Prof.Dr.Bardhyl Çipi: Pasqyrimi shkencor dhe i neurokirurgjisë dhe mjeksisë forensike për vdekjen e Trockit

1036
Sigal

Nga Prof.Dr.Bardhyl Çipi –

Shqyrtimi i të gjithë këtyre të dhënave dokumentare mjekësore për dëmtimin vdekjeprurës të Trockit, një nga personalitetet më të shquara të shekullit XX, mjekimi dhe autopsia e tij pas vdekjes, tregon se ato janë kryer nga specialistët më të shquar të shkencave të neurokirurgjisë dhe të mjekësisë ligjore të asaj kohe në Meksikë.

Për këtë arsye, në bazë të tyre, mund të bëhet një vlerësim dhe vërejtje nga pikëpamja historike, për nivelin e këtyre shkencave mjekësore në atë periudhë.

Kështu nga përshkrimi që i bëhet trurit në autopsi, nuk ka një sqarim bindës për shkakun e vdekjes, nuk ka asnjë përshkrim në lidhje me mundësinë e zbulimit të një hernieje  trunore transtentoriale (dalje e lëndës trunore mbi cipën e fortë të trurit të vogël) apo tonsilare (dalje e lëndës trunore nëpërmjet vrimës së madhe oksipitale), të pritshme në këtë rast për shkak të ënjtjes (edemës) të shprehur të trurit. Sipas literaturës botërore përkatëse, evidentimi i tyre është bërë që në vitin 1920.

Zbulimi i tyre do të shërbente për një përcaktim më bindës të shkakut të vdekjes.

Në kohën e sotme për kryerjen e një ekzaminimi sa më të plotë dhe të saktë të trurit, në shumë institute mjekoligjore, pas autopsisë truri zakonisht  pa u hapur, futet në një enë me formalinë 10%ku qëndron për 3 – 4 javë. Në këtë mënyrë truri me të gjithë formacionet e tij konservohen dhe fiksohen, gjë që e lehtëson pas kësaj kohe,kur ai do të hapet, zbulimin  më të saktë me anën e syrit (makroskopike) të  të gjitha ndryshimeve dhe dëmtimeve të trurit.

Në shenjat vdekjeprurëse u theksua zbulimi i hemorragjisë brenda barkusheve të trurit, e cila është konsideruar në vetvete me ecuri fatale që në shekullin XIX.

Për fat të keq pas vdekjes kufoma u dogj, duke e bërë kështu të pamundur një ekzaminim të ri të saj.

Po kështu, në autopsi nuk rezulton që të jenë marrë materiale nga kufoma dhe truri i saj, për ekzaminimin mikroskopik të tyre, gjë që do të rriste saktësinë e përcaktimit shkencor të shkakut të vdekjes.

Gjithashtu në dokumentet e shqyrtuara nuk ka asnjë vlerësim krahasues mjekoligjor dhe kriminalistik të përmasave të armës vrastare me ato të dëmtimeve në lëkurë dhe kockat e dëmtuara të kafkës.

Më në fund nuk duhet harruar edhe fakti, që hapja e kafkës në operacion (kraniektomia) me anën e trepanacionit, u bë shumë e vogël, vetëm 25 cm2. Kështu që nuk u arrit të shihej hemorragjia nën cipën e fortë të trurit (hemorragjia subdurale), prania e së cilës duhej të ishte dyshuar para fillimit të operimit (pas goditjes së Trockit, ai arriti të fliste, gjë që tregon se ka pasur një interval lucid që është tipik në hemoragjitë e cipave të trurit), po kështu nga kjo hapje e vogëlnuk u arrit të bëhej  e mundur këqyrja e të gjitha strukturave trunore, edemës së trurit që mund të ishte shoqëruar me hernie etj. Në fakt, përvoja neurokirurgjikale ka provuar se hapjet e mëdha të kafkës me anën e trepanimit, kanë ndikuar në pakësimin e efektit shtypës të edemës trunore.

Sikurse shprehet MD Enrique Solo-Perez-de Celis (Death of Leon Trotsky. Neurosurgery, Volume 67, Issue 2, August 2010, pp.417 – 423):

“ Vdekja e Trockit ndodhi më shumë nga neurotrauma sesa nga hakmarrja dhe urrejtja. Mjekët kirurgë dhe neurokirurgë që e operuan dhe mjekuan gjatë orëve të fundit të jetës së tij, me mjetet që kishin në dispozicion dhe në një situatë me dëmtime të rënda të trurit, bënë aq samundën. Megjthatë këto orë të fundit të jetës së Trockit do të konsiderohen një moment i rëndësishëm në historinë e neurokirurgjisë të Meksikës dhe në historinë botërore”.

 

Trocki dhe Shqipëria

Trocki është ndeshur për herë të parë me Shqipërinë dhe Shqiptarët në vitet 1912 -1913, kur ai vizitoi Kosovën dhe Maqedoninë si korrespondent i gazetës më të përhapur të Rusisë Jugore, “Kijevskaja Misl (mendimi i Kievit)”.

Në raportet e dërguara prej tij, të botuara nga kjo gazetë, ai shfaq indinjatën për faktet tronditëse të luftës ballkanike 1912 – 1913, për dhunën dhe gjenocidin sllavo – serb kundër shqiptarëve. Ato janë rrëfime autentike të tmerrshme dhe të llahatarshme, të cilët përshkruajnë vrasjet mizore, masakrimet dhe shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.

Një përshkrim i tij, në njërin prej këtyre raporteve është me të vërtetë prekës:

“Ika i tmerruar se do të kishte qenë pa dobi çdo përpjekje për t’u dalë shqiptarëve në mbrojtje……..ika i tmerruar për të mos dëgjuar britmat e shkaktuara nga dhimbjet… nuk isha në gjendje as t’i ndihmoja”.

Në debatin, me një prej figurave politike sllavofile të asaj kohe, P.N.Miljukov, ai shprehet në këtë mënyrë: “Ç’ka keni për të thënë lidhur me këto metoda për të siguruar fitoren e elementit sllav….. a nuk ju bën ju bashkëfajtorë për këto akte shtazarake, të cilat do të lënë damka të zeza për tërë epokën”.

Pikërisht këto krime të tmerrshme të serbëve ndaj shqiptarëve, kanë lënë siç duket mbresa te Trocki duke krijuar një simpati për popullin shqiptar, sikurse ndodhi disa kohë më vonë.

Në vitin 1917 pas fitores së revolucionit rus, Trocki, duke qenë komisar për çështjet e jashtme të Rusisë, denoncoi duke e zbuluar dhe bërë publike Traktatin e fshehtë të Londrës, të nënshkruar në muajin prill të vitit 1915, midis Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë Cariste, për copëtimin e Shqipërisë.

Ky veprim iTrockit u prit me mirënjohje në Shqipëri ndaj tij dhe shtetit sovjetik të asaj kohe. Nga ana tjetër denoncimi ikëtij traktati u shoqërua me një indinjatë të thellë në opinionin përparimtar ndërkombëtar dhe në popullin tonë ndaj Italisë dhe vendeve të tjera fqinje që kërkonin të mos ekzistonte më shteti shqiptar.

Për fat të keq, në kohën e regjimit komunist, pas vitit 1944, Trocki është konsideruar si një nga figurat më të urryera.Kjo për arsyen se ai ishte disidenti i parë ndërkombëtar kundër qeverisjes diktatoriale në Bashkimin Sovjetik.

Ky model qeverisjeje fatkeqësisht sundoi edhe në Shqipëri për një periudhë 40-vjeçare. Diktatori komunist Enver Hoxha, me një edukatë dhe kulturë perëndimore, në vend që të mbështeste qëndrimet përparimtare, antifashiste, socialiste dhe antikomuniste, me të cilat u brumosën të gjithë intelektualët e ndershëm shqiptarë të asaj kohe që studiuan dhe jetuan për shumë vite në këto vende të zhvilluara demokratike, bëri të kundërtën, u kthye në një pasues besnik të diktatorit Stalin.

Kështu duke filluar që gjatë luftës për çlirimin e vendit nga pushtimi fashist, ai zbatoi me fanatizëm direktivat e Stalinit dhe eliminoitë gjithë patriotët shqiptarë që ishin mbështetës të Trockit.

Padyshim që rasti më tipik i këtyre eliminimeve është ai Zai Fundos, një intelektual i shquar demokrat dhe patriot shqiptar, që sikurse Trocki, i zhgënyer plotësisht nga praktikat kriminale të komunizmit në Rusi, kur ai kishte qenë atje dhe për këtë i dënuar me vdekje nga Stalini.

Gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë, ai ju bashkëngjit lëvizjes “Kryeziu” që luftonte kundër pushtuesve gjermanë në Tropojë dhe Gjakovë.

Zai Fundo

Ka dokumente të shumta, sipas historianit Uran Butka, në të cilat diktatori Enver Hoxha urdhëronte vrasjen e Zai Fundos, që e akuzonte si trockist.

Më në fund, kur ai u kap me ndihmën e jugosllavëve, për të cilët Zai Fundoja përbënte një kërcënim për interesat jugosllave në Kosovë dhe Shqipëri, ndofta kjo edhe më e theksuar nga fakti që ai ishte një pasues i Trockit, që kishte shfaqur një simpati për Shqipërinë dhe popullin Shqiptar që ishte masakruar nga serbët, me një urdhër me shkrim të Enver Hoxhës, ai  u torturua dhe u pushkatua menjëherë pa gjyq më 23 Shtator 1944, ekzekutim kypas katër vitesh nga vrasjae  Trockitprej agjentit stalinist.

*    *     *

Nga sa u paraqit, mund të thuhet se Trocki, që ka mbajtur një qëndrim dashamirës për Shqiptarët dhe Shqipërinë, pavarësisht se i urryer nga regjimi i Enver Hoxhës, ishte kundërshtar i rreptë i diktaturës së Stalinit që për këtë ajo e ekzekutoi; ai ka qenë një nga themeluesit e Bashkimit Sovjetik dhe figura e dytë pas Leninit, në udhëheqjen e revolucionit Rus, hero i tij, krijuesi dhe drejtuesi i Ushtrisë së Kuqe dhe mbetet edhe sot pas 80 vitesh nga vdekja e tij, një nga figuratmë tëshquara të shekullit të kaluar që diskutohen më shumë, madje ai qëndron në radhën e parë të ideologëve që vijojnë të bëhen dishepuj të tij dhe të shkruajnë libra, kjo edhe për faktin se ai e parashikoi disfatën e regjimit burokratik komunist në Rusi, mbi 80 vite më parë.