RRËFIMI I KOLONEL MYSLYM PASHËS

856
Argumentet e mia për të kthyer paktin detar me Greqinë

INTERVISTA I/ Rrëfimi i kolonel Myslim Pashës, njeriut që tronditi Athinën

Jetëshkrimi
Karriera e një koloneli
Myslim Pasha u lind në Kremenar të Mallakastrës në vitin 1945. Kreu shkollën ushtarake “Skënderbej” e atë të oficerëve në vitin 1965. Shërbeu në Detashmentin Topo-gjeodezik të Shtabit të Përgjithshëm, e më vonë në Institutin Topografik të Ushtrisë. Kreu studimet e larta në degën “Gjeodezi” të Universitetit të Tiranës, në vitin 1975. E gjithë veprimtaria e tij në fushën e hartografisë dhe fotogrammetrisë është e përfshirë në kontribute brenda strukturave ushtarake. Në vitin 1983, ndëshkohet nga Partia e Punës, për ndikime ideologjike e krijime grupazhesh në Institut. Largohet në një Njësi Ushtarake në Fier deri në vitin 1991, kur kthehet sërish, në Tiranë. Largohet nga Ushtria në vitin 1992. Me një grup kolegësh krijon byronë hartografike “Gjeo- Vjosa” dhe punon deri në vitin 1997. Po këtë vit rikthehet në ushtri. Drejton për dhjetë vjet Institutin Gjeografik Ushtarak të Shqipërisë, në vitet 1997-2007. Merr gradën madhore ushtarake “Kolonel” Në vitin 1990 fiton gradën shkencore “Doktor i Shkencave”. Në vitin 2005 merr titullin “Mjeshtër Kërkimesh”. Është autor i disa botimeve teknike, midis të cilave, “Portreti Gjeodezik dhe Hartografik i Shqipërisë” (bashkautor), “Mbulesa e Tokës Shqiptare”, “Gjeografia Ushtarake”, “Simbolet e hartave topografike të shkallës 1: 50 000, standarde të NATO-s”, “Fotogrammetri dhe Fotointerpretim” dhe së fundi “Remote Sensing” dhe “Deti qe nuk falet” Ka ideuar dhe drejtuar studime për krijimin e hartave si dhe duke dhënë ndihmesë shkencore në pjesëmarrje e referime brenda dhe jashtë vendit.
Një pëllëmbë më pak apo një milje më shumë. Ngjan me një lojë fjalësh, por duket se çështja është më e thellë se çka shquhet në sipërfaqe. Ujërat dhe toka janë po aty, ndryshojnë veç koordinatat. Ato që janë dhe ato që kërkojnë të jenë…

Nga Athina zyrtare, vetëm pak ditë erdhi një thirrje tjetër për Shqipërinë; të shihen mundësitë e ratifikimit të marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar midis dy vendeve. Ndërsa oponenti kryesor i marrëveshjes të përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, kolonel Myslim Pasha, që mban dhe titullin civil të Doktorit të Shkencave, në një intervistë ekskluzive për “Telegraf”, argumenton pse sipas tij, është i pamundur ratifikimi i paktit detar të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese

Si i përfytyroni bisedimet e ardhme pёr Paktin Detar midis Shqipёrisё dhe Greqisё tё rrёzuar nga Gjykata Kushtetuese? 
Në fillim nuk do të ketë çelje të bisedimeve por vetëm një hapje sipari për të vështruar skenën dhe situatën në të cilën kanë rënë aktorët e Paktit. Nga ky prelud i ri, mund të ketë edhe hapa të ndërkuptueshëm… për të gjetur mundësi se si të “anashkalohet Gjykata Kushtetuese, se si të ndёrtojnё njё instrument, i cili të riafirmojё, qё marrёveshja ёshtё e rregullt…etj., etj..” Pra: si mund të dilet nga kjo situatë!? Kush e di se ç’mund t’iu pjellё mendja, nё atё tavolinё ribisedimore në rang të Sekretarëve të Ministrisë së Jashtme. Kёtu, na duhet të kujtojmё, se fjalёt mё të fundit të thёna nga Kryeministri Berisha gjatё njё interviste shumё muaj mё parё, nё njё televizion kombёtar kanё qenё: “…vendi im nuk ka humbur… vendimi ёshtё politik… po ne…” Pra ai nuk heq dorё nga vija kufitare detare e vendosur nё atё Marrёveshje. Do të vijojё qё të çojё nё vend, pohimin e tij, sepse nuk mund të thotё: “se marrёveshje ka qenё e gabuar…”, mbasi kjo do të hedhё pёrpjetё palёn tjetёr. Marramendёse! Ndёrkaq, pёrfytyroni, tani, palёn greke. “A do të pranojё ajo të ulё hundёn dhe t’i bindet njё vije tjetёr ndarёse, ndryshe nga ajo e para!?” Kjo ёshtё e pamundur, dhe fjalёt e paradokohshme të diplomatit grek e vërtetuan kёtё. “Marrёveshja ekziston. Ratifikoni!” Janё hedhur mendime se mund t’i kalohet Gjykatёs sё Hagёs. Po kush do ta bёjё kёtё? Të dy palёt kanё pёrputhje, janё nё marrёveshje dhe pёrkim të plotё, pra nuk kanё kundёrshti. (A do t’u bjerё ndёrmend për Gjykatёn Kushtetuese të Shqipёrisё!?)” Kush do të ankohet vallё!? Edhe nёse shkohet për konsultime, institucioni ligjor ndёrkombёtar, kur sheh se pranimi për njё vepёr të kryer, nuk ka ankestar, do të japё “OK”. 

Sipas jush, në çfarë kushtesh duhen filluar negocimet? 
Ribisedimet diplomatike për përcaktimin e kufijve detarë dhe të SHK (Shtratdeti Kontinental) nuk janë shumë më ndryshëm nëse krahasohen, me bisedimet e tjera diplomatike. Dëshira e mirë, besimi i ndërsjellët, janë tipare shumë të rëndësishme në të gjithë përvojën e ndërkombëtare të gjersotme.

I- Shtetet duhet të marrin në konsideratë rëndësinë për të gjetur një mënyrë sa më të mirë dhe më të përshtatshme për të mbrojtur interesat jetësore të shtetit të tyre, duke u mbështetur në ligjet e të së Drejtës Ndërkombëtare.

II-Qëllimi dhe objekti i të gjithë bisedimeve duhet të jetë në mënyrë tërësore i përshtatshëm me principet dhe normat e ligjeve Ndërkombëtare.

III- Shtetet duhet të gjejnë një kornizë mirëbesimi, në bisedime nё njё mjedis konstruktiv.

IV-Shtetet duhet të lehtësojnë arritjen e konkluzioneve të bisedimeve duke qenë të fokusuar drejt objektivave dhe synimeve të tyre të përbashkëta.

Qeveria shqiptare e ka humbur kёtё betejё, por ajo do të bёjё çmos, qё kёtё “humbje të quajë fitore…” Atёherё, s’ka gjё se shpërfillen interesat e Shqipёrisё…
Tanimë ju njiheni si mbrojtësi më i mirë i ujërave shqiptare nga ky Pakt Detar. Kur dhe si mësuat fillimisht për ekzistencën e Paktit me Greqinë? 
Në këtë hulli përgjatë debatit që u zgjua nga Pakti Detar me Greqinë, unë u futa krejt natyrshëm si një intelektual shqiptar dhe ushtarak, si një hartograf, me fatin tim të epërm që për gati një gjysmë shekulli, me kolegë të mi kam vizatuar, matur dhe orientuar tiparet dhe portretin e vendit tim, ata kufij tragjikë, ato gjeo-hapësira, të cilat në rrjedhë të ndryshimeve vijnë, deri në Shqipërinë moderne. Kur ke një njoftim, sado spontan, fillon të zhbirosh jo për të bërë zbulesë të mistershme, por për të dhënë një gjykim profesional. Kjo e tërheq studiuesin hap pas hapi, të kacavirret nga sipër, por edhe të përpiqet që të hetojë në rrënjë se ç’fshihet pas një Marrëveshjeje, pikërisht nga një njoftim, i cili mund të jetë edhe spontan. Kësisoj, më ndodhi edhe mua, që po atë mbrëmje kur me shkëlqim sipëror kumtohej firma e një Pakti, pata para meje një tekst Marrëveshjeje, që më solli një gazetar dhe një tufë koordinatash të vijës ndarëse të kufirit detar, midis Shqipërisë dhe Greqisë, një hartë të asaj gjeo-hapësire historike të kombit tonë. Në këtë çast nuk mund të isha një kundrues i thjeshtë, lexues i rëndomtë koordinatash gjeografike dhe “shkoi përtej” një njeri indiferent, si shumë të tillë, sepse më mbante zgjuar formatimi profesional hartografik, i cili që asaj “nate feste dhe miqësie midis fqinjësh”, m’u shfaq tronditës pamja detare, teksa pashë me vështrim të parë, grumbullin e ujdhesave të Korfuzit, kundruall vendit tim në Dheun Kontinental që të përfshinin një hapësirë ujore shumë më të madhe, e cila dukej si i thonë: “me sy të lirë…” Mjaftoi që të hidhej në këtë hartë një çift koordinatash e një pike fundore në Ngushticën e Otrantos, për të rrokur atë ç’kish ndodhur. Ajo pasdite ishte, siç e thamë, një festë midis të dy vendeve fqinjë, se “…nuk ishin tharë as firmat…”, por të nesërmen si kurrë ndonjëherë tjetër s’pati ndodhur, që të dallgëzonte një ndjeshmëri e lartë kombëtare. Kështu u bëra pjesë e debatit dhe nuk mund të dilja më prej tij. Kërkohej maturi, studim të thellë të marrëveshjes, e cila nxori aq shumë hollësi, pasaktësi sa që edhe sikur të doja në një farë mënyre që të heshtje, “ të palarat e Paktit” nuk të linin të tërhiqeshe. 

Më konkretisht, çfarë nuk shkonte me këtë Pakt dhe sa kishte rëndësi kjo çështje për Shqipërinë?
Paramendohet që duke kaluar një Pakt (Marrëveshje), para se të marrë vulën e Qeverisë ka kaluar në sitën, skanerin, dhe sensorin e një spektri të gjerë, ligjor, studimor, jo vetëm të një grupi negociator, por dhe të agjencive studimore të fushave të ndryshme, duke krijuar një siguri fundore. Tek ne u pa se si një ushtarak i lartë, jepte shpjegime dhe maste, bënte kundër-oponencë për të mbyllur skandalin, në vend që të flisnin specialistë më të afërt të fushës. Institucionet e tjera heshtën në poltronët e tyre madhore, Universitetet po kështu, e konsideruan kundërshtimin sikur s’ka lidhje me objektet e tyre studimore, duke qëndruar si spektatore. Ndërsa Akademia e Shkencave, u shpreh se “ nuk kuptonte gjuhën…” e oponencës. A ka vallë tjetër fushë, se ku duhet të kish “ shtrojë” dhe “mbuloje” studimore një vepër si ajo e ndarjes së kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë? Prandaj ky rast “sui generis” na shfaqet kaq i veçantë duke treguar një papërgjegjshmëri të lartë. Kjo, që sapo thamë u mbyll me një përplasje dere nga ana e Qeverisë , e cila as që e përfoli dhe as që dyshoi në vërtetësinë e veprës së vet edhe pse ndoshta kish filluar të hamendësonte e të tundohej njëfarësoj për “ vetëmbytjen e flotës së saj pa u futur në betejë…” Qeveria u vetëlëvdua, si dhe negociatorëve u hodhi “pelerinën e përkushtimit” dhe shau furishëm ata që dolën kundërshtarë, vetëm e vetëm që t’i shmangej përgjegjësisë së saj të drejtpërdrejt në sy të popullit. Për herë e më shumë bëhej e qartë se Shqipëria në këtë Pakt nuk ishte një shtet fqinj me Greqinë, me të drejta detare të barabarta, por inferior, dukej sheshit dhe me dokumente hartografikë, të zbuluar gjatë kësaj rrjedhe debati, se pala shqiptare nuk kish bërë gjë tjetër, në bisedimet diplomatike por veçse kish marrë një vijë të ashtuquajtur “mesore të baraslarguar”, të cilën e kishin hartografuar qysh më parë, dhe ua kishin sjellë shqiptarëve në tavolinë. Negociatorët tanë nuk kishin parë rrethanat gjeografike, nuk e kishin studiuar Ligjin e Detit dhe metodën tjetër po kaq të rëndësishme “ equitable solution = zgjidhje të drejtë e të paanshme” që e merr në dorë veprimi diplomatik i ndërsjellët, miqësor dhe fqinjësisë së mirë. Pala fqinjë në ruajtje të interesave të saj, (çka është e natyrshme), kish përzgjedhur atë metodë që e nxirrte Shqipërinë “me gishte në gojë” dhe i kish dhënë kompasin në dorë që ta maste e t’ua tregonte shqiptarëve se sa mirë e kemi matur (kësisoj dukej, që ishte mbërthyer bukur e bukur ky Pakt dhe “…ju shqiptarë mos e çani kokën se nuk kemi humbur asnjë milimetër…(këtë frazë e kanë përdorur me qindra herë qeveritarë, deputetë, politikanë të lartë…)
Arkiva/ Njoftimi për shtyp : Ja si e komentoi Ministria e Jashtme marrëveshjen
“Marrëveshja e nënshkruar nga ministrat e Jashtëm në prani të dy Kryeministrave, është realizuar në një proces negocimi të kujdesshëm, prej rreth një viti, në një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi reciprok dhe e bazuar në dëshirën e dy palëve për të realizuar një ndarje të drejtë të kufirit detar, mbështetur në të drejtën ndërkombëtare për këtë fushë, si dhe Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit (1982), në të cilën të dy vendet janë palë. Në procesin e negocimit të kësaj marrëveshjeje të rëndësishme, matjet janë bërë me metodat shkencore më të avancuara dhe nga specialistët më të mirë të fushës. Siç është theksuar në tekstin e marrëveshjes, 150 koordinatat e përcaktuara, të cilat, të bashkuara në një vijë të pandërprerë, caktojnë kufirin detar mes dy vendeve, janë absolutisht të baraslarguara nga pikat më të dala të kufirit tokësor të secilit vend. Kjo marrëveshje, tashmë pjesë e rëndësishme e kuadrit ligjor dypalësh, respekton në mënyrë rigoroze, të drejtë dhe të barabartë sovranitetin dhe integritetin e të dy vendeve. Të gjitha dispozitat e parashikuara në Marrëveshje respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi, parashikimet e Konventës së OKB-së për të Drejtën e Detit, si dhe janë konform të drejtës dhe praktikave ndërkombëtare në çështjet e delimitimit. Konventa për të Drejtën e Detit është baza mbi të cilën do të operojnë dy vendet tona në zbatimin e Marrëveshjes. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë i konsiderojnë trillimet dhe trajtimin abuziv të çështjeve të tilla të rëndësishme si një dëshmi të papërgjegjshmërisë e mungesës së thellë të profesionalizmit. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë kanë qenë e mbeten gjithmonë të gatshme të ofrojnë transparencën e nevojshme ndërkohë që abuzime të tilla nuk i shërbejnë as informimit të drejtë të publikut shqiptar dhe as interesave të shoqërisë dhe të vendi”.
Pasojat e një debati / Pasha: “Kërkuan të më mbyllnin gojën”
“Ky ishte një Skandal, i cili nuk mund ta gjesh në asnjë përvojë tjetër të kësisojshme, në asnjë vend të Botës, në historikun e zbatimit të Ligjit të Detit. Mediume të caktuara në përkrahje të hapur për Qeverinë e konsideruan pjesëmarrjen time si një “katapultë mediatike” dhe studiuesin një personazh komik, një Kolonel pensionist, folklorist, gjendur rastësisht …etj, kështu që duheshin të duroheshin gjithfarësoj skenarësh, lektoriumesh, të organizuara në Universitete, dëgjesash dhe shpjegimesh që bënte Qeveria me përfaqësues të saj. Një nga TV-të më të njohur në vend, me një mobilizim të sforcuar, në ekip, kish marrë përsipër që në një ballafaqim të drejtpërdrejtë ta kthente në komedi gjithçka që kishte ndodhur. Nuk ish shtrembëruar asgjë, veçse ishin bërë hulumtime hartografike dhe ligjore të së Drejtës Detare. Si mund të heshtej para gjeo-historisë së kombit tënd dhe dinjitetit të tij? Ky debat nuk ishte i lehtë. Po kështu, Qeveria u gjend e papërgatitur. Dhe mua më vinte keq për të. Ajo i kish kthyer sytë nga specialistët e saj: ushtarakë, diplomatë, hartografë dhe ata po në befasi e morën veten dhe i treguan “sigurinë e tyre”. Mirëpo Qeveria ishte e zënë “Me vijë detare të gënjeshtërt…” dhe deri në kulmin e epërm të saj, s’mund të besohej kurrë se mund të kish ngjarë diçka e tillë. Prandaj në fillim ata e morën me shumë lehtësi, si një shaka të “hidhur që e krijon media” …dhe buzëqeshën. Më pas filluan të tallen me studiuesit se “ishin të lajthitur, ca pensionistë, ksenofobë…” deri sa në këtë çmenduri dikush nga kjo radhë “kish hedhur një gur në pus… dhe tani në një zallamahi, hajt ta gjejmë ne të mençurit…” Qeveria, në këtë fillim nuk kish rrugë tjetër, veçse të mbronte veprën e saj. Them se gjeti mënyrën më të përshtatshme që t’i shpëtonte një skandali diplomatik midis të dy vendeve. Bën marrëveshje, hedh një firmë e vulos. Pak orë më vonë thua “Oh, ç’paskemi harruar! Ç’hata kemi bërë! Do ta kthejmë!” Kështu u lundrua në gati një vit të tërë… dhe s’kish gjasa për kthim pas. Mbase ata e kanë kuptuar se ishin duke lundruar në kurs të gabuar… që mund të jetë, një hamendje. Pata propozuar një rrugë më të arsyeshme dhe më të butë në kthesë, derisa të ratifikohej marrëveshja: Të organizohej një grup pune i pavarur që të hulumtonte në detaje, e kjo do t’i vinte në ndihmë debatit dhe asaj që u quajt “tejdukshmëri” Por ky propozim as që u dëgjua dhe kaloi kësisoj në vesh të shurdhër”.
( Intervista e botuar me 17 Nëntor 2010 në “ Telegraf” dhënë gazetarit L.Veizi )
(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI
-Çfarë kërkonte pala greke nga Pakti Detar me Shqipërinë
-Si u vu nё dijeni Shtabi i Pёrgjithshёm dhe Kryeministri
-Përplasjet me deklaratat publike dhe hartat hidrografike
Sigal