Servet Tartari: Enver Hoxha dhe pozita tragjike jetësore e Arif Haskos

1692
Sigal

Intervistë me ish-gjeneralin në pension Arif Hasko: Nuk kam qenë asnjëherë pro atyre masave aq të rënda që mori Enver Hoxha, ndaj shokëve të tij

 

Enver Hoxha nuk ka qenë frikacak ose njeri i korruptuar e pa moral, por diktator

 

(Kjo intervistë është bërë para 20 vjetësh dhe botohet sot sipas incizimit të autorit)

01-Enver Hoxhës duhet t’i japësh edhe anët e mira edhe anët e këqija, ose ku ka gabuar.

  • Sot kjo demokraci është një shthurje, një çoroditje, një anarki, një shpërbërje e shpërfytyrim i njeriut

Nga Servet Tartari

Arif Hasko, mbas daljes nga burgu e deri më sot, si e keni gjykuar ju, sidomos periudhën e dënimeve të shumta sidomos kuadro të Luftës dhe të pasluftës, dënime dhe pushkatime dhe jo vetëm në ushtri?

-Disa herë i kam thënë dhe më duket se bëhem i mërzitshëm dhe nuk dua të kaloj deri në bezdi. Megjithatë unë s’kam qenë asnjëherë pro atyre masave aq të rënda që mori Enver Hoxha, me shokët e tij.

Nuk marr përsipër se kanë qenë të gjithë të këqij, sepse do të dish burimin dhe të kesh dokumente. Por mesa i njoh unë, nuk mund të ketë pasur njerëz me qëllim aq të keq, kundra shtetit, kundra partisë.

E dyta: Enver Hoxhës duhet t’i japësh edhe anët e mira, edhe anët e këqija, ose ku ka gabuar. Pra jo, ekstremist, por objektiv e me gjakftohtësi. Në të kundërtën, s’je i besueshëm. Kur çdo gjë e bën vetëm zi nuk është e drejtë, sepse kështu mua më duket se nuk merr vlera edhe më shumë. E mira dhe e liga sado që të përpiqesh, t’i fshish, apo t’i shtosh, kjo është shumë gabim. Historia do bëjë dhe e ka bërë punën e vet. Gjatë gjithë historisë së popullit tonë, nuk merren vetëm të këqijat, por bëhet e shkruhet ashtu siç ka ndodhur. P.sh, sot është shumë më e rëndë, që u vra e u gjakos gjithë populli ynë dhe askush s’mban përgjegjësi e s’u ndoq penalisht, pse kjo është demokracia?! Për mua demokracia u përdhos. Duke folur të gjithë për demokracinë dhe në emër të demokracisë, si dje në emër të popullit bëhet gabim! S’bëjnë gjë tjetër vetëm se tregojnë hipokrizi dhe duan të fshihen mbas demokracisë, dhe që nuk pranojnë demokracinë e vërtet, ku në themel të saj duhej të ishte ajo demokraci që ka dëshiruar e dëshiron i gjithë populli.

Për mua kjo ishte një shthurje, një çoroditje, një anarki, një shpërbërje e shpërfytyrim i njeriut, që do liri e dinjitet e personalitet. Në taban të demokracisë duhet të jetë ligji dhe vetëm ligji, ashtu si gjithë bota e kulturuar kjo edhe si kusht, për të qenë Anëtar i Bashkimit Evropian. Unë mendoj se ç’do gjë duhet ta gjykojmë drejt, se nuk do na e falë historia, dhe as brezat, që do të vijnë më pas nesh.

Siç e theksova edhe më lart, ashtu si dje që flitej në emër të popullit, dhe sot flasin në emër të demokracisë. Dhe që sipas meje asnjë parti politike s’ka luftuar e as lufton për një demokraci për të gjithë. Unë, nuk jam dakord me ata që thonë se, Enver Hoxha ka qenë frikacak ose njeri i korruptuar e pa moral e aq më keq një injorant. Jo dhe jo.

Asnjëherë populli ynë, nuk ka pasur kaq njerëz të korruptuar, deri në tempullin më të lartë që janë deputetët dhe Shtetarët.

I mençuri Populli thotë: “E vërteta mund të zhytet, por s’mbytet”.

Kështu ne mohojmë e injorojmë vetveten dhe një popull të tërë mohojmë historinë e kombit, sikur nuk ka ekzistuar për gati 50 vjet.

Burrat e moçëm të kombit tonë, kanë ditur të gjykojnë drejt, pa u zhburrëruar, duke mohuar e injoruar. Ndaj as ne nuk duhet të zhburrërohemi , por duhet të veprojmë e gjykojmë drejtSepse kështu i vlen edhe historisë, ashtu siç na mëkuan edhe të parët tanë, me atë dashuri e moral që në themel kishin bashkim – vëllazërimin, e jo urrejtjen kundër njeri-tjetrit. Të gjithë kanë përgjegjësi e këtu duhet të ndalojmë e pse jo, edhe të korrigjohemi.

Cila është ana e medaljes dhe e përgjegjësisë, që do t’i jepnit ju si Arif Hasko sot Enver Hoxhës?

Këtu qëndron çështja, që të përcaktohen drejt e saktë e me përgjegjësi, jo vetëm gabimet e Enver Hoxhës. Sepse nga i mori ai të gjitha të dhënat, për çdo problem, apo ngjarje dhe që arriti në këtë gjendje kaq të rëndë. Të dhënat janë marrë nga të gjithë ata që e rrethonin, në radhë të parë nga qendra deri në bazë ose e kundërta.

Enver Haxha patjetër që mban përgjegjësi. Por, kjo nuk mund të bëhet shkak, që të thuash se Enver Hoxha, s’ka bërë asgjë. Sepse pastaj do mohojmë historinë dhe ekzistencën e saj, me të mirat dhe të këqijat, me përparimet dhe pengesat. Ndryshe siç e thashë edhe më lartë mohojmë vetveten.

Po, këta politikanët e sotëm, që janë ndarë nëpër parti të ndryshme, nuk kanë qenë pjesë e atij pushteti ? Nuk kanë qenë me poste në parti e pushtet, madje edhe me detyra të rëndësishme?

Po ka. Dhe sjellja e tyre as besohet e as pranohet. Sepse “sado që të ndërrosh lëkurën, trupi mbahet nga kocka dhe mishi”. Që do të thotë se kokën e ke pasur mbi shpatulla, dhe jo, nënë shpatulla. Dhe sot vishen me lëkurën e qengjit! Madje flasin edhe në emër të “Demokracisë”. Ashtu si dje në emër të “Popullit”.

 

Pozita  jetësore e Arif Haskos ishte tragjike

Arif Hasko, në biseda intime, shprehte revoltën e njeriut të ndershëm ndaj njerëzve të paaftë e intrigantë. Ai diti të orientohet drejt e të drejtoi mirë, me atë temperamentin e tij, ku urtësia ishte cilësia e parë, pasi trashëgonte vetitë më të bukura të një njeriu të ndërgjegjshëm. Me sjelljen dhe aftësinë e tij Arif Hasko, krijoi vlera  jo vetëm në ushtri, si një nga udhëheqësit kryesor të ushtrisë, që do të mbetet simbol, por krijoi edhe tek publiku epërsinë morale e njerëzore ndaj së keqes. Arif Hasko, përbrenda  ndjente valë të nxehta zemërimi e dhembshurie.  Kjo për të ishte si një llavë vullkani, që shpesh i zinte frymën. Aty janë zemëratat, dhembjet dhe dashuria për njerëzit e vendin e tij. Arif Hasko ka qenë në krah të luftëtarëve të shquar, heronjve që ikën, e u nda me ta, duke marrë me vete dashurin dhe admirimin për të gjallët që e nderuan me respekt për personalitetin e kulluar të tij. Pozita e tij jetësore ishte tragjike. Para tij paraqiten të papriturat e jetës, nga poshtërsia e njerëzve që e rrethonin, që kishin luftuar apo drejtuar bashkarisht. Ç’do gjë mund të besoj njeriu, por që shokët e luftës e të punës të kthejnë gunën për hir të karrierizmit apo siç’ thuhet rëndom, “një lugë çorbë të prishur”, të vjellin gjithçka kundër shokut të luftës e të punës, Arif Hasko, kurrë se kishte menduar .  Këtë e bëjnë vetëm karrieristët, servilët dhe shpirtngushtët e zemërligët. Dhe me gjithë dallgët që kaloi gjenerali Arif Hasko, ai përsëri mbeti energjik dhe aspak i ftohtë. Qëndroi i fuqishëm e tepër dinamik, deri në fund të jetës së tij. Ç’do gjë e transmetonte me forcën e argumentit. Kurrë nuk ju nënshtrua padrejtësive dhe falsitetit. Nuk i shpëtoi asgjë syrit të tij, tepër vrojtues e magjepsës. Ky ishte gjenerali Arif Hasko. Ai  mbeti një simbol edhe për brezat e ardhshëm.