Rrëfimet e ish-zbuluesit politik të Shqipërisë në Paris

1515
Sigal

Flet Dr. Hasan Luçi/ Takimi emocional me Sharl De Gol për Vitin e Ri në pallatin ‘Elize’ pas mbërritjes së ambasadorit të klasës punëtore dhe ilegalit të LANÇ. Emërimi i Javer Malos, takimet me kolegët komunistë dhe revolucioni studentor i 1968-s

Intervista/ Flet Dr. Hasan B. LUÇI, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë

01-Nga miqtë e shoqatës së parë të miqësisë, njoha edhe Zhak Dyklon, njeriun legjendë të PKF-së.

02-Zhoani Berlios, kryeredaktori i “Demokraci nuvel” dhe deputet, kërkonte materialet e  të gjitha kongreseve  të  PPSH

03-Andre Vurmser, gazetar në “Hymanite” dhe komunist i vjetër admironte Enverin

04-Sharl Dë Gol për Vitin e Ri na ftoi në një sallë të pallatit presidencial “Elize” ishte ëndërr

05-Pritja në ambasadën tonë me arstin e 30-vjetorit të çlirimit u përmend ndjeshëm në shtypin Parisien

05-Veprimtari protokolli dhe pjesëmarrja në tre letërkredenciale Paris-Bruksel-Hagë që rritën autoritetin e vendit

06-Ambasadorin Kristaq Misha në paraqitjen e letrave kredenciale tek presidenti Sharl Dë Goli e vonuan se ne përkrahnim lëvizjen në Algjeri

 

 

Albert  Z. ZHOLI

 

-Cfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në Francë?

 

Festa e pranverës për të gjithë. Në Paris kishte një festë për të gjithë, festa e Bagatelës, që jepej në pyllin e famshëm të Bulonjës në hapësirën Parisi 16-lagja Nëji-Senë. Në vitet ’60, kryetari i Bashkisë së Parisit, Zhan Oberteni jepte këtë pritje një herë në vit me rastin e pranverës, ku ftonte ajkën e shoqërisë parisiane dhe diplomatët. Shkonim çdo vit në këtë pritje me veshje qytetare të kohës. Tryezat e kësaj pritjeje qenë të pasura dhe njerëzit më shumë hanin sesa bisedonin ose shëtisnin lëndinave të bukura të pyllit, ku ka edhe kaskada uji, kafene dhe hotele luksi.

Në pritjet që jepte kryetari i Bashkisë së Parisit buzë lumit të Senës, nuk mora pjesë, veçse në pak raste, se atje duhej veshje përkatëse që për ne kushtonte edhe për ta marrë me qira. Nuk na u miratua as propozimi që këtë kostum të na e blinte shteti me që kishte mjaft pritje të tilla në vitet ’60. Vetëm në vitet ’70 filloi të hiqej veshja klasike diplomatike dhe u zëvendësua me atë qytetare moderne.

Si u bë ngritja e rangut të legatës tonë në ambasadë ?

Në bazë të Konventës së Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike të OKB-së në 1961, në tetor 1964, legata jonë u ngrit në rang ambasade. Ky fakt pati rëndësi politike për vendet e vogla si RPSH se u rivendos një padrejtësi e detyruar nga fuqitë e mëdha. Në planin personal nuk patëm ndonjë përfitim, veçse, qeveria jonë, duke parë veprimtarinë tonë në rritje në Francë dhe vendet e ulëta, vendosi ta shtojë personelin diplomatik. Kjo shtesë kuadri veçanërisht mua më dha mundësi të lehtësohesha nga disa detyra krejt teknike për t’iu kushtuar kryesisht veprimtarisë së mirëfilltë diplomatike dhe njohjes së vendit tonë në zonën e veprimtarisë së ambasadës së Parisit duke shtuar miqtë e dashamirësit e vendit tonë dhe veprimtaritë e tyre në interes të RPSH-së në fusha të ndryshme në përputhje me të drejtën e ambasadave. Por jo të gjithë shokët tanë i shfrytëzuan këto mundësi për një punë të mirë, pasi rrinin në pozita pritje, indiferentizmi, avashllëku qoftë për njohjen e Francës dhe gjuhës frënge, qoftë për të bërë veprimtari të gjëra diplomatike, të cilën një pjesë e mirë e tyre nuk arritën ta kuptonin e ta shfrytëzonin. Pati edhe nga ata që tregonin frikë për takimet, sidomos me gazetarët.

Gjatë qëndrimit të dytë në Paris, për herë të parë mora pjesë në pritjen e festave të nëntorit 1972, duke marrë pjesë aktive në përgatitjen e saj në çdo drejtim së bashku me shokët e shoqet e përfaqësisë, por tashmë kisha përvojën e duhur. Me këtë rast pati një pjesëmarrje diplomatike më të lartë nga rangjet e mëparshme të MPJ-së të Francës si ministri i deleguar i saj Andre Betankur etj., ish ministri Leon Hamon, deputetët Moris For, Lui Brio, Mishel Rokar etj., që i njihja personalisht qysh më parë. Po kështu edhe miq të shoqatës, diplomatë të shumtë, se marrëdhëniet diplomatike të vendit tonë qenë zgjeruar, prestigji i vendit qe rritur e tjera risi të kohës. Kjo pritje tregonte për një interesim në rritje për Shqipërinë, politikën dhe zhvillimin e saj. Në vitet e tjera pati rritje përsa i përket pjesëmarrjes në pritjet tona, edhe nga ana cilësore e zyrtarëve, nga rrethet akademike, arsimore, kulturore, shkencore, historike dhe shoqatat civile etj.

-Po festa jonë e clirimit a festohej në Paris?

30-vjetori i çlirimit u festua me sukses në ambasadën tonë në Paris, pasi patëm bërë punë përgatitore të mirë, kishim shtuar miqtë e Shqipërisë nga horizonte të ndryshme që vinin nga Franca, Belgjika, Holanda, Anglia, Zvicra, Spanja, Portugalia, Amerika Latine, Irlanda e Veriut, vendet arabe, veç atyre ballkanas etj. Në këtë pritje morën pjesë edhe studentët e pasuniversitarët tanë në Francë. Veçanërisht në këtë përvjetor studentet tona bukuroshe dhanë ndihmesë të çmuar duke ardhur rrotull nëpër sallone për të ftuar miqtë në bufenë e pasur si zonja shtëpie, gjë që u pëlqeu shumë miqve, të cilët shijuan me sy edhe bukuritë shqiptare. Për herë të parë në ambasadë ne përdorëm për pritje edhe dy sallonet zyra të katit të dytë, meqenëse parashikohej dyndje të ftuarish dhe vërtetë erdhën miq dhe diplomatë të shumtë, veç të tjerëve, pa llogaritur edhe miq të paftuar që s’i dëboje dot në pritjet e Parisit sidomos zonjushat plakaruqe. Qarkullimi në sallone e shkallë u bë i vështirë dhe mjaft miq u larguan shpejt, bile pa bërë as bisedat e zakonshme informative të ndërsjella dhe pa shijuar mezet e rastit, aroma e të cilave të çante hundët. Megjithatë ne arritëm diçka se u treguam mikpritës me nivel, siç e kemi traditën fisnike e bujare, me bashkëbisedues me interes për vendin e rrethet që përfaqësonin. Kjo festë nuk kaloi pa u përmendur për mirë në trupin diplomatik parisian, miqtë e vendeve pjesëmarrës dhe në shtypin vendas. Ishe një hap cilësor e sasior për tërheqjen e miqve, të cilët vërtetë i kishim shtuar në vitet ’’70 me punë këmbëngulëse dhe veprime të zgjuara, por edhe pse Shqipëria ishte në rend të ditës për qëndrimet e saj parimore në shtypin e kohës, në opinionin ndërkombëtar dhe në OKB veçanërisht, përveç arritjeve në përparimin e vendit, që sot nuk zihen në gojë nga demokratët, se i bëjnë fresk “arritjeve” të tyre për shkatërrimin e RPSSh nga 1990 deri sot.

Veprimtari protokolli dhe pjesëmarrja në tre letërkredenciale Paris-Bruksel-Hagë

 

Në paraqitjen e letrave kredenciale tek presidenti Sharl Dë Goli

 

Në shkurt 1962 u përcoll në tren ministri Dhimitër Lamani nga ne diplomatët dhe nga shefi i protokollit të MPJF, Pier Siru, sic e dha edhe “Zërit i Popullit” (14/03/1962 f.1) Kristaq Misha u emërua ministër fuqiplotë i RPSh në Francë. Ai ish kryeredaktor i gazetës “Puna” dhe sekretar i përgjithshëm i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Më 17 mars ai mbërriti në Paris me tren, ku e pritëm. Ai mbahej si pionier i lëvizjes punëtore në Korçë, gjatë LANÇ-it kishte punuar në shtypin ilegal të partisë dhe nga jeta në bodrume kishte një fytyrë herë-herë normale dhe herë-herë të verdhë. Në fakt ai u dërgua për t’u kuruar në Francë, ku i zbuluan sëmundjen leucemi, e cila fatkeqësisht e mori. Dinte mirë frëngjisht dhe e meritonte nga çdo pikëpamje të ishte përfaqësues i Shqipërisë edhe në Francë. Kishte shkruar një libër për bashkimet profesionale. Ai u prit nga drejtori për Evropën ne MPJ të Francës, Santon.

Për të dorëzuar kredencialet ai pati vështirësi, pasi francezët ia kishin inatin RPSh-së e PPSh-së, që mbështesnin lëvizjen çlirimtare algjeriane (FNL) dhe njohjen e qeverisë algjeriane në mërgim. Kështu ai mundi t’i dorëzonte ato pas 48 ditësh pritje, më 30 maj 1962. Atëherë ishim tre diplomatë në seli: K. Misha, Myslim Sinojmeri, sekretari i parë dhe unë, sekretari i tretë, prandaj edhe vajtëm që të tre, të dy shoqëruesit e titullarit. U veshëm me frak, të cilët i morëm me qira, seicilin nga 15 mijë franga për disa orë. Me atë rast unë bleva këmishën, dorezat, këpucët, kollaren e papijonin, të gjitha përkatëse në këto ceremoni sipas protokollit të vendit. Vajtëm në pallatin Elize, pasi na mori në seli, në 131, Rue de la Pompe, Paris 16 dhe na shoqëroi shefi i protokollit me dy vetura dhe me dy policë me motoçikleta, që na hapnin rrugën. Na çuan në sallën e parë të pritjes te komandanti ushtarak, pastaj në sallën, ku priste gjeneral De Goli, president i Francës. Titullari ynë qëndroi në rreshtin e parë dhe mbajti fjalën e rastit me shkrim, formula të zakonshme për forcimin e marrëdhënieve e të lidhjeve miqësore e të paqes mes dy vendeve tona me ndihmën e presidentit francez  (pasi në fakt, atëherë me këtë ambasador E. Hoxha synonte t’i hidhte sytë nga Franca pas prishjes me BS-në, me Hrushovin, por Franca aleate rebele e Perëndimit e NATO-s, nuk iu përgjigj). Ne të dy sekretarët rrinim dy hapa prapa, krahas njëri-tjetrit. Pastaj duke na paraqitur ministri ynë, De Goli na dha dorën. De Goli foli për marrëdhëniet e vjetra dhe miqësore që gjithmonë kanë qenë mes vendeve tona. Ai nuk e takoi veças K.Mishën, siç qe protokolli i zakonshëm, pra mbajti sërish qëndrim, nuk pati bisedë private. Në ceremoni ishin 5-6 vetë civilë dhe ushtarakë, të cilët na i paraqiti, Franca madhështore. Pasi u bënë fotografi të rastit, De Goli u tërhoq. Ne na shoqëruan, përsëri, në seli, ku na prisnin shokët që talleshin me ne të veshur si korba, dy burra të shëndoshë dhe unë i hollë.

Për mua ishte hera e parë që mora pjesë në paraqitjen e letrave kredenciale dhe që takova personalisht gjeneral De Golin, të cilin kësaj here e vështrova mirë, se pata pak kohë; më vonë e pashë nga larg në jo pak konferenca shtypi që jepte ai ose në pritjen e diplomatëve për Vitin e Ri. Para nesh ai dukej kollos, i gjatë, i drejtë si lis, me bark pak të dalë, kokën përpjetë, por sytë nga ne, pa i lëvizur. Hunda i dukej e stërmadhe, sytë me rrathë të zinj, por i shkëlqenin. Dorën na e dha pa u përkulur aspak, ne e ngritëm pak dorën për t’ia arritur. M’u duk sikur e kishte ende një inat me Shqipërinë por fjalët që ai i tha ministrit tonë, qenë miqësore. K. Misha mbeti mjaft i kënaqur nga takimi dhe biseda, buzëqeshte kur na tregonte, fytyra e tij e gjerë e bukur pasqyronte mirësi por dukej se s’kishte shpresa për afrimin e paramenduar. Unë e gjykoja takimin më gjakftohtë.

Gazeta “Zëri i Popullit” (01.06.1962, f.4) njoftoi se më 30/05/1962 K.Misha dorëzoi kredencialet presidentit francez Sharl De Gol, por pa thënë se kush e shoqëroi atë nga diplomatët shqiptarë, një praktikë jo e mirë edhe herë-herë bëhej dallim subjektiv ndaj diplomatëve pasi për disa njoftonin dhe për të tjerë jo. Më 29/04/1967 në Tiranë vdiq K. Misha (1913-1967) dhe “Zëri i Popullit” botoi kronologjinë e tij në faqen 4. Mua më erdhi keq për humbjen e tij, pasi ai qe një atdhetar e revolucionar me vlera të mira, njeri i punës, me sedër dhe luftarak për përparimin e vendit dhe njohjen e tij nëpër botë, si një zë i veçantë i lirisë e pavarësisë së shteteve e popujve. Ai dha mbi mundësitë e tij edhe në Francë, megjithëse ai vajti dhe u kthye nga Parisi për arsye sëmundje. Veç J.Malos, ndonjë titullar tjetër në Paris, edhe pse shëndosh e mirë, nuk la gjurmë si këta as në koloninë shqiptare e jo më në fushën diplomatike në dobi të atdheut të vet.

-Kur u emërua Javer Malo ambasador?

Më 02 Gusht 1967 Javer Malo u emërua ambasador në Paris (siç njoftoi “Zëri i Popullit” i 03 Gushtit, f.1). Ky i dorëzoi kredencialet më 06.09.1967, ku e shoqëroi këshilltari Rako Naço. Kjo tregoi se këta të dy nuk kishin besim te diplomatët e rinj dhe këtë e vërtetuan sa qenë gjallë. Këta kishin përvojë diplomatike, por jo atë përgatitje arsimore e kulturore që kishin tashmë një pjesë e mirë e diplomatëve të rinj universitarë shqiptarë. Këta të dy mendonin të bënin pak e saktë në punë edhe kur mundësitë qenë realisht për më shumë në sasi e cilësi. Një pjesë e diplomatëve të rinj e bënë realitet këtë mundësi. Në punën time i shfrytëzova këto mundësi sidomos në Francë dhe në Belgjikë. Unë arrita dhe i kalova shpesh ambasadorët dhe këshilltarët me rezultate konkrete në fushën e informacionit diplomatik, në punën me miqtë, për botime, me shkrime, veprimtari kulturore etj, çka vërtetohet nga arkiva e punës time dhe të shtetit në vite. Detyrohem të bëjë këtë shënim, për t’i qartësuar kundërshtarët, jo të pakët, se ky është një realitet, e kërkon etika e punës dhe mundi që kam bërë, pa bujë.

 Në paraqitjen e letrave kredenciale te presidenti Valeri Giskar d’Esteni

 

Më 26.09.1975 gazeta “Zëri i Popullit” njoftoi emërimin sërish të Dhimitër Lamanit nga Beogradi në Paris, në vend të J. Malos. Të them të drejtën ky emërim më çuditi dhe më hidhëroi se unë e njihja tashmë Dh. Lamanin. Sa mbërrita në Paris 1961-1962, se ai gjithmonë ishte kritikuar për punë të dobët, përfshi në Atdhe. Ishte një fatkeqësi ky emërim i tij, në një vend me rëndësi si Franca. Ai mbërriti në Paris në mesin e nëntorit. Më 28.11.1975, në kundërshtim me protokollin e zakonshëm, pa paraqitur kredencialet, ai dha pritjen, në vendin tim si i ngarkuar me punë. Mori pjesë shefi i kabinetit të MPJF Kofman, shefi i pritjes së MPJF, Tempie, funksionarë të tjerë, veç miqve të shoqatës dhe diplomatëve. “Zëri i Popullit” e dha tepër shkurt njoftimin dhe kjo më çuditi sërish.

Më 16.12.1975 Dh.Lamani i paraqiti letërkredencialet presidentit Valeri Giskar d’Estenit në Pallatin Elize, ku vajtëm sipas protokollit, i shoqëruar prej meje dhe dy sekretarëve të tretë, Thoma Bano e Bari Ziko. Te presidenti francez qenë sekretari i shtetit për MPJ Destremo; sekretari i përgjithshëm i presidencës Brosolt; këshilltari teknik i sekretarit të përgjithshëm të presidencës Roben. Fjala e secilit qe e shkurtër, me formulat e zakonshme. Dh.Lamani foli duke lexuar sa kishte shkruar, ndërsa D’Esteni foli pa letër si orator që ishte. Veshja e kësaj ceremonie nuk qe më fraku, por veshja e zakonshme me kostum të errët e gri. Nuk u bënë as fotografi. “Zëri i Popullit” e dha shkurt (me datën 17.12.1975-f.4) duke përmendur emrat e diplomatëve tanë pjesëmarrës. E veçanta kësaj radhe qe se titullari dhe dy sekretarët qenë veshur me të njëjtën pallto gri si konviktorët, që i kishin blerë disa ditë më parë te “xhaxhi Tati”, siç i thoshim ne dyqaneve të Gabit në Paris.

 

Nesër do të lexoni:

Herën e parë u largova nga Parisi në ngjarjet tragjikomike të revolucionit studentor francez në maj të vitit 1968

Në paradën ushtarake në Paris për festën kombëtare të republikës më 14 korrik 1972 për herë të parë parakaluan gra ushtare

Kjo favorizoi faktin e njohur nga shtypi se Shqipëria ishte nga vendet e para për femrat në ushtri, mjekësi, arsim etj

Mbeta i befasuar nga pritja për paraqitjen e letrave kredenciale te mbreti belg Boduen I. në janar 1974

 

05- Ambasadori kinez, organizoi një drekë madhështore, ku provuam stomakun e peshkaqenit, i cili grave tona u nxori zorrët.