Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj/ Prijësi dhe drejtuesi ushtarak

963
Sigal

(Në kuadrin e 200 vjetorit të lindjes të Heroit të Popullit, Sulejman Vokshit)

 Sulejman Vokshi lindi më 20 shkurt 1815 në qytetin e Gjakovës në një familje me tradita të shquara patriotike dhe luftarake. Ai është veprimtar, atdhetar dhe figurë e shquar e Lidhjes së Prizrenit. Në rrugën luftarake për 50 vjet, Sulejmani ka shpalosur në të gjithë veprimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur luftarake, edhe një dimension, atë prej prijësi dhe drejtuesi ushtarak. Veprimtarinë patriotike e filloi që në moshën djaloshare. Në vitet 40 të shek. XIX mori pjesë me armë në dorë kundër Reformave të Tanzimatit dhe për këtë Porta e Lartë e kishte arrestuar, burgosur dhe internuar mbi 15 herë. Vet Sulejmani, nuk kishte ndjekur studimet e nuk kishte diplomë të ndonjë shkolle apo akademie ushtarake klasike, por ai me zgjuarsinë dhe intuitën e tij natyrale njihte dhe kishte përvetësuar në arsenalin e tij një numër të madh elementesh të artit ushtarak të zbatuar në mënyrë krijuese, të pleksur mirë me artin tradicional popullor dhe me taktikën e luftës popullore të trashëguara nga paraardhësit.

Kur u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 10 qershor 1878, ai ishte një udhëheqës popullor, me autoritet dhe i njohur në të gjithë Kosovën e në trojet shqiptare. Lidhja gjeti tek Sulejman Vokshi organizatorin dhe udhëheqësin e talentuar ushtarak. Këto aftësi të tij dolën më në pah në aksionin e Gjakovës dhe në luftimet kundër ushtrive malazeze për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë, në dimrin e vitit 1879-1980.

Lidhja Shqiptare Prizrenit e gjeti Sulejman Vokshin e përgatitur në të gjitha drejtimet si luftëtar e udhëheqës të shquar popullor dhe me koncepte të qarta politike e ushtarake. Ai ishte një nga nismëtarët e themelimit të saj dhe gjatë veprimtarisë së Lidhjes, një ndër udhëheqësit kryesorë, politikë e ushtarakë, anëtar i Komitetit Qendror dhe përfaqësues konsekuent i krahut revolucionar të saj. Ai qëndroi jo vetëm në ballë të luftës për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare, por edhe të luftës për realizimin me forcën e armëve të autonomisë së mbarë trojeve shqiptare, e kushtëzuar nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme, e luftës për fitoren e pavarësisë së plotë.

Qeveria e përkohshme e Lidhjes shqiptare e ngarkoi me detyrën e udhëheqësit ushtarak të Forcave të Armatosura të ushtrisë kombëtare të saj, ishte kryetar i komisionit të të ardhurave dhe i financave. Ishte drejtues i Degës së Lidhjes për Gjakovën dhe një nga organizatorët e ngjarjeve të saj që shpunë në vrasjen e mareshalit osman,Mehmet Ali Pashë Maxhari. Si anëtar i Shtabit ushtarak të Lidhjes, Sulejman Vokshi ishte një nga udhëheqësit e luftëtarëve shqiptarë në betejat për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, që shpunë në shpartallimin e forcave të Malit të Zi. Me shpalljen e autonomisë dhe krijimin eKuvernës së Përdorme, ishte, krahasAbdyl Frashërit,Ymer Prizrenite të tjerëve, në krye të kësaj me cilësinë e komandantit të Forcave për mbrojtjen. Forcat e Lidhjes nën komandën e tij brenda një kohe fare të shkurtër e shtrinë pushtetin popullor administrativ e ushtarak të Lidhjes në Shkup, në Prishtinë, në Mitrovicë, në Lumë, në Guci, në Vuçiternë e në Preshevë etj. Nën drejtimin e tij, si kryetar i shtabit të forcave shqiptare dhe me pjesëmarrjen e tij direkte, u zhvillua edhe lufta heroike për mbrojtjen e Lidhjes në Shtimje e Slivovë kundër forcave osmane tëDervish Pashës.

Kulmi i veprimtarisë politike e ushtarake të të tij lidhet me luftën dhe përpjekjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të realizuar me forcën e armëve autonominë e Shqipërisë. Në Qeverinë e Përkohshme të Lidhjes, ai u caktua shef i seksionit ushtarak të saj me atributet e ministrit të Mbrojtjes dhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Brenda një kohe të shkurtër dhe nën drejtimin e Tij, Lidhja organizoi një ushtrinë e rregullt shqiptare.

Duke qenë në krye të kësaj ushtrie, filloi dhe realizoi çlirimin e tokave shqiptare nga administrata osmane. Ushtria e Lidhjes fillimisht në mënyrë të organizuar ndërpreu linjat telegrafike, rrethoi dhe detyroi administratën osmane që me sulm nga jashtë qendrës së banuar dhe me kryengritje nga brenda, i detyroi garnizonet ushtarake osmane të mbylleshin në kazerma dhe të respektonin autoritetin e urdhrat e Lidhjes. Administratën osmane, kudo, e shpërndau dhe komitetet vendore të Lidhjes merrnin drejtimin vendor, me punonjës shqiptarë. Në dhjetor të vitit 1880 ishin çliruar plotësisht dhe kishin administratën e tyre në Prizren, në Gjakovë, në Lumë dhe në Guci. Ndërsa në janar dhe në shkurtit të vitit 1881, ushtria e Lidhjes çliroi Prishtinën, Shkupin dhe Mitrovicën duke marrë nën kontroll dhe linjat hekurudhore. Autoriteti i saj shumë shpejt u instalua dhe në Tetovë, në Gostivar e në Dibër.

Në këtë periudhë të shkurtër kohorë Qeveria e Përkohshme e Lidhjes, nuk pati kohë të organizonte si duhej, si pushtetin dhe forcat ushtarake në të gjitha vilajetet e Shqipërisë. Porta e Lartë vendosi ta shtypte Lidhjen e Prizrenit. Ajo dërgoi Dervish Pashën me disa gjeneralë dhe me një ushtri me mbi 30 batalione, të pajisura me teknikën më moderne të kohës, me topa, me bateri malore dhe me municione të bollshme. Trupat osmane fillimisht morën Shkupin dhe Ferizaj. Misioni kryesor i tyre ishte qendra e Lidhjes, qyteti i Prizrenit. Lidhja dha kushtrimin. Shqiptarët sipas traditës nxorën burrë për shtëpi dhe rrokën armët. Mjaft luftëtarë iu përgjigjën thirrjes së Lidhjes.

Sulejman Vokshi gjatë mobilizimit të forcave dhe organizimit të qëndresës, kujdes i kushtoi informacionit. Ai mori të dhëna dhe informoi shtabin e ushtrisë shqiptare dhe dha dizinformacion për të mashtruar armikun. Kështu, mori masa dhe vendosi roja të përhershme, të cilat mbanin nën kontroll veprimet e nëpunësve të telegrafës së Prizrenit dhe të qyteteve të tjera. Telegramet e Dervish Pashës i lexonte Sulejman Vokshi dhe asnjë telegram i autoriteteve osmane nuk shkonte në destinacion. Sipas porosisë së Vokshit Stambolli edhe vet, Dervish Pasha u dizinformoheshin nga nëpunësit e telegrafës. Numri i luftëtarëve të Lidhjes në këtë kohë arriti deri në 45.000 veta. Informata ku të rreme, e ku tronditëse, futën panik e frikë në shtabin e Dervish Pashës. Siç do të shprehej dhe konsulli austro-hungarez, Krenvill, në raportin që i dërgonte Vjenës, se komandantët e ushtrisë osmane në përgjithësi ndjejnë një frikë të madhe nga forcat e Lidhjes. Kështu, komandant Vokshi, po përpiqej të fitonte kohë për vazhdimin e punës dhe për mobilizimin e forcave.

Sulejman Vokshi me Shtabin ushtarak të Lidhjes përcaktoi në kohë dhe drejt rajonet e mbrojtjes, pozicionet, në të gjithë gjerësinë dhe thellësinë e saj. Brezi i mbrojtjes të forcave të Lidhjes shkonte deri në 10 km gjerësi dhe nga 18 deri në 25-30 km thellësi. Formacioni luftimit sipas detyrës së vendosur nga shtabi i luftës u ndërtua në dy skalione. Në skalionin e parë që përshkruante vijën Zaskok-Nerodime-Slivovë u përqendruan repartet pararojë që shkonin deri në 2.000 luftëtarë dhe në skalionin e dytë Shtimlje-Topican u përqendruan forcat kryesore me rreth 4.000 luftëtarë.

Komandant Vokshi i mbajti forcat kryesore në skalion të dytë. Këtë ai e bëri për të pasur mundësi manovrimi dhe goditjeje të befasishme nga një drejtim në tjetrin, sipas situatës që do të merrte luftimi. Ndërsa vendkomandën dhe Shtabin e vendosi në Shtimlje që të mbante lidhje telegrafike dhe me korrierë me qeverinë e Lidhjes. Forcat osmane sulmuan më 16 prill në drejtim të Slivovës, por forcat shqiptare, me qëndresë dhe të mirë organizuara e të fortifikuara, e përballuan sulmin osman. Për katër ditë e netë i mbrojtën pozicionet para kodrave të Silovës. Ndërsa me 20 prill, në mëngjes Dervish Pasha, sulmoi në shkallë të gjerë në të gjithë vijën e skalionit të parë në Slivovë, në Shtimlje dhe në Grykën e Caralevës, me synim pushtimin e Prizrenin. Mbi 15.000 ushtarë osmanë sulmuan në tri drejtime: në drejtim kryesor, me 7 batalione kundër Shtimljes, në të majtë, kundër Slivovës, me 6 batalione dhe në të djathtë, kundër Grykës së Caralevës. Ndërsa Dervish Pasha, me dy bateri topash e dy batalione sulmoi Slivovën, ku zuri një kodër të vogël, prej nga drejtonte zjarrin e artilerisë. Pas luftimeve të ashpra në Slivovë, luftëtarët e Lidhjes u tërhoqën në mënyrë të organizuar. Ata organizuan qëndresë në Shtimlje e në Grykë të Caralevës. Në këto beteja madhore u shfaq heroizmi masiv i luftëtarëve shqiptarë, ku ranë duke luftuar rreth 1200 luftëtarë.

Në luftimet e zhvilluara nga Forcat e Lidhjes u zbatua me mjeshtëri taktika tradicionale e luftës popullore. Komandanti ushtarak i ndau forcat në grupe të vogla, nga 80-200 luftëtarë, të cilat me sulme e kundërsulme, nga lart poshtë, në kodrat e Slivovës, i rrëmbyen në fillim armikut iniciativën në shkallë taktike. Kronisti i kohës do të shkruante, se prita dhe presioni i shqiptarëve u bënë aq të papritura sa, në çastin e parë ushtria osmane u detyrua të tërhiqej. Sulmi i shqiptarëve u përsërit disa herë. Dervish Pasha pruri në kodrën përbri Slivovës dhe 6 topa, të cilët hapën zjarr… më shumë se një orë e gjysmë. Mic Sokoli nga Malësia e Gjakovës, duke parë dëmin që shkaktonte bateria osmane, me disa luftëtarë sulmuan drejt kodrës për ta asgjësuar baterinë, por ranë heroikisht, aty, para grykave të topave. Zjarri i artilerisë solli pasoja të rënda për forcat e skalionit të parë, të cilat u detyruan të tërhiqen drejt Shtimljes, nga pozicioni në pozicion.

Luftëtarët shqiptarë në këto beteja ndërmorën veprime të ndryshme taktike, të studiuara me zgjuarsi e trimëri. Veprimet kryheshin si ditën, ashtu dhe natën, duke ruajtur fshehtësinë e siguruar befasinë mbi armikun. Komandant Sulejman Vokshi kishte bërë plan dhe u përpoq të asgjësonte shtabin e forcave osmane me Dervish Pashën në krye. Një vend të veçantë në sigurimin e goditjeve të befasishme zuri dhe kalorësia shqiptare. Në Shtimlje shqiptarët vunë në pozicionet e tyre kësulat e bardha, manovruan e goditën në mënyrë të befasishme osmanët.

Forcat e Lidhjes me taktikën e tyre arritën të kompensionin mangësitë që kishin në armatim. Ushtria e Lidhjes ishte e pajisur me pushkë me çark që mbusheshin nga gryka, duke i humbur shumë kohë luftëtarit dhe nuk e hidhnin plumbin më shumë se 100-120 metra, ndërsa ushtria osmane ishte e pajisur me pushkë dhe me shumë fishekë të bollshëm, me pushkë të prodhimit amerikan dhe anglez, me topa gjerman dhe mitraloza amerikan, që kishin nga 6 deri në 12 gryka. Pushkët martin që kishte ushtria e Lidhjes ishin të pakta dhe kishin shumë pak fishekë për të luftuar. Në këto kushte luftëtarët shqiptarët përdorën me sukses luftimin e afërt, pritën, e deri luftimin trup me trup që zgjati disa orë në Shtimlje. Armiku goditej me thika, me jataganë, me kosë, me sfurk, me drapër, me sëpatë, me dajak, si dhe përdorej bari i thatë dhe vajguri etj. Në sajë të përdorimit të luftimit të afërt, shqiptarët mundën të ulnin në një shkallë të madhe efektin e pushkëve, dhe sidomos të artilerisë dhe i shkaktuan armikut humbje.

Kodrat e Slivovës e të Shtimljes, të cilat ngrihen në një lartësi nga 40-170 metra, ishin të zhveshura përballë artilerisë osmane. Dhe pse ishin ndërtuar transhe e pozicione, nuk ishin të përshtatshme për mbrojtje. Dokumente gjermane, theksojnë se Dervish Pasha e priste rezistencën e shqiptarëve në Grykën e Caralevës. Në fakt, në Grykën e Caralevës u organizua një betejë e fuqishme dhe u bë një qëndresë titanike. Sulejman Vokshi dhe drejtuesit ushtarak të Lidhjes prisnin të vinin nga Prizreni, forca të tjera të Lidhjes. Ato erdhën, por me vonesë dhe ushtria osmane e kishte kaluar Grykën e Caralevës. Këto forca ishin të pakta. Bashkë me këto, shtabi i Sulejman Vokshit organizoi një qëndresë më 21 prill në Qafën e Duhlës. Këtu u zhvilluan luftime të ashpra. Luftëtarët shqiptarë u detyruan të tërhiqen. Dervish Pasha, e theu qëndresën në portat e Prizrenit, në Suharekë dhe hyri me mjaft batalione në Prizren më 23 prill.

Epërsia e madhe në njerëz dhe në teknikë ishte i vetmi faktor që i detyroi forcat e Lidhjes të tërhiqeshin. Ata u tërhoqën me mjeshtëri dhe luftuan ditë të tëra me heroizëm. Në këto luftime e beteja, forcat e Lidhjes organizuan dhe luftë frontale. Që nuk u përballuan forcat osmane si duhet, kjo lidhet më armatimin e tyre të pakët në numër, të vjetruar, me mungesa në municion, si dhe me numër të pakët të luftëtarëve.

Sulejman Vokshi, pas betejave në Slivovë, në Shtimlje e në Caralevë, i riorganizoi forcat në grupe të vogla dhe me shpejtësi i kaloi nga lufta frontale, në luftën e çetave. Kjo ishte një tërheqje operative-strategjike, e domosdoshme për të ruajtur forcat e për të vazhduar luftën në të ardhmen. Në thelb ky veprim taktik ishte një operacion kalimi, i cili për rëndësinë që ka e vështirësitë që paraqet, tregon për përvojën e madhe luftarake të Sulejman Vokshit dhe të luftëtarëve të Lidhjes. Ky kalim tepër i vështirë u realizua pa ndërprerje të veprimeve luftarake, në tërheqje e sipër, duke i ndarë repartet në grupe të vogla, e duke shfrytëzuar mirë e me mjeshtëri terrenin malor.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp. Sulejman Vokshi me shumë luftëtarë u tërhoqën në Malësi të Gjakovës. Në këtë krahinë, me male të larta, e me një popullsi, që pati përkrahur aktivisht Lidhjen, ai organizoi qëndresë të pakapërcyeshme për forcat e ushtrisë osmane. Malësia e Gjakovës e mbrojtur nga 3.000 luftëtarë, me Sulejman Vokshin, mbeti zonë e lirë, bazë e luftëtarëve, ku, herë pas here, u ndërmorën sulme kundër garnizoneve osmane në Gjakovë, në Pejë e në Prizren. Në shkurt 1885, përsëri nën udhëheqjen e Sulejman Vokshit shpërthye një kryengritje tjetër e fuqishme. Por Stambolli dërgoi forca të mëdha ushtarake. E shtypi kryengritjen dhe në pabesi e zuri Sulejman Vokshin. Gjykata ushtarake në Prizren e dënoi me vdekje, kurse familjen e tij me internim të përjetshëm në Fezan të Tripolit. Në vendimin e gjykatës osmane thuhej se fama që ka fituar Sulejman Vokshi për veprimtarinë e efektshme e të fuqishme antishtetërore… dihet nga e gjithë bota. Ai ka qenë organizator, frymëzues dhe pjesëmarrës i të gjitha akteve e veprimeve të kryengritësve që kanë ndodhur gjer tani në këto anë, si dhe kreu i krerëve të të gjithë kryengritësve. Ky ishte vlerësimi më i saktë që i bënte kundërshtari i tij. Por, për shkak të popullaritetit të Tij dhe të presionit të lëvizjes kombëtare shqiptare, shteti osman u detyrua ta kthente dënimin me vdekje, në dënim me burg, e më pas, ta lironte komandantin e Lidhjes.

Për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë dhe kudo që ata janë, Sulejman Vokshi përfaqëson figurën madhështore të atdhetarit dhe luftëtarit të rrallë në luftërat për liri dhe autonomi të Shqipërisë. Por, veç këtyre cilësive të rralla, ai ishte dhe u shqua midis bashkëluftëtarëve si: një prijës dhe drejtues me veçori natyrale, i përmasave të mëdha në organizimin e forcave të rregullta dhe në drejtimin e veprimeve të shumta luftarake. Për këto, për kontributin e tij të veçantë në çlirimin dhe pavarësinë e trojeve shqiptare, ai çmohet dhe nderohet shumë nga shqiptarët, por jo vetëm. Ai është bërë pjesë e kahershme dhe e padiskutueshme e historisë sonë kombëtare. Por ai është edhe pjesë e historisë ushtarake shqiptare, për ato dukuri dhe të veçanta që solli në fushën e artit dhe të mendimit ushtarak shqiptar.

Populli shqiptar e ka përjetësuar birin besnik të tij, komandantin e shquar në këngët e në vepra letrare, në piktura dhe skulptura etj. Në kuadrin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shteti shqiptar i dha Sulejman Vokshit titullin, Hero i Popullit.