Rrugëtimi i rrallë i RTSH

1568
Sigal

Albert Zholi/ Dita e inaugurimit në 28 Nëntor 1938, drejtuesit ndër vite, thirrja e 7 Prillit dhe pushtimi gjerman. Programet që rinisën, më 25 dhjetor 1944, prezantuesit e parë dhe teknikët

Dossier/ Rrugëtimi i  rrallë i radios  dhe televizionit shqiptar

 

01- Në vitin, 1896, Nikola Tesla botoi një material ku përshkruante hollësisht elementët e një transmetuesi në radio

 

02-Në 15 qershor 1920 këngëtarja amerikane, Neli Melba, për herë të parë në historinë e njerëzimit, inauguroi Radio Pitsburgun

 

03- 18 vjet më vonë më 28 Nëntor 1938, shënohet dita e inaugurimit të Radio Tiranës

 

04- shërbimin e lajmeve në gjuhën shqipe e kryente me mirëdashje radiostacioni i Barit

 

05-Ja programi i ditës së dytë të Radio Tirana, 29 nëntor 1938 e botuar në gazetën “Drita”

 

06- Drejtori i Radio Tiranës, u emërua publicisti i njohur, Gjergj Bubani (1894-1954), i ardhur në vitet ’30-të nga Rumania

 

07-Punonjësit e parë intelektualë të shquar si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Vasfi Samimi, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Anton Mazreku,

 

 

  • 7 prill 1939, Gjergj Bubani, Anton Mazreku, Mihal Sherko, ju drejtuan nga Radio Tirana popullit shqiptar që të rrëmbente armët e të ngrihej e të luftonte

 

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

 

 

Pak Histori mbi rrugëtimin e RT-së

Radio është një media, e cila që prej një shekulli ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Sot në shumë shtëpi, qendra publike dhe qendra pune vërejmë lloje të ndryshme radiosh. Në vitet 1890, studiuesit bënë përpjekje të shumta për të zbuluar dhe përdorur valët radiofonike. I pari që hodhi idetë për radiovalët ishte Tesla. Në vitin, 1896, Nikola Tesla (kroat) botoi një material ku përshkruante hollësisht në një skemë të gjithë elementët e një transmetuesi radio që më vonë u përdor nga Markon. Duke u bazuar në teorinë e Teslës, inxhinjeri i apasionuar Italian Markon (Marcon) me shumë vështirësi realizoi më në fund shpikjen që bëri bujë dhe që e bëri atë të pavdekshëm, pra radion.. Megjithëse në fillim valët e radios u përdorën për komunikim mes anijeve apo për komunikim në ushtri, në fillim të shek 20-të me ndërtimin e radiostacioneve dhe antenave, radio u bë një media publike për argëtim dhe për transferimin e informacioneve. Radio me shpejtësi hyri nëpër shtëpitë e njerëzve dhe u bë një mjet i rëndësishëm në jetën e tyre.
Aktualisht gjendja e radios ka ndryshuar. Megjithëse kjo media ka bërë përparime të dukshme, ajo po përballet me konkurrentë të rinj dhe të fuqishëm.

 

Amerika e para në botë

Amerika. Superfuqia e botës. Aty ku janë mbledhur ajka e trurit botëror. Vendi i demokracisë së vërtetë ku shkenca përparon më shpejtë se koha. Në këtë vend të begatë u përdor për herë të parë radioja. Ishte data 15 qershor e vitit 1920. Një aparat radioje dhe një studio e thjeshtë. Lëvizet një çelës i një aparature… Dhe ja…Magjia e pritshme dha frytet e saj. Bota po përjetonte një shpikje të madhe. Nga lëvizja e këtij çelësi, nga aparati i radios, këngëtarja amerikane, Neli Melba, për herë të parë në historinë e njerëzimit, përhapte para mikrofonit të Radio Pitsburgut këngë që, përshkroi hapësira të pamata. Bota po përjetonte një ditë të veçantë. Shkenca dhe bota mbarë ndjenë fillimin e një ere të re. Të erës së bukur të radiofonisë.

 

Dita e inaugurimit të Radio Tiranës 28 nëntor 1938

Afërsisht 18 vjet më vonë, era e radios mbërriti dhe në Shqipëri. Ndoshta jo me aparaturat më të përparuara të kohës, por sidoqoftë për jetën e shqiptarëve ishte një eveniment. Ishte nisma e Zogut të parë që dhe në Shqipërinë e prapambetur të vinte magjia e radiofonisë, kur në mbarë Evropën radio kishte hyrë në pjesën dërrmuese të popullsisë. Ishte 28 Nëntor 1938…

Gazeta “Drita” e datës 29 nëntor 1938, në artikullin “Si është përbërë stacioni ynë i Radio Tiranës”, midis të tjerash, shkruan: “Naltmadhnia mbreti dhe mbretëresha inauguruan solemnisht Radiostacionin. Në qendrën e Radiostacionit që gjendet në Laprakë, ishin përqendruar autoritetet më të larta civile e ushtarake të vendit”.

Ndërsa një ditë më vonë, pra më datën 30 nëntor “Gazeta e Korçës” shkruante: “Me çeljen e këtij stacioni u plotësua me sukses një mungesë e dukshme. Shqipëria ishte i vetmi shtet i Evropës pa një stacion të tijën. Është e vërtetë se shërbimin e lajmeve në gjuhën shqipe e kryente me mirëdashje radiostacioni i Barit me shërbimin e tij të përditshëm e gjithashtu me emisione të rralla koncertesh, por këto nuk mjaftonin”.

Për kureshtje

Ja programi i ditës së dytë të Radio Tirana, 29 nëntor 1938 e botuar në gazetën “Drita”: ora 13:00, ora ekzakte, në fjalë me dëgjuesit; 13:10, radiofletore;13:25, muzike e lehtë;14:00, mbyllja e emisionit. Në mbrëmje: ora 19:00, ora ekzakte; 19:02, zoti Rrok Gera, ministri i ekonomisë kombëtare çel vargun e konferencave radiofonike; 19.15, muzikë koncertesh; 20;00, radiofletore; 20.15, muzikë vallëzimi; 20.45, mbyllja e emisionit.

 

Drejtuesi

Drejtori i Radio Tiranës, u emërua publicisti i njohur, Gjergj Bubani (1894-1954), i ardhur në vitet ’30-të nga Rumania, ku ishte shquar për veprimtarinë e tij të dukshme atdhetare, sidomos në fushën e gazetarisë me hapjen e një seri gazetash në gjuhën shqipe.

E megjithatë vlen të kujtojmë se fillimet e Radio Tiranës më 1938 lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar të asaj kohe e të viteve të mëvonshme, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës së qytetëruar si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Vasfi Samimi, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Anton Mazreku etj., etj…

Thirrja e 7 Prillit

Ishte pikërisht drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani, së bashku me Anton Mazrekun dhe Drejtorin e ATSH-së, Mihal Sherko, të cilët iu drejtuan nga Radio Tirana popullit shqiptar që të rrëmbente armët e të ngrihej e të luftonte kudo për të zmbrasur sulmin e pabesë të ushtrisë fashiste më 7 prill të vitit 1939. Një thirrje të tillë i drejtoi popullit shqiptar nga Radio Tirana edhe kryeministri Mehdi Frashëri.

Nga fundi i vitit 1939 Radio Tirana nga studioja e vogël e modeste në një nga sallat e godinës së Bashkisë, kaloi në një ndërtesë të re në rrugën Kont Urani (në kryqëzim të rrugës së Kavajës), e cila u pajis nga specialistë italianë me aparatura nga më modernet e asaj kohe. Sipas një artikulli të gazetës “Fashizmi” të datës 29 dhjetor 1939 me titull “Radio Tirana, kryevepër fashiste”, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare Xhafer Ypi dhe Valauri, kryetari i EIAR-it (Ente Italiana Audio Radio), nënshkruan një marrëveshje për instalimin e një stacioni të fuqishëm në Tiranë me fuqi prej 50 kë që do të transmetonte me valë të mesme.

Grupi Filodramatik, kursi për përgatitjen e folësve nga folësja e njohur Kaliopi Plasari, që atëherë quhej shkolla e foljes para mikrofonit, shkolla e përgatitjes së këngëtarëve të rinj e drejtuar nga Tefta Tashko e Tonin Guraziu në bashkëpunim me drejtuesin italian të orkestrës, Mario Etore, qenë ngjarje të rëndësishme të Radio Tiranës. Nisi të funksiononte gjithashtu shkolla e kitarës e më pas shkolla e instrumentistëve për violinë, violonçel. Në këtë shkollë nisën të bënin hapat e parë Nikolla Zoraqi (1929-1991), Ymer Skënderi (1926-1975), Genc Bozdo. Teknikisht radioja u ndihmua nga inxhinieri i njohur italian Antonio Galeaci, i cili qëndroi në Shqipëri edhe pas çlirimit së bashku me Mario Etoren dhe të dy u larguan nga vendi ynë në vitin 1948 duke dhënë një ndihmesë të madhe në ngritjen artistike e teknike të Radios.

 

Përgatitja e teknikëve

Në bazë të një konkursi të shpallur nga Drejtoria e Radio Tiranës u caktuan disa të rinj që mbaruan një shkollë të specializuar për teknikë radioje në Torino. Midis tyre ishin teknikët e njohur Xhafer Zavalani, Ibrahim Dibra, etj. U zgjeruan orët e programeve. Ato nisnin tani në orën 12.20 e përfundonin në orën 14.30 për të rifilluar në orën 18.20 me emisionet e gjuhëve të huaja, duke përfshirë edhe programe me muzikë shqiptare, madje sipas kërkesës së dëgjuesve të huaj. Këto emisione mbaronin në orën 20.20 për t’ia lënë vendin radiofletores dhe emisioneve të tjera që tani përfundonin në orën 23.00.

 

Programe të reja

Programet muzikore të këngëtarëve Tefta Tashko, Marie Paluca (Kraja) të shoqëruara në piano nga Lola Aleksi (Gjoka), Tonin Guraziu, Pjetër Dungu, koncertet e grupit toskë, e grupit karakteristik shkodran me këngëtarët Kel Sata e Liza Vorfi si dhe programet e kënduara më pas nga Viktori Xhaçka e Behije Çela (Levonja), Merita Sokoli sollën një frymë të re.

“Kronika sportive” e drejtuar nga Anton Mazreku “Ora e fëmijëve” me kallëzime, vjersha, monologë e muzikë për fëmijë, interpretuar nga vetë fëmijët i dhanë frymëmarrje radios. Emision i pëlqyeshëm u bë “Ora letrare”, ku lexoheshin dhe diskutoheshin vepra të njohura të letërsisë shqipe dhe letërsisë botërore. Këto emisione përgatiteshin nga shkrimtarë dhe letrarë të rinj ndër të cilët më aktivët ishin shkrimtarët Sterjo Spasse (1914-1989), Mustafa Breblleshi (1922-1986) dhe vetë drejtori i Radio Tiranës Gjergj Bubani.

 

Lista e pagesave të personelit dhe bashkëpunëtorëve të Radio Tiranës e korrikut të vitit 1943 (AQ,F 198 i Radio Tiranës dosja 12), ka qenë si më poshtë:

Ministria e Kulturës Popullore:Drejtoria për Radio e Teatër

Lista emërore e nëpunësve dhe e bashkëpunëtorëve:

Sektori i administratës; Pjetër Gjini, kryetar i sektorit, Beqir Ajazi, sekretar; Sokrat Maku, arkivist; Mithat Pogoni, kopist; Xhemal Tafaj, ekonomnist; Rexhep Zeneli, kopist; Fahredin Izoti, ndihmës ekonomist.

Sektori i Radiopërhapjes: Niko Konda, kryetar; Kristaq Antoniu,inspektor i emisioneve; Muharrem Pirdeni,bashkëpunëtor, Xhevdet Beqo, redaktor i parë; Thanas Konini, redaktor i dytë; Hysen Pelingu, daktilografist; Petraq Koço,daktilografist.

Sektori i gjuhëve të huaja: Xhavid Dibra, turqisht; Nazim Batalli, shqip; Age Bojaxhi, serbokroatisht; Skënder Cikla, anglisht Panajota Konomi (1), greqisht.

Programacioni: Kristaq Koço, Mario Etore, Islam Proseku.

Folës: Kaliopi Plasari; Evanthi Zoraqi; Leman Ypi; Hysen Vendreshta (2).

“Ora letrare”-Sterjo Spasse; “Ora sportive”-Anton Mazreku; “Ora e Katundit” (paguhej sipas bisedave të bashkëpunëtorëve ); “Ora e mjekut”- dr.Hamdi Sulçebe

Seksioni teatër-muzikë: Mihal Ciko, Mustafa Bubani.

Grupi dramatik: Fiqret Ftera, (aktore); Hasan Reçi, (piktor); Qerim Grezda, (piktor); Kostaq Nase, Mihal Stefa, Anastas Duka, Filloreta Afezolli, Matish Shiroka (bashkëpunëtorë).

Këngëtarë:Tefta Tashko, (me rrogë); Maria Kraja, (bashkëpunëtore).

Pianistë: Lola Gjoka, Tonin Guraziu, Dora Pistulli, Aliçe Panoviç, Benzi Francesko, Kristo Koço (1908-1949).

Mjeshtër muzike, këngëtarë të ndryshëm: Bardhyle Nase, Anesti Spiro.

Orkestra shkodrane: Kel Sata, Pjetër Nikolla, Paulin Pali, Zef Gruda, Ahmet Abdyli.

Orkestra popullore toske: Hysen Ibrahimi, Sabri Fehmiu, Sadik Azbi, Ali Myslimi.

Bursistë: Viktori Xhaçka, Behije Çela, Liza Vorfi, Manush Gostivari (violinist), Nazmi Mila.

Seksioni kinema, fotografi: Iliaz Vila, Lefter Zheku, Muharrem Zela,Shyqri Maci.

Instituti Luce, i fotografisë: Ruzhdi Vokopola, Jani Bllumbi, Lefter Mantho, Hamdi Ferhati.

Shërbimet teknike: Todo Bojdani, Kolë Nogaj, Spiro Qirko, Kaliopi Prifti, Sazan Sibnani, Xhafer Dishani,(Zavalani), Like Todhe, Jovan Mulliri, Mehmet Selimi.

 

 

Pushtimi gjerman

Me kapitullin e Italisë fashiste më 8 shtator të vitit 1943 dhe ardhjen e pushtuesit gjerman, pati ndryshime edhe në Radio Tirana. Ishte krijuar grupi antifashist ku bënin pjesë mjaft nga pjesëtarët e kolektivit të Radio Tiranës, midis të cilëve Muharrem Pirdeni (1907-1982), Todo Bojdani, Tasi Kanxheri, Nazim Batalli, Spiro Qirko, Hysen Pelinku, Kaliopi Prifti (1918-1994), etj. Megjithëse vepronte fshehurazi drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani, ishte në dijeni të kësaj veprimtarie.

 

Nesër  do  të lexoni:

 

  • Programi i Radio Tiranës pas çlirimit të Shqipërisë, është publikuar më 25 dhjetor të vitit 1944 në numrin e parë të gazetës “Bashkimi”

 

  • Dhora Leka dhe Refik Bezhani, të parët të ardhur nga radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët u ngarkuan të punonin në Radio.

 

  • 03-Mihal Ciko, inxhinieri i palodhur italian Antonio Galeaci, teknikët Spiro Qirko, Todo Bojdani,etj ata ringritën Radio Tiranën.

 

  • Çdo mbrëmje nga data 21 nëntor deri 27 punohej ditë e natë dhe gjithçka ishte gati për fillimin e transmetimeve

 

  • Ato ditë, me urdhrin e vetë Enver Hoxhës, drejtor i Radio Tiranës u emërua Petro Kito