Si u vetëvra nipi i tregtarit patriot, Abedin efendi Tyxharit

1114
Sigal

Nga Vepror Hasani

Një ngjarje tragjike në qytetin e “Luleve të Verës”

  1. Në qytetin e “Luleve të Verës” kishte ndodhur një ngjarje tragjike. Kështu e quante Korçën tregtari i madh i këtij qyteti, Abedin efendi Tyxhari. Me këtë emër e pagëzoi kur i ra në dorë libri me poezi “Lulet e Verës”. Ka shumë gjasa që libri t’i jetë dhuruar nga vetë Naimi në vitin 1890, kur kjo vepër e bukur me 16 poezi lirike doli në dritë. Në Stamboll shkonte shpesh. Gjithë jetën ia kushtoi gjuhës shqipe. Aty takohej me vëllezërit Frashëri, të cilët donin ta kthenin Korçën në qendër të rëndësishme të Jugut. Studiuesi Hamza Koçiu vë në dukje bashkëpunimin e Abedin efendi Tyxharit edhe me patriotët e Stambollit: “Patrioti Abedin Seit Tyxhari ishte një nga pjesëmarrësit aktivë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në Korçë, dhe një nga luftëtarët e vendosur në zhvillimin dhe përparimin e shkollës dhe të arsimit shqip në Shqipëri. Ai u lind dhe u rrit në qytetin e bukur të Korçës, në një vatër të vjetër të familjes së madhe të Tyxharëve, me tradita të mirënjohura shqipdashëse. Ky Rilindas i pasionuar i gjuhës shqipe, ky pishtar i ndritur i saj, ka një biografi të ngjeshur me një sërë veprimtarish të zhvilluara në Korçë, Bukuresht, Manastir e deri në Stambollin e largët”. (Hamza Koçiu, “Portrete patriotësh të qarkut Korçë”, vëllimi I, f. 26). Një prej poezive të vëllimit “Lulet e Verës”, poeti Naim Frashëri e shkroi enkas për Korçën. Nga Korça ishte nëna e tij, Emineja, bijë e Mirahorëve, themeluesve të qytetit të Korçës, saktësisht bijë e Islam Mirahorit dhe e Zymbyles. Vetë Zymbylja (nëna e Eminesë), ishte bijë e Mehmet pashë Zëmblakut, pasardhës të Sinan Pashës, pashait më të fuqishëm të toskërisë. Emineja u martua në Frashër me Halitin, me të cilin pati 6 djem dhe 2 vajza.
  2. Por tashmë në fisin e Tyxharëve kishte ndodhur një ngjarje e rëndë. Në shtëpinë e madhe ku jetonin, poshtë te bodrumet, ishte gjetur i vdekur Shefqet Tyxhari, tregtar i njohur i qytetit të Korçës. Ishte viti 1948. Shefqeti u gjet që në çastin e parë, kur sapo ishte ndarë nga jeta. Gjaku i ngrohtë i rridhte ende nga damarët e prerë të duarve si një rrjedhë që s’pushon kurrë. Shumë afër me trupin e tij u gjet një thikë e gjakosur. Tyxharët mbetën të shokuar. Ishte vrarë apo vetëvrarë? Pas pak mbërriti doktori, i cili pasi kreu ekzaminimin, tha: “Shefqeti është vetëvrarë!” Megjithatë, njerëzit e familjes as e pohonin dhe as e mohonin vetëvrasjen. Thjesht thoshin: “Na iku edhe Shefqeti”- njësoj sikur të paralajmëronin vdekje të tjera. Shefqet Tyxhari ishte vetëvrarë, sepse qeveria kohë pas kohe i kërkonte florinjtë e fshehur. Deri atëherë u kishte dhënë gjithçka që kishte pasur, por ata i kërkonin shpirtin. U detyrua të zgjidhte fundin e tmerrshëm sesa tmerrin pa fund. Gratë në dhomën tjetër qanin me kuje. E shoqja e Shefqet Abedin efendiut, Neime Rakip Bilishti, bijë nga një derë e dëgjuar, me pasuri të madhe, nuk e përmbante dot veten. Fillimisht ajo qe martuar me Neim Abedinin Tyxharin, me të cilin pati një djalë Aliqemalin, por kur i shoqi i vdiq, u martua me e të vëllanë e tij, Shefqet Abedin Tyxharin. Nga kjo martesë lindën Samimi, Verorja, Sajdeja, Skënderi, Nazimi dhe Erveheja; bashkë me Aliqemalin nga martesa e parë, bëheshin 7 fëmijë; 4 djem dhe tri vajza, që të gjithë qanin me mallëngjim e brengë bashkë.

 

  1. Edhe Abedin efendi Tyxhari, (edhe pse i vdekur), duhet ta kishte ndjerë dhimbjen therëse të vdekjes së djalit të vet. Kishte 27 vjet që ishte ndarë nga jeta, kur ishte 70 vjeç, por dhimbje të tilla e trondisin edhe varrin. Nëse do të ishte gjallë, kurrë s’do ta kuptonte dot tmerrin që kishte nisur të përjetonte qyteti i “Luleve të Verës”, por njerëzve të qeverisë do t’u thoshte: “Tyxharët i shpenzuan florinjtë për mësonjëtoren e parë shqipe, për shkollën e vashave, për çeljen e shkollave të tjera kudo që ishte e mundur, për sigurimin e librave dhe fletoreve të nxënësve, për pagesat e mësuesve etj., etj.” Abedin Tuxhari ishte bërë pjesë e Komitetit kombëtar të fshehtë të Korçës, që nga nisja e përpjekjeve për krijimin e tij më 1885-1886. Në pranverën e vitit 1887, pothuajse gjithçka ishte gati. Më 1888, Komiteti u quajt “Këshilli i mësonjëtores shqipe”. Kjo shoqëri arsimore, sipas studiuesit Hysni Myzyri, “kishte si detyrë të kujdesej për sigurimin e mjeteve financiare e të personelit arsimor, për botimin e teksteve shkollore, për botimin e një gazete javore ose mujore në gjuhën shqipe, dhe të ndihmonte për mbrojtjen e shkollave shqipe nga armiqtë e tyre dhe kapërcimin e të gjitha vështirësive e pengesave që do t’i dilnin përpara shkollës shqipe”. (Shkollat e para kombëtare shqipe, Hysni Myzyri, f. 69, Tiranë 1973).

Mirëpo për këtë Këshill përmenden vetëm tri emra: Thimi Marko, Orhan Pojani dhe Vani Cico Kosturi. Në këtë treshe, nuk përmendet as Qani bej Dishnica, kryetari i “Këshillit të mësonjëtores” si dora e fortë e tij, as Abedin efendi Tyxhari, si truri i kësaj organizate, as Sami bej Pojani, botuesi i gazetës së parë shqiptare në Shqipëri, dhe shumë emra të tjerë që tashmë janë harruar, edhe pse kjo shoqëri që në krye të herës pati jo 3 anëtarë, por 160. Kështu shkruan studiuesi Hysni Myzyri: “Shoqëria kishte mbi 160 anëtarë, në të bënin pjesë shqiptarë të të dy besimeve dhe u përkisnin shtresave të ndryshe shoqërore”. (Shkollat e para kombëtare shqipe, Hysni Myzyri, f. 70, Tiranë 1973).

 

  1. Por nga sa kuptohej prej vdekjes së Shefqet Tyxharit, njerëzit e ardhur në pushtet kishin vendosur t’i hiqnin nga lista njerëzit e pasur, pavarësisht nga kontributet e tyre. Në vdekjen e Shefqet Tyxharit kishin ardhur edhe tregtarët e Korçës; ishin aty edhe Merdanët, tregtarët e mirënjohur. Me ta kishin pasur krushqi të herëpashershme. Nadireja, motra e tregtarit Fuat Merdani ishte martuar në derën e Tyxharëve, me Aliqemalin, kurse Verorja e Tyxharëve, bijë e Shefqet Tyxharit, ishte martur me tregtarin e madh Reshat Merdani. Shpesh dëgjohej vajtimi drithëronjës i Razies, motrës së Shefqet Tyxharit, të cilën përpiqeshin ta qetësonin dhe nuk e qetësonin dot. Po aq të dëshpëruar ndiheshin edhe vëllezërit e saj Neimi dhe Abedin Tyxhari, tek shihnin motrën si shkulte flokët. Burrat pinin duhan të trishtuar. I vëllai i Shefqetit, Neim Tyxhari, përpiqej t’u shpjegonte njerëzve çfarë kishte ndodhur. Kohët e fundit, Shefqet Tyxharin kishin filluar ta thërrisnin më shpesh në degën e Punëve të Brendshme. Herën e fundit i kishte thënë: “Nëse nuk i shlyenin tatimet, atëherë duhet të lini shtëpinë dhe të strehoheni në ndonjë bodrum, qoftë edhe në bodrumin e shtëpive tuaja, sepse sipër jush do të rrinë të tjerë njerëz. Dhe nëse nuk nxirrni floririn e fshehur, shtëpia juaj do të jetë burgu”. Përgjigjja e Shefqet Tyxharit kishte qenë e ashpër. U kishte treguar çfarë kishin bërë Tyxharët për Luftën: Samimi bashkë me Raqi Qirinxhiun kishin mbajtur intendecën, vlerat në ushqime dhe të holla për Luftën. Në rrugën e Qatromit, aty ku Aliqemali kishte një shtëpi dykatëshe, mes vreshtave dhe bahçes me pemë, e kishte vënë në dispozicion të Luftës si vendstrehim për aktivistët dhe armatimet. Aktiviteti në familje, gjatë Luftës drejtohej nga Aliqemali dhe Samimi.

 

  1. 5. U kishte folur edhe për Abedin efendi Tyxharin. Ndihmesa e tij për shkollat shqipe s’pati të reshtur kurrë. Sot përpjekjet e tij i mësojmë nga studiuesit. Hamza Koçiu, shkruan: “Puna e tij e dukshme u konkretizua në mitingun madhështor të Alfabetit shqip, mbajtur më 14 shkurt 1910 në Korçë. Pas këtij mitingu u zgjodh në komisionin që do të merrej me hapjen e shkollave të reja shqipe, dhe mbrojtjen e tyre nga xhonturqit dhe kleri ortodoks reaksionar. Sipas gazetës “Lidhja Ortodokse”, dt. 22 shkurt 1910, në Komision u zgjodhën patriotët: Çerçiz Zavalani, Abedin efendi Tuxhari, Haki Hysen Floqi, Stavre Karoli, Qazim Dërsniku dhe Sulejman Mborja. Po sipas kësaj gazete, Abedin Tyxhari si anëtar i komisionit, mori pjesë në hartimin e alfabetit dhe vuri firmën në këtë dokument ku proklamohej hapur shkrimi dhe leximi në gjuhën shqipe në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Ky dokument iu dërgua në Stamboll vezirit të madh, ministrit të Brendshëm, Parlamentit të Turqisë dhe deputetëve shqiptarë. Pas kongresit të dytë të Manastirit (1910) Abedini Seit Tyxhari, i cili mori pjesë edhe vetë në këtë ngjarje të madhe historike për zhvillimin e arsimit shqip, e zhvilloi veprimtarinë e tij në shoqërinë shkollore “Përparimi”. (Hamza Koçiu, “Portrete patriotësh të qarkut Korçë”, vëllimi I, f. 26-27).

  2. 6. Që nga kjo kohë, Abedin efendi Tyxhari mbeti i përzgjedhuri i përhershëm me vota të fshehta i të gjitha shoqërive shkollare. Gazeta “Koha”, shkruan: “Më 5 të këtij, te “Banda e Lirisë” ku gjendet sot shkolla e djemve u mbajt mbledhja e përgjithshme e Shoqërisë Shkollare… Pastaj me vota, u zgjodh sipas kanonizmës, komisioni i përhershëm, kësisoj: Siri bej Leskoviku kontrollor, Riza efendi Leskoviku, Stavre Karoli, Viskë Gorguzi, Qani bej Dishnica, Vasfi Iljaz Kole, Hazo Progri, Kristaq Aristidhi, dr. Haki Mborja, dr. Kristaq Zografi, Mihal Grameno, Qamil Panariti, Mustafa Selenica, Memdu bej Zavalani, Sotir Peci, Spiro Xega, Nepsi Kerenxhi, Vani Qirko, Fehim Xhaferi, Memda Panariti dhe Abedin Tuxhari, anëtarë. …Program dhe qëllimi i kësaj shoqërie është vetëm shkollare dhe do të kujdeset për të përmbajtur shkollat e Korçës edhe qark Korçës, kur të mund t’i përmbajë, andaj nuk dyshojmë që gjithë atdhetarët do ta ndihmojnë këtë shoqëri”. (Gazeta “Koha”, 18 shënëndre 1911).

Edhe një vit më vonë e njëjta gazetë shkruante: “Pas darke u mblodhën të gjithë në shkollën shqipe me shumë zotërinj, të cilët biseduan në duhet mbajtur shkolla apo jo nga shkaku që vjet pleqësia shkollare me shumë mundime mundi t’u përgjigjet nevojave të shkollës se fort pak atdhetarë ndihmuan shkollën dhe vendosën që shkolla do mbajtur. Kështu pra u zgjodh një pleqësi e re, e cila do të përkujdeset nga këta zotërinj: Orhan Pojani, Islam bej Këlcyra, Mina Frashëri, Abedin efendi Tuxhari, Stavri Karoli, Riza efendi Dërsiniku, Idhomene Kosturi dhe Andrea N. Katundi. “Gazeta Koha 22 vjesht e I-rë, 1912).


  1. Miqtë më të mirë të Abedin efendi Tyxharit ishin ata që përpiqeshin për gjuhën shqipe. Po përmendim disa prej tyre, për të cilët ka shkruar edhe shtypi: Atdhetari i Flaktë Emin efendiu, i cili është nëpunës i tapive në Korçë, kuptoi se gjuha e vet lartëson mendimin e njeriut dhe forcon kombësinë, vuri kombin përpara dhe hapi një shkollë në fshat të tij në Selenicë (Frashër)
    (Gazeta Korça 20 mars 1909); Baba Abedini i teqesë së Frashërit, shtëpinë e tij që ka në fshatin Krushovë, e ndërtoi mirë dhe e bëri shkollë shqipe dhe me qenë se shtëpia është e madhe ka ndarë edhe ca dhoma që të flenë nxënësit, të cilët i kanë katundet larg”. (Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909); Për Qani Dishnicën, që nuk i trembej as vdekjes, thuhej: “Në çdo çështje kombiare ka qenë i pandarë nga qëllimi kombiar. Vjet mori një barrë fort të rëndë duke marrë kryesinë e Shoqërisë Shkollore, por nuk mundi ta mbushë këtë barrë se një tjetër detyrë kombiare e thirri gjetkë. Qani Dishnica ishte i pari, që rrëmbeu armët dhe mori malet për të kërkuar të drejtat kombiare. Të veçanta karaktere të Qani bej Dishnicës janë këto: popullor, i urtë, i ndershëm edhe një atdhetar i vërtetë”. Kurse vdekja e Ymer Zavalani, helmoi gjithkënd: “Me helm të madh lajmërojmë vdekjen e një atdhetari dhe luftëtari të vjetër,Ymer bej Zavalani, i cili mbaroi jetë më 11 të këtij, pas një sëmundje të gjatë. I ndjeri ishte një luftëtar kombëtar edhe në çdo lëvizje kishte marrë anë duke mbrojtur të drejtat kombiare, andaj gjithë atdhetarët myslimanë dhe të krishterë e shpunë me nder të madh te i përjetshmi vend…” (Gazeta Koha, 30 janar 1913). Nuk po harrojmë këtu as, Orhan bej Pojanin, punëtorin e palodhur të gjuhës shqipe

 

  1. Më 2 prill 1914, Abedin efendi Tyxhari luftoi pa iu dhimbsur jeta, kundër bandave greke që synonin aneksimin e Korçës. Sipas studiuesit, Hamza Koçiu. Abedin Tyxhari mori pjesë në komisionin qeveritar për mbrojtjen e Korçës. Anëtarë të komisionit ishin: Emin efendi, Ahmet efendi, Shaqir efendi, Rakip efendi. Abedin efendi Mborja, Miçe Çikozi, Abedin efendi Tyxhari, Andrea Turtulli dhe Xhafer bej Luarasi. Patrioti i ndritur Abedin Seit Tyxhari kurrë nuk e ndau pushkën nga pena dhe asnjëherë nuk u tërhoq në kohën kur Shqipërinë e kërcënonte rreziku i madh i xhonturqve dhe i shovinistëve fqinj”. Gjithashtu, Abedin efendi Tyxhari, u zgjodh anëtar edhe në Komisionin e Marrëdhënieve dhe i të Dërguarve, i cili raportonte gjendjen te autoritetet vendase dhe të huaja. Anëtarë të këtij komisioni ishin: “Kryetar Emin Efendi, anëtarë: Maliq Bej, Ahmet Efendi kryetari i Bashkisë; Shaqir Efendi, Emin Efendi, Rakipi Aga, Abedin efendi Mborja, Miçe Çikozi, Vani Qirko, Abedin efendi Tregtari (Tyxhari), Xhafer bej Luarasi, Mehmet Ali Bej, Rakip Aga Jemenli dhe Andrea Turtulli.”. (Gazeta Koha e shtunë, 24 maj 1914).

 

  1. Dhe megjithëse kishin bërë kaq shumë për Korçën dhe vendin, tashmë në shtëpinë e tyre kishin një të vdekur, për shkak të represionit. Megjithatë, Me t’u përhapur lajmi i vdekjes së Shefqet efendi Tyxharit, lumi i madh i njerëzve u derdh drejt shtëpisë së Tyxharëve. Respekti për njerëzit e këtij fisi ishte i madh. Abedin efendi Tyxhari dhe pasardhësit e tij ishin bamirësit më të mëdhenj të qytetit dhe gjithnjë të heshtur, nuk i kujtonin kurrë mirësitë e tyre, sepse e quanin mëkat. Studiuesi i mirënjohur Ilo Mitkë Qafëzezi, ndërsa gjen rastësisht një një dokument të vitit 1637, ku flitet për një takim, që ndoshta edhe mund të mos ketë ndodhur, ndërsa vëren se aty mungojnë Tyxharët, habinë e tij e shpreh në këtë mënyrë: “Është për të venë re dhe puna se në këtë lidhje kuvendi janë vetëm shtatë rufetëra zanatçinjësh. Mungojnë sidomos isnafi i math i Kondakçinjvet (dyfekçinjtë) dhe ay i Bakërxhinjvet të cilët kanë vlukuar (përparuar) me qindvjete në Korçë, sikurse dhe në Voskopojë. Le këta, po mungojnë dhe korporatat e Tyxharëvet!”. (Revista “Leka”, viti 1936). Pra, për Ilo Mitkë Qafëzezin, Tyxharët janë korporata të mëdha të aktivitetit tregtar. Ata bënin pjesë në shoqërinë “Vëllazëria” që nga viti 1870, vetëm për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Ja kush ishte qëllimi i shoqërisë në fjalë: “Në vitin 1870 në qytetin e Korçës u themelua shoqëria “Vëllazëria e miqve të të vobektëve” që kishin për qëllim ndihmën e të vobektëve pavarësisht nga feja apo kombësia Mungesa e dallimeve të tilla për grupin që synonte të mbështeste do të edhe në përbërje. Kështu anëtarësimi në këtë vëllazëri nuk kushtëzohej nga profesioni apo feja çka e bënte atë shoqëri të vërtetë filantropike. Veprimtaria e saj nuk do të kufizohej vetëm në ndihmën ndaj të mjerëve por edhe në mbështetjen për hapjen e shumë shkollave të krahinës së Korçës.” (Një vështrim historik mbi zhvillimin e filantropisë në Shqipëri, f. 135)

 

  1. Megjithatë erdhi një ditë që i lajmëruan të zbrisnin në bodrum. Tyxharët mblodhën gjërat më të shenjta që kishin dhe dolën. Mes sendeve me vlerë ishin edhe dy vula (myhyrë) të Abedin efendi Tyxharit, si tregtar, dhe emblemën ku spikat një shqiponjë e gdhendur me mjeshtëri. Poshtë saj shkruhet “Rroftë Shqipëria” Me ketë shqiponjë u vulosën copat e flamurit që u ngrit në Korçë më 10 dhjetor 1916. Deri më sot nuk ka pasur ndonjë shpjegim kur u gdhend së pari kjo shqiponjë, por mundësia më e madhe është që kjo emblemë të jetë përgatitur për Komitetin Kombëtar të Fshehtë në Korçë. Gjatë kësaj kohe, Tyxhari shkonte shpesh në Stamboll, tashmë jo vetëm për çështje tregtie. Më 30 shtator 1879, patriotët e atjeshëm kishin krijuar “Shoqërinë e të Shtypurit Shkronja Shqip”, ose siç njihej ndryshe “Shoqëria e Stambollit”, kishin edhe flamurin e shoqërisë së tyre. Ndoshta modeli i shqiponjës ishte marrë prej Shoqërisë së Stambollit. Të tillë ishin njerëzit e fisit Tyxhari në Korçë, gjithnjë mendonin më të mirën për vendin dhe njerëzit.

Shënim: Ky shkrim u referohet dokumenteve të cituara në material dhe kujtimeve familjare të Maksimit, Neimit dhe Abedin Tyxharit