Sefedin Methoxha/ Në 70- vjetorin e Brigadës së 7-të Sulmuese

693
Sigal

TI NË GJUNJË NUK RE KURRË, VETËM KUR PUTHJE FLAMURË.           

Ata nuk zunë garë kush të qëllonte i pari mbi pushtuesit, qëlluan të gjithë bashkë. Pse? Se shumë plumba vrisnin më shumë. Ata zunë garë, se kush do të mblidhte më shumë luftëtarë për të krijuar atë brigadë, që nuk u zyrtarizua heroinë, por ishte e tillë. Vlushën e kishte mbuluar dëbora atë ditë, por kishte diell. Kush e hodhi atë diell mbi dëborë? Diell ishin ata djem nënash, që kishin ardhur t’i dilnin zot vendit, që merrte frymë me supe. Atëherë nuk u bënë pyetje, të vëmë apo të mos vëmë në luftë. Nënave u dhimbseshin djemtë, por u dhimbsej edhe nëna e madhe, që vuante tok me to. A thua të kenë dëgjuar pyetjen e Maksim Gorkit,që u drejtohej nënave? “Kur do të kemi nëna që t’i dërgojnë me gëzim djemtë e tyre edhe në vdekje?” Lufta vërtet të sjell lirinë,po të merr dhe jetën. E nënat shqiptare nuk i kursyen djemtë e tyre. Disa prej tyre hodhën shamitë e zeza,por zbardhën zemrat e një populli të tërë. Ai 9 mars 1944 mblodhi në shtëpinë e Kahreman Yllit krerët më aktivë të qarkorit,që të merrnin masa ndaj urdhrit të dhënë për krijimin e Brigadës së 7-të. Sa do të vinin e si do të vinin? Aty u  thanë e stërthanë. S’kishte makina, rrugë e telefona, po kishte djem që s’pyesnin për dëborë e shi.

Si u mblodhën djemtë dhe vajzat e luftës në atë fushë të bukur të Destinës?