë miqtë tanë qëndruan gjithë natën në mbrojtje të shkollës.“Po përse të gjitha këto vallë? Një dënim i këtillë duheshe të ketë shkak, edhe shkak nuk kish. Përse vallë kaq ushtri edhe kaq  fuqi vetëm për një zonjë edhe për ca vajza të pafajme, të cilat ende nuk kishin ngjeruar nga hidhërimet e kësaj bote; apo se kishim në zemrat tona ndjenjat e shenjtëruara të atdhetarisë, sepse në rrembat tona lëvrinte gjaku i Skënderbeut, i cili na jepte guximin e luanëvet, dyke thënë, do të luftojmë për lirin’ e Shqipërisë, do t’a tregojmë patriotzmën tonë edhe me vdekje”? (Ylli i Mëngjezit, Vol. 1 Boston, Mass., Tuesday, January 30, 1917. Nr. 2, f. 41).

 

S’jemi greke as bullgarka/,

jemi trime shqipëtarka…

 

Ishin fjalët që i përsëritnim shumë dendur. Nuk ndodhi asgjë.Ushtarët grekë qëndruan tri ditë me radhë dhe pastaj ikën dhe s’u dukën më.

Shkolla u hap përsëri

 

Pas pushimeve, shkolla u hap përsëri. Sërish grekët nisën të thoshin: Shkollën do ta mbyllim, Sevastinë do të dëbojmë nga Korça. Në Shkollën e Vashave erdhi edhe komandanti grek Giorgos Tsontos, i mbiquajtur  “kapedani Varda”. E vizitoi shkollën dy herë. Edhe pse e dinte që në shkollën e vashave mësohej shqip, përsëri nuk ndenji pa pyetur: “Ç’gjuhë mësohet në këtë shkollë?” I dhashë të kuptonte, – rrëfen Sevasti Qiriazi,- që Korça është Shqipëri dhe ne u mësojmë nxënëseve tona gjuhën shqipe. Shkolla vijoi punën e saj pa probleme deri në fillim të qershorit kur mbaroi programi mësimor. Atë ditë, mes oborrit të shkollës, vashat ngritën flamurin kombëtar dhe recituan poezi. Por, në se shkolla nuk do të kishte qenë nën mbrojtjen e flamurit amerikan dhe gatishmërisë sonë për të dhënë edhe jetën, askush s’mund ta dinte ç’do të ndodhte me shkollën e vashave dhe vetë vashat. Vajzat ikën dhe unë mbeta vetëm,- kujton Sevastia:“Sa isha me shtëpinë plot, isha trime, sepse ato vajza plot shpresë më mbanin krahët edhe ngahera munt të delnja faqebardhë; po tashi që mbeta fare vetëm, vetëm me një çupë të mitur edhe me kujdestarin, vallë kush do të më mbante krahët edhe qysh do t’i kapërxenja valët, ndë qoftë se vinte ndonjë furtunë? Qëkurse u mbyll shkolla edhe gjer në krye të korrikut mbeçë e burgosur ndë shtëpi. Asnjeri nuk guxonte të kapërxejë pragun e portës, sepse qeveria (greke) kishte vënë ruajtës që të shohën kush hyn e kush del; as miqtë nuk guxonin të vinin se kishin frikë nga qeveria”.(Ylli i Mëngjezit, Vol. 1 Boston, Mass., Tuesday, January 30, 1917. Nr. 2, f. 42).

Vetë Sevasti Qiriazi edhe në ditë kaq tëvështira kishte guxuar të vizitonte në burg Koto Hoxhin.Në qershor të vitit 1891, me diplomë në dorë, e veshur si djalë, shkoi në burgun Jedi Kule të Stambollit.Lajmin e parë që ishte bërë mësuese deshi t’ia jepte Koto Hoxhit, që mbahej në burg.Koto Hoxhi nuk donte ta besonte.Sevasti Qiriazi kishte hyrë në qelinë e tij.I tha që ishte bërë mësuese, që do t’u mësonte vashave shqiptare gjuhën shqipe, që vëllai i saj, Gjerasim Qiriazi kishte përgatitur çeljen e Shkollës së parë Shqipe të Vashave në Korçë etj, etj.Thonë që në sytë e Koto Hoxhit pati lot.Me të ardhur në Korçë vizitoj në burg Vani Kosturin.Sevasti Qiriazi ishte vërtet trimëreshë.

 

Kryengritja e andartëve

 

Dy vjet më pas, në fundmarsin e vitit 1914, nëpër sokakët e qytetit nisi të flitej nën zë për një lëvizje të fshehtë.Dhespoti i Korçës, Gjermanos, po përgatiste një kryengritje të madhe për bashkimin e Korçës me Greqinë. Andartët,grekomanët dhe gangsterët që do të vinin nga Gjiriti dhe vise të tjera të Greqisë do të bënin të pamundurën që kjo gjë të ndodhte.Jorgji Sulo, kafazi (ose roja personale e dhespotit), me ndihmësit e tij deri ditën e 1 prillit 1914 përgatitën gjithçka.Pritej të ndodhte gjakderdhja më e madhe që kishte ndodhur ndonjëherë.Do të quhej “Lufta e Shenjtë”. Më 2 prill, në orën 02.00 pas mesnate lufta plasi, po vritej vëllai më vëllanë:

 

Ngreu o popull i pafajmë,

Ngreu e vra baban’ e vëllanë,

Ngreu e bëju i pabesë,

Se kështu i pëlqen Moresë!

 

“Pushka e parë më ngriti më këmbë edhe u gëzova,– shkruanSevasti Qiriazi, – por kur dëgjoj buçimin e kambanave, na dha të kuptojmë se xheç e papandehur po ngjiste.Qëndruam përpara penxhereve, po qe errët edhe asgjë nuk dëgjonej përveç të krisurit të pushkavet, edhe buçimi i kambanavet, që po depërtonin qetësinë e natës,na tronditi shpirtin, sepse kujtova katilët që kishin hyrë në shtëpi të heqim Polenës edhe thashë me vete: “Si mjerë ata që që bien në duar të andarëve! …Në mëngjes, si lindi dielli, vajtmë te penxhereja edhe me kujdes po e ngremë perden të shohëm se ç’bënet ndë “shesht të aravet”(sot lulishtja Themistokliu) … Ç’të shohç! Shtrirë në mes “të sheshit arave”dy trima ndë lulëzim të moshës. Njeri prej tyre ishte Vasil Trebicka, një trim edhe atdhetar i flakët, i cili nuk e kurseu jetën për shpëtim të atdheut. Ra në duart’ e armikut dyke luftuar burrërisht pasi u plagos rëndë. Kur po hiqte shpirt, shkoi një grua zemër-guri, së cilës i kërkoi një lot ujë të lagte majën e gjuhës; po kjo në vënt të ujit i hedh një gur! Një tjatër, shoku i kësaj, vjen edhe dyke dëgjuar rënkimet e thella të Vasil Trebickës, në vend të ngushëllimit i afrohet edhe e godet në kokë me kodaknë e pushkës me tërë fuqinë e tij. Kjo nuk ishte mjaft. Urrejtja kundër Vasilit u shtua kaq sa edhe fëmija e pafajme zunë të villnin gjithë atë vrer si edhe të mëdhenjtë, edhe dyke hipur mbi të edhe dyke keçuar, i thërrisnin, “thuaj tani se je shqiptar!” (Ylli i Mëngjezit, Vol. 2 Boston, Mass., Monday, July 16, 1917, Nr. 1, f. 10).

 

Korça përsëri e shqiptarëve

 

Sipas rrëfimeve të Sevasti Qiriazit, shoku i Vasilit, një bej trim i ri nga Pojani, u vra përpara derës së Efrim Gjinit (grekoman). Beu, para se të binte dëshmor, ishte veshur shumë bukur, por katilët pasi e vranë e zhveshën, ia morën tërë rrobat, këpucët, paratë që kishte me vete, më tepër se 10 lira dhe sahatin. Mundimet dhe poshtërimet që u praktikuan mbi trupin e beut dhe gurët që iu hodhën ishin të shumtë. Për ta qau gjithë Korça. Lufta e rreptë vijonte te sheshi i Shën Gjergjit ku luftuan ballë për ballë shqiptarët me grekomanët dhe andartët. Shqiptarët zaptuan Beledien (bashkinë) dhe qeverinë. Grekomanët edhe grekët kishin policanën dhe anën e Shën Gjergjit, të cilën e kishte zënë dhjakua me shokët e tij. Kur Dervish trimi vuri re dhjakon ndë ballë të luftës, tha: “Ay dhjak, unë dervish; përveç meje asnjeri s’ka të drejtë t’i bjerë e duke thënë kështu e vuri në nishan dhe i ra dhjakos në ballë edhe e vrau. Me gjithë që shqiptarët s’ishin të përgatitur, edhe ndonëse nuk kishin as shumicën, prapë këta me trimërinë mundën t’i mposhtin dhe t’ua dobësojnë fuqinë. Majori holandez Snellen, mik i shqiptarëve, u plagos që të parën ditë më anë të mëngjër, një qime e shpëtoi plumbin nga zemra edhe i zgjati jetën. Majori Snellen e mori plumbin prej një mësonjësi grek nga Arta. Si u plagos majori, Themistokliu bashkë me kapedan Doorman edhe Gjilardin, (oficerë holandezë) mbajtën komandën në dorë. Të enjten mbrëma pushka pushoi. Po bëheshin përgatitje për ditën e dytë.

 

Në mbrojtje të shkollës edhe konsulli amerikan

 

Mësonjëset, që gjendeshin brenda mureve të shkollës u bënë bashkë. Vallë a do t’ia dilnin dot mbanë? Nata ishte e zezë pis. Nuk gjenin dot asnjë grimë shprese nga mund t’u vinte shpëtimi. E sigurtë ishte që grekët nuk do të largoheshin nga Korça pa prishur Shkollën e Vashave, kjo ishte një nga dëshirat e tyre më të mëdha. Mësonjëseve u mbetej të luftonin deri në çastin e fundit të jetës. Të gjalla nuk do të binin kurrë në dorë të tyre. Një fqinjë e mirë, që i lajmëronte për çdo lajm që dëgjonte, u tha: “Grekët vendosën ta djegin Shkollën e Vashave, kurse Kristo Dakon (bashkëshortin e Sevastisë) do ta marrin me vete”. Ndoshta do ta vrisnin diku. Ushtria e vogël e mësonjëseve përbëhej nga Parashqevi D. Qiriasi e diplomuar në Kolegjin Amerikan për Vajza në Stamboll, në vitin 1904. Pas kësaj kishte filluar punën si mësuese dhe më vonë si drejtuese e Shkollës shqipe të Vashave në Korçë; Fanka Efthimi, me origjinë nga fshati Boboshticë, e para femër shqiptare me titullin Doktor, e diplomuar në Universitetin e Sorbonës, në degën e shkencave të natyrës; mësonjësja Efigjeni Janaqi, Dorothea Christo, Kristo Dako (bashkëshorti i Sevasti Qiriazit), i cili shkollën e mesme e kishte mbaruar më1898, Fakultetin e Matematikës më 1902, kurse Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Oberlindit më 1906-1913; dhe Zarifi, (roja e shkollës).Pjesë e mbrojtjes së shkollës ishte edhe konsulli amerikan, major Harold Sherëood Spencer. Grekët u ruheshin përplasjeve me amerikanët.