Rrëfimi / Reshat Arbana: Si e morën xhaxhanë në hetuesi kur u hodh bomba në ish-Ambasadën Sovjetike

575
Sigal

Rrëfimi / Reshat Arbana: Si e morën xhaxhanë në hetuesi kur u hodh bomba në ish-Ambasadën Sovjetike. Edhe pse xhaxhai kishte mbajtur me ushqime Çetën e Pezës, kishte strehuar djalin e Babë Myslymit dhe materialet sekrete të Shefqet Musarajt, tmerrin i asaj nate nuk do ta harrojë kurrë.

 

Flet “Nderi Kombit” Reshat Arbana:  Skënder Peza, djali i baba Myslymit u fsheh 15 ditë në shtëpinë tonë mos ta zinin gjermanët

-Si e morën xhaxhanë në hetuesi kur u hodh bomba në ish-Ambasadën Sovjetike

-Xhaxhai  gjatë luftës dërgonte mallra, veshje e mbathje për partizanët e Çetës së Pezës

– Deri në ditën e Çlirimit, në shtëpinë tonë ishin fshehur materiale sekrete, që i solli poeti Shefqet Musaraj

-Miq të xhaxhait ishin dhe kushërinjtë e Enver Hoxhës, Abedini dhe Muhamedi, të dy me kulturë

Gazeta Telegraf

Artisti kombit, Reshat Arbana rrjedh nga një familje modeste tiranase, zanatçinjsh, ku dashuria për fëmijët ishte kult, ku varfëria shpesh ngërthehej në luftë të përditshme me mbijetesën. Shqipëria, një vend i varfër, e ronitur nga krizat dhe e rraskapitur nga luftërat. Në një kohë të pakohë, ku të siguroje bukën e fëmijëve duhet të përballeshe fort për të ngadhënjyer mbi vdekjen. Pikërisht ato kohë, erdhi Reshati në jetë, kur pllakoste varfëria materiale, por në kulmin e dashurisë njerëzore dhe vlerave humane. Në familjen ku erdhi në jetë, mësoi diferencën e të mirës dhe të keqes, të vesit dhe virtytit, të bukurisë dhe shëmtisë, pra duke mbetur gjithnjë përjetësisht, pinjoll i një kulture dinjitoze dhe të ndershme.

Reshati dhe xhaxhai kishin një lidhje tepër të veçantë

Kur ndodhi tragjedia e të vëllait, Reshati ishte 4 vjeç. Ishte i përkëdheluri i xhaxha Shaqirit, të cilit i ndrisnin sytë kur e shihte. Dhe tani e kujton ninëzën e tij të ndritshme.  Nuk e përshkruan dot, nostalgjinë që ka për të. I kujtohet, dhe e kapërthen një mall i paparë. Ai e admironte. Nuk vinte askënd para tij. Nuk vlerësonte e nuk donte askënd më shumë se ai. Ishte gjithnjë pranë tij dhe kurdoherë. Ishte si një ngazëllim i brendshëm që të mban gjallë, që të fal vetëm energji pozitive, dashuri të patreguar e të vazhdueshme. Dashurinë e tij, e cilëson si bekim hyjnor. Edhe kur frekuentonte shkollën dhe nis të bëhet çapkën e problematik, ai ia falte të gjitha dhe i shpjegonte të mirën dhe të keqen me histori domethënëse.  Mbas një aventure tregtare në veri të Shqipërisë me kthimin në kryeqytet, babai dhe xhaxhai i Reshatit hapën një dyqan bakalli, ku shisnin mallra  industriale e ushqimore. Lufta i kishte gjetur me këtë dyqan. Nuk morën pjesë si luftëtarë, por si patriotë të ndershëm tiranas kontribuan me forma të ndryshme… Xhaxhai  kish dërguar mallra, veshje e mbathje për partizanët e Çetës së Pezës. Njëkohësisht dërgonte dhe shoqëronte për në çetën e Pezës, djem që rreshtoheshin me radhët partizane. Deri në ditën e Çlirimit, kishte strehuar e fshehur në shtëpinë e tij, materiale sekrete të qarkorit të Tiranës, që i kishte sjellë aty, poeti Shefqet Musaraj, i cili, siç tregonte xhaxhai, i kishte tërhequr më vonë, ditët e para të Çlirimit, të paprekura. Kishte  strehuar në kopsht për të mos rënë në dorë të gjermanëve për 10-15 ditë, Skënder Pezën, djalin e baba Myslymit, si dhe një djalë nga Burreli, që ishin arratisur nga burgu i Tiranës. Për kontributin që kishte dhënë gjatë luftës, xhaxhai nuk kërkoi kurrë shpërblim. Nëna shprehej gjithnjë, që i takonte 1000-lekëshi i luftës. Kishte të drejtë, pasi kontributi nuk ishte i vogël. Ajo përgatiti dokumentet, kërkesat bashkë me dëshminë që përmbanin deklaratën e Shefqetit, dhe Skënder Pezës. I dorëzon në zyrën e caktuar, por përgjigja që mori ishte “S’kemi fonde!”. Xhaxhai kishte prirje elitare dhe gjithnjë shoqërohej me njerëz të kulturuar që kishin mbaruar shkollat në Perëndim. Ndër ta ishin dhe kushërinjtë e Enver Hoxhës, Abedini dhe Muhamedi. Njerëz vërtet të nderuar dhe fisnikë. Enveri i kishte nëmur dhe i konsideronte armiq, paçka se Abedini kish shpëtuar shumë djem, të mos përndiqeshin nga fashizmi. Me detyrën që kishin  në Ministri të Brendshme, Abedini ndërhynte, që të mos kontrolloheshin shtëpitë e tyre. Po të gjithë e dinë si rrodhi historia e tyre fatkeqe. Të dy vëllezërit u persekutuan. Muhamedin e sikterisën nga Tirana në Shkodër, ndërsa Abedinin në vitin 1955, e arrestuan dhe dha shpirt në spitalin e burgut. Reshati kujton se mik të mirë kishin Selami Tiranën, i cili ishte diplomuar në Francë për veterinari. Ai frekuentonte vazhdimisht shtëpinë e tyre, që ndodhej në zemër të Tiranës. Ai kishte bërë disa vite burg. E mban mend që ai tregonte se si dëgjonte radio Londrën, fshehurazi, dhe diskutonin për probleme ekonomike e politike të kohës me xhaxhanë dhe babanë. Nga ai ka mësuar se në teorinë komuniste, forca lëvizëse e shoqërisë ishte lufta e klasave, e cila ishte e përjetshme. Metodat e diktaturës ishin të shkallëzuara dhe synoheshin të krijonin gjithnjë psikoza te populli. Ndër më kryesoret ishte ngjallja e frikës si: imperializmi, revizionizmi, armiku i klasës, sabotimi. Fushata e mbledhjes së floririt dhe koncepti që çdo tregtar ishte i poshtër. Puna vullnetare dhe mitingjet e vazhdueshme ishin kthyer në trend. Shpallja e kulakëve dhe armiqve politikë ishin kthyer në rend të ditës. Të gjithë familjet e të arratisurve dhe të dyshimtëve i internonin në zonat kënetore. 

Vitet e fëmijërisë

Vitet rridhnin dhe ai hidhte shtat si lis. Deri afër moshës 15-vjeçare, flinte në shtrat me gjyshen e tij, një plakë e butë, shumë – shumë e dhembshur, që e adhuronte. Hava e quanin. Ajo e ushqente e i fliste tërë dashuri. Nuk ngopej me ligjërimin e saj, aromën e pastër të trupit. Dhe me merhamanin që mbante në kokë, si të gjitha plakat tiranase. Por një ditë, në shtëpi, do të plaste sherri. Dikush, i kishte thënë  prindërve, që nuk është e shëndetshme që fëmija të rritet, të flejë me frymën e plakës. Dhe një natë, kur mbërrin koha e gjumit, nëna i thotë: “Sonte do të flesh në kullë me vëllanë!”. Nisi të ulërinte dhe sytë i nxirrnin shkëndija inati. Ishte mësuar që i vogël të flinte me të. Gjyshja nuk bëzante. E mbledhur kruspull, vajtonte në heshtje. Ardhja e xhaxhait qetësoi ujërat. Atë natë fjeti përsëri me gjyshen, duke u trembur disa herë nga makthet. Pas kësaj ngjarje, xhaxhai përgatiti një “plan” të detajuar, që në fakt ishte një kurdisje, që e preku atë thellë në shpirt. Këtë detyrë, ia ngarkoi mësues Bedriut. Ta zgjidhte ai si ishte më mirë.  Reshati dyshoi nga ky “skenar” që për të nuk ishte vështirë të kuptohej se ish i sajuar, por ishte i lumtur, që shokët e tij nuk do e merrnin vesh se kujt i drejtohej mësuesi. Xha Shaqiri, mësuesin e gjuhës, fisnikun Bedri Llagami e kishte mik, por edhe kushëri. Gjatë një ore shpjegimi, Bedriu, kur po fliste për higjienën, rëndimet dhe pasojat e saj tek njeriu, e vërtiti  muhabetin në hullinë e duhur. Shpjegonte se si duhet të kujdesen për veten, për higjienën personale. Këshillat e tij ishin, të flihej në dhomë me dritare hapur, që të merrnin ajër të pastër. “Të flemë vetëm në shtrat,” vazhdoi mësuesi i mirë…se mund të ketë ndonjë (jo këtu, jo ndër ju), por mund të ketë, apo jo?” Nejse, moralin e këshillës e mori. Del nga shkolla, ngarkuar me porositë e mësuesit, dhe për herë të parë iu kristalizua ideja, që nuk duhet të flinte më me gjyshen. Xhaxhai, si gjithnjë, e kishte zgjidhur në mënyrë paqësore, e pa e lënduar.

-Nuk do të flejë më me nonën xhajë,-i thotë kur kthehet në shtëpi.

-Si ?!

-Po, ja, nuk asht mirë. S’është e shëndetshme. Mësues Bedriu na foli për këtë. Unë të gjitha i kisha ndigju nga ju, por sot vendosa. Ai i buzëqeshi dhe e përqafoi me ngrohtësi.

-E ty të keqen xhaja! Po ti je djalë i zgjut! E bone hak një çokollatë.

Një ngjarje e veçantë

Ishte viti 1951. Dimri i egër ishte shtrirë në gjithë Ballkanin. Asokohe, nuk ekzistonte ngrohja globale, dhe stinët ishin stoike. Ishin mbledhur të gjithë rreth oxhakut, ku ndizej një zjarr bubulak.  Në shtëpi kishin mik, Spiro Shtagën, ish-partizan. Biseda ishte e nderë, dhe e qetë. Flisnin për hallet e përditshme, për kujtimet e zjarrta të së kaluarës, për fëmijët dhe vuajtjet shpirtërore. Një shpërthim i duhishëm, ndërpreu gjithçka. Ishte diçka e beftë, se prej vitesh nuk kishte më luftë. Të gjithë kundruan njëri tjetrin në sy. Makthet e shpërthimeve, u dilnin shpesh në ëndërr, dhe ishin të zakonshme. Ç’po ndodhte vallë? Me vëllain e tij Ruzhdiun, zbret pranë Ambasadës Ruse, sot Ministria e Arsimit. Rruga e Durrësit ishte pushtuar nga mjete të blinduara, ushtarë e njerëz kurioz që pëshpëritnin me njëri tjetrin. Një plak rrondokop i tregoi se kishte plasur një bombë. U kthyen me vrap në shtëpi, dhe i treguan të afërmve. Sapo mësuan këtë fakt, mban mend Spiron që foli:

-Mos lëvizni, të presim për të mësuar më shumë!

Deri vonë, nuk lëvizi njeri nga shtëpia… Të gjithë ishin në pushtetin e frikës. Pas mesnate, Spiro bashkë me të shoqen, Marijen, ikën për në shtëpinë e tyre. Pjesëtarët e tjerë të familjes u shtrinë në shtretërit e tyre. Sa e kapiti gjumi, dëgjonte hapat e të mëdhenjve, të vërdalliseshin nëpër odë si luanë në kafaz.

Tmerri i asaj nate vazhdoi…

Kishin kaluar tre ose katër orë nga ngjarja. Dita ishte afër agut. Disa trokitje në portën e jashtme bënë që të zgjohen nga gjumi të mëdhenj e të vegjël.  Tezja me trupin e saj të lehtë, i zmbrapsi, dhe e çeli vetë portën. Në gjysmë terr dalloi një polic shtatlartë me grada në gjoks. Kishte nofulla të trasha dhe mustaqe të zeza pis.

-Mirëmbrëma! Më falni….shtëpia e Shaqir Arbanës?

-Si urdhëroni,- u përgjigj tezja.

-A është brenda Shaqiri?

-Po!

-Bëjini një zë, ju lutem! Të zbresë. Mos u shqetësoni! Do të vijë me ne. Nuk do ta mbajmë shumë. Rrini të qetë Xhaxhai mbërriti në këmbët e tyre. Të gjithë të tjerët ngrinë. Tek parakaloi para tyre,  xhaxhai iu drejtua të gjithëve, që tashmë ishin afruar te porta:

-Fëmijë, flini! Mos u merakosni! Nuk ka asgjë! Asgjë nuk do të ndodhë, asgjë! Nuk kam ngrënë hudhra, dhe nuk më vjen era.. Vrap brenda se do të ftoheni!

Xhaxhai iu afrua Reshatit dhe e puth në ballë, pastaj largohet me hapat e tij të sigurt e të matur. Ishte fëmijë, po një ngushticë e cimbisi në shpirt. Tmerret e arrestimeve dhe frika ndaj pushtetit, në atë kohë, ishin makth. Herë pas here, dëgjohej, ndonjë intelektual ose tregtar që syrgjynosej nga zonat e vdekura të Lushnjës e Fierit. Të kallkanosur, u mblodhën rreth vatrës. Mungesa e tij, ishte rëndesë për familjen patriarkale. Ai ishte shtylla e fisit. Le për Reshatin që ishte më shumë se baba. Ishte një motiv, ishte një figurë, ishte gjenetikë krenare, ishte ekzistencë, ishte gjithçka.

-Të shkretët ne ç’na gjeti…..Ç’ishte kjo mor Hamit, iu drejtua tezja  kunatit të saj (babait të Reshatit)?

-E ku e di unë i shkreti, ç’të them! Zoti e bëftë mirë ishalla!

-Ku të shkoj? Ku të mbytem?-vazhdoi tezja. Çfarë të bëjmë? Nga t’ia mbajmë?

-Hesht, hesht, se nuk do të ndodhë gjë, ishalla! Ma ndjen zemra, Shaqiri vetëm të mira ka bërë. Nuk shkel në dërrasë të kalbur ai, -u mundua babai të qetësonte tezen dhe të tjerët.

Koha, kish ndalur. Agimi, dukej se fshihej tej në horizont e dukej se s’do vinte kurrë. Pritje pa fund. Kur fashat e agut nisën të zbardhnin kopshtin, dhe u zgjatën në dhomë, u ndjenë pak më mirë. Po misteri po i mbyste të gjallë. Shpërthimi i bombës, nuk ishte një ogur i mirë, përkundrazi… Mos i kishte shpëtuar ndonjë fjalë për pushtetin popullor apo kish folur kundër komunizmit. Ku do të shkonin? Nga do degdiseshin. Mos i çonin të gjithë në internim. Panik pa fund. Minutat dukeshin si orë.   Kur nuk pritej porta u hap, dhe panë xhaxhain të përshëndetej me oficerin e policisë. Ishte si një dhuratë nga qielli. Një “happy end”, i gjithë sikletit që përjetuan.  Pasi e përqafuan, e shtynë të kallëzonte ç’i kish ndodhur.  Ai fërkoi mjekrën, psherëtiu pak, dhe filloi të flasë duke tundur kryet:

-Do flas, do flas…Po hidhini dru zjarrit! Kam mërdhif, shumë!

-Më çuan në rajonin e policisë ( në rrugën e Durrësit). Më futën në një dhomë. Më lanë vetëm disa kohë. Pastaj hyri një mesoburrë, me uniformë e nisi të më pyes gjerë e gjatë…

-Ku banon?

-Këtu afër, mbas legatës sovjetike, jetoj me vëllanë.

-Ç’punë bëni? Ç’profesion keni?

-Shes perime dhe zarzavate.

-Si të quajnë?

-Shaqir……

– Po …..Ke  flori? Ne na kanë thënë që po.

-Kam diçka….Po jo ndonjë gjë të madhe.

-Sa…sa? Sa ke gjithsej?

-Pak, sa për familje, për një ditë të keqe, afërsisht 5-6 dubje turku. I ka sjellë gruaja në pajë. Dhe gjer më sot nuk i kemi harxhuar.

-Mirë, mirë çohu! Dhe më mori, më vuri përpara, drejt një korridori të gjerë, ndarë me perde dhe dyer, të shumta. Nisi të hapë njëra pas tjetrës ndarjet me perde. Pas çdo hapje qëndronte një person.

-E njeh këtë njeri? Shqeva sytë për ta parë më mirë. Ishte një rrobaqepës specialist.

-E njoh, është shok e miku im. Punon si rrobaqepës. Halil e quajnë, Halil Farka. Burrë shumë i mirë dhe i ndershëm.

– Po këtë? Foli duke hapur një perde tjetër, e cila zbuloi kasapin, Din Malokun. Kështu i thirrshim.

-E njoh, Din e quajnë, kasap është.

-A kanë pare….?

-Nuk e di, pyetini. Po nuk besoj, punojnë për të jetuar. Ku i bonë paret ata…

Sigurisht kjo mesele krijoi një hendek pasigurie. Realiteti komunist ishte në antagonizëm të vazhdueshëm me tregtarët e vegjël, që shumë herë cilësoheshin si armiq të klasës e shiheshin shtrembër. Jo pak burra u sakrifikuan nga kjo ndodhi që tronditi Tiranën e Shqipërinë ato ditë. Kjo ngjarje, pa dyshim la një përshtypje te Reshati që sigurisht nuk mund ta përcaktonte, por që kish lënë një hije frike në shtëpi. Tek familja e tij këtë gjë e kuptonte nga bisedat e të mëdhenjve, e veçanërisht tek çehrja e zymtë e xhajë Shaqirit. Kjo ndodhi e bëri të largët dhe të ftohtë me pushtetin, dhe pesimist se ç’mund të ndodhte më tej. Kishin ëndërruar për diçka tjetër. Po ku ka drejtësi në këtë botë. Shumë prej atyre që u arrestuan atë natë, u ekzekutuan.

 

Adoleshenca ka pasur ulje ngritjet e veta. 

Në atë kohë nuk njihej si term po sot e analizojnë me imtësi. Politeknikumi “7 Nëntori” ishte një shkollë që i mësoi disiplinën dhe e futi në artin e madh të njohurive. Ishte një shkollë që i  pëlqente, sepse atij i jepej shumë ndoresh për gjithçka, dhe kishte natyrë krijuese. Sigurisht që mbetën pas shokët e vjetër të lagjes dhe u njoh me miq të rinj. Çapkënllëqet dhe rrengat e fëmijërisë nisën të davariteshin kujtesës. Kishte shumë angazhime me shkollën dhe mezi gjendej koha për t’u marrë me ndonjë gjë që e relaksonte. Shokët e rinj ishin Arbeni, Viktori, Pandi, Jorgo e ndonjë tjetër. Atëherë bashkoheshin dhe shkonin të bënin banjë  në Erzen apo në lumin e Tiranës. Një ujë kristal. Laheshin dhe hidheshin nga lartësitë. Ishte viti 1952 apo 1953, kur xhaxhai për Bajram (kurban bajrami) kishte blerë një qengj të bukur të zi me pulla të bardha. Erdhi momenti që do e thernin. Kur pikas në shtëpi kasapin e lagjes, Dullën, nis lufta.  E adhuronte atë qengj të butë me atë vështrimin e pafajshëm si të ishte njeri. Ulërima, thirrje, e përplasje këmbësh e duarsh që alarmuan lagjen. Lutje, marrje me të mirë, propozime për oferta të ndryshme. Kasapi rrinte me duar të kryqëzuara, duke e ndjekur këtë skenë me tundje të kokës, sikur donte të thoshte se kjo punë ishte e kotë. Kjo skenë zgjati shumë. Dhe sa u hap porta, hyri xhaxhai. I kishin çuar fjalë, të vinte e ta bindte djalin e tij për shpirt. Se dhe nga druri që kishte ngrënë, nuk ish bindur dhe as që kishte ndërmend ta bënte një gjë të tillë. `

– Kush ma ka mërzitur çunin, kush ia ka prish qejfin. Qengjin e kam sjellë për çunin, që të luaj e ta ketë shok… Hajde, hajde ke xhaja ti! – dhe  Reshati iu hodh në qafë, duke e puthur e shtrënguar plot mall e falënderime, njeriun që gjithmonë derdhte aq shumë dashuri për të. Kaq ia zbuste gjakun dhe ia ulte tensionin xhaja i tij, sa me pak punë, pak lutje, fjalë të buta apo një sebep që mund të gjente xhaja, ai binte menjëherë në ujdi…Dhe xhaxhai, ndjeu se si ju hodh në qafë, duke e shtrënguar fort, shumë fort, me gjithë forcën e tij. Duke i shprehur kështu, dashurinë dhe afeksionin që ndiente për të.