Seit Jonuzaj/ E vërteta për motosilurueset, Greçkon, Hoxhën, Zhukovi në Sazan

1089
Në dy numrat e gazetës “Telegraf”, lexova shkrimin e Dr. Sulejman Abazajt rreth historikut të ishullit të Sazanit. E lexova me vëmendje, jo vetëm se e njoh autorin dhe e vlerësoj për shkrimet dhe botimet e tij, por edhe për faktin se edhe unë jam një ish ushtarak që kam shërbyer e banuar familjarisht dy herë në ishullin e Sazanit (në vitet 1953-55 dhe 1963-65) si kuadër drejtues i forcave detare të bazuara atje. Por edhe gjatë kohës që kam pasur detyrën e anëtarit të shtabit të Flotës Ushtarako-Detare dhe nuk shërbeja në Sazan, isha i lidhur me të, ashtu sikurse edhe me bazën e Pashalimanit etj. për shkak të detyrës që kisha. Shkrimi në fjalë ka vlera jo të pakta njohëse e tërheqëse për lexuesin, për sa i përket historikut të Sazanit. Por krahas vlerave, dëshiroj të vë në dukje edhe disa pasaktësi në atë shkrim. Unë, së bashku me një grup oficerësh e detarësh të forcës detare jemi dërguar nga Durrësi në ishull në tetor 1953 me detyrë që të përgatisnim bazën e shkatërruar të Sazanit për pritjen e anijeve të reja që do të vinin së shpejti nga Bashkimi Sovjetik (BS) dhe ne do t`i merrnim ato në dorëzim, duke u bërë edhe efektivat e tyre. Ato ishin anije të lehta bashkëkohore, të shpejta për goditje të fuqishme me silura. Pra ishin motosiluruese, që fillimisht u quajtën MAS (nga shkurtimi i fjalëve motoskafë të armatosur me silura), por që më vonë u fut terminologjia ruse duke i quajtur katera silurues (kater nga anglishtja cutter-lundër, skaf). Priteshin të vinin gjithsej 6 anije të tilla. Më 15 dhjetor mbërritën 3 prej tyre dhe në janar 1954 mbërritën edhe 3 të tjerat, pra u bënë 6 e jo 12, siç thuhet në shkrimin e S. Abazaj. Reparti i ri detar i krijuar me këto motosiluruese u quajt Skuadrilje. Përveç një ekuipazhi sovjetik prej 7-8 vetësh dhe të një këshilltari pranë komandës së skuadriljes, asnjë personalitet i lartë nuk e vizitoi bazën e Sazanit, as i vendit e as i huaj. Edhe ekuipazhi sovjetik pak kohë qëndroi sa për dorëzimin e anijeve dhe instruktimin e stërvitjen e ekuipazheve tona dhe u largua, duke qëndruar aty vetëm këshilltari. 
Mareshali Greçko, Enver Hoxha dhe Zhukovi
Pra, më 1954 mareshali sovjetik Greçko, jo vetëm që nuk ka bërë ndonjë dorëzim anijesh prej 12 motosiluruesesh, por as ka shkelur në Sazan në atë kohë. E vërteta është se ishte projektuar të vinin më 1956 edhe 6 motosiluruese të tjera nga BS që të bëheshin dy skuadrilje, u krijuan dhe organikat përkatëse që u kompletua me shtab dhe ekuipazhe për to, por në kuadrin e shkurtimeve që u ndërmorën në atë kohë në Forcat e Armatosura, ku u liruan edhe shumë oficerë, kryesisht pa shkollimin e duhur ushtarak, si dhe një pjesë ushtarësh, u anulua ardhja e 6-shes së dytë. Pas vitit 1961, kur marrëdhëniet shtetërore me BS u ndërprenë dhe vendi ynë intensifikoi marrëdhëniet në të gjitha fushat me Republikën Popullore të Kinës që forcat detare shqiptare u fuqizuan me një numër të madh motosiluresesh dhe disa anije patrullimi bregdetar. Më poshtë në shkrim thuhet: “Në prill të vitit 1954, për t`i përgëzuar në realizimin me sukses të detyrave nga efektivat detare, Enver Hoxha viziton Pashalimanin dhe ishullin e Sazanit”. Edhe kjo nuk qëndron. Pashalimani si bazë është ndërtua më 1958. Deri në këtë kohë ai ka qenë një vend i shkretë i pa populluar. Ç’do kërkonte Enver Hoxha aty në atë vit?! Po as në Sazan nuk ka ardhur ndonjë herë. Edhe një herë që u nis të vinte, ca vite më vonë, për të shoqëruar në Sazan Ministrin e Mbrojtjes të BS, mareshallin Zhukov, këtij i mbërriti mandata e shkarkimit që i kish bërë Hrushovi nga të gjitha funksionet dhe motosilurusja që po i sillte në Sazan,nuk arriti deri në port, se u urdhërua të shkonte në Durrës për të çuar sa më shpejt Zhukovin që e priste avioni në Tiranë për t`u larguar nga Shqipëria. Ne ushtarakët e ishullit, detarë e tokësorë, bashkë me nënën e moshuar të komandantit të grupit të artilerisë bregdetare Adem Xhakajt, “Dada”, siç i flisnin, me një kulaç bukë e kripë në duar për të pritur mikun sipas zakonit dhe një grup pionierësh, të rreshtuar në sheshin pranë molit, duke qëndruar minuta jo të pakta në pritje të mbërritjes së mysafirit të lartë, heroit legjendar të Luftës II Botërore, u ngushëlluam vetëm me një përshëndetje telegrafike që na dërgoi Zhukovi gjatë kalimit para Sazanit. Të dëshpëruar që na vajti pritja dëm, u shpërndamë. Edhe ekuipazhet e nëndetëseve, që erdhën më 1958, nuk u përgatitën as në Baku, e as në Leningrad, por të nisur nga Durrësi shkuan vetëm në Sevastopol ku bënë trajnimin disamujor në bazën e nëndetëseve. Ndërsa në ato qytete të tjera që përmend autori kemi mbaruar akademitë e Detarisë ne kuadrot detare, por me profil të përgjithshëm detar për të gjitha llojet e anijeve, mbiujëse e nënujëse. Kjo është e vërteta. Megjithatë, nuk mendojmë se pasaktësitë e mësipërme ia ulin vlerat shkrimit. Ato i vumë në dukje vetëm për hir të së vërtetës, pra për saktësim të ngjarjeve.
Sigal