Skënder Malindi: Ja pse i donte Ismail Qemali skraparllinjtë

15
Sigal

Ajo që e lidhi më tepër këtë burrë të madh me Skraparin, ishte momenti kur përfaqësuesit e krahinës së Tomorricës, të mbledhur në Konak, me qenë se ishte vonë, një ditë para ngritjes së Flamurit dhe nuk shkonin dot në Vlorë, me anë të një telegrami, ata autorizuan Ismail Qemalin si përfaqësues të tyre, gjë që ai e pranoi me kënaqësi dhe ia vuri në dukje përfaqësisë së mandateve në këshill dhe në qeveri

Ka dokumente e të dhë na që Ismail Qemali kishte simpati për skraparllinjtë, të cilët ai nuk i njohu vetëm kur ndërmori hapin e madh, formimin e shtetit shqiptar më 1912, por që më parë kur ai ishte deputet në parlamentin osman, duke ardhur disa herë në këtë krahinë. Ajo qëe lidhi më tepër këtë burrë të madh me Skraparin, ishte momenti kur përfaqësuesit e krahinës së Tomorricës, të mbledhur në Konak, me qenë se ishte vonë, një ditë para ngritjes së Flamurit dhe nuk shkonin dot në Vlorë, me anë të një telegrami, ata autorizuan Ismail Qemalin si përfaqësues të tyre, gjë që ai e pranoi me kënaqësi dhe ia vuri në dukje përfaqësisë së mandateve në këshill dhe në qeveri. Por Ismail Qemali kishte edhe shumë miq skraparllinj. Ai kishte mik Xhelal Bej Koprenckën, të cilin e lajmëroi të linte detyrën si oficer në Janinë dhe të vinte pas tij në Vlorë (Xhelal Bej Koprencka ka firmën në aktin e Pavarësisë. Më pas u zgjodh në Pleqësinë, që zgjodhi qeverinë e parë, si dhe u ngarkua me detyrë komandant i forcave kundër grekut në rajonin Skrapar, Korçë, Përmet). Tjetër mik ai kishte Tefik Rogun, të cilin e thirri që nga Turqia. Ka një numër jo të vogël telegramesh që kanë shkëmbyer me të, kur ky i fundit u vendos në administratën e qeverisë së re dhe veproi në zonën Berat dhe Skrapar. Një simpati të veçantë Ismail Qemali kishte për Maliq Vlushën, të cilin zgjodhi në kabinetin e tij, një prej njerëzve të shquar intelektualë Maliq Sanxhaku (Vlusha), por që ai preferonte t’i thërriste Maliq Skrapari, duke e emëruar drejtor të Departamentit të Bujqësisë. Simpatia e Ismail Qemalit dëshmohet edhe nga telegrami që ai i dërgonte popullit e parisë së Skraparit ku midis të tjerash thuhet se: “…populli i kësaj krahine, ashtu si dhe më parë dhe tani do të jetë në këmbë për çështjen kombëtare…” Në fund të dhjetorit të vitit 1912, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, cakton si nënprefekt të Skraparit Baki Gjebrean. Si qendër zyrtare e nënprefekturës u caktua fshati Çorovodë, por meqenëse ai ishte djegur zyrë për n/prefektin u bë një dhomë e shtëpisë së Abaz Zhabanit në fshatin Zhaban. Zëvendës i nënprefektit u zgjodh një vendali, njëri me influencë e kontribut të shquar në çështje kombëtare Abdulla Koprencka (Dule). Baki Gjebrea qëndroi plot një vit në Skrapar dhe në tetor 1913 u zëvendësua nga Themistokli Gërmenji, i cili në Skrapar kishte qenë në muajin gusht i dërguar nga qeveria e Ismail Qemalit, për rekrutimin e xhandarëve për xhandarmërinë shqiptare. Në nënprefekturë ai është paraqitur në 22 tetor 1913. Me datën 23 tetor thirri parinë e Skraparit. Ai mori masa të rrepta për vendosjen e qetësisë e sigurisë në nënprefekturë. Në këtë detyre ai qëndroi deri në shkurt 1914. Skrapari kishte dhënë një kontribut jo të vogël në luftën për pavarësi. Që në ditët e para të vitit 1913, qeveria e Vlorës u ballafaqua me situata të jashtëzakonshme. Trupat greke i ishin drejtuar vilajetit të Janinës e synonin në drejtim të Himarës e Korçës.

Këtë gjendje të vështirë të veprimtarisë politike e diplomatike të Ismail Qemalit e shohim edhe në telegramin që përmendëm më sipër ku ai vazhdon:”… me marshimin e armatës greke mbi Janinë, ka mundësi që disa detashmente (greke) të afrohen e sulmojnë krahinën e Skraparit e të Beratit. Është detyrë patriotike t’u presim hovin sulmeve e dhunimeve, duke marrë masa të rrepta kundër kësaj mundësie e më tej vazhdon-Gjithë populli duhet të dijë se përsa i përket mbrojtjes është një trup i vetëm… Më tej ai porosiste-të mos krijohej asnjë shkak për grindje e ngatërresa në Shqipëri. Duhej të ruhej uniteti. të zihen të gjitha shtigjet e të mos lejohej armiku të mos hidhte asnjë hap përpara”. Synimi taktik i Ismail Qemalit ishte që nëpërmjet rezistencës në këto vise, ushtria greke të gozhdohej sa më larg Vlorës. Çdo qëndresë lokale kishte rëndësi për qeverinë. Skraparllinjtë: rrezikut që kërcënonte vendin iu përgjigjën me gatishmëri për të qenë përkrah qeverisë së Përkohshme dhe çështjes kombëtare. Menjëherë burrat trima të Skraparit ngritën çetat e tyre. Me mijëra burra të Skraparit rrokën përsëri armët, nën udhëheqjen e trimave si Lace Backa, Riza Kodheli, Ali Çepani (Farmaqi), Ali Koprencka, Sokol Radeshi, Sulejman Spathara, Servet Zaloshnja, Muco e Avni Kapinova, Myftar Cepani, Veiz Naska, Qazim Zaberzani, Sefedin Visocka, Tefik Rogu etj. Më 3 janar 1913 i dërgohet qeverisë në Vlorë nga nënprefektura e Skraparit një telegram, ku ndër të tjera thuhet se : “Të gjithë trimat e Skraparit e Tomorricës, që prej tre ditësh janë duke vrapuar turma-turma, për të mbrojtur pozitat strategjike në front… “ Kur forcat greke hynë në Kolonjë duke vrarë, prerë e djegur një pjesë e popullsisë së saj mori rrugën e muhaxhillëkut në drejtim të Skraparit e përkundrejt Beratit e Vlorës. Në këtë luftë që ne e njohim me emrin Lufta Patriotike gdhenden në monumentin e historisë, bijtë trima të kësaj treve si: Tajar Vendresha, Sulejman Spathara, Ali Koprencka, Sokoll Radeshi (Satka) Rustem Çepani, Muço Kapinova, Riza Vala, Bektash Zaberzani, Taulla Dyrmishi e shumë, e shumë të tjerë.