“Bunk’art”, ish komandanti i postës kufitare Hamdi Velaj, Mehmet Shehu dhe Ramë Sadria
-Në “Bunk’art”, nuk tregohet se shumë kufitarë janë vrarë se mbronin atdheun
Historia duhet të flasë për komandantin e kufirit, që nuk shkoi dot në varrimin e vajzës së vogël.
Në “Bunk’art”, aty ku dikur ka qenë strehimi anti-bërthamor i Ministrisë së Brendshme, e që tani është kthyer në muze, në pavijonin e kufirit, ciceroni përballë një fotografie me përmasa të mëdha dhe të një “skulpture”, ku është improvizuar një qen kufiri me mëngojën, po i tregonte gazetarit nga Londra për krimet e komunizmit. I fliste gjithashtu për piramidat e Enver Hoxhës, kufitarët vrasës, telat me gjemba, minat, rrymën elektrike, hunjtë, puset, klonin, masakrimin e popullit, e për varret nëpër shkëmbinj.

Ciceroni nuk e hiqte gishtin nga fotoja, ku ishte fiksuar dikur ish komandanti i postës kufitare Hamdi Velaj në majën më të epërme të lumit të Valbonës. Nuk ka asnjë të ngjashëm me të. Fotoja me sharm qe bërë atë ditë kur në Valbonë kishte shkuar për vizitë Mehmet Shehu. Narrativa e fotografisë pikson e grish në cakun e mbramë heroizmin e kohës, të trupëzuar allasojtë në grimcat e shpërthimeve për të dhënë dhe jetën. Po aty në malin Kollatës është vrarë dhe heroi i asaj gryke Ramë Sadria.
Nuk m’u durua dhe i thashë anglisht gazetarit nga Londra:
-Ju lutem mos filmoni dhe mos i besoni këto gënjeshtra, që jo për faj të ciceronit, ju po i dëgjoni.
-Përse? – më tha ai me habi pa e hequr kundrimin nga fotoja interesante.
-Ky është një muze i gabuar, ose me saktë një karikaturë, – iu përgjigja. – Do më vinte keq që këto mbresa t’i botoje në vendin ku ka lindur Bajroni. Këto janë gjëza i themi ne në Shqipëri. Në këtë aneks, nga rreshti i parë tek i fundit, gjithçka është namatisur e kthyer së prapthi. Pamjet nuk e përligjin luftën e trimave të kufirit. Kthinazi e në ekstaza kërmillore hidhet baltë mbi brezat elegant, që ju përkushtuan atdheut. Ka ardhur epoka e skrupujve, që pa fill lidhës provokojnë trimat, të cilët kanë gërmëzuar historinë.

-Ju e keni lexuar Bajronin? – më pyeti ai fët – fët.
-Shumë vargje i di përmendësh, – ia ktheva.
-Për shembull!
-/Të rreptë bijtë e shqipes! ……/Armiku ua pa kurrizin ndonjë herë/Kush e duron si ata mundimin e luftës/, -i recitova unë disa vargje.
-Këto vargje të Bajronit sikur i zgjodhe për të mbrojtur personazhet e t’u në foton që kemi ballë për ballë.
-Jo. – Në këtë fotografi ju shikoni këtë oficerin, që është me armë në sup, – vazhdova më tutje. Ka qenë komandant i postës kufitare të Valbonës në Tropojë.
Quhet Hamdi Velaj dhe për fat është gjallë. Në vitet që ai shërbente në Valbonë, popullit të atyre maleve nuk ju prek një fije bari, nuk ju cënuan pronat, e s’u turbullua një ujëvarë e një gjethe lisi. Tek piramida në majën e malit të Rosit u përlesh me serbët, kur ata tentuan t’i korrnin një tufë nga lulja “mos më prek”. Ra 30 metra në greminë së bashku me bandën e serbëve. Edhe sot e ka plagën që ja hapën serbët me bajonetë. Ishte i fortë dhe qe tmerr për serbët e malazezët.
-Po qe kështu përse e kanë vendosur në këtë muze? Për ta diskredituar? – ndërhyri gazetari.
-Mos më ndërpre! – i thashë.
-Se kam zakon, – shtoi ai.
-Kur komandanti i kufirit, ky që është në fotografi, kthehet në shtëpi merr vesh se vajza e vogël i kishte vdekur. Gruaja me banorët e Valbonës e kishin varrosur , – iu përgjigja. Komandanti Hamdi Velaj u kthye pas katër ditësh. Nuk dilte dot nga gremina. Hante fleta hardhie të egra.
-A jeton ky komandanti?
-Po. – I ka kaluar të tetëdhjetat. – Këtë foto e kanë bërë gazetarët kinez të gazetës “Zhemin zhibao” të Kinës së Mao Ce Dunit. Foton e transmetoi dhe televizioni shtetëror i Kinës.
-Ku banon tani? – më pyeti gazetari me shqetësim.

-Në Vlorë, – iu përgjigja. Ka shërbyer dhe në Gardën e Enver Hoxhës. Çdo vit në pranverë shkon në Valbonë dhe kërkon varrin e vajzës. Komandant Hamdiu u transferua dhe varri i vajzës humbi. Ai vazhdon ta kërkojë. E ka amanet nga gruaja që i ka vdekur në një aksident.
Ciceroni u bë gur.
-E donin banorët e Valbonës? – pyeti gjithashtu me kureshtje gazetari nga Londra.
-E kishin si vëlla, – e sqarova. Për të edhe tani këndohen këngë.
-Mirë ushtaraku që është në foto, por shikoje qenin e kufirit të hedhur në allçi, – ndërhyri ciceroni. – Ai i ka shqyer banorët e Tropojës.
-Është mirë që këtë mendim që ma the mua të mos ua thuash të tjerëve, – e kundërshtova me zë të lartë.
-Përse po grindeni?-tha gazetari.
-Ciceroni po flet edhe për krimet që kanë bërë qentë e kufirit, – iu ktheva. Qentë e kufirit që zgjidheshin në Gjermani nuk përgatiteshin për të masakruar njerëzit. Ata viheshin në shërbim kur prekeshin milimetrat e piramidave. Në krahun e majtë të fotos së Hamdi Velajt janë Alpet e Shqipërisë. Në një nga këto maja bandat, që vinin nga jashtë shtetit hodhën nga shkëmbi pionierin 12 vjeçar Nik Pjetër Ndreka, i cili është dhe Hero i Popullit. Në këtë rast qeni i kufirit u vu në ndjekje të vrasësve. Për qenin e kufirit ka dhe një poezi të ndjerë nga poeti Ismail Kadare, e cila titullohet “Qeni i Kufirit”. Ai shkruan: /Bilbilat që nga drurët e shohin me nderim/…../Dhe ujqit vetë, po t’u dilte përpara/ Do t’i hapnin udhën kafshës ushtare/.
-Ishin të egër? – tha gazetari duke e spostuar bisedën për ish komandantin e postës kufitare të Valbonës.
-Shumë, – iu përgjigja. Qeni i kufirit nuk pranonte asnjë njeri t’i afrohej përveç atij që quhej instruktori i qenit.
-I trajtonit?
-Qeni i kufirit e kishte normën sa ajo e kufitarëve. Dhe qe i dënuar.
-Përse qe i dënuar, – tha gazetari nga Londra pa e lënë fjalën të binte në tokë.
-Qeni i kufirit kishte një lloj “vile” ku trajtohej. Por ai sa të shkonte 12 vjeç, kur hiqej nga shërbimet e mbrojtjes së kufirit, nuk lejohej të takohej me ndonjë bushtër. Nuk kishte seks për të. Po të çiftëzohej me ndonjë femër atij i ikte nuhatja dhe egërsia. Shumë punonjës janë pushuar nga puna kur qeni i kufirit aksidentalisht ka shkuar me ndonjë bushtër.
– Më the një gjë të bukur, – shtoi gazetari. -Edhe sot nuk lejohen qentë të bëjnë “dashuri”?
-Nuk e di. Në vitet e komunizmit qentë e shërbimit të kufirit ishin të “dënuar”.
– Do ta botoj në një nga shkrimet e mia.
-Puna jote.
-Po këta të tjerët që janë në të njëjtën foto me ish komandantin e kufirit kush janë?-më ngau ai me një tjetër pyetje.
-Civili që është në mes e që e ka drejtuar gishtin nga mali i Kollatës është një nga heronjtë e heshtur të grykës së Dragobisë. Quhet Sokol Valbona, ose siç i thërrisnin malësorët Baca Sokol. Edhe Sokol Valbona është një tjetër hero. Në shtegun ku kalonte ai në malin e Rosit serbët e minuan. Serbët ja kishin vënë nofkën “ariu” i Valbonës. -Kam dëgjuar se kufitarët shqiptar të Enver Hoxhës kanë qenë të ashpër, – tha ai me bllokun e shënimeve në dorë.
-Jo, – i thashë tak – fak. Kufitarët kanë qenë të betuar. Në malet e Sokol Valbonës për të zmbrapsur një bandë të serbëve humbën jetën në ortek Komandanti i postës kufitare të Lumit të Gashit Bardhok Jaku nga Puka me katër kufitar. Bardhoku qe trim dhe në vitet e demokracisë emrin e tij, të cilën e mbante një shkollë, ja fshinë me bojë të zezë. I vetëm krim i tij ishte mbrojtja e kufirit. Po deshe mbaj shënim dhe një tregim të jetuar. Një kufitar nga Korça e që e kishte emrin Bendo Buzo ra në pritë me një bandë të armiqve të jashtëm. Armiqtë e plagosën. Para se kufitari të jepte shpirt ai shkroi në faqen e shkëmbit dy germa: P. E. (Parti- Enver).
-A është në dijeni ish ushtaraku Hamdi Velaj për devijimin e mesazhit që përcillte dikur fotoja e tij?
-Jo nuk ka dijeni!
– A do t’ia thuash?
– Nuk do t’ia them. Ai është i fortë. Bën stërvitje në Llogora dhe po ta marrë vesh vjen tek ky muze dhe bën skandal.
Në “Bunk’ art” vijnë vizitor nga gjithë planeti. Foton e zmadhuar të Hamdi Velajt e filmojnë, fotografojnë, bëjnë komente, habiten, fotografojnë e pyesin për emrat e atyre që janë në foto. Filmin e përcjellin tek të afërmit, e fiksojnë në fejzbuke dhe kërkojnë të shkojnë në Valbonë, ku kanë vepruar këta “kriminel”. Muzeut i mungon sensi i orientimit dhe filli përbashkues. Fakti merr kuptim kur ndjesitë janë pa ngjyrëzim. Edhe një muze është një vepër kur ai ndërtohet pa mllefe shtazarake.




















