Sigal

Si u gjetën trupat e katër rezervistëve të vdekur

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

Ajo mbahej si njësia më e disiplinuar e ushtrisë shqiptare, dhe të gjithë kuadrot e larta të partisë e të shtetit që kërkonin të vizitonin një repart ushtarak, do ta fillonin pikërisht prej saj: Brigadës së Parë. Por asgjë më shumë se sa një marshim i deformuar i njësisë më të vëzhguar në Grupimin e Tiranës nuk do të çonte në përfundimin e shpejtë se ushtria shqiptare, me norma gatishmërie nga më të lartat në botë, do të dështonte vetëm me një stërvitje 8-ditore. Ajo që lindi si një trill i kryeministrit të atëhershëm, Mehmet Shehut, nuk do të ishte gjë tjetër veç një pararendëse e një dështimi të paparalajmëruar. Urdhri për të zhvilluar një stërvitje të madhe ushtarake, nuk do të jepte rezultatet e pritura dhe për më tepër, në vend të forconte pozitat e kryeministrit do të kthehej në një bumerang që do t’i përdorej kundër tij edhe pasi ai u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit në vilën 30. Në analizën e tekstit, dështimi i operacionit të Brigadës së Parë, në janar të vitit 1979, mund të merret në një konsideratë shumëplanëshe. Ndërsa qëllimi kryesor i këtij dossieri ishte pasqyrimi i asaj ngjarje në ato ditë të ftohta janari, e cila kulmoi në Bizë të Martaneshit, kur ushtarë e rezervistë të paorganizuar, rendnin gati në panik drejt shtëpive të tyre në Tiranë.

Cilat ishin kushtet që shpunë në degjenerimin e një njësie ushtarake, mbiquajtur Brigada e Parë, e që dikur quhej si “lavdia e ushtrisë shqiptare”, në marshimin e saj stërvitor, që ishte veç një imitim lufte pikërisht në kohën e paqes. Tomor Voda, ish-shefi i Stërvitjes së Grupimit të Tiranës rrëfen për ditët e stërvitjes në Bizë të Martaneshit dhe “odisenë” e kthimit të Brigadës së Parë, në efektivin e së cilës numëroheshin të paktën 5 mijë burra:

Kur do të fillonte kthimi i brigadës nga vendi stërvitor?

Ishte data 2 shkurt 1979 kur u dha urdhri për kthim. Por pas kësaj brigada filloi të dilte jashtë kontrollit e drejtimit të komandës. U neglizhuan kontrollet, analizat e konkluzionet paraprake, si dhe urdhrat dhe udhëzimet plotësuese për rikthimin e brigadës në drejtimin nga kishte ardhur.

A do të pasohej me probleme ky kthim i paorganizuar tashmë?

Në mëngjesin e 4 shkurtit informacionet ishin tragjike. Ndërkohë që kishte shumë të dhëna kontradiktore për të vdekur e të mbytur, ndërsa efektivi ishte shpartalluar tërësisht. Për armatimin as që bëhej fjalë. Shumë prej pushkëve dhe automatikëve ishin hedhur. Që nga ai çast, qeveria dha urdhër që, në dispozicion të trupave të mbetura të viheshin të gjitha mjetet e Parkut të Tiranës.

Kemi të bëjmë me një situatë paniku?

Natyrisht. Madje gjendja e panikut kishte përfshirë jo vetëm drejtuesit e ushtrisë, por dhe banorët e kryeqytetit, që interesoheshin për fatin e njerëzve të tyre të afërt. Datat 4 dhe 5 shkurt të vitit 1979 u përdorën për të grumbulluar forcat ushtarake të mbetura në fshatrat e Tiranës.

Cilat do të ishin informacionet përfundimtare rreth viktimave?

Informacionet përfundimtare u bënë publike shumë ditë pas përfundimit të stërvitjes. U konkludua se ishin 4 ushtarë rezervistë të vdekur. Dy prej tyre ishin mbytur në lumin e Erzenit në Shëngjergj, një tjetër u gjend në fshatin Shkallë, ndërsa i fundit u gjend në fund të muajit mars në pyjet e Kostenjës. Ky i fundit u gjend fare rastësisht nga fshatrat e zonës përreth, pasi kërkimi i forcave të ushtrisë aktive të Tiranës nuk dha rezultat. Trupi i tij u gjend i dekompozuar dhe i dëmtuar nga kafshët e pyllit.

Pati vështirësi në gjetjen e trupave të viktimave?

Për të gjetur trupin e rezervistit të humbur, me urdhër nga lart, u bë një kërkimi masiv, pëllëmbë për pëllëmbë, ku ushtarët aktivë ishin të shpërndarë nga Qafa e Priskës në Qafën e Mësekut, e deri tek pylli i Isuf Plloçit në Shën Mëri. Në këtë operacion, ushtria krehu dhe gjithë rajonin: nga Pylli i Deries, Gryka e Skronës e Krojet e Shën Mërisë. Ndërsa një batalion i Brigadës së Parë, krehu të dy anët e rrugës, nga Fushë Studa në Bizë, e deri në Shëngjergj. Rezultati ishte vetëm gjetja e një sërë pajisjesh ushtarake të hedhur nga rezervistët.

A do të kishte një analizë të kësaj situate?

Në datën 5 erdhi urdhri nga Mehmet Shehu, që asnjë person të mos largohet nga njësia. Të gjithë të grumbulloheshin në pikat e tyre të hapjes dhe në mëngjesin e datës 6-të të ndodheshin të rreshtuar në Komandën e Brigadës së Parë

Çfarë ngjyrimesh do të merrte takimi me kryeministrin?

Më datën 6 shkurt, Mehmet Shehu, me kompetencën e Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, urdhëroi që i gjithë efektivi i Brigadës së Parë të ndodhej e rreshtuar në Yzberisht. Sipas këtij urdhri, cilido që do të paraqitej pas kësaj ore, duhet të rreshtohej në një kolonë të ndarë më vete. Mehmet Shehu e kishte ndjekur nga afër këtë stërvitje, ndërsa, kur u informua për shpartallimin e Brigadës mori rrugën për ta parë me sytë e tij. Në rrugë e sipër kryeministri ndesh me një grup rezervistësh të stërmunduar dhe u drejtohet me ashpërsi: “Ç’jeni bërë kështu, si ushtarët e Haxhi Qamilit!?”. Por njëri nga rezervistët, i ishte kthyer, pa iu dridhur syri: “Ne jemi ushtarët e Enver Hoxhës!”. Mehmet Shehu nuk ishte ndjerë pas kësaj përgjigjeje.

Cili do të ishte qëndrimi i Mehmet Shehut përballë 5.000 trupave?

Në datën 6 shkurt, ora 7:00 të mëngjesit Kryeministri i shoqëruar dhe nga ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes e Grupimit të Tiranës, u ngjit mbi podium. Në ato momente askush nuk pipëtinte. Në atë kohë Mehmet Shehu u është drejtuar 5.000 burrave të rreshtuar, me fjalët: “Heshtje! Heshtje varri!” Mbaj mend që kryeministri të përdori një ton tepër të ashpër me efektivin e Brigadës së Parë. Në këtë fjalim, ku ndihej tensioni dhe inat i epërm i tij, ai ka përdorur shprehjet: “Bythpambukët e Tiranës”, “Ikët si derrat dhe u kthyet si lopët”, “Ua prishi mendjen Ballgjini i Dinamos”. Ndërsa u është drejtuar ushtarakëve që ishin paraqitur me vonesë: “Ju atje jeni të murrmë, ndërsa ata që nuk kanë ardhur janë të zinj”.

A pati reagime të kundërta?

Mehmet Shehu i ka folur ashpër edhe për disa nga drejtuesit aktivë, por njëri nga rezervistët ka guxuar të thotë: “Shoku kryeministër, nuk është e vërtetë, oficerët kanë qenë me ne, në krye të detyrës”. Pas fjalimit, Mehmet Shehu kërkoi ta takonte rezervistin në fjalë, i dha dorën dhe e përgëzoi për guximin. Megjithatë, fjalimi i tij ishte me shpërthime të forta emocionale, ku ndihej një elektrizim i papërmbajtshëm. Kuptohet, kishte humbur lavdia e dikurshme. Më pas Mehmet Shehu ka folur për disa situata të ngjashme, që ai kishte kaluar në Luftën e Spanjës, por që ia kishin dalë me sukses. Mbasi ka bërë konkluzionet e tij, tha se Brigada e Parë nuk e plotësoi detyrën e ngarkuar dhe kërkoi të nxirreshin përgjegjësitë dhe të merreshin masat përkatëse. Mehmet Shehu la si detyrë që stërvitja të përsëritej dy javë më vonë, por kjo nuk u miratua nga Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha.

Shkarkimi i drejtuesve

Enveri urdhëron një stërvitje të re

Megjithatë, Tomor Voda thotë se një vit më pas, me urdhër të Enver Hoxhës, u zhvillua një stërvitje shumë e madhe, e koduar nën emrin “Shebeniku ’80”, ku morën pjesë 50 mijë trupa të ushtrisë shqiptare. Në atë kohë, ministër i Mbrojtjes ishte emëruar Kadri Hazbiu. Në këtë kuadër, Brigada e Parë realizoi edhe një herë stërvitjen, që u cilësua e dështuar. Për sa i përket masave, Tomor Voda thotë se të paktën 10 oficerë i kaluan gjyqit ushtarak dhe u dënuan me burgim, ndërsa 10 të tjerë u transferuan në detyra më të ulëta. U dënua për agjitacion e propagandë, shefi i Mbrojtjes Kundërajrore të Brigadës së Parë, Sabri Mahmutaj. U lëvizën e shkarkuan: Petrit Vërlaci (Ramizi), drejtor i Përgatitjes Ushtarake të Ushtrisë, Bejto Isufi, komandanti i Grupimit të Tiranës, Bajram Sadiku, sekretar i Komitetit të Partisë të Grupimit, Bekim Duka, Latif Zoto etj.. Edhe vetë Tomor Voda u përball me hetuesinë, por ai shprehet se nuk gjetën asnjë gjë ku të kapeshin, pasi këtë stërvitje, në të 8 ditët e saj, e ndoqi hap pas hapi.

Konkluzioni

Brigada u shpartallua atje ku mori lavdinë

Brigada e Parë e Këmbësorisë, ose siç njihej ndryshe Reparti 1105 ishte vazhduese e Brigadës së Parë Sulmuese, të krijuar në 15 Gusht 1943 në Vithkuq të Korçës. Tomor Voda thotë se, edhe pse kishin kaluar vite, efektivi i saj jetonte me imazhin e lavdishëm. “Kuadrot që shërbenin në këtë brigadë, ecnin më shpejt në karrierën ushtarake. Ishte një ndër brigadat më të kompletuara të ushtrisë, tek e cila zhvilloheshin mjaft stërvitje treguese dhe eksperimentale në shkallë ushtrie”, shprehet Voda. Detyra e parë kryesore e brigadës, ishte mbrojtja e kryeqytetit, kryesisht nga desanti ajror dhe detyra e dytë e saj, si rezervë e Komandës së Përgjithshme, të ishte e gatshme të vepronte në ndihmë të njësive operative, që vepronin në drejtim të bregdetit, apo në kufirin verilindor. “Veçanërisht, nga viti 1975-1978, pas asgjësimit të grupit “puçist” në ushtri, Mehmet Shehu, në atë kohë kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, ndoqi nga afër stërvitjet treguese. Motivi i kësaj ishte për të hedhur poshtë “teorinë e rrëshqitjes” të “grupit armiqësor”, thotë ish- shefi i Stërvitjes së Grupimit. Disa nga këto stërvitje ishin: “mbrojtja e terrenit të fortifikuar dhe tepër të fortifikuar”, “mbrojtja nga sulmet masive të tankeve”, “mbrojtja nga armët e dëmtimit në masë”, “mbrojtja e mësymja kundër desantit ajror e grupeve zbuluese-diversioniste”. Por, përkrah arritjeve në brigadë ishin vërejtur probleme shqetësuese, që lidheshin kryesisht me disiplinën, por në një farë mase ato ishin fshehur. Viti 1979, 35-vjetori i çlirimit të vendit, e gjeti brigadën në kulmin e euforisë. Kjo lloj euforie e lavdie propagandohej në të gjitha materialet, brenda e jashtë armës së ushtrisë. Goditjet e herëpashershme të ushtarakëve, e në veçanti, pas vitit 1974, bënë që historia e brigadave të tjera partizane të venitej e të minimizohej. Por viti 1979 ishte një vit fatal për Brigadën e Parë, pasi atëherë mori goditjen më të rëndë. Tomor Voda thotë se nuk do të merrte mundimin që të fliste për ngjarjen, nëse ajo nuk do të koordinonte me mendimin se shpartallimi i brigadës nuk mund të ishte i rastësishëm. Ajo u shpartallua në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë, ku 35 vjet më parë mori lavdinë.