Spiuni i famshëm Rus që pengoi rrëzimin e komunizmit në shqipëri

1449
Sigal

LUFTA E FTOHTË/ Ja si u shkatërruan bandat që hidhte perëndimi për të shkatërruar pushtetin komunist

 

Kim Filbi: Spiuni rus  që pengoi rrëzimin e komunizmit në Shqipëri

 

Emri i vërtetë i spiunit të famshëm të KGB, Kim Filbi, është Harold Adrian Russel. Ka lindur më 31 dhjetor të vitit 1912 në Ambala, Punjab të Indisë. Kim Filbi i përcaktuar nga biografi i tij, Knightley, “si spiuni më i rëndësishëm në historinë e spiunazhit, ishte djalë i vetëm i Harry St. John Bridger Phlby, funksionar i lartë i kolonive britanike dhe arabist i famshëm. Filbi studion në shkollat më të mira angleze dhe në moshën 19- vjeçare, kur studionte në universitetin e Kembrixhit, anëtarësohet në Partinë Laburiste. Pas diplomimit afrohet shumë me marksistët dhe komunistët. Në këtë periudhë vendos edhe kontaktet e para me shërbimet sekrete sovjetike, të cilat i japin dhe detyrën e parë, atë të afrimit me SIS, shërbimi i fshehtë anglez që vepronte jashtë vendit. Shkon në luftën e Spanjës si korrespondent i një agjencie shtypi, por duke punuar për spiunazhin sovjetik. Pas rënies së Republikës Spanjolle, Filbi bëhet gazetar i “Times” dhe dërgohet në Gjermani, por pas shpërthimit të luftës me Anglinë kthehet në atdhe. Eshtë pikërisht kjo periudha kur SIS, e ofron që të punojë me ta për të ngritur seksionin 5 të MI16. Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, ai hyn në SOE, rrjeti britanik i spiunazhit, që vepronte në vendet e pushtuara nga nazistët. Ka qenë një periudhë produktive e tij, duke iu dhënë informacion të shumtë sovjetikëve edhe për gjermanët, edhe për anglezët. Që nga vera e vitit 1943 drejton kundërspiunazhin anglez në Itali, Spanjë dhe Afrikë. Në vitin 1945, ai mund të konsiderohej agjenti kryesor i Moskës jashtë vendit. Në vitin 1947 emërohet sekretar i parë i ambasadës britanike në Stamboll. Dy vjet më vonë transferohet në Uashington për t’u bërë funksionari ndërlidhës midis shërbimeve britanike dhe atyre amerikane. Eshtë pikërisht kjo periudhë kur ai iu jep sovjetikëve informacion deciziv për planet antisovjetike dhe satelitëve të BS. Në fund të viteve dyzetë i ofron shërbimet e tij Enver Hoxhës, pas të cilave 13 të akuzuar nga regjimi dënohen me vdekje. Pas hetimeve dhe dyshimeve të gjata të CIA-s për rolin e dyfishtë të Filbit, në vitin 1955 nga laburistët për atë kërkohet një hetim parlamentar, por edhe kësaj radhe Ia hedh. Në shtator të vitit 1956, në kulmin e krizës së Suezit, Filbi niset në Bejrut. Në fund të vitit 1962 SIS, e zbulon por i kërkon rrëfim të veprimtarisë prosovjetike, duke i ofruar imunitet të plotë. Nuk mund ta arrestonin dot në Bejrut. Nis pijen. Mbrëmjen e 23 janarit 1963 i shmanget një darke në ambasadën angleze dhe 2-3 ditë zhduket, pasi i kishte lënë një pusullë të shoqes, ku shkruan se “ishte nisur për udhëtim”. Në fakt ishte arratisur në Bashkimin Sovjetik me anë të një anije, që kishte destinacion Odesën. Pasi bëhet nënshtetas sovjetik, vendoset në Moskë, ku edhe dekorohet me Urdhrin e Kuq, i barazvlerësuar me një gjeneral. I japin një apartament komod, automobil dhe të drejtën për t’ju dhënë leksione kursantëve të KGB. Dendëson më shumë pijen dhe ndahet nga gruaja për t’u martuar përsëri. Për njëzetepesë vjet nuk pret asnjë gazetar perëndimor, përveçse shkrimtarin e shquar Graham Green. Por, në janar të vitit 1988, duke ndier se po vdiste, për gjashtë ditë rresht rrëfehet te gazeta “Sunday Times”. Aty deklaroi se nuk i vjen keq, me bindjen se ka bërë më shumë gjëra të drejta se të gabuara dhe se është i lumtur që është qytetar sovjetik. Bashkimin Sovjetik e quan atdheun e tij dhe kërkon që të varroset aty. Kim Filbi vdes në maj të vitit 1988. Prej tij ka mbetur dosja nr.5581, një pullë poste kushtuar atij, një gur varri mermeri dhe një legjendë spiunazhi mbarëbotërore.

Informacionet e Kim Filbit dekonspiruan planin anglez për rrëzimin e Hoxhës

 

Mirëpo, zbulimi sovjetik dhe ai amerikan kishin filluar një lojë operative të fshehtë dhe agjentët kryesorë kishin marrë detyrat dhe në shënjestrën e tyre ishin Shqipëria dhe Polonia. KGB-ja kishte ngarkuar me detyra agjentin e tij kryesor, Kim Filbi, i cili në këtë kohë ishte me detyrën në fillim të sekretarit të parë, e pastaj atë të konsullit të Britanisë së Madhe në Stamboll. Sipas disa burimeve të fshehta, ai kishte dhënë informacione për përgatitjet që po bënin grupet paramilitare për t’u hedhur në aktivitet në Poloni dhe në Shqipëri. Mehmet Shehu kishte marrë masat e tij, si dhe dispononte të dhëna paraprake për përgatitje të bandave si nga agjentura në radhët e emigracionit, ashtu edhe nga të dhënat e marra nga burimet sovjetike. U realizuan dy rekrutime spektakolare, një në burgun e Burrelit, i cili u arratis në Amerikë dhe u fut në bashkëpunim me CIA, tjetri u arratis nga qyteti i Vlorës XH. C., i cili kishte qenë agjent i rëndësishëm i amerikanëve për këtë qytet. CIA i priti mirë këto “mesazhe” dhe nga ana e tyre, sidomos segmenti i saj, që mbështetej te veprimtaria afatgjatë e spiunazhit për rrëzimin e regjimit komunist, dërgoi disa të dhëna për futjen e disa grupeve të spiunazhit, me qëllim rritjen e influencës së tij në Shqipëri në rrugë të fshehtë, ndërsa në sferën e propagandës mund të dilte ndonjë tjetër kolonel Xhon dhe të bënte rezymetë përkatëse për regjimin. Natyrisht, situata ishte ndryshe dhe vendi po kuronte me shpejtësi plagët e luftës dhe po rindërtonte vendin për të dalë nga prapambetja shekullore dhe për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga mentaliteti anadollak e feudal i së kaluarës së dhimbshme. Nga ana tjetër, Mehmet Shehu kishte nxjerrë nga burgu i Burrelit edhe disa nga kontingjentet e rëndësishme të CIA-s amerikane, gjë që dhe këto patën edhe efektin e tyre pozitiv në rritjen e komunikimit dhe të besimit. Këshilltarët sovjetikë në këto aspekte ishin ustallarë për vendosjen e urave të komunikimit midis tyre për të përfituar sa më shumë nga pikëpamja agjenturore dhe operative. Politikës amerikane i interesonte kjo jo pak në atë kohë, kur rreziku i komunizmit të BS për ta ishte eminent. Ndaj donin të rrisnin influencën e tyre, të kthenin qoftë edhe një vend të vogël, kundër interesave sovjetike. Natyrisht, më i preferuar do të ishte ai vend që do të bënte pjesë në bashkësinë komuniste të Evropës Lindore. CIA–s i leverdiste, të kishte nën influencën e saj, qoftë edhe disa udhëheqës që ishin, ose po afirmoheshin si diktatorë. Politikës sovjetike i interesonte Shqipëria edhe pse ishte një vend i vogël, por për strategjinë e saj afatgjatë ai zinte një nga vendet kryesore në Evropën Juglindore, ndërsa për KGB dhe GRU-n, futja qoftë edhe e agjenturës dopiorol në radhët e shërbimeve sekrete amerikane, për të ishte sukses, sepse në mënyrë të nëndheshme ajo do të lidhej si me një rrip transmesioni me agjenturën potente, që ajo dispononte në atë periudhë në territorin e SHBA-së.

Lufta kundër bandave të armatosura që synonin rrëzimin e Enverit

 

Kështu nisi rrugën ajo që u sfumua tej mase dhe u bë legjendë, me një punë më të vërtetë të zgjuar, ajo që ka marrë emrin “Lufta kundër bandave të armatosura”, ”Sfida e Sigurimit të Shtetit ndaj CIA-s amerikane”, “Loja “Buza e Bredhit” dhe “Liqeni i Vajkalit” e kështu me radhë. U hapën qendrat “sekrete të stërvitjes” qysh në tetor 1951 në Maltë, Mynih, Kretë dhe Haidelberg. Një nga më të interesuarit në këtë aspekt ishte mbreti Zog, i cili përveshi krahët dhe i mori me tepër përkushtim dhe seriozitet luftën kundër regjimit komunist dhe i dha besën kolonelit të CIA-s, Jaçeviç, e vuri në dispozicion dhe bodigardin e tij besnik, kolonel Hysen Selmanin. Mirëpo, këto përgatitje paraprake u përhapën me shpejtësi në formë thashethemesh në emigracion, dhe një pjesë e mirë e emigracionit politik, i mori seriozisht, iu ringjallën shpresat për të fituar ato që humbën dhe u rreshtuan përkrah mbretit të tyre. Në këto kondita e zhvillime, shërbimet e fshehta të vendeve fqinjë, që natyrisht kishin informacione nga burimet e tyre, intensifikuan veprimtarinë agjenturore dhe banditeske, duke kujtuar se kishte ardhur momenti i shumëpritur prej tyre, për të zhvatur secili sa më shumë territore nga vendi ynë. Në vitin 1950, Asfalia Greke, në bashkëpunim me degën Alfa Dhio, përgatiti dhe dërgoi nëpërmjet kufirit 56 banda, me 294 persona të armatosur. Pjesa më e madhe e tyre ishte e organizatës ultrareaksionare ONASH. Ndërsa serbët vetëm në vitin 1949 kishin bërë në kufi gjithsej 119 provokacione, duke i dhënë një mbështetje të fuqishme organizimit antishqiptar të emigracionit në Jugosllavi në drejtimin e Seit Kryeziut. Në fund të muajit korrik të vitit 1949, në vilën “Linda”, 6 km larg Barit, në Itali, komandanti i kursit, kolonel De Agostino, porositi kursantët e tij që do të hidheshin në Shqipëri: “Në Shqipëri së shpejti kemi ngjarje të rëndësishme. Do të fillojmë një lëvizje të armatosur kundër regjimit të Hoxhës, për të vënë këta në mes të dy zjarreve; të Frontit të Hapët dhe lëvizjes së armatosur në prapavijë të kundërshtarit”. Në kursin e “Rojes Mbretërore“, koloneli Xhon do të vazhdonte linjën tjetër atë paramilitare për dezinformimin e opinionit dhe përpunimin e kursantëve të vilës “Linda“: “Shqipëria është në prag lufte. E përçarë nga tri fe: myslimane, kristiane dhe ortodokse. Mbizotërojnë vrasje, hakmarrje, xhelozi të vjetra. Tito po përgatit minoritetet kundër saj”. Së fundi, Lordi Betel ekspozon një të vërtetë të pamohueshme dhe që hedh dritë të mjaftueshme lidhur me problemin se CIA i dha të dhëna Sigurimit, duke vlerësuar arratisjet që bëri Mehmet Shehu me kombinacion. Ja çfarë konkluzioni nxjerr Lordi në fjalë: “Gjyqet e Tiranës në vitin 1951 ishin thelbësisht korrekte dhe të kujdesshëm, po kështu edhe pas viteve ´52”. Ky fakt konfirmohet edhe nga burimet e mëvonshme të fshehta, sidomos të tri bandave kryesore të: Vilës “Linda“, të Hamit Matjanit, i cili ishte bërë mit e legjendë nga hyrjet e daljet nga kufiri grek dhe asnjë herë nuk ra në kurthin e Sigurimit të Shtetit, si dhe grupit të “Rojes Mbretërore”. Por, i shoqëruan ato me të dhëna ekzakte të vendit të hedhjes me parashutë, kohës dhe koordinatat përkatëse. Madje, vendet do të ishin të favorshme për forcat e ndjekjes dhe të Sigurimit për të organizuar jo kurthe po çarqe. Pra, Kim Filbi, ashtu si jo pak agjentë e informatorë diçka dinin, por që nuk ishin esenciale dhe mund të shërbenin vetëm si burime konfirmimi në rrugë operative. Nga ana tjetër, për këto informacione dhënë në rrugë të fshehtë, nuk kishin dijeni masa e oficerëve, ushtarakëve dhe aspak civilët, që morën pjesë drejtpërdrejt ose indirekt në lojërat “Buza e Bredhit” dhe “Liqeni i Vajkalit“, përveç Mehmet Shehut, Mihallaq Ziçishtit dhe ndonjë tjetri. Siç dihet, një nga këto lojëra vazhdoi për 18 muaj rresht, edhe pse ishte konfirmuar që radisti Prençi ishte zëvendësuar me një person tjetër, futur nga sigurimi, avionët vazhdonin dhe hidhnin jo vetëm armë, por edhe materiale të tjera të nevojshme, por edhe ndihma. Zbulimet e tjera të huaja si UDB-ja, SISMI italian, QIPE-ja greke ishin hedhur, ashtu siç pritej, në sulm jo vetëm me forca paramilitare, por edhe agjenturore, kujtuan se “deti u bë kos”, se prapa tyre “ishte Amerika”, që i mbështeste, ndonëse nuk kishin marrë dijeni për senatorin amerikan N., që dërgonte mesazhe në rrugë të fshehtë, natyrisht tashmë, jo krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke theksuar faktin që “Amerika nuk do të sulmojë Shqipërinë. Përkundrazi…